Eksportet si indikator i sëmundjes së ekonomisë shqiptare

Axhenda liberale/ 7

Nga Besart Kadia

Shqipëria eksporton 925 lloje të ndryshme produktesh dhe ble nga shtetet e tjera 2639 produkte. Po ashtu, vlera e këtyre produkteve që ne eksportojmë është rreth 3.6 herë më e lartë sesa në vitin 2005; 1.8 miliardë euro në 2017 nga vetëm 480 milionë euro në 2005. Menjëherë lind pyetja se çfarë eksporton Shqipëria dhe cila është struktura e mallrave që ne eksportojmë? Në analizë më të detajuar të të dhënave krijon një panoramë të zymtë për konkurrueshmërinë e ekonomisë sonë dhe për potencialet e rritjes ekonomike në të ardhmen.

Së pari, një fotografim i produkteve që ne eksportojmë në 2017 krahasuar me 2005 tregon se jemi një ekonomi e pandryshuar (pavarësisht rritjes së vlerës së mallrave që eksportojmë). Për shembull vihet re se pothuajse gjysma e gjithë mallrave që ne eksportojmë përbëhen nga grupmallrat “këpuce dhe tekstile” ose siç njihet ndryshe nga industria fason apo “regjimi i përpunimit aktiv të mallrave” me një rritje mesatare vjetore prej 10%. Pesha e zërit të këtyre grupmallrave ka mbetur thuajse e njëjtë që nga viti 2005 në totalin e eksporteve. Në vitin 2017 ky grup mallrash arrin në vlerën e rreth 800 milionë, por kjo vlerë rrit artificialisht pretendimin se kemi shtuar me të vërtetë vlerë të re me 800 milionë euro pasi duhet të marrim parasysh vlerën e lëndës së parë të përdorur nga kjo industri dhe të vlerës së rieksportit të tyre. Në disa përllogaritje raportohet në media se vlera e shtuar e industrisë është vetëm 4%, pra gjatë vitit të shkuar në ekonominë tonë vlera e shtuar nga mbi 30 mijë punonjës të industrisë fason ishte vetëm 32 milionë euro. Një shifër kjo shumë e ulët për të qenë një industri fitimprurëse apo me perspektivë për të ndihmuar në pasurimin e ekonomisë shqiptare.

Së dyti, minerale dhe lëndë djegëse, ku përfshihet edhe nafta, tregojnë paqëndrueshmëri dhe e bëjnë të paqartë ecurinë e tyre në të ardhmen. Për shembull, nga viti 2005 deri në vitin 2013 mineralet zinin gjithnjë e më shumë rëndësi në strukturën e eksporteve të Shqipërisë. Rëndësia e kësaj industrie u rrit aq shumë sa në vitin 2013 ajo arriti të kalonte nivelin 40% të vlerës totale të eksporteve nga 5% që ishte në vitin 2005. Por ky trend është përmbysur dhe në katër vitet e fundit pesha e saj është përgjysmuar duke përbërë vetëm 19% të totalit të eksporteve. Rënia e vlerës së eksporteve i është atribuuar shpeshherë rënies së çmimit të mineraleve dhe naftës në tregjet ndërkombëtare. Për shembull një fuçi naftë në tregjet ndërkombëtare ka zbritur nga 108$ në 2013 vetëm 43$ në vitin 2016. Por një analizë më e thelluar vë re se edhe sasia/ pesha e mineraleve dhe lëndëve djegëse që Shqipëria ka eksportuar ka rënë me 18% nga viti 2013. Së dyti, vihet re se gjithnjë e më shumë nafta e nxjerrë në Shqipëri po përdoret për nevojat e brendshme të ekonomisë. Sipas relacionit të Ministrisë së Financave për Buxhetin e vitit 2018 thuhet se “karburanti prodhim vendës mbuloi rreth 30.8% të konsumit vendës krahasuar me 1.5% që ishte ky tregues në vitin 2016”.

Po ashtu, pavarësisht se vlera e produkteve ushqimore është rritur në mënyrë konstante gjatë 12 viteve të fundit ato sërish përbëjnë vetëm 1/10 e vlerës së eksporteve në total të ekonomisë sonë me një vlerë thuajse prej 180 milionë euro në vit. Nëse mendojmë se thuajse gjysma e popullsisë shqiptare teorikisht jeton dhe punon në zonat rurale ne duhet të vinim re një rritje domethënëse të eksporteve të produkteve ushqimore gjatë dekadës së fundit, e cila nuk ka ndodhur duke mos ndryshuar në thelb strukturën e eksporteve tona.

Ajo që mbetet shqetësuese është mungesa e eksporteve të mallrave që përdorin teknologji. Një sektor i rëndësishëm i ekonomisë që varet direkt nga niveli i teknologjisë është “prodhimi i produkteve kimike dhe plastike”. Në rastin e ekonomisë sonë këto mallra kanë zënë mesatarisht 1.4% të totalit të eksporteve në 12 vitet e fundit, duke treguar për mungesën e investimit në këtë industri të rëndësishme. Në fakt të dhënat krahasuese dhe me vendet e tjera të rajonit ekspozojnë “prapambetjen” e eksporteve tona ku vlera e produkteve kimike të eksportuara ka arritur në 8% të GDS-së, nga 1.5% që ishte në vitin 2005 për vende fqinje si Maqedonia. Ndërkohë që vlera e produkteve kimike të prodhuara nga ekonomia shqiptare nuk arrijnë as 0.1% të GPD-së sonë kur Serbia apo Kroacia e kanë 3% të GPD-së. Nga ana tjetër, importi i produkteve kapitale, që shërbejnë direkt për investim e prodhim në ekonomi përbëjnë vetëm 12.4% të totalit të importeve në Shqipëri, ndër më të ulëtat në Ballkan. Rumania këtë indikator e ka 31%, Serbia 22%, Bullgaria 20%, Kroacia 20% etj.

