Eni Vasili me “Zëra nga errësira”, sjell 8 dëshmi tronditëse mbi të shkuarën komuniste

Gazetarja Eni Vasili sjell në një libër 8 dëshmi tronditëse mbi të shkuarën komuniste.

“Zëra nga errësira” quhet libri që do të ketë promovimin më 3 gusht ora 13.00 në Universitetin Europian të Tiranës nën logon e UET PRESS.

Eugjen Merlika, Klara Merlika, Daut Gumeni, Maks Velo, Rrahman Parllaku, Bashkim Shehu, Simon Miraka dhe Gjon Rrethi vijnë në rrëfime që hedhin dritë mbi atë çfarë ka ndodhur me njeriun nën diktaturë.

Këto rrëfime janë dhënë në emisionin “Studio e hapur” në News 24.

“Gjithmonë kam pyetur veten, vallë a kanë të drejtë njerëzit kur rëndom mendojmë se gjithçka ndodh përtej ekranit të vogël është e parapërgatitur? Që do të thotë se sipas një skenari të caktuar realizohen të gjitha programet televizive. Natyrisht që ka të vërtetë në këtë mes, por duhet të pranojmë se ka edhe programe të cilat janë në transmetim të drejtpërdrejt. E pikërisht këto të fundit janë domeni i pakontestueshëm i Eni Vasilit”, shkruan në parathënie historiania Nevila Nika.

Sipas saj, “intervistat e realizuara prej Vasilit janë copëza historie të individëve, por mund t’i konsiderojmë fare bukur si pjesëza të një tabloje të madhe pazëlli (puzzle) të historisë tonë kombëtare”.

“Emocionet e forta, që secili prej nesh ka ndjerë kur ka ndjekur nga ekrani i vogël këto biseda, janë tejet të vështira të përcillen nëpërmjet fjalëve. Mendoj se do të jenë përsëri të tilla edhe kur të kemi në dorë këtë përmbledhje të tyre, falë punës këmbëngulëse e plot përkushtim që ka bërë autorja”, shkruan Nika.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Anketimi nga vendet e Ballkanit Perëndimor… “Politikanët shqiptarë më të korruptuarit”

  Partitë politike, gjyqësori, doganat dhe sistemi shëndetësor perceptohen nga shqiptarët që...
Read More