Endrit Shabani, Gjashtë mësime nga Shullazi, (por që nuk i hyjnë në punë as Dreqit)



IMG_3520 (2)

Diçka rreth një vit më parë, teksa përpiqesha të përditësohesha mbi situatën politike në vend gjatë kohës që kisha munguar, mësova prej një studiuesi të krimit të organizuar, emrin e Emiljano Shullazit. Miku im më tregoi episodin e një gazetari që ishte kërcënuar drejtpërdrejt prej tij, vetëm pse i kishte përmendur emrin në emision. Më tha gjithashtu, se në përgjithësi as gazetarët dhe as politikanët nuk guxonin t’ia përmendnin emrin. Të jem i sinqertë, me gjithë vlerësimin për mikun tim dhe njohjen e tij për situatën e krimit në vend, kjo gjë m’u duk pak si e pamundur që të ndodhte në një realitet, ku (pothuajse) nuk ka më asgjë të frikshme, të fshehtë, apo të shenjtë që nuk është publike deri në detaj, në mos përmes medias tradicionale, të paktën në atë online. Megjithatë, pak kohë më vonë, po nga dikush tjetër tepër i besueshëm, dëgjova për një episod ku një i plagosur prej të njëjtit individ, nuk pranonte të bënte denoncimin, megjithëse kishte përfunduar në spital me plagë që tregonin qartë se nuk ishin bërë duke kruar kurrizin. Dhe sërish, jo shumë kohë më vonë, mësova nga media se garda e republikës ishte vënë në ruajtje të kryetarit të opozitës, ngaqë ky i fundit ishte kërcënuar prej të njëjtit individ, pikërisht pse i kishte përmendur emrin në një deklaratë për shtyp. Këtu ishte momenti kur fillova të besoja se mbase miku im kishte të drejtë, dhe mbase perceptimi im për situatën në vend ishte më optimist se realiteti.

E kisha lënë diku thellë në memorien time këtë emër, kur javës së kaluar Shullazi ishte jo vetëm në qendër të pasarelës mediatike, por edhe kryeaxhenda e punimeve të parlamentit. Mesa duket, mbas disa kohësh heshtjeje, palët kishin shumë për të thënë për të. Megjithatë, ndërkohë që shumë është thënë për Shullazin si individ, unë mendoj se ka ende vend për të folur për Shullazin si fenomen në Shqipëri, pasi edhe rasti i fundit tregoi se jo vetëm ai nuk vepron i vetëm, por as nuk përfaqëson një rast të izoluar se si krimi pasurohet nën hundën e autoriteteve dhe fuqizohet krah për krah me politikanët në pushtet.

Si fillim, po marrim të mirëqenë që kronologjia e ngjarjeve të fundit është siç u pasqyrua në media: Rektori (në atë kohë kandidat) i Universitetit të Tiranës, u kërcënua prej Shullazit, ish-kryeministri (mesa duket i njoftuar prej të parit) e denoncoi këtë ngjarje në Facebook, mediat e pasqyruan, policia e shoqëroi për sqarime mbi ngjarjen, dhe në fund prokuroria lëshoi urdhër ndalimin (siç duket e kishin ndaluar pa mandat), duke ngritur edhe akuza të tjera për personin në fjalë. Më pas, doli në pah se Shullazi, nuk na qënkërka vetëm një individ me interesim të veçantë mbi zhvillimet akademike në vend, por paska ngritur pasuri përmes kanosjes së biznesmenëve më të fuqishëm në vend dhe veprave të tjera penale. Pa dashur të paragjykoj ecurinë e këtij procesi gjyqësor, dhe duke shpresuar se ai (si pak të tjerë) do marrin dënimin e merituar, po fokusohem mbi të shkuarën dhe jo të ardhmen e personit në fjalë. E pikërisht nisur nga e shkuara e tij dhe bazuar mbi prezumimet e mësipërme, dua të ndaj disa mësime që unë mendoj se shullazizmi si fenomen shoqëror na mësoi këto ditë:

Së pari, ai na tregoi se institucionet publike në Shqipëri nuk gëzojnë besimin jo vetëm të qytetarëve të painformuar, por as të atyre që i dinë ‘mirë’ gjërat. Me të drejtë, dikujt mund t’i lindë pyetja: Përse disa nga biznesmenët më të mëdhenj në Shqipëri, në vend që të denoncojnë në polici kanosjen, preferojnë të paguajnë gjobën? Sigurisht që mund të thoshim edhe se ata i kanë dhuruar me dëshirë, për të mbajtur lart ‘kauzën’ që Shullazi përfaqëson, nëse po të njëjtët biznesmenë nuk do të bënin qindra akrobaci për të mos paguar taksat dhe tatimet, apo gjobat e vëna nga autoritetet publike. Dhe në fakt, bazuar mbi atë që i ka ndodhur atyre që nuk kanë paguar gjobën e Shullazit, mendoj se biznesmenët kanë bërë mirë që kanë paguar pa e përfshirë policinë në mes, pasi (me sa duket) alternativa tjetër që iu mbetej ishte ajo e personit tjetër që u arratis nga Shqipëria. Gjithashtu, dikush mund të pyesë përse rektori i universitetit më të madh në vend, para se të bëjë denoncimin në prokurori, preferon ta denoncojë atë tek ish-kryeministri, i cili formalisht nuk përfaqëson asgjë? Si ka mundësi që rektori, ky përfaqësues i botës akademike vendëse, ka më shumë besim tek autoriteti individual i Berishës, se sa te policia apo prokuroria? Çfarë mesazhi për institucionet iu jep studentëve të tij ky akademik? E pra, Shullazi na mësoi se kur shteti dështon të ngjallë besimin e qytetarëve, atëherë këta të fundit, (ndoshta me të drejtë) përpiqen të gjejnë autoritete të tjera, alternative, për zgjidhjen e problemeve të tyre (sigurisht nëse t’ia mbathësh nga sytë këmbët nuk konsiderohet alternativë). Ama është e trishtë të mendosh se edhe një shekull më vonë, Eqrem Vlora ka ende të drejtë në konstatimin e tij kur thoshte se shqiptari e ka të vështirë të besojë një autoritet që është apersonal.

Së dyti, shullazizmi na mësoi (ose rikujtoi) se çfarë modeli politik kemi, dhe me çfarë kostoje për vendin politikanët në Shqipëri vijnë në pushtet. Disa herë kam pyetur veten këto ditë, për ç’dreqin i duhet Shullazi sot Ramës, apo dje Berishës? Tani, që të sqarohemi: Këto gjëra janë veprime të kundërligjshme, kështu që e vetmja mënyrë që të flasim me siguri për to, do të ishte po të kishim vendime gjykate që e konfirmojnë shkeljen e ligjit (besoj edhe ti qeshe me ironinë e fjalisë së fundit). Megjithatë, nëse i besojmë Ramës në pretendimet e tij se zgjedhjet iu vodhën në 2009, dhe fiks po në këtë vit ai e kishte takuar Shullazin teksa i trembte votuesit (por jo në 2013 kur i fitoi zgjedhjet) mund të vijmë vetëm me një shpjegim: që shullazizmi duhet për të ‘mbrojtur’ votat. Tani, se deri ku krimi ‘mbron’ vjedhjen e votave, dhe deri ku vjedh votat për të ‘mbrojtur’ pushtetin, kjo është e vështirë të ndahet. Megjithatë, për hir të së vërtetës, duhet të themi se megjithëse pak arkaike, mbrojtja e pushtetit përmes kriminelëve nuk është ndonjë fenomen i shpikur në Shqipëri. Gati 70 vite më parë, shkrimtari anglez Xhorxh Oruell, në alegorinë ‘Ferma e Kafshëve’, flet pikërisht për modelin ku për të ardhur apo qëndruar në pushtet, nuk ke nevojë për ide të mira, vizione apo platforma politike, por mjafton të ruash diku disa shtazë të egërsuara, të cilat mund t’i turrësh sa herë që pushteti e kërkon. Kështu që, mund të themi se në rastet kur pushteti kërkohet për hir të pushtetit, ka një lidhje simbiotike midis politikanëve dhe kriminelëve, e tillë që i bën të dyja palët që ‘të mos e lëshojnë’ njëri-tjetrin. Të parët kanë nevojë për të dytët që të vijnë në pushtet, të dytët kanë nevojë për të parët që të ekzistojnë (dhe sigurisht bëjnë para) pa u trazuar nga shteti. Gjasat janë që edhe Shullazi dhe të ngjashmit e tij nuk bëjnë përjashtim nga ky model.

Së treti, shullazizmi na mësoi se nuk jemi edhe aq të lirë, qoftë edhe për të zbrazur bardhakun. Personalisht gjithmonë (pa më të voglin hezitim) i kam vënë kërkesat e shpirtit përmbi nevojat e stomakut. Me këtë dua të them se kur kam diçka për ta thënë e them edhe nëse kjo do më vinte në rrezik statusin, sigurinë apo privilegje të tjera materiale. Nisur nga kjo, e kam pasur gjithmonë të vështirë të imagjinoja si ka qenë të jetoje në diktaturën e Hoxhës, ku njerëzit ishin të rrezikuar qoftë edhe po të denonconin një padrejtësi që iu bëhej ditën për diell, apo që ua merrte gjumin e natës. Mirëpo, Shullazi na tregoi se të jetosh në një shoqëri ku njerëzit kanë frikë të flasin edhe kur u ke vënë shkelmin në fyt, nuk është thjesht një makth i të kaluarës. Ai na mësoi se është e mundur (qoftë edhe përkohësisht), që edhe në mijëvjeçarin e tretë, në epokën e internetit dhe komunikimit, në një shoqëri në mes të Evropës, të ketë individë që janë jo vetëm të paprekshëm nga drejtësia, por është ‘blasfemi’ t’u përmendësh emrin.

