Ekspozita në Venecia: Vangjush Mio, arti i dritës në pikturë

Hapet sot ekspozita “Omaggio a Vangjush Mio”, dedikuar piktorit shqiptar në Venecia, e kuruar nga Vladimir Myrtezai dhe Migena Hajdari. Për këtë ekspozitë Myrtezai thotë: Arsyeja se pse gjendemi në Venecia për të paraqitur veprën e një autori shqiptar si Vangjush Mio është një shtysë për të riparë pozicionet kulturore nisur nga ajo “makineri” që bën dallimin e këtyre kulturave…

Nga Vladimir Myrtezai (Grosha)

Në një interpretim të raportit të dallimeve në kulturë dhe në art, Thomas L. Friedman, editorialist i New York Times, tha me hare se the world is flat – “bota është e sheshtë” (“A Brief History of the Twenty-first Century”), që sipas tij na bën me dije se profecia e “fshatit global” e McLuhan po realizohej përpara syve tanë falë premtimeve të përbashkëta të ekonomisë dhe teknologjisë. (Francis Balle)

Sigurisht që bota nuk është e sheshtë, në qetësim e sipër e sheshuar nga teknologjia dhe përbotëzimi, siç e paralajmëronte vetë Friedman. Në fakt, është krejt e kundërta: qytetërimet përjetësohen duke lënë të besohet se ato pranojnë të ndryshojnë, me qëllimin e vetëm që asgjë në të vërtetë të mos ndryshojë. Një botë e ndarë midis këtyre zonave të qytetërimit mbetet një “makineri” e mrekullueshme që prodhon dallime apo diversitet, për të qenë më “korrekt” me terminologjinë konvencionale.

Sot më shumë se kurrë, kjo makineri ka disa mjete që nuk i ka pasur më parë, nëse pranojmë ta përkufizojmë kulturën si një burim dhe sistem pikash referimi që i lejojnë çdo individi dhe grupi të mendojë, të veprojë e të shprehet lirisht.

Në fidanishten e këtyre kulturave të ndryshme, që në njëfarë mënyre janë repertori i rregullave të sjelljes, simboleve ose përfytyrimeve që mishërojnë vlera të shprehura në mënyrë të pabarabartë, ne i japim vetes ose marrim atë që quhet identitet. Sot më shumë se kurrë, të gjithë ndodhemi shumë pranë një numri gjithnjë e më të madh kulturash të veçanta, të ndara midis përkatësish, referencash dhe pëlqimesh të ndryshme, e ndonjëherë edhe të kundërta. Në këtë profeci të “fshatit global”, ku fryjnë erërat e lirisë së shprehjes, mund të lexojmë nëndarje dhe dallime që ruajnë në kohë historitë lineare të leximit të veprave të artit, pozicionin e tyre transmetues në një kompleks në zgjerim të autostradave të komunikimit, që në njëfarë mënyre është i gjithëpranishëm në marrëdhënien e përbotshëm midis kulturave. Rishikimi kulturor mbi një fenomen, qoftë arti apo hapësira më të reduktuara të kulturave, nuk bën më pak, por shumë e më shumë për të rilexuar nga një këndshikim i ri dhe përtëritës nëpër të dhëna dhe shenja se çfarë është e çfarë ka ndodhur në historitë lineare të artistëve apo lëvizjeve artistike në vende të ndryshme të planetit, si stacione të pashmangshme nga ku buruan ide dhe risi kulturore jo vetëm në domenin e arteve.

Arsyeja se pse gjendemi në Venecia për të paraqitur veprën e një autori shqiptar si Vangjush Mio është një shtysë për të riparë pozicionet kulturore nisur nga ajo “makineri” që bën dallimin e këtyre kulturave. Duke ndërmjetsuar kohën si të ndryshueshme dhe rrethanat “e vogla” që na tërheqin prej mënge, shtresa e këtij akti që mëton të jetë aktivitet bëhet më e lexueshme, të paktën tani për tani.

Të pozicionuar në kohë, kemi në vemendje një autor që nuk vjen nga e ardhmja, si parashikim, por nga e kaluara si mësim/përvojë, duke i dhënë kuptim kohor këtij dallimi e duke marrë distancën e mjaftueshme në përballje me kohën si vlerë që ndahet me tjetrin, e jo si objekt që muzeifikohet.

Natyrisht që piktori i zgjedhur nga ne, Vangjush Mio, duhet dalluar e hetuar në hartën e zhvillimeve të kohës që jetoi. Në artin e pikturës ai përfaqëson një dritë mesdhetare, gati emblematike në rrezatimin e vet. Ky rrezatim është adresuar nga kritika dhe qëndrimet politike të asaj periudhe, pavarësisht interferencës frenuese të konjukturave politike, të cilat kulmonin me artin e angazhuar në kuadër të platformës së realizmit socialist. Por, sidoqoftë ai ia doli në mënyrën e tij të na jepte një pikturë e cila orvatej drejt një kontakti të drejtpërdrejtë me natyrën, me mjeshtri dhe me një forcë dokumentuese të një imazhi të artefaktuar.

