Elvis Roshi dhe gjurmët e ikjes së tij mbi skenë



Alfred LelaNga Alfred Lela

Elvis Roshi bëhet kryebashkiaku i dytë socialist, pas Shukri Xhelilit, që lë detyrën në harkun e tri javëve. Të paktën dy të tjerë janë nën breshërinë e akuzave të opozitës, e cila, me anë të Sekretarit për Aksionin Qytetar, e ka nxjerrë ‘duelin e dekriminalizimit’ nga selia blu në sheshet para bashkive. Kavaja ka qenë ndalesa e parë e PD dhe Salianjit dhe më pas Laçi e Kruja. Burime të MAPO flasin edhe për një kryebashkiak tjetër pak më në jug, që do të shënjestrohet rishtazi nga denoncimet e opozitës.

Elementi i parë i tërheqjes së z. Roshi, pavarësisht sqarimit të gjatë të vetë atij, shoqëruar edhe me një deklaratë të Kryeministrit, është një ngadalësim në ritmin e relativizimit që shumica qeverisëse po i bënte ligjit dhe procesit të dekriminalizimit. Deri më tash, nuk ka ndonjë të dhënë të sigurt se në anën tjetër të spektrit politik, ndër kryebashkiakët e djathtë, ka të tillë që procesi i trysnisë dhe kërkimeve të imëta në kurrikulën e së shkuarës mund të prodhojë tërheqje. Duke qenë se shumicat i kanë më të shumta dhe më të forta mjetet, treguesit do ishin bërë publikë me kohë nëse do të ekzistonin.

Elementi i dytë, dhe kjo lidhet drejtpërdrejt me kryeministrin, por edhe me zëdhënësit e tij publikë, shpërfaq trajtat e pavend të parodizimit ose përqeshjes, që z. Rama e të tijtë i kanë bërë ligjit dhe procesit të dekriminalizimit, një nismë thuajse personale e shefit të opozitës, z. Basha. Gjërat, me sa duket nuk janë dhe aq për të qeshur. Serioziteti madje do të duhej të ishte rendi i gjërave në këtë rast.

Një shenjë e tretë është se sistemi politik, siç prodhon trupat, me anë të një shtrembërimi, fabrikon edhe antitrupat, duke e stabilizuar temperaturën dhe temperamentin e demokratikes apo normales në sistem. Roshi, edhe po të jetë i pafajshëm dhe me një histori të së shkuarës ku mungon fati, më shumë se rëndon pesha e ilegales, mbetet një shenjë e antikohës në sistem. Ai bashkë me moshatarë të vetët, apo më të mëdhenj, ishin guximtarët e parë të lirisë së Shqipërisë, që morën detra e vende të panjohura në sy. I njëjti guxim nuk mund të funksiononte edhe në rrugën e kthimit: vendi i ndryshuar, edhe më shumë se ata vetë, nuk mund të kthehej mbrapsht në kohë. Sepse, në psikën e atyre që nuk mërguan ishte mpiksur ndërkohë paradigma: trimat nuk qenë ndër ata që ikën, por që qëndruan. Kështu që ky kthim nuk mund të funksiononte për Roshin e të ngjashmit: Ka vetëm një Edmond Dantes, që burgoset si marinar e kthehet si Kont i Monte Kristos, por ai jeton në një roman të Dumasë dhe jo në mizanskenat politike të Kavajës apo Laçit.

Kështu pra, vijmë te elementi i katërt, që na e përkthen në gjuhën tonë dorëheqja e Elvis Roshit: do të ketë edhe të tjerë. Kryebashkiaku i Kavajës është vetëm tulla e parë në murin e ndërtuar shtrembër të sistemit politik, ku kryetarët i zgjedhin kandidatët e tyre duke mbajtur hapur vetëm njërin sy: atë që sheh dhe lëngëzon vetëm epshin e fitores.

Politika është një kontratë që kurrë nuk nënshkruhet vetëm mes dy vetëve. Apo vetëm si zgjedhje në dikotominë fitore-humbje.

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Basha, o me mburojë, o mbi mburojë!

Nga Arjan Çuri Në Spartën e lashtë, kur nënat nisnin bijtë e...
Read More