Erdogan si “problem” joshqiptar

Nga Namir Lapardhaja – I. Më 24 qershor Turqia zhvilloi njëkohësisht zgjedhjet e parakohshme presidenciale dhe të përgjithshme, të cilat rikonfirmuan në krye të vendit Presidentin aktual, R. T. Erdogan, i cili e dominon politikën turke prej 20 vjetësh.

Erdogan është një lider karizmatik, populist dhe një politikan që ka dhënë rezultate konkrete për sa i përket ekonomisë turke, afrimit të legjislacionit të vendit të tij me atë të BE-së dhe reformave të tjera për sa i përket uljes së rolit të madh që ka patur junta ushtarake në punët civile të vendit.

Pavarësisht kësaj, partia e tij në këto zgjedhje ka marrë 42%, ai vetë nuk i ka kaluar 52% të votave, opozita laike ka marrë rreth 31% të tyre, shefi i saj ka njohur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, duke theksuar vetëm atë se “zgjedhjet janë zhvilluar në kushte të pabarabarta”, ndërsa vetë Erdogan i ka shtrirë dorën opozitës për bashkëpunim paszgjedhor për të qeverisur vendin, si e vetmja mundësi për stabilitet politik dhe për vazhdimësi të reformave.

Me ndryshimet e reja kushtetuese që do të hyjnë në fuqi pas këtyre zgjedhjeve dhe me konstituimin e parlamentit të ri, Erdogan do të jetë më i fuqishëm se më parë. Ai do të ketë kompetenca më të gjera, por mandat të kufizuar, çka do të thotë se, tanimë, jetëgjatësia e tij në krye të vendit është e parashikuar në dy mandate.

Për sa i përket politikës së jashtme, pas grushtit të shtetit të 15 korrikut 2016, Presidenti Erdogan ka një marrëdhënie të acaruar me SHBA-të (ndonëse vendi i tij është aleat strategjik i NATO-s, ai beson se avionët ushtarak të natës së 15 korrikut u ngritën nga bazat ajrore të kontrolluara prej amerikanëve). Gjithashtu, si pasojë e këtij acarimi, Erdogan ka shpallur aleanca të reja gjeostrategjike, gjë që e kanë larguar disi vendin e tij nga integrimi europian drejt vendeve antagoniste me SHBA-të dhe vetë BE-në, si Rusia dhe Irani. Po ashtu, retorika e tij populiste në zgjedhjet e fundit shpeshherë ka qenë mjaft agresive dhe e pakuptimtë ndaj vendeve të caktuara të Bashkimit Europian. Pavarësisht kësaj, Turqia ende vijon të ruajë marrëdhënie me Perëndimin dhe nuk është tërhequr nga perspektiva e integrimit europian.

Erdogan është lider i zgjedhur në mënyrë demokratike i një vendi të madh prej 80 milionë banorësh, vend që shtrihet në dy kontinente, ndërsa kufijtë e tij më të largët janë Siria dhe Iraku. Turqia është pasardhëse e një perandorie të madhe, e cila ka shkruar historinë në shekuj. Ashtu si të gjithë liderët e tjerë botërorë, ai e ka të qartë se Turqia është e para. Ekonomikisht vendi ka arritur shumë, ndërsa mund të vijojë të lulëzojë në këtë drejtim vetëm me tregun rus, të ish-republikave sovjetike të kaukazit, Iranit apo Kinës.

Përveç sa më sipër, duke qenë një lider i një vendi me shumicë absolute të fesë islame, Erdogan është i vetëdijshëm për rolin dhe kartën e fortë fetare, brenda dhe jashtë vendit. Prej shumë individëve ai shihet si model suksesi në këtë drejtim, çka i jep atij një rol dhe një peshë specifike në raport dhe marrëdhënie me vendet arabe apo të Lindjes së Mesme.

Kjo panoramë është një tregues se Erdogan në raport me politikën e tij të jashtme, të brendshme apo me rolin e tij në arenën ndërkombëtare, llogaritë i ka me votuesit e tij. Për sa kohë që populli turk e voton, opozita në atë vend i njeh zgjedhjet, në to nuk shënohen parregullsi serioze dhe manipulime të certifikuara në rrugë institucionale, ai ka të gjithë të drejtën e Zotit dhe të njerëzve për të vijuar në krye të punëve të vendit.

II. Pavarësisht mijëra kilometrave larg, Turqia dhe politika e Presidentit Erdogan është mjaft e afërt për shqiptarët. Kjo u pa në intensitetin e komenteve, pozitive dhe negative, lidhur me zgjedhjet e fundit në Turqi. Ndonëse shqiptarët kanë probleme mjaft të mëdha dhe të një rëndësie të veçantë për jetën e tyre të përditshme, për një pjesë të tyre problemi i “këmbës ku shkel turku e nuk mbin bari” është aktual dhe më i gjallë se kurrë, ashtu si për pjesën tjetër, e cila, ndofta, edhe për shkak të besimit, e sheh Presidentin e Turqisë si një model suksesi dhe të admirueshëm.

Ky dyzim mjaft i madh mes një kategorie simpatizantësh dhe një kategorie urrejtësish, është i natyrshëm dhe i kuptueshëm për një figurë si Erdogan dhe për një komb e popull me histori si ai turk. Vetë Erdogan e ka shprehur shumë herë interesimin e tij për vendet e Ballkanit, të cilat dikur kanë qenë nën Perandorinë Osmane, politika turke është aktive nëpërmjet TIKA-s në të gjithë rajonin, ndërsa bizneset e saj, të lidhura ngushtësisht me qeverinë turke, zënë një vend të konsiderueshëm në të gjithë këtë rajon, duke patur nën administrim pika jetike të ekonomisë shqiptare dhe me gjerë.

Kur flasim për ekonomi tregu, barazi në ofrimin e mundësive për treg dhe biznes, biznesmenët turq, ashtu si ata grekë, italianë, bullgarë, serbë, gjermanë, francezë, amerikanë etj., janë të mirëpritur. Nga shkëmbimet tregtare nuk ka të humbur.

III. Ndërsa nga tregtia dhe ekonomia ka vetëm të fituar, kur bëhet fjalë për politikë kemi të bëjmë me të dyja anët e medaljes.

Pavarësisht çka evidentuam më sipër, kur vjen fjala te rasti i Shqipërisë dhe pikëtakimet e saj me politikën turke, vlejnë të theksohen disa elemente, duke u nisur (edhe) nga parimi islam se “dashuria e vatanit është prej imanit (besimit)”.

Së pari, aleatët tanë strategjikë nuk janë të njëjtë me ata që ka shpallur aktualisht shteti turk. Ndërsa Turqia, për arsye të saj, gjen si aleat momental të përshtatshëm Rusinë, Iranin dhe Kinën, për Shqipërinë aleatët strategjikë, të palëvizshëm, pa të cilët nuk mund të kuptohet ekzistenca e saj si komb, mbeten Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa rruga drejt BE-së ngelet e vetmja perspektivë.

Së dyti, nëse Turqia ka marrë përsipër të luajë një rol më të madh në politikën ndërkombëtare dhe atë të Lindjes së Mesme, vendi ynë i vogël, modest dhe me shumë probleme brenda, nuk ka takat dhe mundësi për t’iu përgjigjur këtyre sfidave, ndaj përpara se “të kuptojmë” të mëdhenjtë, të mirëkuptojmë vetveten.

Së treti, ndërsa Turqia dhe Presidenti i saj, Erdogan, na konsideron miq, partnerë dhe vëllezër, në shtëpinë e miqve dhe të vëllezërve nuk futesh duke shkelmuar, duke ngritur zërin dhe duke kërcënuar kur ata nuk “të binden”, ngase përndryshe nuk kemi më partneritet dhe miqësi, por vasalitet dhe armiqësi.

Së katërti, kjo politikë miqësore dhe dashamirëse e Turqisë ndaj Shqipërisë nuk duhet lexuar si mbështetje ndaj një politikani apo një partie të caktuar politike, por si një strategji historike afatgjatë, e cila ka qenë e tillë më parë, ashtu siç do të jetë sot dhe nesër. Pra, nëse Erdogan ka si parësore Turqinë në raport me të tjerët, edhe shqiptarët dhe politikanët e tyre duhet të kenë parësor vendin e tyre, duke marrë prej të tjerëve (përfshi edhe nga Turqia) çka është në interes të shqiptarëve dhe duke refuzuar çka është në dëm të tyre.

Së pesti, pavarësisht ekonomisë në rritje të Turqisë nën drejtimin e Presidentit Erdogan, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për liritë dhe të drejtat e njeriut në atë vend. Sipas agjencive ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, dyshohet se shumë aktivistë të lëvizjes së F. Gylenit (dikur miq dhe aleat të Presidentit aktual) janë larguar nga puna, organizatat dhe shkollat e tyre janë mbyllur, ndaj tyre ka patur procese gjyqësore, ka patur të dënuar dhe të shpallur të pafajshëm pas këtyre proceseve, ashtu sikurse ka raportime se shtypi që kontrollohet prej tyre është nën presion të vazhdueshëm për shkak të mosdakordësisë me politikën aktuale. Në këtë drejtim, pavarësisht se gjithçka ka ardhur si pasojë e një grushti të dështuar shteti për të cilin Erdogan në vazhdimësi ka akuzuar lëvizjen “Gylen”, Turqia nuk ka asgjë për t’i ofruar dhe për t’i mësuar Shqipërisë, duke qenë se ne vetë vijmë prej një tradite të gjatë persekutimesh dhe censurimesh të mendimit të lirë dhe atij ndryshe.

Së gjashti, kur vjen fjala për Presidentin Erdogan dhe politikën e jashtme të Turqisë në raport me Shqipërinë dhe shqiptarët nuk mund të lihet pa u përfshirë feja dhe institucionet e saj. Një pjesë e shqiptarëve myslimanë e duan Erdoganin dhe e simpatizojnë atë për shkak të fesë. Mirëpo, feja, ashtu siç është një element i rëndësishëm i stabilitetit dhe i qetësisë shpirtërore për njeriun, ashtu mund të shndërrohet në një element konfliktual dhe problemor. Modeli fetar që aplikohet në Turqi dhe intensifikimi i përpjekjeve për ta unifikuar këtë model në Shqipëri dhe në vende të tjera të rajonit, është i papranueshëm. Lufta e brendshme për pushtet në një vend, qoftë edhe mik si Turqia, nuk duhet të importohet në realitetin shqiptar nëpërmjet përpjekjeve për të zaptuar drejtimin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ngase ky komunitet dhe kjo bashkësi në perspektivën historike të këtyre 28 viteve demokraci në vend është e mbingopur nga importimi i problemeve të jashtme, qoftë nga bota arabe apo nga Lindja e Mesme. Do të ishte një gabim shumë i madh nëse shteti shqiptar do t’i nënshtrohej presionit për të ndikuar në këtë drejtim. Kjo jo për të shmangur nga përgjegjësia dhe për të mohuar problematikat që mund të ketë sot KMSH-ja, mirëpo çdo ndikim i jashtëm, jo esenciale, i pamenduar dhe i studiuar, që bëhet vetëm për shkak të koniunkturës politike të momentit, vetëm se do të thellonte problematikën.

Si përfundim, politika shqiptare në marrëdhënie me atë turke duhet të sillet jo në raport vasaliteti, por miqësie reciproke. Pavarësisht marrëdhënieve shumë të mira në aspektin ekonomik, aleatët tanë gjeostrategjikë janë të ndryshëm, çka na detyron ne të shohim të mirën vetjake nën optikën e perspektivës historike shqiptare. Problematikat e brendshme fetare janë ekskluzivitet i bashkësisë së besimtarëve myslimanë shqiptarë. Ato kanë ekzistuar, ekzistojnë dhe do të vijojnë të ekzistojnë edhe në të ardhmen, kështu që nuk mund të zgjidhen me “fermane” nga Stambolli, ndaj shteti shqiptar, pavarësisht presionit të mundshëm, duhet të qëndrojë larg e mos të bëhet shkaktar për shtimin e kësaj problematike. Raporti i miqësisë historike duhet të shëndoshet në shinat e reciprocitetit dhe të një marrëdhënieje të sinqertë dhe të dyanshme, ku duhet të mbizotërojë e mira e përbashkët.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Komuna e Parisit në Tiranë: Shihni transformimin që ka pësuar kjo lagje

  Tirana ka tashmë edhe një hyrje të re e cila çliron...
Read More