Erlis Hereni, skeptiku i universiteteve private që sot thotë: Ke bërë zgjedhjen e duhur nëse studion në UET

UET Alumni Profil – Erlis Hereni  

Erlis Hereni është diplomuar në Drejtësi në Universitetin Europian të Tiranës dhe Gjuhë Angleze, ku prej 8 vitesh jep mësim pranë Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Në vitet 2014 – 2017 ai ka shërbyer si Këshilltar për Çështjet Ligjore dhe Administrative në Kabinetin e Ministrit të Punëve të Brendshme, me fokus kryesor përmirësimin e  legjislacionit, anti-korrupsionin si dhe çështjet e migrimit dhe azilit.

Erlis Hereni është Alumni i Shkollës Shqiptare të Studimeve Politike, si dhe Doktorant në Departamentin e Politikës dhe Qeverisjes në Bashkimin Evropian pranë Institutit të Studimeve Evropiane, në Universitetin e Tiranës.

Ai është anëtar i Dhomës Shqiptare të Avokatisë, të cilit i janë akorduar një sërë çertifikatash për impenjimin e tij në promovimin e të drejtave të njeriut nga OSBE, Zyrat e Kombeve të Bashhkuara.

Kur nisët studimet, si e morët vendimin të zgjidhnit një universitet privat dhe veçanërisht UET-in?

Unë kam një histori paksa të veçantë për sa i përket vendimit për të studiuar në UET.
Studimet e mia të para kanë qenë në Gjuhë dhe Letërsi Angleze, diplomë të cilën e kam marrë pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Universitetin Shtetëror të Tiranës, ku njëkohësisht isha i zgjedhur dhe përfaqësoja trupën studentore në Senatin Akademik të universitetit.

Kam qenë jo pak skeptik, deri në refraktarizëm mund të them (jo me krenari)¸ sa i përkiste çeljes së Universiteteve Jo-Publike, mënyrës se si ato operonin, studentëve që i ndiqnin këto universitete, e kështu me rradhë. Kuptohet që gjithësesi konsideratën e kisha të ndryshme për subjekte të ndryshme.

Mbaj mend që, pas një komenti apo dalje publike që kisha bërë diku si përfaqësues i studentëve të publikut, marr një telefonatë nga një numër që nuk e njihja dhe që mbaronte me shumë zero. Ishte Henri, i cili pa mu prezantuar i këput një: “O refraktar”, e pastaj qeshi; “Henri jam !”, më tha. “Ore ç’u je qepur privatëve kështu ”, më pyeti. Paksa i habitur nga telefonata por edhe deri diku i buzëqeshur nga fakti që kisha tërhequr vëmendjen e një prej drejtuesve më në zë të Insitucioneve të Arsimit të Lartë, pavarësisht se private, i them që unë nuk po bëja refraktarin, por po thoja mendimet e mia siç ishin, pa fshehur një lloj konsiderate të veçantë që kisha për UET, NYUT, apo LUARASI-n. “ Mirë mirë, se bëj shaka, po eja më tako kur të kesh kohë, e flasim më shtruar ” – tha Henri dhe u përshëndetëm.

Shkova ta takoj pas disa ditësh! Biseduam shumë lidhur me arsimin e lartë në Shqipëri, legjislacionin, vendimarrjen, strukturat e IAL. Në fund të bisedës Henri ndër të tjera, më thotë, “ por gjithësesi, ti nuk ke nga ta dish, sepse nuk ke studiuar në UET apo në ndonjë institucion tjetër privat”. “Eja studio në UET, Shkenca Sociale, Drejtësi, kudo ta gjesh veten”. “Shiko e shkruaj vetë më pas; e bën dot?”.

Ja pra, kjo është harta e rrugës sime drejt UET, një sfidë për mua e parashtruar nga një dashamirës i asaj që unë përfaqësoja!

