Elemente bazike të modelit kulturor të vlerave te shqiptarët

Nga Prof. dr. Aleksandër Dhima* 

Në disa vepra antropologjike, vlerave iu jepet një rol parësor në mbarëvajtjen e shoqërisë. Tipare të tilla kulturore, si: traditat, zakonet popullore, marrëdhëniet familjare e miqësore, arti dhe bota shpirtërore, bartin në vetvete simbole që shërbejnë si elemente themelore për identitetin e një populli. Vlerat kulturore ndryshojnë ngadalë, në shumicën e rasteve, ndërsa qëndrimet ndaj tyre ndërrojnë më shpejt. Çështja themelore është: si duhet të integrohet ndryshimi kulturor në konceptimin, strategjinë, planifikimin dhe programimin e zhvillimit të ardhshëm politik dhe atij ekonomik të vendit.

Po të krahasojmë kulturën shpirtërore të shqiptarëve me atë të qytetërimeve të tjera europiane, do të konstatojmë lehtësisht se ky popull ka vlera të qëndrueshme, por edhe vlera që kanë humbur ose po tjetërsohen dita-ditës, sikurse fitohen edhe të tjera, të paidentifikuara më parë.

Në këtë kumtesë bëhet një përpjekje e parë për ndërtimin e një modeli kulturor të vlerave në perspektivë krahasuese, duke iu referuar dy periudhave më të afërta që ka kaluar vendi gjatë shek. XX: e para, ajo diktatoriale, që ka lënë gjurmë të thella në ndërgjegjen e njerëzve; periudha e dytë demokratike apo paskomuniste.

Në thelb të analizës qëndrojnë disa elemente bazike, të cilët- në tërësinë e tyre- shërbejnë si “gur themeli” i identitetit kulturor të shqiptarëve dhe dëshmojnë afrinë/ gërshetimin me vlerat perëndimore. Megjithatë, kultura shqiptare nuk ofron ende një “filtër” të mirëfilltë ndarës mes kulturës perëndimore dhe asaj lindore. Në kumtesë jepen disa argumente në mbështetje të kësaj teze. 

Trazimi kohor i vlerave te shqiptarët

Shqiptarët kanë krijuar ndër shekuj një imazh pozitiv mbi vlera të qëndrueshme sociale e shpirtërore. Nuk është habi që në 10 vetë mund të dëgjosh 15 perifrazime të ndryshme të shqiptarisë, asaj që italianët e kanë quajtur me kohë “lalbanesità”. Aq shumë i ka trazuar koha vlerat, sa që ajo kohë kur “burri nuk lidhej me litar, po me fjalë” duket arkaike në ditët e “inflacionit” të të folurit, kur njerëzit mendojnë se “të flasësh është argëtim”.

Në sistemin e kaluar, shumë vlera të paqëndrueshme imponoheshin “me zor”, duke bërë që njerëzit të trajtoheshin si “turmë”. Në diktaturë ishte e ndaluar letërsia apo kultura “rozë”, pse jo edhe ajo erotike, ishte e ndaluar piktura kubiste e surrealiste apo çdo lloj rryme arti e ashtuquajtur “dekadente”, sikurse muzika perëndimore apo edhe moda “e huaj” në veshje dhe në paraqitjen e jashtme. Censura ishte në shkallë të lartë dhe shpeshherë liberalizmi dënohej me masa ekstreme. Për fatkeqësinë tonë, diktatura komuniste na çoi në falsifikimin dhe rrënimin e shumë vlerave origjinale, duke i fshirë ato nga memoria e historisë, kulturës e qytetërimit tonë.

Ndonëse shqiptarët janë zgjuar nga “gjumi letargjik” gjatë këtyre viteve të tranzicionit, ata nuk janë çliruar ende plotësisht nga “hipnoza” 50-vjeçare. Realiteti shqiptar ka një nevojë të domosdoshme të përballojë zbatimin e ligjit. Por- për fat të keq- ende sot, në shek. XXI, trumbetohet si vlerë bashkëkohore “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, edhe pse jetojmë në një sistem demokratik, ndërkohë që- në emër të tij- ndodhin krime çnjerëzore, si hakmarrja e gjakmarrja, të shoqëruara me pasoja të rënda sociale si ndrydhja, analfabetizmi etj. Vlerat e reja fitohen nga përvoja e demokracive të mëdha, pasi të funksionojë siç duhet shteti ligjor, në luftë të vendosur kundër politikës së mbrapshtë, korrupsionit, krimit të organizuar etj., për të vënë në vend dinjitetin dhe emrin e Shqipërisë, për të fituar respektin e botës së qytetëruar. 

