Erë lufte, Izraeli paralajmëron Iranin: Dërgojmë ushtrinë nëse…

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar mbrëmjen e së mërkurës se, Izraeli do të dërgojë ushtrinë e tij nëse Irani përpiqet të bllokojë ngushticën Bab al-Mandeb që lidh Detin e Kuq me gjirin Aden.

Javën e kaluar, Arabia Saudite njoftoi pezullimin e të gjitha ngarkesave të naftës përmes kësaj ngushtice, në rrugën kryesore detare nga Lindja e Mesme drejt Europës, pasi militantët Houthi në Jemen, të mbështetur nga Irani, sulmuan dy anija në ujërat detare.

Arabia dhe Irani luftojnë prej 3 vitesh kundër njëri-tjetrit në Jemen, një shtet që ndodhet në pjesën jugore të ngushticës Bab al-Mandeb.

Militantët Houthi, të cilët kanë kërcënuar në të kaluarën se do ta bllokojnë ngushticën në fjalë, deklaruan javën e kaluar se kanë kapacitete detare për të goditur portet saudite apo objektiva të tjera në Detin e Kuq.

Irani vet nuk ka kërcënuar me bllokim të Ban al-Mandebit, por ka deklaruar se mund të bllokojë ngushticën e Hormuzit, në grykën e gjirit, nëse atij i pengohen eksportet e naftës.

“Nëse Irani do të përpiqet të bllokojë ngushticën e Ban al-Mandebit, jam i bindur se do ta gjejë vetën në një konfrontim të ashpër me koalicionin ndërkombëtar, i cili do të jetë i vendosur ta parandalojë diçka të tillë. Ky koalicion do të përfshijë të gjitha degët e ushtrisë izraelite”, tha Netanyahu, gjatë një parade të oficerëve të rinj të Marinës në Haifa.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Avigor Lieberman tha gjatë një fjalimi në një tjetër organizim se, Izraeli “ka dëgjuar së fundi kërcënime për dëmtimin e anijeve izraelite në Detin e Kuq”. Por, ai nuk dha detaje të mëtejshme.

Anijet që drejtohen për në Izrael, shumica nga Azia, kalojnë pikërisht përmes ujërave të Eilatit, ose vazhdojnë përmes kanalit të Suezit deri në detin Mesdhe. Ndërkohë, anijet me destinacion portin “Aqaba” të Jordanisë, apo për destinacione të tjera saudite, mund të kalojnë gjithashtu përmes ngushticës së sipërpërmendur.

Bab al-Mandeb është 29 km e gjerë, duke i bërë qindra anijet që kalojnë aty një objektiv potencialisht të lehtë. Sipas Administratës së Informacionit mbi Energjnë në SHBA, rreth 4.8 milionë barrela nafte krudo çdo ditë dhe produkte të tjera kaluan përmes saj gjatë vitit 2016.

Izraeli ka sulmuar forcat iraniane në Siri dhe ka këmbëngulur që ato të largohen tërësisht nga shteti i kapluar prej një lufte të gjatë civile. I dërguari special i Rusisë në Siri njoftoi të mërkurën se forcat iraniane janë tërhequr në një distancë prej 85 km nga Lartësitë Golan të pushtuara prej Izraelit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Meta betohet si president: Shqipëria dhe demokracia do të jenë të parat

Ilir Meta është betuar si Presidenti i shtatë i periudhës së pluralizmit....
Read More