Era e Trump: Amerika e para, bota vjen e fundit


03 Trumpi merr Celesin nga ObamaDonald Trump është presidenti i 45-të i SHBA-ve dhe me gjasë ai më kontradiktori sa iu përket politikave të shpallura. Pas betimit bota pret ende të lexojë qëndrimet e tij, ndërsa kreu i ri i Shtëpisë së Bardhë iu është rikthyer motove të izolacionizmit të viteve ’30. Lu: Presim me kënaqësi, që kjo marrëdhënie e jashtëzakonshme të vazhdojë gjatë Presidencës Trump

Donald Trump firmosi dje urdhrat e parë si president i SHBA-ve. Miliarderi që fitoi në mënyrë të papritur përballë Hillary Clinton, u përurua president mes festës së 900 mijë të pranishmëve në Uashington, por edhe protestave, ku pati po ashtu përplasje me policinë. Trump është sigurisht një prej personazheve më kontradiktorë që merr postin e njeriut më të fuqishëm në botë, ndërsa opinionet për të janë të ndara mes atyre që e parashikojnë këtë si katastrofike dhe atyre që shohin një ndryshim të madh dhe shpresë tek administrata e re. Bashkimi Europian është ende në dilemë se çfarë do të presë nga Trump, ndërkohë në Moskë përurimi i tij është festuar. Në Tiranë po ashtu qëndrimet kanë qenë të dyzuara. Ndërsa kreu i PD-së dhe ai i LSI ndoqën nga afër ceremoninë dhe uruan presidentin e ri me fjalë sa më të ngrohta në rrjetet sociale, kryeministri u rezervua të mos shprehej. Komenti i tij në CNN kundër Trump gjatë fushatës mund të jetë një barrë jo e vogël. Presidenti i Republikës ndërkohë dhe ministri i Jashtëm më herët shprehën besimin se marrëdhëniet speciale mes dy vendeve do të vijonin. Të njëjtin besim shprehu në një video mesazh edhe ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu. Në anën tjetër të Atlantikut Donald Trump përdori në fjalimin e parë si president i SHBA-ve frazeologji të huazuar nga izolacionistët e viteve ’30, duke përmendur herë pas here “America First” (Amerika e Para), që lë të kuptojë një tërheqje të superfuqisë nga punët e botës. Nga ana tjetër, ndryshe nga sa ishte pritur, një zbutje tonesh apo një paqtim me fillimin e presidencës, Trump u duk se lexoi një nga fjalimet e fushatës së tij. Ai fajësoi tregtinë e lirë dhe globalizimin për gjendjen ekonomike të SHBA-ve dhe vijoi me premtimet e tij për ta ndëshkuar këtë.

Trump: Amerika e para

Donald Trump është betuar si president i Shteteve të Bashkuara përpara 900 mijë të pranishmëve në Capitol Hill. “Do të kryej me besnikëri detyrën e presidentit të SHBA. Do të bëj më të mirën për të mbrojtur Kushtetutën e SHBA. Ndaj, Zot më ndihmo!”, ka pohuar Trump. Më pas Trump ka mbajtur fjalimin tradicional të kreut të shtetit, ku ka ripërsëritur qëndrimet e shprehura gjatë fushatës elektorale, që shkaktuan aq shumë polemika. “Ne, qytetarët e Amerikës jemi bashkuar në një përpjekje kombëtare për të rindërtuar vendin tonë. Jemi këtu për të plotësuar premtimet që iu kemi bërë amerikanëve. Ne jemi një komb dhe ëndrrat e qytetarëve janë ëndrrat tona dhe suksesi i tyre do të jetë suksesi ynë. Betimi që unë bëra sot është një betim për besnikëri ndaj amerikanëve për shumë dekada. Ne kemi mbështetur industrinë e huaj në kurriz të asaj amerikane, kemi ndihmuar ushtritë e huaja në kurriz të ushtrisë tonë, kemi mbrojtur kufijtë e të tjerëve në kurriz të kufijve tanë”, -tha Trump. Ai tha se SHBA-të kishin transferuar miliarda në vende të tjera, ndërkohë që ishte lënë infrastruktura e tyre të rrënohej. Ai bëri një panoramë të zymtë të asaj që kishte ndodhur para tij. Duke folur për një Amerikë që kishte humbur, ishte pushtuar nga droga, bandat kriminale, arsimim jo efikas e dhjetëra probleme të tjera, Trump dha një paraqitje apokaliptike të vendit. Dhe këtë e vuri në dukje në sy të katër ish-presidentëve që morën pjesë në inaugurimin e tij dhe ndaj të cilëve drejtoheshin këto akuza. “Kjo masakër amerikane ndalon këtu, ndalon tani”, -tha Trump.

