Eksperti i mbrojtjes Kaim: Nuk është momenti për tensione me Turqinë

avion-tornado-i-bundeswehrit-niset-nga-incirlik-per-ne-siri

DW: Zoti Kaim, Turqia u ka ndaluar deputetëve të Bundestagut që t’i vizitojnë ushtarët gjermanë në bazën ajrore ushtarake të Incirlikut. A u mbush tani kupa dhe a është e pashangshme tërheqja e ushtarëve të Forcave të Armatosura gjermane të stacionuar atje?

Markus Kaim: Unë nuk do të shkoja kaq larg. Është hera e dytë që qeveria federale konfrontohet me këtë situatë. Në prag të rezolutës së Armenisë në Bundestagun Gjerman ka ndodhur një situatë e ngjashme. Më tërheq vëmendjen sa fort reagon Bundestagu, pra pushteti legjislativ, në një kohë që qeveria federale, pra pushteti ekzekutiv, sillet krahasimisht i përmbajtur.

DW: A bën qeveria gjermane me këtë sjellje një gabim të madh?

Natyrisht që tani mund të përplasësh këmbët nga inati dhe me gjeste të mëdha ta tërheqësh kontigjentin e ushtrisë gjermane nga Incirliku dhe ta zhvendosësh në Jordani. Por kjo nuk ndryshon gjë në faktin se Turqia mbetet një partner strategjik: nga njëra anë për misionin e koalicionit ndërkombëtar kundër Shtetit Islamik, dhe nga ana tjetër, për të frenuar krizën e refugjatëve. Nuk duhet harruar edhe se një paqëtim i luftës në Siri mund të arrihet vetëm me Turqinë. Prandaj për mua është e kuptueshme që qeveria gjermane nuk dëshiron t’i hedhë më tepër benzinë zjarrit.

DW: Shumë vëzhgues shohin në ndalimin e vizitës për parlamentarët një kthim tjetër kusuri për faktin se kohët e fundit janë pranuar në Gjermani kërkesa për azil, të shtruara nga ushtarë turq të NATO-s. Si mund të reagosh si duhet në këtë situatë?

Qeveria gjermane nuk mund të bëjë gjë tjetër, veçse të tërheqë vëmendjen në faktin që këto procese do të ndjekin rrjedhën e tyre, të përcaktuar në shtetin juridik. Për njohjen e kërkesave për azil gjithsesi nuk është kompetente qeveria gjermane, por drejtësia gjermane. Kjo do të thotë, se qeveria gjermane i ka këtu duart e lidhura dhe nuk është e vetme në këtë drejtim: deri tani, në Turqi kanë dorëzuar faktikisht vetëm një oficer të vetëm turk, të cilin e kërcënon një proces gjyqësor, dhe atë e ka dorëzuar Bullgaria. Të gjitha shtetet e tjera të NATO-s janë pozicionuar ngjashëm si Gjermania.

DW: Pra e duhet të mësohet politika gjermane me provokimet nga Turqia?

Tensionet në marrëdhëniet gjermano-turke të sigurisë do të vazhdojnë. Turqia ndodhet paralelisht në kërkim të një kursi të ri në politikën e jashtme. Ajo nuk i kthen detyrimisht kurrizin Perëndimit, por kërkon me këmbëngulje bashkëpunime me qeveri joperëndimore, në radhë të parë me rusët. Këtë ne e shohim në blerjet e armëve dhe në bashkëpunimin diplomatik. Si duket: kërkesat e Perëndimit nuk pranohen më, sepse ka alternativa.

Markus Kaim ist Senior Fellow në Fondacionin Shkenca dhe Politika (SWP). Fushat e specialitetit të tij janë politika e sigurisë dhe e mbrojtjes, veçanërisht në kuadër të misioneve multinacionale.

Bisedën e zhvilloi Richard A. Fuchs.

Shkruar Nga
More from Revista User

Papa në Kolumbi, apel kundër dhunës ndaj grave

Papa Françesku ka dënuar dhunën verbale dhe fizike ndaj grave dhe ka...
Read More