Veçori të gërshetimit të vlerave kulturore shqiptare me vlerat perëndimore

Është bërë e shpeshtë biseda lidhur me atë se çfarë modeli kulturor ndjek përgjithësisht shqiptari. Me një fjalë, nëse modeli i sjelljes dhe i përfytyrimit që ai ka për botën është perëndimor apo edhe perëndimor edhe “ndryshe”. Herë pas here, sipas rastit, ndodh që njeriu të pyesë veten: cili është modeli im kulturor? Me një fjalë: cili jam unë? Bërthama e një kulture, në shtresat e veta më të thella/ të hershme, përbëhet nga katër elemente parake, në kuptimin të pandashme, por që nga ana e tyre janë guri i themelit i të gjithë identitetit kulturor të një kombi dhe i individëve që bëjnë pjesë në ’të.

Shumë studiues, shqiptarë dhe të huaj, kanë argumentuar se formimi psikokulturor i shqiptarëve ka një karakter mjaft të veçantë dhe njëkohësisht endemik. Disa nga vlerat kulturore perëndimore, shumica e shqiptarëve i përqafojnë me dashuri dhe disa të tjera i transformojnë me anë të “filtrave” të tyre kulturorë, duke iu dhënë një formë “më shqiptare”. Natyrshëm lindin pyetjet: në ç’formë gërshetohen mes tyre këto vlera? Në ç’situata sociale veniten apo gjallërohen ato me forcë akoma më të madhe? Ç’faktorë kanë ndikuar në formimin e këtyre vlerave kulturore? Për t’iu dhënë një përgjigje sa më të drejtë pyetjeve të mësipërme është e domosdoshme t’i hedhim një sy traditës shqiptare dhe të analizojmë disa nga vlerat kulturore bazike, duke e parë secilën në kuadrin e botëkuptimit shqiptar dhe atij perëndimor.

  1. E para ngjashmëri e rëndësishme ka të bëjë me racionalizmin, mbështetur në mënyrën e të shkruarit, pra edhe të menduarit. Dikush do ta ngatërronte këtë deduksion me natyrën e alfabetit tonë (latin); sigurisht ka të bëjë edhe me atë, por nuk është ende gjithçka. Edhe shkrimi, i pambështetur në karakterin latin të alfabetit, përsëri mbetet krejt racional. Ne shqiptarët shkruajmë dhe lexojmë si perëndimorët, lexojmë dhe shkruajmë nga e majta në të djathtë dhe në fjali lineare, ku germat janë simbole digjitale dhe jo kode analoge, si hieroglifë apo forma të tjera shkrimi të përafërta/ të ngjashme me ’to. Kjo dukuri ndodh sepse kodet tona gjuhësore prodhojnë një racionalitet sipas atij të familjeve/ botës europiane.
  2. Në kulturën shqiptare kemi tashmë të rrënjosur protagonizmin individual. Nuk ka rëndësi si shfaqet ai në jetën e përditshme; shpesh ai është fshehur në histori pas një frike/ psikoze masive, që i bashkon njerëzit në një farë mase amorfe, në strukjen e tyre përpara një pushteti. Edhe elemente kulturore shqiptare, që duken si kolektiviste, kanë brenda tyre megjithatë një tharm individualist. Kështu p.sh., a nuk kërkon Kanuni mbrojtjen e jetës individuale? Po kështu heronjtë folklorikë, Muji dhe Halili, janë individë të fuqishëm që kryejnë vepra heroike. A nuk është polifonia një dialog muzikor mes individësh që kanë tiparet e tyre të personalitetit, pra kanë zërat e tyre të veçantë?
  3. Po t’iu referohemi studimeve antropologjike mbi kulturën perëndimore, do të kuptojmë se tiparet kulturore bazike dallohen në planin teorik nga i ashtuquajturi “kontekst i ulët komunikimi”. Bota shqiptare nuk shprehet, sikurse bëjnë shumë popuj lindorë (me kulturën e tyre specifike) nëpërmjet një konteksti komunikues “të lartë”, por shprehet troç, si me thënë shqip; pra, është një kulturë e një “konteksti të ulët komunikimi”. Aq shumë është e theksuar kjo te shqiptari, saqë shpesh do të dukej gabimisht paksa si “vrazhdësi në të folur”. Shqiptari, drejtpërdrejt e pa “dorashka”, të sqaron se çfarë dëshiron dhe nuk të lodh fort që të përpiqesh ta nënkuptosh ti vetë.

Prandaj mund të pohojmë se ndër shqiptarët hasen më shpesh kodet e kufizuara të bashkëbisedimit, të cilat synojnë ruajtjen e aftësive të komunikimit brenda grupit, pa tejkaluar habitatin social përkatës. Ato janë përdorur tradicionalisht më tepër nga baza e piramidës shoqërore, sepse aftësojnë me mjete minimaliste familjen, farefisin, rrethe të ngushta bashkëpunëtorësh apo profesionistësh që të shkëmbejnë mesazhe të shkurtra, por të qarta e të njohura mes tyre.

