Eksportet, ekonomia shqiptare nuk po shfrytëzon kapacitet e veta

Vlerësimi i FITCH: Shqipëria nuk do të jetë në gjendje që të zhvillojë prodhimin e mallrave kryesore gjatë viteve të ardhshme, gjë që do ta pengojë vendin që të arrijë një bazë më të diversifikuar të eksportit.

Shqipëria nuk po arrin dot të shfrytëzojë kapacitetet e saj eksportuese. Ndërmarrjet shqiptare që prodhojnë për eksport e kanë shumë të vështirë të çajnë me mallrat e tyre në tregjet rajonale dhe më gjerë. Shifrat tregojnë përsëri se gjatë muajve të fundit ritmet e eksporteve janë në rënie. Sipas Bankës së Shqipërisë arsyeja kryesore e rënies së fortë të eksporteve është e lidhur me përgjysmimin e shitjeve jashtë vendit të grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”.

E para këtu është se nafta që nxirret në vend tani nuk po shkon më për eksport dhe e dyta ka të bëjë me faktin se sektori i energjisë elektrike jo vetëm që nuk shet në këtë stinë thatësire por përkundrazi është i detyruar të importojë dhjetëra milionë euro energji në muaj. Kjo e thellon edhe më tej deficitin tregtar të vendit, i cili është klasifikuar nga raporti më i fundit i BMI Research, pjesë e grupit vlerësues së njohur Fitch si sfida më kryesore për financat e Shqipërisë.

Eksportet në ngadalësim

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë eksportet kanë shënuar një rritje prej 13.4% me bazë vjetore për periudhën janar-qershor, duke ngadalësuar ndjeshëm ritmet e rritjes, teksa për 5-mujorin, zgjerimi ishte gati 17%. Arsyeja kryesore e këtij ngadalësimi lidhet me rënien e fortë të shitjeve jashtë vendit të grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, që në qershor pothuajse u përgjysmuan, për të arritur në 2.7 miliardë lekë (nga 5.3 mld lekë të njëjtën periudhë të një viti më parë).

Kjo ka bërë që rritja e këtij grupi për 6-mujorin të ngadalësohet në 11%, nga rreth 40% që ishte zgjerimi në muajt e parë të vitit. Arsyeja kryesore e këtij ngadalësimi lidhet me faktin se prodhuesi i naftës Bankers Petroleum, një nga eksportuesit më të mëdhenj, po e shet një pjesë të konsiderueshme të naftës në vend, te kompania IRTC, e cila më pas e përpunon dhe e hedh në tregun e brendshëm. Burime nga Bankers Petroleum pohuan se aktualisht 50% e naftës shitet në vend dhe 50% shkon për eksport, ndërsa vitin e kaluar e gjithë sasia shkonte për eksport.

Shifrat e qershorit

Sipas INSTAT, Në Qershor 2017 eksportet e mallrave arritën vlerën 23 mld lekë, duke u ulur me 0,3 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 7,1 %, në krahasim me Maj 2017. Importet e mallrave në Qershor 2017 arritën vlerën 56 mld lekë, duke u rritur me 8,4 %, në krahasim me një vit më parë dhe me 1,3 %, në krahasim me Maj 2017. Deficiti tregtar i këtij muaji është 34 mld lekë, duke u rritur me 15,1 %, krahasuar me Qershor 2016 dhe me 7,9 %, në krahasim me Maj 2017.

Rënia vjetore e eksporteve prej -0,3 %, këtë muaj është ndikuar kryesisht nga grupet: “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -11,4 pikë përqindje dhe “prodhime druri dhe letre” me -0,02 pikë përqindje. Grupet që kanë ndikuar pozitivisht në ndryshimin vjetor të eksporteve, janë: “materiale ndërtimi dhe metale” me +4,5 pikë përqindje, “tekstile dhe këpucë” me +3,8 pikë përqindje dhe “makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +1,6 pikë përqindje. Në gjashtë muajt e parë eksportet e mallrave arritën vlerën 133 mld lekë, duke u rritur me 13,5 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 295 mld lekë, duke u rritur me 5,6 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 162 mld lekë, duke u ulur me 0,1 %, krahasuar me 2016.

Çfarë eksportojmë

Grupi më i madh i eksportuar vijuan të mbeten tekstilet dhe këpucët, që për 6-mujorin u rritën me 7.8%, në 58 miliardë lekë, duke përbërë 43% të totalit të eksporteve. Në vlerë absolute, rritjen më të lartë të eksporteve e ka shënuar grupit “Materiale ndërtimi dhe metale”, me një zgjerim prej 6.4 miliardë lekësh me bazë vjetore për 6-mujorin (për tekstilet e këpucët rritja për të njëjtën periudhë ishte 4.2 miliardë lekë), apo me 42%.

Rigjallërimi i aktivitetit të Kurum (përmes kompanisë Albametal) dhe shtimi i eksporteve te materialeve të ndërtimit (çimentos) rezultojnë arsyeja kryesore e këtij zgjerimi. Grupi “Ushqime, pije dhe duhan” ka ngadalësuar rritjen në qershor, çka ka bërë që për 6-mujorin ai të zgjerohej me 13% në 13.6 miliardë lekë. Grupit “Mak, pajisje dhe pjesë këmbimi” i është kthyer sërish ritmeve të larta të rritje, me 24% për 6-mujorin, por ai mbetet i ulët në vlerë absolute, duke zënë 5.2% të totalit. Grupet e tjera mbeten ende të papërfillshme për sa iu përket eksporteve.

