Emmanuel Macron: Fitorja e reformizmit mbi populizmin

Nga Ervis Iljazaj*

Emmanuel Macron është presidenti i ri i Francës dhe në një mënyrë apo në një tjetër përbën një shpresë për shpëtimin e Bashkimit Europian. Fitorja e tij është një lajm i mirë edhe për Shqipërinë.

Themeluesi i lëvizjes En Marche arriti një fitore që mund të quhet historike. Jo vetëm për moshën e re të tij, por edhe për mesazhin politik i cili ishte totalisht i kundërt me Le Pen dhe shumë politikanë europianë. Kuraja për të thënë të vërtetën dhe domosdoshmëria e reformave kundër mesazhit kërcënues të populizmit, ishte arma e tij më e fortë që bindi në mënyrë plebishitare qytetarët francezë.

Macron nëpërmjet mesazhit të tij prej liberali të majtë, nuk iu premtoi asnjëherë punëtorëve “parajsën”, nuk premtoi asnjëherë kthimin e Francës proteksioniste duke luajtur me frikën dhe emocionet popullore, por u tregoi francezëve se si konkurrenca dhe liria e tregut mund të jetë akoma një shpresë për të gjithë nëse kombinohet me vullnetin e mirë për të kryer reformat e duhura të cilat do të garantojnë mirëqenie edhe për më të disavantazhuarit e shoqërisë.

Macron tregoi një kurajë të pashembullt të mendimit të tij. Një mendim progresist i cili me sa duket do të ketë impakt në të gjithë Europën. Një mendim që nuk shikon gjithmonë në të shkuarën, por që shikon një Europë gjithmonë e më të bashkuar. Sepse konkurrenca do të jetë gjithmonë globale dhe për të përballuar atë duhen reforma dhe jo nostalgjia për lavdinë e së shkuarës.

Në thelb, rëndësia e fitores së Macron është pikërisht kjo. Kuraja për të mos gënjyer dhe për të mos premtuar një rikthim në të shkuarën. Sepse populizmi nuk mund të mundet duke zbritur në terrenin e tij, por duke thënë të vërtetën dhe duke faktuar çdo arritje të tregut të përbashkët dhe duke theksuar rëndësinë e reformave ekonomike dhe shoqërore, si e vetmja rrugë për të shpëtuar nga rreziku i nacionalizmit.

Humbja e referendumit antieuropian në Hungari, fitorja e liderëve proeuropianë në Austri dhe Vendet e Ulëta dhe tani fitorja e Emmanuel Macron, përforcojnë gjithmonë e më shumë projektin europian dhe reformizmin kundër çfarëdolloj alternative tjetër që bazohet te frika dhe nacionalizmat apo te “lumturia e përjetshme”.

Rreziku i populizmit shmanget vetëm duke thënë të vërtetën edhe pse mund të humbasësh disa vota. Kjo është sfida e vërtetë e politikës në ditën e sotme. Jo vetëm në Europë, por personalisht mendoj që dhe Shqipëria rrezikohet nga një fenomen i tillë.

Gjithmonë e më shumë, në fjalorin politik të ndezur dhe nga kriza aktuale që po kalon vendi, arsyeja ia ka lënë vendin thirrjes për revoltë. Gjithmonë e më shumë, pa asnjë mundësi reale qytetarëve u premtohet parajsa. U premtohet arsim falas, shëndetësi falas, rritje rrogash, drejtësi popullore dhe çdo gjë që përkëdhel sedrën e tyre. Kjo në vetvete është një politikë e cila luan me frikën dhe emocionet e njerëzve. Ndërkohë që ky vizion vetëm sa shërben për të treguar një humanizëm i cili jo vetëm që nuk zgjidh problemet reale të tyre, por përkundrazi, na çon drejt një rruge që nuk sjell as mirëqenie dhe as një projekt politik real. Ndërkohë që e vetmja mënyrë për të përballuar sfidat e Shqipërisë janë rruga e reformave dhe një politikë e moderuar e cila ka në thelb të saj vizionin euroatlantik dhe shpresën që çdo përmirësim ekonomik, shoqëror dhe politik vjen vetëm si pasojë e një vullneti të palëkundur dhe jo si një përplasje emocionale të bazuar në premtime që vetëm sa zgjasin një traditë aspak me një bilanc të kënaqshëm që kemi patur deri më tani. Çdo gjë tjetër është politikë e radhës dhe përplasje forcash që shërben si një rrjetë e madhe ku nuk duhet të biem.

*Pedagog UET

Shkruar Nga
More from revista mapo

A na duhet shërbimi i detyrueshëm ushtarak kombëtar?

Nga Prof. dr. Kristaq Xharo* Politikat e sigurisë ndryshojnë në vijimësi për...
Read More