  1. Një nga faktorët ndikues në formimin e vlerave kulturore shqiptare është “syri” i opinionit publik. Shqiptarët kanë qenë nga popujt e rrallë që çmonin më shumë dinjitetin e tyre se sa jetën dhe për këtë dukuri mjafton të përmendim “Kanunin e Lekë Dukagjinit”. Duke u nisur nga forca që opinioni publik ka patur në të kaluarën shqiptare, por që edhe sot e kësaj dite vazhdon ta ketë, është e qartë se çdo vlerë e kësaj kulture është modeluar në mënyrë të atillë që ta “kënaqte” sa më shumë opinionin popullor dhe të bënte që të dilte sa më shumë në pah fisnikëria, bujaria, ndershmëria dhe dinjiteti i çdo shqiptari.

Në bashkëlidhje me këtë tipar, standardi etik i karakterit të shqiptarëve është besa, pra “fjala e dhënë”. Siç e dëshmojnë shumë autorë të huaj, që patën përshkuar viset shqiptare në shek. XIX, kur një shqiptar jepte fjalën, pavarësisht nga rrethanat, ajo nuk mund të shkelej dhe nuk kishte nevojë për asnjë lloj marrëveshjeje të shkruar. 

Vlera transportuese

Në tërësi, identiteti ynë etnokulturor është formësuar falë principeve oksidentale. Pothuajse të gjitha shenjat identifikuese shqiptare janë perëndimore, pa të cilat kombi ynë do të asimilohej. Kjo e vërtetë e pamohueshme bie ndesh me përsiatjet e disa qarqeve vendëse/ të huaja, që synojnë t’i paraqesin shqiptarët me prirje “të tjera” orientuese e civilizuese, të “ndërtojnë” për ’ta një identitet oriental mbi atë oksidental.

Unë mendoj se kultura shqiptare nuk ofron ende një “filtër” të mirëfilltë ndarës mes kulturës lindore kundrejt asaj perëndimore. Është e vërtetë se ne shqiptarët kemi gjuhë dhe tradita unike. Por a ka vërtet diçka për t’u “mburrur” në këtë pjesë? Çdo popull ka traditat e tij të veçanta në folklor apo në kostumografi, ndryshe nga popujt e tjerë. Gjuha jonë vërtet është një degë krejt e veçantë, por ajo shfaqet e dokumentuar vetëm në shekujt XIV-XV, ndërkohë që një shekull më vonë anglishtja e Shekspirit mahnit ende sot gjithë botën. Ne kemi vetëm një shekull e gjysmë që përdorim alfabetin tonë, kur ndërkohë arabët mburren se nga Libri i Shenjtë i tyre nuk lëviz asnjë shkronjë qysh prej 14 shekujsh.

  1. Një nga dallimet mes kulturave perëndimore dhe atyre joperëndimore është qëndrimi ndaj vlerës së shpirtit konkurrues. Është e mirëpranuar ideja se qytetërimet joperëndimore e çmojnë më pak këtë vlerë kulturore dhe kjo duket qartë në zhvillimin ekonomik që kanë këto vende, në krahasim me qytetërimet perëndimore. Shqipëria, edhe pse gjithmonë i ka pasur “sytë” nga Perëndimi, ka qenë e detyruar- në saje të shtrëngesave historike- të zhvillojë edhe vlera kulturore joperëndimore. Në shumë raste, shqiptarët e kanë të zhvilluar deri diku vlerën e shpirtit konkurrues, por duke parë vlerësimin që ata kanë për vlera kulturore të tilla si bujaria apo humanizmi, përhapja e kësaj vlere lë për të dëshiruar.

Është paradoksale që të jesh konkurrent dhe njëkohësisht humanist. Shqiptarët e kanë deri diku të zhvilluar shpirtin konkurrues, por duke e gërshetuar atë me ndershmërinë e tyre të skajshme, ata janë të destinuar ta humbasin këtë betejë. Prirjet e shqiptarëve për të ndihmuar cilindo në nevojë, edhe kur ky i fundit mund të mos ua ketë kërkuar, e vërtetojnë këtë. Shqiptarët janë vërtet rezistentë në konkurrencë, rezistencën e kanë si të thuash, në gjak, por në momentin që konkurrenti tregon shenjën më të vogël të dobësisë, ata priren “t’i hapin rrugë”, duke e lejuar të përfitojë nga të mirat që, sipas vlerave kulturore perëndimore, do t’u takonin me të drejta të plota atyre vetë. Gjithashtu, të bie në sy edhe fakti që shqiptarët konkurrojnë deri në momentin që fitojnë dhe pastaj ia lënë në dorë fatit të veprojë.

  1. Në marrëdhëniet e ndryshme mes njerëzve, lindja e konflikteve është diçka e zakonshme. Në zgjidhjen e tyre ndikon drejtpërdrejt vlera kulturore e bujarisë, e cila te shqiptarët është një nga profilet më të spikatura të formimit të tyre psikokulturor; ajo shfaqet kudo dhe ndaj cilitdo, pavarësisht nëse ky i fundit është në nevojë apo jo. Shqiptarët mendojnë se nëpërmjet bujarisë lartësojnë dinjitetin e tyre vetjak dhe këtu qëndron edhe një paradoks tjetër, pasi ata kanë sakrifikuar historikisht deri edhe jetën e tyre për të ngritur lart dinjitetin. Etnologia britanike Edith Durham, që ishte dhe mbeti një mike e sinqertë e shqiptarëve, jep shembuj domethënës të mikpritjes në viset e Shqipërisë së veriut.
  2. Në shoqëritë moderne, puna është burimi kryesor i të ardhurave dhe, pikërisht nëpërmjet punës, del në pah korrektësia e dikujt. Natyrshëm lind pyetja: a janë shqiptarët korrektë në punë? Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, mjafton të sakrifikojmë një mëngjes të hëne dhe të sillemi nëpër kafenetë e Tiranës. Pamja që do shfaqej është e thjeshtë: ato do jenë aq të mbushura, sikur të ishte një e shtunë pasdite. Por kjo ende nuk do të thotë se shqiptarët nuk janë korrektë. Në marrëdhëniet me njëri-tjetrin dhe, sidomos me të huajt, korrektësia e tyre i kalon kufijtë e të zakonshmes.

Paradoksi tjetër që na del para syve është se si ka mundësi të jesh korrekt në një marrëdhënie normale dhe të mos jesh i tillë ndaj burimit kryesor të mbijetesës, punës. Shqiptarët janë korrektë, por nuk dinë ku dhe kur ta shfaqin korrektësinë. Zgjidhja e këtij problemi do të ishte mjaft e thjeshtë, nëse shqiptarët do mësonin të zbatonin këtë vlerë kulturore sipas kërkesave të kohës.

Sidoqoftë, përtej këtyre “handikapeve” kulturore, ne shqiptarët duhet të ndihemi realistë, krenarë dhe optimistë: realistë sepse këto kanë qenë mundësitë e një populli të vogël, si i yni; duhet të ndihemi krenarë sepse pavarësisht pushtimeve, shqiptarët ekzistojnë, kultura e tyre është pjesë krejt e veçantë e mozaikut të kulturave botërore; dhe në fund do të ndihemi optimistë, nëse nuk do ketë më imponime kulturash.

Nëse kombi shqiptar dëshiron të përparojë politikisht dhe ekonomikisht, ai duhet të përqafojë gjithnjë e më shumë vlerat e kulturave perëndimore. Kjo, në dukje, është diçka e vështirë, duke patur parasysh se për ta bërë këtë duhet hequr dorë nga dinjiteti vetjak. Por, kjo është diçka që herët a vonë do të ndodhë, sepse historia po e ndryshon dalëngadalë konceptin që kanë individët për dinjitetin, pasi të kesh dinjitet nuk do të thotë të ndihmosh të tjerët që ata të të ngrenë sa më lart, sepse është e pamundur të ndihmosh të tjerët pa ndihmuar në fillim veten tënde.

* * *

Kështu pra, shqiptarët paraqiten gjithmonë bujarë me këdo, edhe pse tjetri mund të mos ketë nevojë për ndihmën e tyre; me një sinqeritet të prekur disi nga venitja, sipas interesit të momentit, por që ende mbahet prej tyre si një vlerë e rëndësishme kulturore; me një korrektësi që duhet vlerësuar, edhe pse shpeshherë shfaqet aty ku nuk duhet dhe nuk shfaqet aty ku duhet; humanistë deri në skajshmëri, sa që anëtarët e kulturave të tjera, sidomos atyre perëndimore, e kanë të pamundur ta besojnë një gjë të tillë. Kjo ndodh sepse formimi psikokulturor i shqiptarëve është mjaft kompleks dhe, të jemi të sinqertë, mjaft i çuditshëm. Kjo është arsyeja që vizitorët e huaj na kanë përshkruar si njerëz të rrallë në një botë të mbipopulluar.

______________________________

*antropolog

Kumtesë e mbajtur në Ditët e Studimeve Shqiptare (edicioni IV) Tiranë/ UET, 29 prill 2017

Shkruar Nga
More from revista mapo

Panairi: Më pak botues, më pak tirazh, por libra më me cilësi

Sot bëhet hapja zyrtare e Panairit të Librit në Pallatin e Kongreseve,...
Read More