Ndër të tjera përveç faktit që struktura e eksporteve tona mbetet thuajse e pandryshuar në 12 vite, ajo që vihet re si një “deformim” nga praktika e shteteve të tjera është mbështetja tepër e madhe te vetëm një partner tregtar. Shqipëria është i vetmi vend në rajon ku një partner tregtar siç është Italia zë 55% të vlerës së mallrave të eksportuara. Ndërkohë që shtetet e tjera e kanë tejet të diversifikuar “adresën se ku i shesin mallrat”, ku pesë vendet e para partnere për secilin shtet zënë thuajse më pak se 50% e gjithë eksporteve të tyre. Kjo ekspozon më pas vendin ndaj krizave ekonomike që mund të kalojë shteti italian.

Pra, duke qenë se në tërësi në 12 vitet e fundit mallrat që ekonomitë e tjera kanë dashur të blejnë nga ne kanë mbetur thuajse njësoj duke u përbërë kryesisht nga rieksportimi i materialeve porositëse, mineraleve e produkteve bujqësore, nuk është çudi që bilanci tregtar të ketë hyrë në një trend të pasigurt dhe me gjasa përkeqësimi. Në vitin 2009 Shqipëria arriti të ulë diferencën mes eksporteve dhe importeve në vlerën 970 milionë dollarë. Ndërkohë që për vitin 2016 bilanci tregtar i Shqipërisë ishte -2.7 miliardë dollarë ose sa 16.8% e GDP-së, ndërkohë që Serbia bilancin tregtar e ka -7.3% të GDP-së, kurse Kroacia që nga viti 2010 ka bilanc tregtar pozitiv në vlerën e 3% e GDP-së. Në fakt Banka Botërore e rendit Shqipërinë si vend me të ardhura të mesme të larta. Për këto shtete bilanci tregtar renditet në -2% të GDP-së. Ky bilanc tregtar kaq negativ në fakt është në nivelin që kanë vetëm shtetet me të ardhura të ulëta sipas renditjes së Bankës Botërore, si: Senegali, Ruanda, Zimbabue, Gambia. Kryesisht vende shumë pak konkurruese në ekonominë e tyre.

Së fundmi, indikatori i zhvilluar nga profesor Haussman për Kompleksitetin Ekonomik na bën edhe më pesimist për të ardhmen. Indeksi i Komplesitetit Ekonomik (IKE) është një matës edhe më i mirë sesa përqindja e popullatës me arsim të lartë apo vitet e investuara në shkollim për të parashikuar rritjen ekonomike. Ky studim shpjegon se struktura e eksporteve është një indikator i mirë për të parë strukturën prodhuese të një ekonomie dhe për të matur indirekt kapitalin shoqëror si dhe cilësinë e institucioneve ekonomike. Kjo tregon se nëse një ekonomi eksporton produkte komplekse industriale, atëherë punonjësit kanë më shumë njohuri sesa shtete që eksportojnë produkte të thjeshta. Duke analizuar tërë shtetet Haussman krijon Indikatorin e Kompleksitetit Ekonomik, ku në vend të parë renditet Zvicra me 2.5 pikë e ndjekur nga Japonia, Singapori Koreja e Jugut dhe Gjermania. Zvicra ka 184 produkte që janë me avantazh krahasues (që do të thotë vlera e tyre është disa herë më e lartë në raport me eksportet globale duke marrë parasysh madhësinë e shtetit).

Ndërkohë që Shqipëria shihet si ekonomia e 68-të në botë për sa i përket indeksit të kompleksitetit. Sipas këtij raporti ne kemi afërsisht 126 produkte me avantazh krahasues duke marrë parasysh madhësinë e shtetit. Në tërësi në hartën e “rrjetit të shkëmbimeve” Shqipëria ka si specializim të saj produktet e tekstileve dhe të këpucëve, peshk i procesuar (29 milionë dollarë të eksportuara), si dhe të disa produkteve bujqësore si domate (vlera e eksportuar në vitin 2016 ishte vetëm 26 milionë dollarë). Pavarësisht se në krahasim me shtetet e tjera ne kemi një përmirësim në renditje për sa i përket IKE, ekonomia shqiptare shfaq shenja të përkeqësimit të kompleksitetit ekonomik, ku nga 0.5 pikë pozitive në vitin 2010 ka rënë në -0.8 pikë në vitin 2016, duke treguar se eksportet janë tashmë një indikator i sëmundjes së ekonomisë shqiptare.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Fahri Balliu: Kritikët e Bashës kanë qenë një parti brenda PD-së

Këndvështrimi i botuesit Fahri Balliu për rezultatin e zgjedhjeve të 25 qershorit...
Read More