Kur policia zbuloi edhe një gëzhojë të dhjetë, pak orë pas vrasjes së Devi Kasmit, disa hije të vjetra nisën të shfaqen. Mënyra e ekzekutimit ngjante me një tjetër vrasje që tronditi Tiranën në vitin 2010. Franc Konomi, i njohur si ‘i forti’ i Tiranës sapo kishte dalë nga një lokal pranë “Ushtarit të panjohur” kur një motor i afrohet, duke qëlluar në drejtim të tij plot dhjetë herë. Si në rastin e Kasmit, në motor ishin dy persona. Rishfaqja e emrit të Konomit bëri që gazetarët të gërmojnë në arkiva për të gjetur historinë e tij dhe të djemve të rinj të fillimdemokracisë në Tiranë, që e nisën me grushta e përfunduan duke shitur drogë në rrugët e Europës.
Që prej vitit 2005, emrat e tyre nuk ishin lakuar në media, edhe pse në Perëndim ata bënin trafiqe që sillnin të ardhura të majme. Por më 29 janar të vitit 2018, emrat e tyre u rishfaqën në skenë kur u ekzekutua Devi Kasmi, mik i dikurshëm i Franc Konomit, por më pas i dyshuar për vrasjen. Në lojë është një tjetër emër, ai i Domart Konjarit, që mendohet se ka organizuar vrasjen e Kasmit. Por si ia dolën djemtë e fortë të Tiranës që të vazhdojnë luftën e tyre në mes të Tiranës, thuajse pa u shqetësuar nga policia?
Në fillim të viteve ‘90 në Tiranë u shfaqën “të fortët” e parë, që në fakt nuk kishin asnjë lidhje me grupet e krimit të organizuar që filluan të vepronin në vitet në vazhdim. Por organizimi i tyre nuk zgjati shumë dhe filluan të ndaheshin në zona, më pas të vrisnin njëri-tjetrin.
Në zonën e “Trenit të vjetër” dhe të “Restorant Durrësit” drejtonte Naim Zyberi dhe miqtë e tij, Franc Konomi e Fatos Keta.
Ata kishin në zotërim tërë lagjen e tyre dhe bënin një grupim shumë të madh në kryeqytet. Duke ndjekur unazën vinte lagjja e Gazmend Muçës, në “Rrugën Bardhyl”.
Në këtë zonë Gaz Muça ishte njeriu më i njohur dhe bënte ligjin sipas mënyrës së tij. Duke qenë se ai dhe Naim Zyberi ishin “të fortë” lagjesh, kishin njohje me njëri-tjetrin por edhe konflikte. Konflikti i fundit ndërmjet tyre ka lindur në prill të vitit 1992.
Franc Konomi, miku i ngushtë i Konjarit, do të mbahej më tepër si një nga ata që morën pjesë në atentatit që iu bë më 7 prill 1992 te “Xhamlliku” Gaz Muçës, edhe pse në atë ngjarje u tha se morën pjesë 4 vetë, edhe vetë Naim Zyberi.
Por edhe ndaj tij u morë hak, më 6 gusht 1997, pasi u vra në një spital në Milano të Italisë. Pak ditë para vrasjes, ndaj tij ishte bërë një atentat në të cilin mbeti i plagosur.
Zyberi në atë kohë u cilësua si autori i vrasjes së Gaz Muçës dhe Artur Grorit. Ndërsa në dhjetor 1997, ekzekutohet Fatos Keta, i cili cilësohej si një nga miqtë më të ngushtë dhe të besuar të Naim Zyberit.
Më 31 korrik 1998 vritet edhe vëllai i Gaz Muçës, Taulanti. Por vrasja e Fatjon Naxhakut më 3 gusht 2005 në afërsi të “Shkollës së Kuqe”, duket se është dhe pika e ndezjes fort të gjakrave mes Franc Konomit dhe kundërshtarëve të tij.
Naxhaku, që kishte mundur të arratisej në mënyrë spektakolare nga burgu i Marsejës në Francë, ishte nisur për të ekzekutuar Domart Konjarin, mikun e ngushtë të Franc Konomit, por nga përballja me të mbetet vetë i vrarë.
E i fundit që u ekzekutua nga të dy grupet ishte Franc Konomi. Më 8 korrik 2010, 10 plumba u lëshuan drejt makinës ku ndodhej ai, pranë “Ushtarit të panjohur”, duke e lënë të vdekur në vend.
Por historia nuk u mbyll me kaq. Konjari u lirua nga gjykata dhe nisi organizimin për vrasjen e personit që i kishte bërë atentat, por edhe që ishte përfolur për vrasjen e Konomit. Plani u finalizua më 29 janar të vitit 2018.