Ekuilibrat politikë perfektë që dolën nga këto zgjedhje

Nga Ervis Iljazaj

Ngjarjet e fundit politike që kulmuan me rezultatin e zgjedhjeve dhe një fitore bindëse të Partisë Socialiste, kanë krijuar një sistem dhe ekuilibra perfektë politikë. Përtej rezervave dhe kritikave që mund të ketë gjithsecili për politikën shqiptare, që në të vërtetë janë shumë, kësaj here, falë edhe gjykimit popullor, pothuajse jemi një gjendje politike normale që askush nuk e mendonte dy muaj më parë.

Janë absurde, shumë nga analizat publike të cilat nuk respektojnë gjykimin e elektoratit shqiptar, duke aluduar se rezultati i zgjedhjeve u përcaktua nga blerja e votave, bandave apo elementëve të ngjashëm. Sigurisht që tentativa për blerjen e votës ka patur dhe mund të jenë konsumuar, por ato absolutisht nuk ndikuan në gjykimin e përgjithshëm të popullit shqiptar. Andaj duhet të marrë fund ofendimi i përditshëm që i bëhet këtij gjykimi nëpër studio të ndryshme televizive, a thua se njerëzit u morën prej dore dhe u detyruan të votonin për një forcë apo një forcë tjetër. Vota e popullit mund të gjykohet, nëse ishte e drejtë apo jo sepse gjykimi i tij edhe mund të gabojë, por kurrsesi nuk duhet të vihet në dyshim verdikti i vërtetë i tij. Duhet të kemi më shumë respekt për shoqërinë shqiptare!

E megjithatë për shumë arsye, ngjarjet e fundit kanë krijuar një panoramë politike, falë edhe këtij verdikti popullor me një ekuilibër demokratik si asnjëherë më parë.

Pikë së pari, këto zgjedhje nxorën një mazhorancë dhe një qeverisje të përqendruar në një forcë politike të vetme. Ky është një element pozitiv, pasi tani nuk do të ketë më alibi për keqqeverisje apo për marrëdhëniet e vështira me aleatët si më parë. Raporti midis vendimmarrjes, përgjegjësisë dhe përfaqësimit do të jetë i drejtpërdrejtë. Shqetësimet se nga kjo qeverisje do të vijë një mbipushtet janë të pabaza, sepse bëhet fjalë vetëm për pushtetin ekzekutiv dhe për asnjë nga pushtetet e tjera.

Pikë së dyti, pas humbjes të Partisë Demokratike, Kryetari i saj Lulzim Basha, ka hapur garën brenda saj për të rikonfirmuar lidershipin e tij. Është një reflektim dhe një marrje përgjegjësie e cila duhet përshëndetur. Një sjellje që duhet kthyer në traditë për të gjitha partitë politike shqiptare.

Pikë së treti, rezultati i zgjedhjeve krijoi një opozitë të fortë prej 67 mandatesh. Raporti midis mazhorancës dhe opozitës tanimë është një raport i cili ndahet vetëm me disa mandate. Kjo e bën më të shëndetshme dialektikën politike brenda Parlamentit dhe krijon një ekuilibër të plotë midis alternativave të ndryshme politike.

Pikë së katërti, pushtet e tjera janë tërësisht jashtë kontrollit të mazhorancës. Duke filluar që me Presidentin e Republikës, i cili i përket Lëvizjes Socialiste për Integrim, e deri te pushteti gjyqësor që po reformohet në bashkëpunim të plotë me opozitën, ka një balancim pushtetesh që do të kontrollojnë njëra-tjetrën duke siguruar peshat dhe kundërpeshat e domosdoshme në një demokraci kushtetuese.

Për të gjitha këto arsye, sistemi politik shqiptar ka arritur një pjekuri politike të plotë. Një balancim midis të gjitha pushteteve të një demokracie që duhet rrënjosur si një kulturë politike nga ku nuk duhet të bëjmë më hapa mbrapsht. Shpresojmë që këta ekuilibra mos të shërbejnë si konflikte, por si ushtrim funksionesh dhe bashkëpunimi midis hallkave të ndryshme të shtetit për të garantuar një rend politik frytdhënës në shërbim të reformave dhe prosperitetit drejt integrimit të mëtejshëm europian.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ministrat teknikë të opozitës dhe “i ëmbli” pushtet

Çfarë ndodh me ministrat e PS dhe LSI në qeverinë Rama dhe...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *