Ekskluzive/ ISHP zyrtarisht: Vaksina antigrip shpërndahet brenda nëntorit


Drejtorja e ISHP-së, Albana Fico: Vaksinat vijnë pranë ISHP-së brenda muajit nëntor dhe do të shpërndahen në të gjitha qendrat shëndetësore, 100 mijë dozat e para 

Jemi zyrtarisht në sezonin e gripit. Nga muaji tetor e deri në fund të muajit shkurt-mars, sipas udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vendet janë nën rrezikun e përhapjes së gripit. Edhe në vendin tonë prej një javë Instituti i Shëndetit Publik në bashkëpunim me OBSH, po organizon fushata ndërgjegjësuese me epidemiologë, personel shëndetësor dhe kryevaksinatorë të ASHR/DRSH/DSHP me fokus vaksinimi si mënyra më e mirë për ta parandaluar gripin. Deri këtu jemi në rregull për aq kohë sa fushata ndërgjegjësuese po bëhet me stafin mjekësor që qëndron në vijën e parë të punës në luftën antigrip, të cilëve po iu këshillon jo vetëm që të vaksinohen, por edhe si të ndikojnë në opinionin publik për t’iu mbushur mendjen zërave antivaksinë. Mirëpo sipas një vëzhgimi të kryer nga gazeta “Mapo” në disa qendra shëndetësore në Tiranë, rezulton se nuk ka vaksina antigrip. Madje për “Mapo” mjekët pohojnë që jo vetëm nuk janë shpërndarë ende vaksina antigrip dhe se nuk janë informuar se kur do vijnë, por se edhe ata si staf mjekësor nuk janë vaksinuar për këtë vit. Ndërkohë që vaksina fillimisht duhet të kryhet te të gjitha bluzat e bardha, të cilat janë në kontakt të drejtpërdrejtë me popullatën, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të tyre, por edhe të pacientëve të tjerë që paraqiten pranë institucioneve shëndetësore. Deri tani specialistët e shëndetësisë janë të pambrojtur përballë virusit të gripit dhe pacientëve të cilët mund të jenë me grip. Dhe sikurse shpjegon për “Mapo” një mjek infeksionist ky është një skandal pasi :“Personeli shëndetësor duhet të vaksinohet, sepse përbën një nga grupet më të rëndësishme të rrezikut, duke u bërë burim infeksionesh për të tjerët; ata mund të infektohen nga pacientët e sëmurë dhe nga ana tjetër, ata mbrojnë vetveten, mbrojnë familjen, por mbrojnë dhe pacientët e tyre”. Të shumtë janë edhe ata prindër të cilët të shqetësuar kanë rendur drejt qendrave shëndetësore që të vaksinojnë fëmijët e tyre me vaksinën antigrip, por janë gjendur përballë me mungesën e vaksinës dhe ngritjen e supeve nga ana e mjekëve të cilëve nuk iu është dhënë informacion për mungesën e deritanishme të vaksinës. Duke pyetur një mjeke epidemiologe se cila është periudha më e  mirë për bërjen e vaksinës antigrip, ajo për “Mapo”, thotë se: “Vaksinimi bëhet zakonisht në vjeshtë, para shfaqjes së gripit të parë, rreth dy ose tre javë para se të mendohet se mund të bjeri gripi në popullatë, pasi vetë vaksina që të veprojë (ta bëjë trupin imun) do të paktën 1 deri në 2 javë. Ka dhe një periudhë tjetër që bëhet, në pranverë, por që, më tepër se grip, në këtë periudhë kemi problemin e alergjive nga lulet dhe poleni”. I kontaktuar nga “Mapo”,  Specialisti i ISHP-së, Artan Simaku deklaroi se: “Deri tani mostrat e analizuara kanë rezultuar negative për virusin e gripit, do të thotë se akoma nuk është evidentuar qarkullimi i virusit të gripit në vendin tonë dhe sa i takon vaksinimit, periudha e vaksinimit është gjatë gjithë sezonit të gripit, praktikisht asnjëherë nuk është vonë për t’u vaksinuar”.  Me këmbënguljen e gazetës “Mapo” , drejtorja e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico sqaroi zyrtarisht se: “Instituti i Shëndetit Publik ka siguruar vaksinën ndaj gripit të cilën do ta përfitojnë falas punonjësit shëndetësor dhe disa prej grupeve me risk të popullatës. Këtë vit janë akorduar fonde të cilat mbulojnë ardhjen e 50 mijë dozave të vaksinës ndaj gripit, pra për herë të parë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale alokon fonde jo vetëm për vaksinimin të punonjësve shëndetësor, por edhe vaksinimin e disa grupeve me risk të popullatës. Gjithashtu, në bazë të marrëveshjes që MSHMS ka prej dy vitesh me Task Force For Global Health dhe CDC USA, janë siguruar edhe 50 mijë doza të tjera të vaksinës kundër gripit.  Vaksinat janë blerë nëpërmjet UNICEF siç blihen të gjitha vaksinat për Programin Kombëtar të Vaksinimit në Shqipëri. Vaksinat janë të parakualifikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.  Vaksinat vijnë pranë ISHP-së brenda muajit nëntor dhe do të shpërndahen në të gjitha qendrat shëndetësore, ashtu si ka ndodhur çdo vit dhe do të ofrohen falas. Vaksinimi kryhet në çdo kohë gjatë sezonit të gripit deri në muajin mars”.

