Elton Ndreka: Intelektuali banal

 

 

Le ta nisim me pyetjen: Ku janë shqiptarët? Sigurisht unë nuk jam në gjendje të jap një vendndodhje të “vërtetuar  shkencërisht” në një shkrim gazete, aq më tepër se kjo pyetje bëhet me tentativën e të gjeturit një vendndodhje trupave biologjikë të vendosur në funksion të politikës. Që të mos keqkuptohem, kërkoj të di ku janë ata shqiptarë që mbartin politikisht këtë emër “shqiptarë?”. Në një lloj kuptimi shtrirja fizike e hapësirës shqiptare dihet nga një pjesë e mirë e jona, dhe pikërisht pyetja nuk i drejtohet një ripërkufizimi të kësaj hapësirë; Megjithëse, dhe kjo hapësirë është rrudhur, shqiptarët janë pakësuar dhe ndoshta, është e nevojshme dhe një pyetje në këtë drejtim. Kuptohet se pyetjet janë të rëndësishme dhe vështirë mund të reduktohen në njëra-tjetrën, por shpresohet se kjo “ku” të mund të japë një imazhe të “pse-së,” sepse ajo “ku” që kërkon vendndodhjen, fsheh  në brendi të vet pyetjen e drejtuar qytetarit, intelektualit, patriotit; më fjalë të tjera, fsheh në brendi kërkesën që të shpallet njeriu  i kësaj gjeografie të botës të quajtur Shqipëri, të shpallet si mendimtarë ku veten e shikon të barabartë me mendimtarët e botës, të shpallet si aktivist i të drejtës ku të drejtën e vetë e barazon me të drejtën e çdo njeriu të botës. Para së gjithash kjo pyetje iu drejtohet “kozmopolitëve”  dhe “internacionalistëve” që derdhen në këto hapësira.

Në vitin 1961, në Jerusalem, bëhej gjykimi i funksionarit të nazist Adolf Eichmann. Ky proces u bë shkak për krijim e disa pyetjeve dhe për botimin e disa librave ta pashembullt për nga rëndësia e problematikes që shtjellonin. Siç mund të dihet, hebrenjtë   ishin ndër popujt më të sakatuar gjatë dhe disa vite para luftës së dytë botërore dhe Eichmann kishte bërë pjesën e vet në këtë sakatim; kjo ishte dhe arsyeja për të cilën gjykohej në Jerusalem nga hebrenjtë. Por, pavarësisht veprimeve të tij, hebrenjtë nuk ishin i vetmi popull që kishte vuajtur pasojat e asgjësimit në kampet e përqendrimit. Një nga ato popuj, njësoj si hebrenjtë, të cilët ishin dërguar të gjithë sa mundeshin drejt asgjësimit në dhomat e gazit të kampeve famëkeqe të nazizmit ishin dhe romët. Ndërsa hebrenjtë, tashmë me ndihmën e ndërkombëtareve,  kishin arritur të bënin shtetin e tyre dhe gjykatat ku mund të gjykohej një ish-funksionar nazist, romët veç ndonjë shkrimi apo përmendje, nuk u zunë më në gojë dhe as që u mor ndokush për të trajtuar atë që kishin pësuar nën nazizëm. Shumë nga ne mund ta kenë përgjigjen e kësaj: përse kjo pabarazi? (Në Europën e gjatë luftës janë vrarë rreth 250 000 romë dhe janë përndjekur edhe pas luftës së dytë botërore në të gjithë Europën).

Që prej pas Luftës së Dytë Botërore, ideja e kombit  është përkufizuar jo pa një farë përçmimi. Me të drejtë, sepse ishte bash ideja e kombit ajo që nisi  luftën e  përmasave apokaliptike, ku u vranë miliona njerëz, ku e tentua shfarosje e popujve dhe u kërcua ekzistenca e tokës. Ky përçmim gjeti format e veta të të shprehurit si ajo që “streha e fundit e horrova është nacionalizmi” apo formulat e veta të formave të organizimit siç mund të ishte themelimi i një Europe të bashkuar.  Në këtë përpjekje të rëndësime nuk bëjnë përjashtim shqiptarët. Le të themi, përpjekja jonë shkon gjer atje sa shteti tërhiqet nga të drejtat e veta kombëtare për hir të një paqeje mes popujve dhe për më shumë kjo përpjekje shkon gjer atje sa një pjesë e këtij kombi themelohet si shtet (Kosova) prej Europës nën simbolet e Europës. Gatishmëria jonë për të qenë europianë ia kalon çdo kombi tjetër të Europës. Si duket, ne e kemi marrë më seriozisht idenë e paqes kozmopolite. Sigurisht, ky seriozitet shqiptar nuk është i pabazë. Kemi mjaft justifikime për të thënë pse është më mirë nën një Europë të bashkuar; një nga këto është paaftësia e udhëheqësve tanë për zhvilluar këtë hapësirë, për t’iu dhënë shqiptarëve atë që i takon, paaftësia për t’u ndjerë i barabartë më qytetarin e kombeve Europiane.

Këtu është rastit t’i kthehemi Eichmann, i cili sipas Arendt nuk ishte djalli, por një njeri banal dhe e keqja e tij shfaqej si përditshmëri e funksionarit që zbaton rregullat. E kam dëgjuar këtë formulë nën veprimin politik të Vetëvendosjes!, e thënë fjalë për fjalë “roboti që ngrihet nga gjumi vesh rrobat e funksionarit dhe mëshohet në zbatimin e urdhrave. Po a ka ni vijë të kuqe, a ka ndërgjegje ku duhet than këtë gja nuk mund ta baj?”. Cila është vijë e kuqe për ne dashamirësit e Europës, ne populli që po tolerojmë shitjen e pjesëve të kombit për hir të asaj në të cilën  nuk mund të tretemi?  Përditshmëri e të menduarit se Europa e di çka është më mirë për ne, po na shtyn në humbjen e ndërgjegjes. Prandaj ajo pyetja “ku,” u drejtohet ndërgjegjeve që pretendojnë të mos jenë robotizuar. Pra, ndërsa udhëheqësit tanë politikë nuk e bëjnë asnjë veprim në mbrojtje të drejtave të shqiptarëve, në mbrojtje të territoreve shqiptare, intelektualët që ngritën këtë shtet dhe ata që mendojnë se janë pasardhës të tyre a kanë paksa ndërgjegje për t’iu thënë mjaft shitjeve të territoreve të Kosovës, për t’i  thënë mjaft ambasadave të cilat shprehen haptazi për tregti (faljen e 8200 hektarëve tokë Malit të Zi që të mund të përfitohet liberalizimi i vizave)?

Këtu fillon faza e intelektualit të dytë, atij që shprehet se “duhet të jemi racionalë” sepse Europa po na e kërkon dhe ne nuk kemi çka të bëjmë kundër vullnetit të tyre. Ky është lloji i mendimtarit që gjithnjë e di që nuk mund të jetë i barabartë me mendimtarin e Gjermanisë, Francës, Italisë, Anglisë; madje këtë e ka tezën e vet kryesore, se “ne nuk jemi Gjermania”. Këta kozmopolitë që flasin për të drejtat universale të njeriut dhe paqen e përhershme të botës, shquajnë diferenca të madha me intelektualin e çdo kombi tjetër të Europës dhe vetë mbeten  “banalë të së keqes” ku i binden frikës e të mosqenit intelektual, por thjesht funksionari televiziv i politikave të makinerisë gjigante. Ata as që mendojnë, shprehin fjali të gatshme si ajo që Heydrich (shef i policisë Naziste dhe sipërori i Eichmann) i kishte thënë Eichmann: “hebrenjtë duhet të asgjësohen, është urdhri i  Führer”. “Shqiptarët nuk mund të bashkohen, Europa nuk e lejon këtë,” dhe “shqiptarët duhet të falin tokë sepse Europa e don këtë”. Po ne ku jemi? Pyetja që prokurori në procesin e Jerusalemit i bën dëshmitarëve hebre: “po ju çfarë bënit, pse nuk rebeloheshit kund nazistëve?” Që si atëherë vetë udhëheqësit hebre kishin bërë pjesën e vetë në zhvendosje dhe për pasojë asgjësimin e hebrenjve. “Pse”, pyeste Arendt, “pse krerët hebrenj i ndihmuan nazistët në këtë sipërmarrje”. Askush nuk e di përgjigjen, ajo çka mund të ngjizet është vetëm emërimi “banaliteti i së keqes”. Padrejtësisht shqiptarët janë të ndarë në pesë shtete dhe ne rrimë, madje bëjmë pjesën tonë në mbajtjen e kësaj gjendjeje, në përkeqësimin e kësaj gjendjeje; disa prej nesh sforcohen të gjejnë argumente, bëjnë edhe studime, për të thënë që shqiptarët nuk mund të jenë si kombet e tjera të Europës, për pasojë nuk mund të kenë as aq të drejta.

Dikush mund ta gjejë të pavend krahasimin e terrorit nazist me pakësimin e shqiptarëve dhe territoreve të tyre. Sigurisht, sot që po flasim shqiptarët nuk janë vrarë në masë, edhe pse historia na ka treguar që kjo ka ndodhur. Ajo çka po ndodh sot është që shqiptarëve po iu “rreshket toka nga këmbët” dhe kjo falë përpjekjes sonë për t’i ikur mendimit, për ta fshehur identitetin tonë nën çatinë që ka dhjetëra fytyra kombesh; nën këtë çati, e cila zgjidhjen e problemeve e ka reduktuar në çështje teknike. Çatia ku duam të fshihemi, nuk ka kampe përqendrimi –është larg kësaj ideje, por jo larg kampeve të refugjatëve- dhe as nuk ka përkujdesje emocionale për të drejtat e popujve. Madje, është e ftohtë, plotësisht racionale, siç ishte makineria naziste kur “vriste të sëmurët dhe dërgonte drejt dhomave të gazit vetëm ata hebrenj dhe romë të cilët nuk mund të punonin”. Përjetimet e të drejtës nuk e afektojnë as makinerinë Europiane, sepse e drejta nuk mund të dhurohet, por kërkon njerëz që e kërkojnë atë kur ju mohohet. E drejta u jepet vetëm atyre popujve që kërkojnë atë, atyre popujve, intelektualët e të cilëve kanë aftësi të mendojnë nën trysnin e dhunës psikologjike e fizike dhe e gjejnë veten të barabartë me çdo qenie njerëzore. Dikush mund të thotë se popujt e njerëzit nuk janë të barabartë. Ja pra, kjo është edhe arsye pse romët (ndryshe nga Hebrenjt) nuk e bën një shtet dhe as gjykata për të gjykuar nazistët.  Nga ana tjetër, ne kemi ndërtuar gjykata për të gjykuar UÇK dhe kemi dënuar për të disten herë Albin Kurtin.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Rama u përvishet komentuesve në Facebook: Or mik…

  Për herë të parë pas disa ditësh heshtje, që kishte zgjedhur...
Read More