Ekspozita “U e dua Çamërinë”: Piktorët “sjellin” ilegalisht shtëpitë e shkatërruara nga Parga, Suli e Vola

Në Muzeun Historik Kombëtar një ekspozitë e pazakontë për Çamërinë; Shpëtim Idrizi: Sjellim Çamërinë ashtu siç e kemi lënë ne, me shtëpitë e rrënuara dhe portat të cilat presin të zotët e tyre. Të gjithë shkojnë dhe e shohin Çamërinë sot, por asnjë nuk duhet ta mbulojë atë me harresë

Një koloni piktorësh shkuan si pushues në Greqi, dhe sollën Çamërinë në telajo. Misioni ishte krejtësisht i “fshehtë”, për të kaluar nëpër vendet ku gjurmët e gjenocidit grek ndaj popullsisë çame ruhen ende të gjalla. Autoritetet greke e ndalojnë aty si filmimin ashtu dhe sidomos pikturimin. Kolonia është rikthyer pak ditë më parë, pa treguar në kufirin grek për projektin. Piktorët pasi kanë udhëtuar me koloninë e tyre në disa zona të Çamërisë; në Pargë, Volë dhe Sulë kanë risjellë prej andej bukuritë e patjetërsuara, peizazhet mahnitëse si dhe gjurmët e pandryshuara të trashëgimisë historike, si këto vise shihen sot me sytë e piktorëve.

Kjo panoramë është ekspozuar dje në Muzeun Historik Kombëtar në rastin e javës çame, duke dëshmuar dhe “sakrificën” e sjelljes prej andej të pikturave.

Ideatori i ekspozitës, Alket Veliu u shpreh: “Çamëria deri sot është prezantuar e cunguar, për shkak të dhunës së ushtruar nga qeveria greke. Deri tani është bërë e mundur të flitej përmes historisë, këngës dhe valles por nuk janë lejuar ta shkelin, vetëm e vetëm për ta harruar Çamërinë. Lufta ka qenë më shumë se një shekull, dhe ja ku jemi në Pargë dhe Volë. Në kalanë e Qafës, në Sulin e luftëtarëve çam që u quajtën grek për kontributin e tyre në revolucionin e këtij vendi. Për çamët që nuk e humbën gjuhën e traditat, krijuam këtë ekspozitë”.

Janë ngjyra jete e dhimbje që prezantojnë sot Çamërinë, blunë joniane të mbushur me pllajat e ullinjve qindravjeçarë, vendin qëndrestar me shtëpitë e ndërtuar nga paraardhësit. Ndërsa artistët që realizuan këtë udhëtim ishin të rinj, duke iu bashkuar me punët e tyre dhe artistë si Pashk Përvathi, Kujtim Buza, Nikolin Ivanaj, Agron Dine, Edmond Kojani, Xheneta Kadillari, Nexhmedin Musai etj.

Janë kala e shtëpi, toka për të cilën ende mbetet një prej nyjeve historike më të dhimbshme, ku shpresohet se do merren sërish nga pasardhësit. Ndërsa kryetari i partisë së çamëve, PDIU, Shpëtim Idrizi duke vlerësuar si të jashtëzakonshme këtë ekspozitë, në formën se si është sjellë Çamëria dje dhe sot, u shpreh se “Gjenocidi mbi shqiptarët e Çamërisë nuk është vetëm fotografi e së kaluarës, por është Çamëria e mbetur gjallë, të cilët ne nuk harrojmë. Ne atje kemi të parët tanë, varret dhe shtëpitë. Ne e dimë shumë mirë që kënga, vallet, historia kanë qenë të gjalla, dhe kanë karakterizuar krahinën e Çamërisë si pjesë e kolanës së vlerave shqiptare. E kemi sjellë Çamërinë gjatë gjithë kësaj historie pikërisht për të luftuar paradigmën e harresës. Neve të gjithë na kujtohet vallja e Osman Takës, apo shumë valle e këngë që janë në memorie të të gjithë shqiptarëve. Këtë herë donim të sillnim Çamërinë, falë këtyre piktorëve të jashtëzakonshëm, Çamërinë ndryshe, të bukur që kushdo që e sheh e kupton çfarë vlerash ka ai vend. Por edhe Çamërinë ashtu siç e kemi lënë ne, me shtëpitë e rrënuara, me portat e vjetra të sjellë shumë bukur në këto pikura. Megjithëse na kanë sjellë shtëpi të rrënuara nga Çamëria ato janë prapë në këmbë, të forta dhe presin të zotët e tyre. Kjo u bë falë piktorëve, dhe njerëz të jashtëzakonshëm. E kemi quajtur ekspozitën U e dua Çamërinë, duke e sjellë në dialektin çam”. Duke kujtuar se kjo ekspozitë është shenjë e simbol për të mos lënë në harresë çështjen çame, Idrizi tha se “këta piktorë kanë shkuar në Çamëri dhe kanë parë atje jo vetëm bukuritë e saj, por u kanë sjellë pasardhësve, shumë më të afërt, dhe të drejtpërdrejtë një vend të jashtëzakonshëm. Të gjithë shohin Çamërinë, e takojnë shqiptarët e saj por asnjë nuk duhet ta mbulojë Çamërinë me harresë, as miqtë dhe as armiqtë”. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 27 qershor.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Principata në Shqipëri: Pas një shekulli, libri i Karl Thopias në shqip

Ky tekst përbën parathënien për librin 2-vëllimësh Illyrish-Albanische Forschungen - Studime iliro-shqiptare,...
Read More