Së katërti, shullazizmi na mësoi edhe një herë se ndërkohë që të gjithë jemi të barabartë përpara ligjit, disa janë më të barabartë se të tjerët. Shullazi nuk duket ta ketë nisur aktivitetin e tij kriminal me këto veprat e fundit që po akuzohet tani, e megjithatë deri tani ia ka dalë për bukuri që të mos i hyjë gjemb në këmbë. Madje kaq i sigurt duket të ketë qenë, sa gjatë viteve të fundit duket se nuk ka ditur të ndalet në ambiciet e tij për pasurim të shpejtë dhe në ‘zgjerimin e objektit të veprimtarisë së tij’, megjithëse siç e pohon edhe vetë, është i papunë (sigurisht për sa kohë puna e tij nuk rregullohet nga Kodi i Punës, por ai Penal). E këtë e ka bërë në një kohë ku dyqanxhinj hallexhinj mbyllin qepenat, taksistë lokalë arrestohen se nuk lëshojnë faturë, kryefamiljarë ditëzinj i japin fund jetës nëpër qeli ku kanë përfunduar se kanë vjedhur energjinë minimale për jetesë, dhe njerëz krejt të ndershëm arrestohen se ndërrojnë pllakat e banjës së tyre pa marrë më parë leje ndërtimi, (nuk është shaka kjo e fundit). E pra, siç duket, burgu është për burrat, por jo për kriminelët.

Së pesti, Shullazi na mësoi se ne si shoqëri vazhdojmë të dështojmë në përpjekjen tonë për t’iu ofruar të rinjve një model për së mbari. Një model, të cilin të rinjtë në mos ta ndjekin, të paktën ta kenë parasysh në përpjekjet e tyre për të ndërtuar jetën në këtë vend. Në një kohë kur akademikët (ata të pakorruptuarit) kanë një rrogë vjetore që shkon dhjetë deri në njëzet herë më pak seç mund të kushtojë ora e kryeministrit, apo biznesmenët nuk janë të sigurt për të fituar para përmes biznesit të tyre, ne vazhdimisht nxjerrim në sipërfaqe modele kriminelësh që bëjnë një jetë luksi, të denjë për filmat e Hollivudit. E si i sigurojnë paratë për këtë stil jetese? Duke vënë gjoba, duke montuar mina, duke grabitur prona apo zgjedhje. Për pasojë, është e vështirë për një prind që t’i mbushë mendjen fëmijës së vetë, që të përkushtohet në mësime, apo të shtrohet në punë, kur në mënyrë të vazhdueshme ne i japim mesazhin se të bësh para në mënyrë të ligjshme në Shqipëri është e vështirë, në mos e rrezikshme. Se një ditë prej ditësh, një kriminel ordiner mund të vijë të të marrë pronën, biznesin, paratë, qetësinë, madje edhe jetën. Mbi të gjitha, shullazizmi u tregon të rinjve që zor se do t‘ia shohin hairin shkollës’, pasi pikërisht këta tipa që nuk kanë shkëlqyer në tabelën e shumëzimit, duket se po i bëjnë llogaritë e tyre më mirë se shumë të tjerë që rropaten me punë të ndershme.

Së fundmi, shullazizmi na mësoi diçka edhe ne që jetojmë dhe/apo studiojmë jashtë Shqipërisë, dhe që hera-herës e kapim veten duke ëndërruar një të ardhme në Shqipëri. Ai na mësoi se ëndrra të tilla do të ishte mirë t’i shinim pa u ngrysur, se helbete nata edhe pa Shullazin është boll e frikshme dhe e errët. Na tregoi gjithashtu, se mbase studimet tona mund të mos jenë të mjaftueshme, nëse në to nuk përfshihen disa klasa në arte marciale, apo qitje në poligon. Kështu pra, vërtet dikush mund të ketë menduar se zor të mësosh ndonjë gjë për të qenë nga individë si Shullazi, por ama nga shullazizmi si fenomen shoqëror, ne mund të mësojmë shumë… Mbase, edhe më shumë nga ç’kemi nevojë të mësojmë për shoqërinë tonë.

loading...
Shkruar Nga
More from Revista User

Afganistan: Nga sulmi vetëvrasës në varrim – 17 të vrarë

Nga një sulm vetëvrasës me bombë janë vrarë së paku 17 vetë...
Read More