Elsie në Alpet shqiptare

Pas dy orëve homazh në mjediset e Bibliotekës Kombëtare, trupi i pajetë i albanologut Robert Elsie, mbërritur në orët e para të ditës së djeshme në Rinas, u zhvendos në qytetin e Shkodrës, për t’u prehur përjetësisht në Alpe

Trupi i pajetë i albanologut Robert Elsie, veshur me kostum popullor, është nderuar dje, në mjediset e Bibliotekës Kombëtare, duke përmbushur amanetin e tij për t’u prehur në tokën shqiptare… Ndarë nga jeta më 2 tetor, arkëmorti i albanologut ka mbërritur dje në orët e para të ditës, në Rinas. Ndërsa sot homazhet e përcjelljes për në banesën e fundit do të jenë në Alpe, në Theth aty ku gjurma dhe shenja e lidhjes së albanologut me vendin tonë ka mbajtur përherë, deri në fund të jetës, adhurimin e dashurinë për historinë, kulturën dhe etnografinë. Për dy orë, personalitete të kulturës, e zyrtarë të lartë të politikës në përshpirtje të albanologut kanë dhënë lamtumirën e fundit.

Por, këtij takimi të fundit me Robert Elsie i janë bashkuar gjitha bota shqiptare duke përcjellë reagimet e tyre përmes rrjeteve sociale. “Enciklopedi e gjallë”, e ka vlerësuar ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. “Njëri prej avoketërve më të vendosur, më të shquar të të gjitha kohërave të të vërtetave shqiptare. Kam pasur fatin ta njoh, ta takoj shumë herë në takimet e niveleve më të larta, por edhe të bisedojmë për probleme tjera me të, të lexoj veprat e tij. Mund të them se Robert Elsie ishte një enciklopedi e gjallë e të sotmes, e të djeshmes, e historisë, të kombit dhe Shqipërisë e Kosovës. Shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj tij”, -tha Berisha.

Ndërsa kortezhi i politikanëve ka shoqëruar për dy orë homazhet në nderim dhe respekt të albanologut të shquar, përkthyesit, hulumtuesit dhe studiuesit të letërsisë e folklorit shqiptar, Robert Elsie. Presidenti i Republikës, Ilir Meta u shpreh para mediave të pranishme se: “Do t’i jemi mirënjohës përjetë Robert Elsiet për gjithçka ka bërë me dashuri dhe pasion për promovimin e kombit tonë, të vlerave tona më të mira kulturore, historike, për zhvillimin e albanologjisë, për gjithçka. Pa dyshim, në mënyrë të veçantë edhe për zgjedhjen e tij për t’u përjetësuar si shqiptar dhe për t’u prehur përjetësisht në Alpet e Shqipërisë, në Theth duke treguar kështu dashurinë e pafund për vendin tonë dhe duke na mësuar të gjithëve që ta duam më shumë Shqipërinë”. Robert Elsie, krahas kontributit të tij të çmuar si albanolog, studiues e përkthyes do të kujtohet me respekt dhe mirënjohje nga publiku shqiptar edhe për vetëdijen dhe kujdesin e veçantë që tregonte për pasurimin e arkivave të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë me dhurimet e veprave e artikujve të tij të shumtë studimorë. Ato përbëjnë sot një fond të vyer në fushën e albanologjisë dhe studimeve mbi letërsinë e kulturën mbarëshqiptare. Në fondet e Bibliotekës Kombëtare ruhen mbi 150 libra dhe artikuj shkencorë, kryesisht në fushën e albanologjisë, antropologjisë, përkthimeve nga thesaret e folklorit shqiptar, por edhe përkthime të autorëve të letrave shqipe, ku spikat kontributi i rëndësishëm përmes përkthimit të veprës epike të Gjergj Fishtës “Lahuta e Malcis”. Robert Elsie lindi më 29 qershor 1950 në Vankuvër (Vancouver) të Kanadasë, i cili për herë të parë një albanolog, dijetar i shqipes, një i huaj, bëri bashkë botën shqiptare sa qe gjallë me kontributin e jashtëzakonshëm për kulturën dhe historinë, ndërsa tani i jepet lamtumira e përbashkët. Ai është gjermano-kanadezi Robert Elsie, në këtë ikje të papritur duke na lënë trashëgimi me mbi gjashtë libra, artikuj, përkthime kushtuar studimeve shqiptare.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Konflikti për pronën: Detajet e krimit që tronditi Gjirokastrën

Një konflikt për oborrin ndarës mes dy banesave përfundoi në tragjedi mëngjesin...
Read More