Erasmus+: Shkëmbimet studentore, një përvojë unike jete

Kemi intervistuar pesë prej 100 të rinjve që kanë përfituar nga shkëmbimet studentore nga Universiteti Europian i Tiranës drejt universiteteve europianë. Nga Polonia, Estonia, Letonia, Hungaria, Italia etj., të rinjtë flasin se çfarë i kanë marrë kësaj eksperience dhe përse u ka shërbyer në formimin e tyre të mëtejshëm

Boralda Sheme: E zgjodha UET për shkak të përfshirjes në Erasmus+

Boralda Sheme është studente e vitit të parë Master për Banka dhe Tregje Financiare, në UET. Pasi kishte dëgjuar për programin Erasmus, pati fatin që përmes universitetit ku studion të bëhej pjesë e tij.

“Gjatë periudhës së studimeve ne marrim gjithmonë informacion lidhur me thirrjet e reja që hapen nga universitete kudo nëpër Europë. Personalisht, kam aplikuar në tri thirrje (Varshavë, Bolonjë dhe Wroclaw), nga ku jam përzgjedhur tek projekti i fundit, në WroclaW University of Science and Technology”- ka rrëfyer ajo duke zbuluar edhe hollësitë e procesit të aplikimit, që ka arritur ta plotësojë edhe falës ndihmës së koordinatores së zyrës Erasmus+, Lutjona Lula dhe të gjithë pedagogëve të UET që ia kanë thjeshtësuar procesin.

Boralda thotë se kishte dijeni përpara se të regjistrohej si studentë në UET, që ky i fundit kishte marrëveshje me universitete të huaja që u mundëson studentëve të tij eksperiencë studentore jashtë vendit.

“Kjo ka qenë një ndër arsyet kryesore pse unë kam zgjedhur të vazhdoj studimet e mia Master tek ky universitet, sepse mundësitë për zhvillim dhe për t’u bërë pjese e këtyre eksperiencave jashtë vendit janë të shumta dhe u kushtohet një rëndësi e veçantë këtij dimensioni”- rrëfen studentja, ndërsa zbulon përvojën e saj polake.

“Përvoja studentore ku po kryej shkëmbimin është një ndër më të bukurat dhe më të paharrueshmet. Ajo që i sugjeroj çdo studenti, është të mos ndalet së kërkuari eksperienca të reja, të dalë jashtë “comfort zone”, sepse aktivitete shumë të bukura po i presin, dhe UET po na jep një mundësi të pazëvendësueshme, për t’u zhvilluar me tepër, saje këtyre shkëmbimeve studentore” – ka thënë Boralda, duke e cilësuar përfshirjen e UET në Erasmus si kombinimin më të mirë, nga i cili mund të përfitojë çdo student shqiptar për të çuar përpara jo vetëm dijet, por edhe përvojën e jetës. Në përfundim ajo u bën thirrje të gjithë bashkëmoshatarëve të aplikojnë në këtë program. 

Glinxhdet Madhi; e paragjykova aplikimin, derisa u përzgjodha përmes intervistës

Glinxhdet Madhi është një tjetër student që po i gëzohet përvojës ndërkombëtare ndërsa po kryen semestrin e dytë të vitit të tij të tretë në Bachelor për Marrëdhënie Ndërkombëtare, në universitetin ELTE, të Budapestit.

I riu ka zbuluar se në postën e tij elektronike, gjatë tri viteve të studimit në UET, i kanë ardhur vazhdimisht thirrje për të aplikuar në bursat Erasmus, nga të cilat kishin përfituar jo pak studentë në klasën e tij.

Më në fund erdhi edhe mundësia e tij në Budapest, të cilën e quan fantastike dhe nuk hezitoi në procedurat e aplikimit, duke u shpallur fitues.

“Në fillim dukeshin një mal me dokumente, por hap pas hapi çdo gjë u bë më e qartë.

Ndihmë e madhe kanë qenë studentë të UET të cilët më parë kishin qenë pjesë e Erasmusit, por në çdo moment të ditës zyra e Marrëdhënieve me jashtë në UET ka qenë e hapur për çdo pyetje apo konsulencë mbi aplikimin”- zbulon Glinxhdeti, duke dhënë hollësi për ata që kanë fobi nga procedurat burokratike, të cilët vetëm për hezitim mund të digjnin një mundësi të rrallë e shumë të vyer.

Edhe vetë ai, megjithëse e njihte këtë mundësi për të udhëtuar jashtë si student, nuk kishte shumë besim se do të funksiononte. “Kështu e paragjykova UET, deri në momentin e intervistës; përballë kisha tre njerëz që nuk njihja personalisht, me të cilët zhvillova një intervistë në forme dialogu dhe, fitova”.

Eksperiencën në kryeqytetin hungarez e konsideron si një përmbushje në shumë aspekte.

“Jam njohur me metodat e zhvillimit të orëve të mësimit nga pedagogë të ndryshëm, debate, shkëmbim eksperiencash, dhe mbi të gjitha zgjerim i njohurive mbi degën ku po vazhdoj”.

Kjo përvojë shkëmbimi e ka bërë të kuptojë edhe rëndësinë që ka Europa për vendin tonë, jo vetëm ekonomikisht por edhe për vlerat që ndan dhe Erasmus është një nga ato vlera. “Erasmus ashtu si vetë BE, është një krijim fantastik; heq barrierat e mendjes, gjuhës, prejardhjes etj. Mundësi për të njohur miq nga e gjithë bota, për të kuptuar kultura të ndryshme, për t’u socializuar dhe mbi të gjitha për të marre përsipër ndryshim”, e mbyll Glinxhdeti intervistën duke thënë se çdo student duhet ta provojë.

Ada Bajraktari: Shkëmbimet studentore, mundësi për ta zhvilluar karrierën jashtë

Ndërsa ndiqte studimet në Fakultetin e Drejtësisë, skema e shkëmbimeve studentore përmes programit “Erasmus+” ishte bërë tashmë pjesë e ambicieve të saj.

Ishin rrjetet sociale kanali i komunikimit që e bënë të njihej më shumë me dimensionin ndërkombëtar të UET; ku flitej vazhdimisht për marrëveshje bilaterale mes universiteteve që

tërhoqën interesin e shumë studentëve … “Dhe realisht që në momentin e parë tërhoqi dhe vëmendjen time” – rrëfen Ada Bajraktari, e cila po kryen një semestër në Tallin Technical University, të Estonisë. “Këtu po kryej semestrin e fundit, të vitit të fundit të studimeve të mia dhe, realisht kam pasur goxha ngarkesë, sepse kam edhe mbrojtjen e temës të diplomës. Ama jam e bindur njëqind për qind që është një përvojë që ia vlen” – rrëfen studentja, e lumtur për kontaktin me kultura të reja, të ndryshme nga vendi i saj dhe po gëzon mundësinë e thellimit të njohurive në dimension ndërkombëtar. “Është vërtet diçka që të bën një profesionist edhe më të kualifikuar në tregun e punës. Por jo vetëm, edhe udhëtimet janë një eksperiencë më vete dhe ndihesh krenar kur midis shumë vendeve të zhvilluara ke mundësi të përfaqësosh vendin tënd dhe të tregosh, të flasësh për të” –zbulon ajo duke marrë rolin e një ambasadoreje të Shqipërisë te bashkëmoshatarët e saj.

Në përvojën e saj të studimeve, rrëfen se nuk sheh ndonjë ndryshim të madh në kurrikula mes universitetit të saj dhe atij estonez. “Por, duke qenë se Estonia është vendi më teknologjik në botë, edhe mësimdhënia është shumë e ndikuar nga ky fakt siç mund të përmend “Kurset Online” që ishin diçka e panjohur për mua” –zbulon ajo, ndërsa sugjeron se për ata që aspiron të marrin realisht dije, UET do të ishte zgjidhja e mirë për këdo.

“Meritokracia është fjala që UET u garanton të gjithë studentëve, ndërsa programi Erasmus të jep statusin e një studenti internacional dhe është diçka që të bën të ndihesh krenar për veten”.

Këtë përvojë Ada e ka parë edhe si mundësi që i jep akses për ta zhvilluar karrierën pse jo edhe në mjedise ndërkombëtare.

Irisa Veizaj: Përvoja në Almeri?! E gjithë jeta në një vit

Si studente e Komunikimit, Irisa Veizaj kish qenë e vëmendshme sa herë koordinatorët e Erasmus organizonin në auditorët e UET takime informuese për studentët, ku veç mundësive studentëve u sugjerohen edhe si të mund të plotësojnë aplikime të suksesshme.

“Njohja ime me programin Erasmus ka qene pikërisht në një nga këto takime gjatë vitit të parë të studimeve. Aplikimi për këtë program u realizua një vit më vonë, në vitin tim të dytë të studimeve, pas informimit nga koordinatorja e Marrëdhënieve Ndërkombëtare znj. Lula, për kryerjen e një semestri akademik në Spanjë” –rrëfen Irisa, duke shtuar se aty nisi edhe rrugëtimi i saj si studente Erasmusi.

Irisa vijon më tej, duke thënë se me dimensionin e pasur ndërkombëtar në kuadër të marrëveshjeve me universitete të huaja por edhe përfshirjes në skemën e shkëmbimeve studentore ishte njohur qysh kur kishe qenë maturante.

“Të tregohem e sinqertë një nga arsyet pse zgjodha Universitetin Europian të Tiranës ka qenë, se në takimet e ¨Gjimnaz Tour¨ u informuam që ishte një universitet që kishte marrëveshje bashkëpunimi me universitete të huaja dhe studentëve shqiptarë u jepej mundësia për të patur shkëmbime studentore”. Megjithatë, edhe pse e dinte këtë, nuk e kishte parashikuar se kishte përmasa aq të mëdha apo se do të përfshihej edhe vetë.

Përvojën në universitetin e Almerisë nuk e quan thjesht studentore, por një përvojë jete.

“Shprehem në këtë mënyrë sepse duke filluar që nga kampusi universitar, metodat e mësimdhënies, pedagogët e kualifikuar, koordinatorët që punojnë posaçërisht vetëm për studentët internacionalë e deri te studentët që njeh në auditorë. Është një shok kulturor duke të dhënë një pikëpamje të re të botës”- thotë ajo, e bindur se çdo student duhet ta provojë të paktën një herë gjatë jetës studentore,

“Erasmus nuk mund të përmblidhet me fjalë, duhet provuar që të mund të kuptosh vlerat e vërteta të programeve të tilla”.

Në këtë përvojë semestrale, Irisa ka gjetur shumë pika takimi mes kurrikulave të UET dhe Universiteti të Almerisë.

“Pa dyshim që ka ndryshime, por integrimi i shpejtë në klasa, metoda e mësimdhënies, praktikat që zhvillojmë si dhe shkëmbimi studentor që aktualisht po kryej ndodhi pikërisht falë pikave të përbashkëta në kurrikula”. Ndërsa studimet në UET thotë se i kanë kthyer në një kalitje të personalitetit, mendimeve dhe dijeve. “Edhe pas kësaj eksperience, UET mbetet zgjedhja e duhur, dhe jam e lumtur që do të kthehem të vazhdoj vitin e fundit të Bachelorit, pasi standardet e mësimdhënies janë ndërkombëtare dhe pedagogët e përgatitur” , thotë Irisa, ndërsa përfundon duke thënë se Erasmus për të nuk ka qenë thjesht një vit i jetës, por e gjithë jeta në një vit.

Gëzim Cako: Nëse ia dilni në UET, ia dilni në çdo universitet europian!

Edhe për studentin e Informatikës Ekonomike në UET, njohja me programin Erasmus ishte përmes email-eve informues të nisur nga koordinatorja e fakultetit Ekonomik.

Pasi vendosi të aplikojë, ndoqi të gjitha udhëzimet dhe procesi iu duk fare i thjeshtë, megjithëse ndihma nga Lutjona, përgjegjësja e zyrës së Erasmus në UET nuk i mungoi në asnjë çast.

“Një ndër arsyet pse kam zgjedhur UET-in, është se të ofron një karrierë të sigurt në Shqipëri dhe më gjerë. Isha i informuar që kishte bashkëpunime me universitete të ndryshme në Europë, sepse kisha lexuar për studentet e tjerë që kishin shkuar më parë dhe një tjetër e mire është se UET i promovon këto mundësi duke i bërë më të kuptueshme nga çdo student”- thotë Gëzimi, ndërsa ndalet duke rrëfyer përvojën e tij baltike, në Riga Technical University të Letonisë. “Përvoja ka qenë shumë e mirë. Nuk kam ndjere ndonjë mangësi, duke arritur të mbaj të njëjtat rezultate si në UET. Kam ndjerë kujdesin në çdo detaj e për çdo paqartësi profesorët tregohen shumë të kuptueshëm. Çdo gjë ka shkuar edhe më mirë sesa e prisja” – rrëfen ai, duke e cilësuar këtë kohë që po shpenzon atje si përvojë frytdhënëse dhe zgjerim i horizontit. “Më ka bërë të mendoj ndryshe në shumë plane, kam shumë ide kreative që shpresoj t’i arrij. Kontaktet e reja janë gjithashtu një plusi madh, por unë e kam shfrytëzuar në të njëjtën kohë duke prezantuar Shqipërinë dhe universitetin tonë, sepse jemi në një farë mënyre ambasadorë të kulturës së vendit tonë”.

Edhe Gëzimi, ashtu si shokët e tij që po përjetojnë të njëjtën eksperiencë jashtë Universitetit Europian të Tiranës, nuk ka ndjerë ndryshim në kurrikulat e universitetit ku po studion aktualisht. “Janë pothuajse të të njëjtit format me shumë punë vetjake, siç duhet të konceptohet një universitet, por çdo gjë është e njëjtë në koncept”.

Nga kjo përvojë Gëzimi thotë se ka marrë dijet e duhura dhe filozofinë e të punuarit në mënyrë të pavarur, pasi kështu merr më shumë përgjegjësi nga ato që do të hasë së shpejti në tregun e punës, pasi të diplomohet.

Gëzimi i inkurajon bashkëmoshatarët të mos e shohin me frikë përvojën ndërkombëtare. “Nëse ia dilni në UET, mund t‘ia dilni në çdo universitet të programit Erasmus!”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Pse njerëzit e kanë më të lehtë të besojnë akuzat ndaj Tahirit

Të luftosh për të vërtetën në këto kohëra, po bëhet gjithmonë e...
Read More