Epigrafi i Protestës: 2017–ta, Vdekja politike e Lulzim Bashës!

Nga Elson Frroku*

Me respekt të plotë për replikën e kolegut tim, Egon Loli, ndaj shkrimit tim, publikuar më 10 mars 2017, me titull “Qeveri Teknike apo Disonancë Konjitive e Lulzim Bashës” te gazeta MAPO, shkurtimisht, doja të bëja disa sqarime të vogla. Fillimisht, dua të qartësoj tezen e shkrimit të lartpërmendur, për t’u hedhur me pas te kritikat mbi qëndrimin tim që kolegu Loli i shpalosi në një artikull tjetër të titulluar “Arsyet e protestës iu qëndrojnë logjikës” më datë 14 mars 2017 në po të njëjtën gazetë. Teza ime qendrore ishte: Ndërkohë që opozita e kryesuar nga thirrja e kryetarit të Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha, kërkon me ultimatum krijimin e një qeverie teknike sepse në të kundërt nuk tërhiqet nga protesta, ka të ngjarë që të mos i realizohet kërkesa dhe si rrjedhojë do të tërhiqet nga protesta nëpërmjet një kompromisi politik midis palëve. Por, marrëveshja nuk do jetë qeveria teknike.

Kjo marrëveshje e opozitës, citoj veten, do t’i shitet elektoratit të saj si fitore dhe për pasojë lideri i saj do ta justifikojë këtë kompromis si mundësinë më të mirë të mundshme. Kjo moskoherencë idesh të cilat nuk bashkejetojnë dot me njëra-tjetrën (pra, kërkon qeveri teknike me ultimatum dhe pastaj pranon një marrëveshje tjetër) quhet Disonancë Konjitive. Pra, nuk ka Disonancë Konjitive të rëndë apo të lehtë dhe nuk përjetohet Disonanca Konjitive. Ajo është thjesht një teori që shpjegon një fenomen të caktuar, por nuk është fenomen në vetvete, e cila mund të përjetohet etj. Ndërsa arsyet se përse nuk përmbushen kushtet reale për krijimin e një qeverie teknike do t’i rendis më poshtë, të bashkërenduara me kritikat e kolegut. Gjithashtu edhe arsyetimin logjik se përse kjo proteste nuk është mishërim i pakënaqësisë së shoqërisë civile siç pretendon ai, por është thjesht një kërkesë utopike e një force politike me në krye z. Basha. Siç thotë edhe vetë Loli “Basti që Lulzim Basha ka vënë në karrierën e vet politike është shumë i lartë”. Në një bast ose fiton ose humbet. Pra, në terma popullorë, kjo protestë mund të kthehet në fushën e vdekjes politike të z. Lulzim Basha. 

Protesta e opozitës është e pabesueshme për shoqërinë shqiptare*

Një gazetar i CNN pyet Nelson Mandelën pasi doli nga burgu: “Si është e mundur që njerëzit t’iu binden për t’u ngritur kundër establishmentit politik?”. Nelson Mandela iu përgjigj duke i thënë: “Unë thjesht thashë me zë atë që ata përjetonin, nuk isha unë dhe asnjë grupim politik që inicioi këtë lëvizje popullore, por kushtet mizore bashkuan të gjithë njerëzit për një jetë më të drejtë”. Kemi parasysh diskriminimin kulturor, varfërinë ekstreme, censurimin e fjalës së lirë, ligjet e padrejta me bazë racore, mungesa e përfaqësimit në vendimmarrje për të gjithë afrikano-jugorët me ngjyrë etj. Në rastin e protestës në Shqipëri, në fakt, nuk mund të gjendet as me lupë zmadhuese një komponent i tillë që bashkon të gjithë popullatën shqiptare. E para, kjo protestë nuk është një nismë civile, por është e iniciuar nga një parti politike e cila ka për synim të vijë në pushtet me çdo lloj forme. E dyta, kërkesat e tyre janë surreale, nuk i përshtaten realitetit politik por janë abstraksione të pamatshme, si liria, pushteti etj. E treta, vetë kryetari i opozitës, z Basha, edhe pse me një CV shumë të pasur nuk është me një të shkuar të suksesshme në politikë.

Për koincidence, çdo post politik që ai ka mbajtur përgjatë qeverisjes së djathtë është pasuar nga një skandal apo akuzë e rëndë. Si Ministër i Transportit ai vazhdon betejën gjyqësore për vjedhjen e 230 milionë eurove; si Ministër i Punëve të Jashtme nënshkroi Marrëveshjen e Detit me Greqinë, sipas së cilës mbi 350 km2 e detit të Shqipërisë (pjesë e detit Jon) në Otranto dhe në Ngushticën e Korfuzit pushtohet nga Republika e Greqisë, pa luftë, veçse merret në tavolinën diplomatike të të dyja vendeve. Falë Gjykatës Kushtetuese e shpëtuam. Si Ministër i Brendshëm, atë e rëndon akuza e vrasjes së katër protestuesve civilë në mes të bulevardit, çështje kjo e pazgjidhur ende. Madje sa iu përket zgjedhjeve për kreun e PD-së, edhe vetë demokratët e dinë më së miri se si z. Basha erdhi në krye. I ndjeri Sokol Olldashi, ish-rivali i tij për kryetar, e akuzoi drejtpërdrejt për cenim të votës. Sipas tij, zgjedhjet ishin të manipuluara. Si kryetar bashkie për katër vite, edhe pse të gjithë e dinë se si ai fitoi në vitin 2011, ai mbahet mend vetëm për lejen e pallateve tek diga e liqenit artificial, pavarësisht se në fushatë elektorale u zotua se nuk do të jepte asnjë leje në atë zonë. Këto janë disa nga bëmat e Lulzim Bashës në pushtet, bëma të cilat i di çdo shqiptar, qoftë ky edhe analfabet ekstrem.

Të jetë kjo vallë thjesht një koincidencë? Mos vallë z. Basha ka qenë në vendin e gabuar, në kohën e gabuar, si antidot i personazhit kryesor të Winston Groom (1986) te novela e tij Forrest Gump? Ndoshta! Nuk e di. Këtë e dinë shqiptarët.

Një tjetër arsye e fortë në disfavor të logjikës së protestës *

Winston Churchill thoshte se “Demokracia është sistemi më i keq i mundshëm, por më i miri nga sistemet e tjera që kemi njohur deri tani”. Edhe ne, ndoshta kemi qeverinë më të keqe, por ama, është shumë herë më e mirë nga çdo qeveri që kemi pasur. Një qeveri e përgjegjshme dhe e shpjegueshme është ajo qeveri që iu përgjigjet qytetarëve në çdo kohë dhe e arsyeton çdo veprim që bën. Mirë apo keq, e vlerëson populli, jo opozita. Sfida e protestës bëhet akoma më e madhe kur zërat e sondazheve apo raporteve ndërkombëtare vlerësojnë progresin e bërë nga kjo mazhorancë për katër vite: FMN, BB, BE, Departamenti i Shtetit etj.

Pyetja që mund të ngrihet këtu është se: “A ka bërë punë sa duhet kjo mazhorancë?”. Unë do thosha “JO!”, madje kam shumë kritika, si për mënyrën e implementimit të reformave, por edhe për zbatueshmërinë e tyre. Janë burgosur më shumë të varfrit se sa të pasurit, ka akoma shumë hashash në qarkullim, nepotizmi dhe militantizmi vazhdon të jetë dominues në Administratën Publike etj. Që të jemi korrekt dhe larg emocioneve partiake, shoku Loli, duhet të pranojmë edhe disa punë te bëra.

