Ekspozita: Dhimitër Vangjeli, një arkiv i shpëtuar dhe i dokumentuar

Një emër pothuaj i panjohur në historinë e fotografisë shqiptare, edhe pse fotot e tij gjenden të pasqyruara në botimet më të rëndësishme që në vitet ‘20, por mjerisht pa përmendur autorin. Ky është Dhimitër Vangjeli, arkivi i të cilit është në listën e pasurisë kombëtare dhe po ekspozohet në Prishtinë, si rast për të kujtuar një kalendar të përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë

Një emër pothuaj i panjohur në historinë e fotografisë shqiptare, edhe pse fotot e tij gjenden të pasqyruara në botimet më të rëndësishme që në vitet ‘20, por mjerisht pa përmendur autorin. Ky është Dhimitër Vangjeli, arkivi i të cilit është në listën e pasurisë kombëtare dhe po ekspozohet në Prishtinë, si rast për të kujtuar një kalendar të përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku është bashkëpunuar me Qendrën Kombëtare të Inventarizimit të Pasurisë Kulturore dhe bashkia e Kolonjës.

Në regjistrat e kohës të fillimshekullit të 20-të, Kolonja nuk ka të evidentuar fotograf dhe Dhimitër Vangjeli ishte i regjistruar si sheqerxhi. Në një foto të ruajtur, jo nga fondi i negativave, por e ristampuar, gjejmë tabelën e dyqanit, ku shkruhet: Hëmbëltore, orëndreqës dhe fotografia. Dimiter K. Vangjel. Profesionin e ushtroi prej disa dekadash, u kujdes dhe e ruajti me dashuri për të lënë si trashëgimi pothuaj të papërsëritshme. Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore dispononte të dhëna se në fondin e Muzeut Historik Ersekë në fundin e viteve ’60 të shekullit të kaluar, ishin depozituar për ruajtje rreth 1300 negativë në xham të arkivit të fotografit kolonjar Dhimitër Vangjeli. Fondi i negativëve iu ishte blerë familjarëve të fotografit dhe ishte marrë në ruajtje nga Bashkia Kolonjë pasi rrezikonte shkatërrimin pas vdekjes së Dhimitër Vangjelit, por asnjëherë nuk u regjistrua si fond në inventarët e muzeut apo bashkisë, askush nuk e vlerësoi apo studioi, por mbeti i mbyllur në një valixhe të vjetër dhe arkë municionesh, dhe e njohën vetëm një grup i vogël njerëzish.

Kaloi aq shumë kohë sa u përhapën legjenda nëse ekziston vërtet ky arkiv apo jo.

QKIPK, në detyrën për krijimin e inventarit kombëtar të pasurive kulturore, bëri të mundur zbulimin, inventarizimin dhe regjistrimin në databazën kombëtare të Fondit të rrallë të fotografive negativë në xham nga krijimtaria e fotografit Dhimitër Vangjelit si një nga personalitetet e artit të fotografisë të realizuar në Shqipëri. “Tashmë mund të themi se ky fond është i shpëtuar dhe i sigurt dhe i përcillet publikut jo më si një legjendë urbane. Albumi “Kolonja përmes fotografisë së Dhimitër Vangjelit”, do të krijojë për publikun shqiptar dhe të huaj mundësinë e njohjes, vlerësimit dhe popullarizimit të kësaj pasurie kulturore si pjesë shumë e rëndësishme për jetën qytetare të fillim shekullit të 20-të, në një nga qendrat e zhvillimit të kulturës shqiptare për atë periudhë”, thuhet në njoftimin e qendrës së inventarizimit.

Tematika e ekspozitës referuar prezantimit të fotove është gjithëpërfshirëse, ku për herë të parë shfaqen foto nga negativët në xham origjinalë për të bërë të njohur këtë pasuri te banorët e Kolonjës dhe më gjerë, por pa shteruar imazhet nga pasuria e këtij arkivi të pasur.

Dhimitër Vangjeli, fotograf

Dhimitër Kristo Vangjeli, lindi më 1872 në fshatin Prodan të rrethit Kolonjë. Në moshë të re, u largua nga fshati për të jetuar për disa kohë në Athinë. Atje punoi e mësoi disa profesione. Kur u kthye në vendlindje hapi një dyqan të vogël në qytetin e Ersekës, mbi portën e të cilit vendosi një tabelë ku shkruhej: Hëmbëltore, Orëndreqës e Fotografia.

Në saje të pasionit të tij për fotografinë, ai brenda një kohe të shkurtër e shndërroi dyqanin në një laborator fotografik por jo studio, që sipas trashëgimtarëve e ka zanafillën që në fillimet e 1900-ës. Me pasionin e vizionin e fotografit dhe si njeri që e dashuronte punën e profesionin që kishte përzgjedhur, Vangjeli me aparatin fotografik në krah shëtiti në të gjitha fshatrat e Kolonjës duke u shndërruar në një person të njohur e të dashur për bashkëkohësit e tij. Si fotograf shëtitës, është ndër të paktët që ka në qendër të fotografisë jetën e pothuajse gjithë fshatrave me të gjitha ciklet e jetës, që nga lindja, pagëzimi, martesa deri edhe te ceremonitë mortore. Fotot e tij janë pasqyrim i saktë i gjendjes së Kolonjës në gjysmën e parë të shek. XX.

Në një vështrim të përgjithshëm të negativëve xham të këtij fondi të vyer, prej afërsisht 1300 të tillë aq sa kanë mundur t’i shpëtojnë kohës, pasqyrohen në mënyrë domethënëse ndoshta gati unikale portrete individuale e familjare, çifte të sapomartuar, grupe njerëzish, vajza e djem, të rinj e të moshuar, ceremoni nga festat tradicionale të vitit për të dy ritet ortodoks e bektashinj, ceremoni dasmash e mortore, foto të kishave e teqeve shoqëruar me klerikët e tyre, shkolla me nxënësit e mësuesit, dhe manifestime me qindra njerëz duke festuar evente të festave kombëtare, luftëtarë të armatosur vendas dhe të huaj, peizazhe etj. Të gjithë diapozitivat në negativ xham franceze që i blinte në Korçë e Selenik, të sistemuara në kuti kartoni të cilat shprehin origjinalitetin edhe sot, i ruajti si gjënë më të shtrenjtë në shtëpinë e tij në fshatin Prodan. Dhimitër Vangjeli ishte martuar me Dhespinën nga Borova dhe kishte dy vajza dhe gjashtë djem. Ai jetoi deri në fund të jetës më djalin e tij të vogël Arqilenë, i cili ka merita në ruajtjen dhe kujdesin e këtij fondi negativësh xham. Dhimitri ndërroi jetë në Prodan, më 1 prill të vitin 1957 në moshën 85-vjeçare. Pa më të voglin dyshim që pasioni i tij i fotografit është një vlerë e shtuar për Kolonjën dhe Kolonjarët. Me anë të fotove të tij, qartas ky album do tregojë dhe flasë me gjuhën e fotografisë për ato vlera të jashtëzakonshme që mbart krahina e Kolonjës.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Rruga e Ramës drejt fitores

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli sot rezultatin zyrtar për zgjedhjet e 25...
Read More