Parandalimi

Vaksina, mënyra e vetme që ekziston dhe promovohet për të parandaluar infeksionin e gripit. Vaksinat janë një nga ndërhyrjet më të shpeshta që përdoren sot për të kufizuar përhapjen e gripit në popullatë. Në mënyrën se si tregtohen sot janë përbërës kimikë të sigurt, që mund të administrohen tek individët që 6-muajsh deri në moshë madhore me qëllim që të garantojë mbrojtjen e individit në qoftë se do të ekspozohet ndaj gripit.

 

Vaksina antigrip rekomandohet për të gjithë shtetasit mbi 6 muaj, por prioritet kanë grupet më në risk:

Punonjësit shëndetësorë

Gratë shtatzëna

Personat me diabet

Personat me azëm apo sëmundje obstruktive pulmonare

Personat me sëmundje kardiake

Personat mbi 65 vjeç

Personat me sëmundje të veshkave apo të mëlçisë

 

Kujdes nga gripi:

Për personat me probleme shëndetësore sikurse është diabeti, sëmundjet kardiake apo ato respiratore, gripi mund ta pёrkeqёsojnё gjendjen shëndetësore, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e  tyre madje mund të jetë fatale për jetën. Shenjat që tregojnë se ju jeni prekur nga gripi janë: ethe dhe të dridhura, kollë, dhimbje muskulore, dhimbje koke dhe këputje. Këto shenja nisin menjëherë dhe mund të zgjasin nga 3-5 ditë apo edhe deri në dy javë. Shumica e njerëzve shërohen shpejt, por ndonjëherë gripi mund të shkaktojë komplikacione serioze, duke përfshirë pneumoninë dhe bronshitin apo edhe vdekjen. Veçanërisht problematik gripi mund të jetë te sëmundjet e zemrës dhe të mushkërive. Te të sëmurët kardiakë marrja e frymës është shenja e parë që duhet të jetë shenjë alarmi, Insuficienca kardiake, virusi që godet muskulin e zemrës-që është miokarditi, janë këto shenjat që duhet t’ju shqetësojnë për probleme serioze me zemrën.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kumbaro i rikthehet Gjirokastrës: E panjohur problematika? Studimin na e bëjnë anglezët…

Rikthehet çështja e gjendjes së Gjirokastrës, dhe kalasë së saj; një takim...
Read More