Është hipokrizi e madhe për këdo që nuk pranon se disa punë janë bërë përgjatë këtyre viteve. 1. Reformimi i sistemit të energjisë, i cili për herë të parë, në vitin 2015, ka mbuluar shpenzimet e veta. 2. Formalizimi i bizneseve në të gjithë vendin, të cilat ishin në një batak që nuk i dihej filli. 3. Reforma administrative territoriale, e cila i dha frymëmarrje zhvillimit rajonal nga 340 zotër komunash që ishin më parë, në 61 njësi të qarta. 4. Legalizimet e ndërtimeve pa leje: për dy vite u legalizuan mbi 100 mijë ndërtesa nga 21 mijë që PD legalizoi për tetë vite. 5. Check up në shëndetësi ishte një tjetër sukses i kësaj mazhorance, këtë e di më së miri çdo shqiptar mbi 35 vjeç, i cili pa asnjë pagesë bëri kontroll të përgjithshëm shëndetësor. 6. Fondi Kombëtar i Garancisë në bujqësi, i cili mundëson për të gjithë fermerët një fond deri në 100 milion euro. 7. Reforma në arsim, e cila iu dha fund shitjeve të diplomave dhe mbylli 18 universitete fantazmë; dhe mbi të gjitha 8. Reforma në Drejtësi, e cila u iniciua nga kjo mazhorancë dhe dakordësoi të gjitha palët duke e votuar me 140 vota në parlament etj. A janë zbatuar në mënyrë rigoroze të gjitha këto? Në këndvështrimin tim, në raport me kulturën politike që kanë shqiptarët për zbatueshmërinë e ligjit, është bërë maksimumi. Megjithatë, ka ende mjaft punë për t’u bërë. Në këto rrethana, të paktën mund të themi se, ndërtime pa leje nuk ka më; biznese pa kasë fiskale po ashtu nuk ka më; ka rend dhe polici më korrekte, më të respektueshme dhe më pak të korruptuar, qe e prekim çdo ditë në jetën tonë; njerëz që vjedhin energji nuk ka më; universitete që diplomojnë të vdekurit nuk ekzistojnë më; e kështu me radhe.

Ka shumë e shumë arsye të tjera që mund të përmend, që e delegjitimojnë opozitën për ta shndërruar kauzën e saj në një thirrje ndaj shoqërisë civile në proteste si mishërim i pakënaqësisë nga qeverisja e majtë. Kjo nuk ndodh sepse njerëzit nuk janë të pakënaqur në atë mënyrë siç opozita e përshkruan. Për këtë arsye dhe shumë të tjera, protesta e opozitës nuk është favorite për të rrëzuar qeverinë.

Pol Xhonson thoshte: “Për të ngritur një kauzë dhe për ta fituar atë, nuk mjafton thjesht ideja, por duhet të ketë ardhur “momentumi historik”, i cili është kombinim i disa komponentëve së bashku në mënyrë simbiotike, natyrale, siç ishte lufta për të drejtat civile në SHBA, lëvizja kundër Aparteidit në Afrikën e Jugut, rrëzimi i komunizmit etj., të cilët nuk vuanin nga idetë por nga momentumi historik. Lulzim Basha ka vetëm idenë, por nuk ka asnjë komponent tjetër në favor të idesë së tij. Ai shpesh herë më duket si Che Guevara në Bolivi, i cili dështoi të ndizte revolucionin proletar, pasi ishte i bindur në mendjen e tij se fshatarët bolivian janë të pakënaqur dhe nuk bindej kur ata i pohonin të kundërtën.

PO!, unë do ta besoja Lulzim Bashën, nëse ai do t’i shtonte ligjërimit të tij edhe një frazë tjetër: “Nëse nuk arrijmë të rrëzojmë qeverinë dhe të krijojmë një qeveri teknike, unë, si lider i Partisë Demokratike jap dorëheqjen”. Nëse ai do ta bënte këtë gjë, do ta besoja që e ka seriozisht. Por këtë ai nuk e bën sepse e di shume mirë që nuk do të realizohet kërkesa e tij utopike. Fati i Lulzim Bashës në këtë rast lidhet me vetëvrasjen politike. Pikërisht në vendin ku u vranë katër protestues, qytetarë të pafajshëm, siç janë sot Loli dhe kolegët e tij, që qëndrojnë në çadër.

*Msc shkenca politike

Shkruar Nga
More from revista mapo

Avdiu: Ju tregoj të vërtetën për lidhjen me ministrin

Diana Avdiu është padyshim një nga bukuritë më tronditëse shqiptare. Ajo ka...
Read More