Në fakt, qe edhe jehona e idealeve të Rilindjes Kombëtare në Shqipëri që la gjurmët e veta te Mioja. Krahasimisht dhe në sintoni me artet e tjera të kohës, kontributi i tij është i dallueshëm për racën e krijuesve, ku përmes intuitës dhe formave të mbijetesës kornizoi imazhin e kohës, si një shenjë e harlisur që vetëm endet.

Trashëgimia e tij në artin pamor nuk se shquhet për ndonjë lëvizje radikale, por përsillet si risi e dritës në pikturë, dhe në nivel kombëtar përfaqëson një “njollë” arketipale, që koha po e ruan si një vlerë.

Në një pamësi më të zgjeruar për sa i takon ndikimit, gjuha artistike e Mios merr shkas edhe nga traditat rajonale ose nga shkollat ku ai studion.

Mio bën pjesë në një grup të vogël artistësh që moderuan dhe orientuan shijet estetike dhe bënë humusin e duhur për lëvizjet e ardhshme. Ai la pas një pikturë lirike, nëse mund ta themi këtë, e cila pati çfarë t’i jepte disa brezave pas tij.

Krijimtaria e tij shkon deri në kufijtë e një “metode” të re jashtë metodës së imponuar të realizmit socialist, duke dëshmuar në këtë mënyrë që në një kohë agresive apo të ndaluar ka xhepa ku mund të vetmohesh, qoftë dhe për pak.

I lexuar dhe i rilexuar brenda kontekstit, Vangjush Mio mbetet një nga pionierët e pikturës shqiptare, ose një përvojë e plein air-it në rrethanat e lirisë.

Në postimet e opinioneve ai u ravijëzua si një pelegrin që e ndërtoi të gjithë energjinë e tij mbi aktin e madh të rilindjes së imazhit kombëtar të vendit. Një synim i përzier në përpjekjet e gjithë elitave të grupuara në njësi të vogla qytetare, për ta rritur këtë ndjeshmëri, që në fakt ishte një moto e intelektualëve të kohës: shkrimtarë, dijetarë, mistikë, artizanë, tregtarë sporadikë e atdhetarë të mëdhenj.

Kjo shtysë e drejtoi të gjithë shpurën e intelektualëve në një kredo të veten. Nuk qe e shkruar, por po ta studiosh këtë fazë historike ku Mio la ndikimin e tij publik, ndien pikërisht këtë atmosferë. Me një gjuhë të drejtpërdrejtë të riprodhimit gati realist, ai po strukturonte rindërtimin e gjasave pamore, ku pjesë pas pjese formuan një imazh optimist të atdheut të tij.

Parë pas gati një shekulli, ai na shëmbëllen sot si një mision i përmbushur, duke shënjuar një etapë të caktuar, një territor që e mban me nder firmën e tij.

Po e rimarrim sot trashëgiminë e Mios për të hedhur dritë mbi identitetin e pikturës në vendin tonë, por edhe mbi artin në tërësi, si një vlerë historike apo një shenjë rajonale që ka shansin të rezonojë mjaftueshëm në dy kohë: dje dhe sot.

Roma, Firencja, Venecia dhe Bukureshti do të provojnë një komunikim shtesë, një copë “ekzotike” brenda hartës së përbashkët europiane, që me uljet dhe me ngritjet e saj i bën vend edhe Mios, duke na vënë kështu në lëvizje dhe në një dialog kulturor mes popujve dhe territoreve. Sot jemi në Venecia për të parakaluar me dëshmitë e tij krijuese, duke i riprekur këto treva të kulturës nën ajrin e komunikimit të përbotshëm. Një rrezatim pa kufij e ngastra ndarëse, si përpjekje që rrit diversitetin kulturor në shërbim të mirëqenies intelektuale e shpirtërore. Mio i ka të gjitha hiret për të joshur përtej konvencioneve të guidave kulturore apo turistike në një hapësirë si Venecia. Mio tenton të jetë një pasaportë e vlefshme në stacionin jashtë kufirit, si një nga pelegrinët e lajmit të madh të një bote pa kufij. Ai dëshmon edhe njëherë se mund të qëndrojë me nder në muzetë e rëndësishëm, me mbarsjen e duhur të një misionari të kulturës në tërësi dhe vendit të tij në veçanti.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Qeveria e vogël, fillimi i mbarë i mandatit të dytë

Nga Ervis Iljazaj Tashmë që Partia Socialiste ka fituar e vetme zgjedhjet...
Read More