Elda Dedja: Bursa Pashko më mundësoi studimin në UET dhe të ndjek pasionin tim

 

Elda Dedja është një tjetër studente e Komunikim-Dizajnit dhe një tjetër përfituese e bursave që Universiteti Europian i Tiranës, ndan sipas meritës për ata që aplikojnë.
Elda është përfituese e bursës “Pashko” për vitin akademik 2016 -2017. Edhe ajo kishte qenë e vëmendshme gjatë bashkëbisedimit me pedagogët e UET-it në turin e gjimnazeve dhe e kishte lexuar me hollësi broshurën me informacione ndihmëse për të rinjtë që janë në kërkim të një dege studimi dhe të një universiteti që përmbush kërkesat e tyre.

“Për bursën Pashko kam dëgjuar fillimisht gjatë turit që UET ka zhvilluar në gjimnazin tim dhe kur u prezantua si mundësi nuk e mendova dy herë aplikimin. Si çdo nxënës ekselent edhe unë dëshirën e kisha të vazhdoja studimet e larta në një universitetet cilësor dhe UET ishte për mua universiteti i duhur”. Pasi u interesua rreth dokumenteve që duhet të dorëzonte në zyrat e universitetit, ajo u shpall fituese e bursës “Pashko”, që prezantohej për herë të parë pikërisht atë vit akademik .

“Për këtë arsye aplikantët ishin të shumtë në numër ndaj konkurrenca ka qenë mjaft e lartë. Pas disa fazash seleksionimi të kandidatëve mora vesh lajmin e shumëpritur se unë isha një ndër 10 fituesit fatlumë të bursës Pashko”- kujton Elda, duke shtuar se kjo bursë është e lakmueshme nga çdo student. “Veçanërisht për mua ka qenë një mundësi e jashtëzakonshme, pasi më mundëson jo vetëm të studioj në një nga universitetet privatë më të mirë në vend, por edhe të ndjek pasionin tim, dizajnin”.

Në universitetin shtetëror, rrëfen Elda, pasi u interesua kuptoi se dega që ajo dëshironte nuk ofrohej, ndërsa universitete të tjerë privatë kishin tarifa të papërballueshme për kushtet e saj ekonomike, “ndaj kjo bursë që unë kam fituar është padyshim një mundësi e artë. Kam hyrë në UET me një mesatare të lartë dhe vazhdoj të punoj fort për ta ruajtur atë” -thotë ajo, me pritshmëri të larta, që puna dhe përkushtimi t’i shpërblehen në të ardhmen. Me gjithë paragjykimet që shoqërojnë ende universitetet privatë, Elda shprehet e bindur se zgjedhje më të mirë se UET nuk mund të kishte bërë. “Nëse je i gatshëm të studiosh dhe përpiqesh çdo ditë për të përmirësuar veten, UET të mundëson rritjen profesionale që çdo student synon të ketë.

Për mua, paratë kurrë nuk e kanë bërë dikë më të mirë se dikush tjetër, janë vlerat ato që veçojnë individin dhe mund të them me plot bindjen se në UET kam gjetur “fushëbetejën” e duhur për të treguar se kush jam dhe çfarë mund të bëj” –thotë me bindje ajo, duke inkurajuar këdo që ka një talent, aftësi, ambicie dhe përkushtim për të ecur përpara të vijnë të trokasin në UET. “Bursat që ky universitet ofron janë ndihmesë shumë e madhe për të qenë një hap më pranë ëndrrës. Ndaj cilido maturant që ka dëshirë të bëjë ëndrrat e tij realitet, i ka dyert e hapura në UET”.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Mogherini priti në Bruksel kryeministrat e Ballkanit

Shefja e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, mblodhi të...
Read More