Paralajmërimi i BSH

Banka e Shqipërisë e kishte paralajmëruar rënien e eksporteve muaj më parë. Sipas saj kontratat porositëse për eksport ishin në trend rënës për disa tremujorë me radhë, ndërkohë që në tremujorin e parë të 2017 rënia ishte regjistruar me 10 për qind. Ecuria e kontratave në eksport është një indikator i ri që Banka ka nisur të publikojë vitin e kaluar. Ecuria e tyre ishte pozitive gjatë gjithë vitit 2015 deri në tremujorin e parë 2016. Më pas ka nisur rënia e cila vijon të jetë prezente edhe këtë vit. Rënia më e madhe e kontratave të porosive u pa në tremujorin e dytë të 2016 me 28%, më tej eksportuesit kanë dhënë sërish përgjigje negative, por me vlera më të ulëta. Ndikimin negativ në këtë rënie e ka pasur sektori i industrisë së rëndë, naftës dhe mineraleve.

Rënia e çmimeve në tregun ndërkombëtar dhe cilësia e dobët e produkteve të nëntokës shqiptarë i ka bërë më pak të kërkuara ato në tregun ndërkombëtar. Kontratat e porosive janë treguesi më i hershëm i ecurisë së eksporteve. Për shkak të kushteve jo shumë të favorshme të krijuara nga kursi i këmbimit, ulja e konkurrueshmërisë dhe çmimet jo të favorshme në tregjet ndërkombëtare i kanë bërë eksportet shqiptare të agropërpunimit më të dobëta, teksa shihet një ecuri më pozitive me rritje gati me 20% e eksporteve nga fasoni. Edhe pse treguesi i besimit të bizneseve ishte në përmirësim në tremujorin e parë 2017, bizneset kanë raportuar rënie të fortë të porosive të reja në të gjithë sektorët e ekonomisë, duke lajmëruar kështu se dobësitë në konsum do të vijojnë edhe në periudhë afatmesme.

Rreziku i rënies së eksporteve

Raporti i fundit i BMI Research, pjesë e grupit vlerësues së njohur Fitch, në parashikimin për vendet e Europës Juglindore jep panoramën ekonomike të Shqipërisë dhe analizon sfidat për vitet në vijim, duke e vënë theksin në nivelin e lartë të deficitit të llogarisë korrente. Llogaria korrente e Shqipërisë do të mbetet në mënyrë të vendosur sërish në deficit gjatë viteve të ardhshme, për shkak të deficitit të lartë tregtar të vendit. Megjithatë, një nivel relativisht i lartë i IHD-ve dhe rezervave ndërkombëtare e ulin rrezikun e një shpërthimi të krizës së pagesave në vitet e ardhshme.

BMI parashikon që deficiti i llogarisë korrente të Shqipërisë të mbetet i lartë por i qëndrueshëm në vitin 2016 dhe 2017, duke arritur në nivelet e 12.3% të PBB-së dhe 12.2% në 2017. Eksportet e ulëta do të jenë faktori kryesor që do ta mbajnë në nivele të larta deficitin e llogarisë korrente në vitet e ardhshme. Përshpejtimi i kërkesës në eurozonë, sidomos nga Italia, do të ndikojë pozitivisht në eksportet në vitin 2016 dhe 2017. Shqipëria është shumë e varur për eksportet e saj në Itali, e cila importon 52.0% të totalit të eksporteve të Shqipërisë. Raporti theksonte se Shqipëria nuk do të jetë në gjendje që të zhvillojë prodhimin e mallrave kryesore gjatë viteve të ardhshme, gjë që do ta pengojë vendin që të arrijë një bazë më të diversifikuar të eksportit. Për më tepër, importet do të rifitojnë terren në vitin 2016 dhe 2017.

Mbështetja ende pa efekt

Për t’u ardhur në ndihmë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që të bëhen të afta për të konkurruar në tregjet e huaja, veçanërisht në ato europiane, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka vënë në dispozicion 2 milionë euro. Në kuadrin e zbatimit të strategjisë së BERZH-it 2016-2019 për Shqipërinë, krahas projekteve të rëndësishme në fushën e energjisë dhe infrastrukturës, një vëmendje e veçantë i kushtohet mbështetjes për rritjen e konkurrueshmërisë të sektorit privat, për ndërtimin dhe zhvillimin e shpirtit të sipërmarrjes.

Në kuadër të projektit të financuar nga BE, nëpërmjet instrumentit IPA, po zbatohet projekti “Small Business Support in Albania” nga BERZH. Objektivi kryesor i projektit është forcimi i konkurrueshmërisë dhe produktivitetit të bizneseve të vogla e të mesme në Shqipëri, duke ofruar këshillim nga ekspertë ndërkombëtarë dhe konsulentë lokalë; transferimi i knoë hoë te SME-të përmes përhapjes së praktikave të mira dhe modeleve të suksesit; forcimi i cilësisë së shërbimeve të ofruara nga bizneset lokale. Ndërkohë, janë gati 75 kompani që kanë përfituar nga kjo asistencë teknike dhe kanë mundësuar që të rrisin dhe të përmirësojnë procesin e punës, duke u bërë promotor të eksporteve. Por pavarësisht këtyre ndërhyrjeve në nivel të ndërmarrjes në efektin e shifrave në total ndërhyrjet ende nuk kanë dhënë ndonjë rezultat konkret.

 

Shkruar Nga
More from Redaksia

Një e ardhme e artë turistike e pret ishullin misterioz shqiptar

Dikur i izoluar dhe shtëpi e personelit ushtarak, ishulli i Sazanit po...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *