Epokë e re e transformimit ekonomik të Kinës

Mëngjesi i 5 Marsit, e shndërroi Kinën në fokusin kryesor të politikës dhe medias botërore ku pikëtakimi ishte Pallatit i Madh i Popullit në Pekin.

Në Pekin, për rreth dy javë me radhë zhvillon punimet legjislatura e 13-të e Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës për të etiketuar të tjerë hapa transformimi ekonomik të pandalshëm për vendin.

Pjesëmarrja e mbi 3000 gazetarëve nga mbarë bota të cilët që në orët e para të mëngjesit kishin krijuar një radhë të gjatë para Pallatit të Madh, shoqëronin me kureshtje duke filmuar çdo detaj të hyrjes së delegatëve në këtë sesion të rëndësishëm vjetor për vendin.

Dy sesionet e këtij viti, Asambleja Kombëtare Popullore dhe Konferenca Konsultative Politike e Popullit Kinez konsiderohen të rëndësishme, pasi do të përcaktojnë drejtimin e zhvillimit të ardhshëm të Kinës si dhe dritare për njohjen e politikave kineze nga bota. Gjithashtu ky vit shënon edhe 40 vjetorin e reformës dhe hapjen e Kinës ndërsa sesioni më i madh legjislativ në botë, përfshin rreth 2 980 delegatë nga të gjitha provincat, rajonet dhe Forcat e Armatosura të Kinës.

Mes tyre janë edhe 742 gra, disa prej të cilave tërhoqën vëmendjen e pjesëmarrësve e të ftuarve edhe me veshjet e tyre karakteristike të zonave.

Një raport prej 36 faqesh mbi punën e qeverisë shpërndarë edhe për gazetarët në anglisht, u prezantua nga Kryeministri Li Keqiang për rreth 2 orë, i cili paraqiti arritjet përgjatë 5 viteve të shkuara dhe objektivat për 5 vitet në vijim, ku theksohet se duhet të zbatohen me rigorozitet mendimet e Presidentit Xi Jinping për socializëm me karakteristika kineze në epokën e re.

Synimi i pandalshëm i Kinës

Gjatë katër dekadave të fundit që kur filloi një udhëtim të transformimit ekonomik dhe u hap me një sërë reformash, Kina ka shënuar përparim të konsiderueshëm duke transformuar rrënjësisht peizazhin e vendit.

Gjatë sesionit që do të zgjedhë edhe Komitetin e ri të Përhershëm të Asamblesë, kryeministri Li Keqiang përmblodhi punën e qeverisë kineze gjatë pesë vjetëve të kaluara ku ekonomia kineze është futur në një shkallë të re dhe vëllimi GDP-së është rritur në 82.7 trilionë juanë nga 54 trilionë juanë, ndërkohë kontributi i Kinës në ekonominë botërore i kalon të 30%. Ai theksoi gjithashtu se rrjeti hekurudhor i shpejtësisë së lartë, biznesi elektronik, pagesat nga pajisjet e lëvizshme dhe ekonomia e përbashkët janë bërë forca që udhëheqin prirjen e zhvillimit ekonomik botëror.

Edhe për vitin 2018, Kina shpreh vendosmërinë për të mbajtur objektivin e saj të rritjes ekonomike në rreth 6.5%, të pandryshuara nga ajo për 2017.

Duke pasur parasysh bazat ekonomike të Kinës dhe kapacitetet për krijimin e vendeve të punës, rritja e PBB-së prej rreth 6.5% do t’i mundësojë Kinës që të arrijë një punësim relativisht të plotë, theksohet në raportin e punës së qeverisë.

“Në anën tjetër duke iu referuar qëllimeve për të krijuar një shoqëri të begatë në të gjitha aspektet dhe objektivat e vendosur në planin 5 vjeçar të 13-të një rritje me rreth 6.5% do të na lejojë një dyfishim të PBB së Kinës në 2020 në krahasim me 2010. Gjithashtu do të ndihmojë drejtimin e pritshmërive të tregut dhe mbajtjen e tyre stabël. Do të kemi progres në reformat strukturore të ofertës, do të përshpejtojmë rritjen e sektorit prodhues dhe zhvillimin e industrive strategjike. Vlera e shtuar e sektorit të shërbimeve është e projektuar të rritet me rreth 7.6% duke i mundësuar shërbimeve të kontribuojnë 52.2% të PBB”, deklaroi kryeministri Li Keqiang.

Kina synon të ruajë nivelin e inflacionit në rreth 3% dhe të krijojë mbi 11 milionë vende pune të reja urbane. Norma e papunësisë urbane e anketuar parashikohet të qëndrojë brenda 5.5%, norma e papunësisë urbane e regjistruar brenda 4.5%.

Qeverisja kineze synon ndërtimin e një shoqërie të moderuar, të begatë në të gjitha aspektet, duke pasur parasysh faktin se ekonomia e Kinës po kalon nga një fazë e rritjes së shpejtë, në një fazë të zhvillimit të cilësisë së lartë.

Numri i personave që jetojnë në varfëri në zonat rurale synohet të ulet në 10 milionë dhe rreth 2.8 milion persona do të dalin nga shtresa e varfërisë, duke i nxjerrë nga zonat e pabanueshme. Rritja si në të ardhurat personale të qytetit dhe fshatit do të qëndrojnë kryesisht hap pas hapi me rritjen ekonomike. Aksesi në shërbimet publike bazë dhe shërbimet për të moshuar do të zgjerohet më tej me përpjekjen për të mundësuar akses për të gjithë. Po ashtu parashikohet rinovimi i 5.8 milion apartamenteve të banimit në zonat urbane.

Sot, bazat materiale dhe teknologjike të Kinës janë shumë më të forta, sistemi i tij industrial është i kompletuar, tregu i tij është i madh, burimet njerëzore janë të bollshme dhe sipërmarrësit dhe inovatorët e saj janë dinamikë, evidentohet në raport.

Një tjetër objektiv i qeverisë është ulja me të paktën 3% e konsumimit të energjisë për njësi të PBB, ndërsa emetimet e dioksidit të karbonit për të njëjtën njësi, do të shkurtohen me 3.9%, duke ndikuar në rënien e vazhdueshme të ndotësve kryesor.

Për herë të parë Panairi i importeve

Rritje e vazhdueshme e vëllimit të eksport-importeve dhe ruajta e ritmit të përgjithshëm të investimeve të huaja direket, paralelisht me rritjen e vazhdueshme të investimeve jashtë vendit, është një tjetër objektiv i qartë dhe i mirëpërcaktuar edhe për 5 vitet në vijim të qeverisë kineze.

Li Keqiang tha se këto detyra janë element thelbësor në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe pjesë e rëndësishme e përpjekjeve tona për ta optimizuar strukturën e investimeve dhe tregtisë në mënyrë që Kina të shndërrohet në një vend tregtues cilësor si edhe të realizojë hapje cilësore. Ai u shpreh optimist që këtë viti ekonomia globale duket se do të vazhdojë të rimarrë veten, ndërsa pritet gjithashtu të vazhdojë edhe rritja e përgjithshme në tregtinë ndërkombëtare.

Për të inkurajuar importet, Kina do të presë për herë të parë panairin e parë ndërkombëtar të importit që sipas kryeministrit do të kontribuojë në rritjen e vazhdueshme të tregtisë së jashtme. “Megjithatë për shkak të konkurrencës industriale ndërkombëtare vazhdimisht në rritje, si dhe për shkak të mundësisë që Kina të përjetojë mbrojtjen më të madhe tregtare, sërish na mbetet të bëjmë shumë përpjekje për ruajtjen e trendit pozitiv të investimeve dhe tregtisë së jashtme”, evidentoi kryeministri në raportin e qeverisë.

Një tjetër premtim i qeverisjes kineze është ulja më tej e taksave dhe tarifave për mbështetjen e zhvillimit real të ekonomisë. “Taksat projektohen të reduktohen me më tepër se 800 miliard yuan, pas shkurtimit dhe rishikimeve të mëtejshme të tarifave ne presim ti kursejmë sipërmarrjeve dhe individëve mbi 1 trilion yuan. Transfertat e pagesave të përgjithshme për qeverisjen lokale do të rriten me 10.9%, me qëllim forcimin e kapacitetit të tyre financiare veçanërisht në rajonet qendrore dhe perëndimore”, tha kryeministri.

Epokë e re investimesh

Kryeministri Keqiang premtoi se do të zbusin kufizimet për akses në treg, në mënyrë të rregullt, duke zgjeruar shkallën e hapjes në financë, telekomunikacion, arsim, dhe sektorë të tjerë ndërkohë, shtoi ai, do të hapemi tërësisht në sektorin prodhues. “Ne do të përmirësojmë ligjet që kanë të bëjnë me investimet e huaja dhe do të mbrojmë të drejtat legjitime dhe interest e investuesve të huaj. Do të vijojmë me promovimin e zhvillimit të zonave tregtare të lira pilot në përputhje me standardet dhe kërkesat e cilësisë. Ne do të japim fuqi më të mëdha vendim-marrëse në reforma, në këto zona dhe do të ndërmarrim punë hulumtuese për të krijuar porte të tregtisë së lirë me tipare kineze. Ne do të marrin masa aktive dhe të kujdesshme për të promovuar hapjen dy drejtuese në tregun kapital dhe të përmirësojmë menaxhimin e unifikuar dhe makro të kujdesshëm financimeve përtej kufijve”, evidentoi më tej ai.

Një tjetër synim i Kinës është edhe krijimi i modeleve të reja të investimeve të jashtme, thellimi i bashkëpunimit ndërkombëtar të kapaciteteve industriale, promovimi për ndërtimin e zonave të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar përtej detit.

Qeverisja kineze premton se do të marrë pjesë aktive dhe do të promovojë globalizimin ekonomik. “Ne do të bëjmë më të mirën e mundshme për të siguruar që Kina të mirëpresë takimin vjetor të Forumit Boao për Azinë, Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait, Samitin 2018 të Forumit të Bashkëpunimit Kinë-Afrikë si edhe evente të tjera diplomatike. Ne do të mbështesim Kombet e Bashkuara dhe G20-ën në rolin e tyre si platformë kyçe të qeverisjes globale si edhe APEC-un, BRICS dhe mekanizma të tjerë. Ne do të vazhdojmë thellimin e bashkëpunimit në investime dhe tregtinë bilateral dhe multilaterale, do të mbështesim sistemin multilateral të tregtisë dhe do të punojmë për të promovuar lehtësi të standardeve larta të tregtisë dhe të investimeve”, tha kryeministri Keqiang.

Thellimi i reformave do të vijojë edhe në fushat thelbësore dhe të rëndësishme, që sipas ekzekutivit kinez, do të shënojnë progres në ndërtimin e një ekonomie e cila i jep rol tërësor tregut dhe mbështetje më të mirë rolit të qeverisë, me qëllim rivitalizimin e të gjitha llojeve të njësive të tregut.

Kina synon ndërtimin e një sistemi tregu i cili siguron konkurrencë të drejtë dhe të ndershme.”Ne do të zbatojmë tërësisht dhe do të vazhdojmë përmirësimin e perceptimit negative të aksesit në treg, me qëllim heqjen e kufizimeve diskriminuese dhe barrierave të fshehura duke zgjeruar kështu aksesin në treg për investimet private. Do të implementojmë plane për të fituar luftën ndaj ndotjes si dhe do të hartojmë një plan aksioni për të bërë përsëri qiellin tonë blu me qëllim të mbështetjes ndaj parandalimit dhe kontrollit të ndotjes së ujit, ajrit dhe tokës”, thuhet në raportin e qeverisë.

Hapje në të gjitha frontet

“Dukë vënë theksin në ‘sjelljen’ dhe ‘bërjen globale’ ne do të ecim para për të kultivuar fuqitë e reja në bashkëpunimin dhe me konkurrencën ekonomike ndërkombëtare”, tha kryeministri Keqiang.

Kina mbetet e vendosur që të promovojë bashkëpunimin ndërkombëtar në iniciativën ‘Një brez, një rrugë’, sikurse të përmirësojmë strategjitë dhe planet zhvilluese të vendeve pjesëmarrëse.

“Ne do të përshpejtojmë ndërtimin e autostradave, hekurudhave, rrjeteve të telekomunikacionit, rrjeteve të energjisë, bashkëpunimit industrial, dhe infrastrukturës energjitike, si edhe të forcojmë lidhjen e politikave, rregullave dhe standardeve të vendeve të përfshira në iniciativë, thuhet në raportin e qeverisë. Kryeministri kinez tha se “do të promovojë zhvillimin e shëndetshëm dhe të rregullt të shërbimeve hekurudhore të lëvizjes së mallrave Europë-Kinë. Do të vazhdojmë të zhvillojmë Rrugën E Mëndafshit Dixhitale (Online) dhe vendosjen e korridoreve informuese dhe mirë funksionimin e tyre. Ne do të thellojmë shkëmbimet kulturore dhe bashkëpunimin, do të forcojmë parandalimin dhe kontrollin e rrezikut të sigurisë”.

Të gjitha këto objektiva dëshmojnë se si Kina vazhdon të integrohet dhe të kontribuojë në mënyrë të pandalshme në ekonominë botërore, ndërsa vijon me mençuri dhe këmbëngulje transformimin e jetës së qytetarëve të saj.

Shkruar Nga
More from Revista User

Humb jetën nga gripi një fëmijë 2 vjeç e gjysmë

Një fëmijë vetëm 2 vjeç e gjysmë humbi jetën për shkak të...
Read More