Ekonomia turke në “test”, përballë fuqizimit të Erdogan

Vëzhguesit ndërkombëtarë e konsiderojnë takimin nesër të Bankës Qendrore të Turqisë si një provë kritike për pavarësinë e këtij institucioni nga presioni i Presidentit Recep Tayip Erdogan dhe kontrollit të tij në rritje që shihet si pjesë e një axhende islamiste.

Monedha turke ka pësuar rënie të ndjeshme ndërkohë që rriten shqetësimet se qeveria e Erdoganit do të ndjekë politika ekonomike të pazakonta ndaj bankës.

Zoti Erdogan, i cili synon që bankat islamike të përfaqësojnë 1/4 e institucioneve financiare në vend, kundërshton me forcë interesat bankare që i cilëson si “nëna dhe babai i të gjitha të këqijave”. Ai i kundërvihet parimit ekonomik që me rritjen e interesave, bie inflacioni.

Investitorët presin që Banka Qendrore e Turqisë të rrisë interesat për të vënë nën kontroll inflacionin, që aktualisht përllogaritet në rreth 15%, ndër më të lartit në botën e zhvilluar.

“Nëse nuk rritet norma e interesit, tregjet do ta shohin këtë si një sinjal shumë negativ,” tha ekonomisti Inan Demir i firmës Nomura Securities.

Lira turke ka rënë rreth 30% që nga fillimi i vitit. Një shqetësim tjetër janë masat e gjera ekzekutive që ka marrë Erdogani që nga zgjedhjet e muajit të kaluar.

Gjatë fushatës udhëheqësi turk u zotua të ushtrojë kontroll më të fortë mbi ekonominë, përfshirë mbi Bankën Qendrore, që është institucion i pavarur.

Me emërimin e dhëndrit të tij si ministër i financave, Ergogani i ka acaruar shqetësimet ndërkombëtare.

Investitorët presin të shohin vendimet që do të dalin nga takimi i Bankës Qendrore nesër. Një ndër shqetësimet është se Ankaraja mund të miratojë masa të forta që pengojnë daljen e kapitalit jashtë vendit. Analistët e shohin kontrollin mbi lëvizjen e kapitalit si vetëvrasje për ekonominë turke. Kjo do të rezultonte në rënien e kredibilitetit financiar të Turqisë gjë që i heq vendit mundësinë për të marrë borxh pesë miliardë dollarë në muaj që i duhen për të mbuluar mungesat aktuale në buxhet.

Një tjetër problem ekonomik janë shpenzimet e larta publike. Investitorët thonë se edhe nëse Ankaraja nuk merr masa drastike për të kufizuar kapitalin, gjendja nuk do të përmirësohet nëse nuk kufizohen shpenzimet buxhetore.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Ilir Demalia: Si më mori peng dy ditë Sigurimi i Shtetit për të më rekrutuar

  Ilir Demalia është njohur ditët e fundit me dosjen e tij...
Read More