Duke iu rikthyer qëndrimeve të ashpra të fushatës, Trump tha se po ia merrte fuqinë establishmentit për t’ua kthyer atë njerëzve dhe fajësoi Uashingtonin për rrënimin e ekonomisë. “Kemi bërë të pasura vendet e tjera, ndërsa fuqia e vendit tonë është zhdukur në horizont. Nga sot, Amerika do të jetë gjithmonë e para. Çdo vendim për emigracionin dhe çështjet e huaja do të merret në të mirë të amerikanëve dhe ne do të mbrojmë vendin tonë nga ndërhyrjet e vendeve të tjera. Kjo do të na çojë drejt prosperitetit dhe një fuqie më të madhe. Nuk do t’ju zhgënjej asnjëherë. Ne do ta bëjmë Amerikën të madhe sërish! Faleminderit! Zoti ju bekoftë juve dhe Amerikën!”, ka thënë Trump. Të pranishëm në ceremoninë madhështore kanë qenë edhe presidentë të Shteteve të Bashkuara ndër vite si George W. Bush, Bill Clinton etj. Nuk ka munguar as rivalja e tij në zgjedhjet presidenciale, Hillary Clinton. Trump e nisi ditën e tij më të rëndësishme me një vizitë në meshën e mbajtur orët e mëngjesit, e më pas me një vizitë në Shtëpinë e Bardhë, ku u prit nga presidenti në largim Barack Obama dhe bashkëshortja e tij, Michelle.

Presidenti Trump dhe zëvendës/presidenti Mike Pence morën zyrtarisht çelësat e Shtëpisë së Bardhë për të drejtuar kështu Shtetet e Bashkuara të Amerikës për 4 vitet e ardhshme si presidenti i 45-të në historinë e vendit, pas ceremonisë së nisur nën prezantimin e shefit amerikan të Drejtësisë, John Roberts.

Protesta dhe dilema

Vetëm pak metra larg Capitol Hill, aktivistë të maskuar marshuan përmes rrugëve dhe thyen xhamat e disa bizneseve dhe makinave nëpër rrugë, e pati edhe përleshje me policinë duke hedhur bomba molotov e gurë, me forcat e rendit që u përgjigjën me gaz lotsjellës e më pas me përdorimin e forcës. Menjëherë pas fjalimit të Trump mediat që ai i ka akuzuar për mbulim të pandershëm iu rikthyen sulmeve, duke kritikuar fjalimin e tij, ndërsa pati dhe një sërë artikujsh mbi fakti se administrata e re ende nuk ishte gati për shkak të mungesës së disa emërimeve.

Nobelisti Paul Krugman ishte ndërkohë i zymtë dhe i ashpër në shkrimin e tij për Ny Times. “Është e qartë për të gjithë ata që kanë qenë të vëmendshëm se administrata e re do të jetë e korruptuar masivisht”, shkruan Krugman, i cili tërheq vëmendjen se përveç korrupsionit ajo është një administratë e paaftë. “Ka për të qenë e tmerrshme, më lejoni t’ua them”, ironizon ai duke përdorur fjalët e vetë Trump.

Trump merr kështu pushtetin në një vend të përçarë pas një fushate elektorale tepër të ashpër. 70-vjeçari i njohur si manjat i pasurive të patundshme do të ketë përpara një detyrë të vështirë për të forcuar imazhin e tij. Gjatë fazës tepër sfiduese së tranzicionit, që prej fitores së zgjedhjeve në nëntor, miliarderi njujorkez shfrytëzoi “Twitter”-in për të sulmuar vazhdimisht kritikët e tij, aq sa njëri prej senatorëve republikanë, John Mçain, i tha CNN-it se Trump duket se kërkon të përballet me çdo “mulli ere” që gjen përpara. Ardhja e tij në krye të Shtëpisë së Bardhë, përveçse mirëpritet nga republikanët e lodhur nga 8 vitet e Barack Obamës në pushtet, ngre pikëpyetje për një sërë çështjesh për Amerikën dhe botën në përgjithësi.

Në dallim me politikën shumëvjeçare amerikane Trump-i e sheh BE-në si një krijim artificial pa shpirt, që madje dëmton ekonominë amerikane. Trump-i ndan mendimin e mikut të tij britanik dhe kritikut ndaj BE-së, Nigel Farage. Kështu tha Trump në një intervistë me gazetat “Bild” dhe “Times”: “BE-ja është në thelb një instrument për Gjermaninë. Kjo është arsyeja pse e konsideroj si shumë të zgjuar vendimin e Britanisë për të dalë nga BE-ja”. Trump-i mendon në kategorinë e shteteve kombëtare dhe është skeptik jo vetëm ndaj BE-së, por edhe ndaj OKB-së apo organizatave të tjera multinacionale. Ndërsa paraardhësi i tij Barack Obama e vlerësonte Bashkimin Evropian si një nga arritjet më të mëdha në historinë e Evropës, Trump është i bindur se pas Britanisë nga BE-ja do të largohen edhe vende të tjera. Pjesë e strategjisë negociuese të Trump-it është që t’i vërë disa partnerë kundër njëri-tjetrit në mënyrë që të nxjerrë në fund për veten dhe vendin e tij më të mirën. Kjo shpjegon gjithashtu deklaratat kontradiktore të Trump-it për NATO-n.

Ndërkohë në Tiranë palët kanë shpresa të ndryshme. “Për më shumë se 25 vite, gjatë qeverive të ndryshme në Uashington dhe Tiranë, ka qenë gjithmonë e vërtetë se shqiptarët dhe amerikanët kanë çmuar një lidhje të veçantë dhe të thellë mes tyre. Presim me kënaqësi, që kjo marrëdhënie e jashtëzakonshme të vazhdojë gjatë Presidencës Trump”, ishte urimi i Donald Lu gjatë ditës së djeshme. Por PD po synon të kapitalizojë politikë mbi deklaratën e Ramës në CNN kundër Trump dhe po ashtu qëndrimet e këtij të fundit kundër multimiliarderit George Soros, që shihet si i lidhur me të majtën në vend. “Për Partinë Demokratike, me ardhjen e presidentit Trump nis një erë e re. Jo vetëm për Amerikën, por edhe për Shqipërinë”, është shprehur Lulzim Basha në një intervistë për “Zërin e Amerikës”.

Ilir Meta që ndodhej po ashtu gjatë inaugurimit dhe që lidhi një kontratë lobimi vetëm pak kohë më parë për t’u afruar me administratën e re, po ashtu shpreson të kapitalizojë. Meta gjatë takimeve të zhvilluara në SHBA theksoi rëndësinë e një partneriteti ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke nënvizuar se “Shqipëria është e vendosur për të forcuar edhe më tej partneritetin e saj me SHBA-të. Shqipëria është dhe do të jetë aleate e vendosur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mbështetja amerikane në Ballkan është jetike për stabilitet dhe siguri”. Simpatizantë të LSI dhe njerëz në pozicione publike kanë ashpërsuar gjuhën ndaj asaj që e shohin si “sorroiste”. Ndërkohë nga ana e Socialistëve i vetmi që ka folur ishte ministri i Jashtëm, që ka shprehur bindjen se marrëdhëniet do mbeten speciale.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Video: Rekord, bllokohen rreth 8 ton kokainë

Një sasi rekord kokaine është bllokuar nga policia kolumbiane. Rreth 8 ton...
Read More