Çfarë gjetët diçka – të keqe ose të mirë – që nuk prisnit në UET?

Nëse kemi gjithë-pranuar se “gjithçka në botë është relative”, mendoj se vlerësimi i dikujt apo dikujt tjetër lidhur me të mirat apo vështirësitë që parashtron UET është i ndryshëm. Besoj se ajo që jo vetëm unë, por të gjithë studentët e brezit tim kanë gjetur në UET janë shumësia e emrave më të spikatur të ligjit dhe së drejtës; që nga Prof. Artan Fuga, Prof. Ksenofon Krisafi, Prof. Ferit Duka, Prof. Enkeleda Olldashi, Prof. Migena Leskoviku, Dr. Besnik Maho, Dr. Andi Duraj, Dr. Erjona Canaj, e kështu me rradhë.

Flas për profesoratin, pasi do ta konsideroja të tepërt vlerësimin e ambienteve, biblotekës apo fleksibilitetit në orar që UET më ka mundësuar gjatë 5 viteve të rrugës time për tu bërë Jurist.

Kur vjen puna për kritikë, i qëndroj asaj që kam thënë që ditën e parë: përtej punës voluminoze të stafit të UET, Alumnit, apo klubeve, UET ende nuk e ka shfrytëzuar sa duhet potencialin e jashtëzakonshëm të diplomantëve të tij … sot punonjës apo titullarë institucionesh shtetërore e private brenda e jashtë vendit, apo edhe studiues të spikatur në universitetet shqiptare, evropiane apo përtej oqeaneve.

Kur ndoqët programin mësimor të ciklit tuaj të studimeve, si ishte në raport me pritshmëritë tuaja në atë moment?

Fillimi ishte i vështirë paksa, pasi siç thashë isha tejet skeptik për arsimin e lartë privat. Por fati e deshi që të jem në klasë me një grup kolegësh shumë sfidantë nën drejtimin e pedagogëve profesionistë, sa motivues e kërkues, të orientuar tërësisht drejt tregut të punës, të angazhuar në institucionet e së drejtës apo avokatësh të spikatur.

Nëse përmend kolegët, Arjola Limani, Ardvin Kraja, Edmond Vorfi, Evis Shurdha, Viola Tanto e shumë e shumë të tjerë, të cilët sot përfaqësojnë denjësisht Alumnin e UET që nga Banka Botërore në Washington e deri në nivelet më të larta të drejtimit të institucioneve qendrore të Qeverisë në vend, kuptohet që ajo që prisja dhe ajo që pashë ishin dy realitete diametralisht të kundërt.

Pasi kryet studimet dhe nisët tentativat e para në botën e punës, çfarë instrumentash ju dhanë studimet për të avancuar më tej?

Gjithçka kisha nevojë. Që nga njohuritë ligjore sa i përket interesave të mia si student e përfaqësues i studentëve lidhur me institucinet që i brenda shkruhen arsimit të lartë, e deri tek kontaktet me subjektet e interesuar për të rinj të angazhuar e aspirantë, madje edhe vetë partitë politike.

Pasi përfundova studimet e ciklit të parë, mu dha mundësia që të jepja mësim si lektor me kohë të pjesshme pranë Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës lëndën Anglishtja Ligjore. Nuk diskutohet që zotëroja kompetencën për ta përçuar këtë lëndë tek studentët, por kombinimi i studimeve të gjuhës angleze me studimet në drejtësi krijoi terrenin përfekt e shumë të dashur për mua. U bënë 8 vjet që jap mësim tani.

Çfarë do të donit të ndryshonit sot në raport me studimet që keni bërë në UET?

Ndoshta profilin e studimeve. Unë jam diplomuar Mastër në të Drejtë Civile, ndërsa institucionet ku kam punuar pas diplomimit kanë patur kryesisht drejtim publik, në siguri publike, anti korrupsion apo të drejta njeriu.

Ah, të kisha edhe ca më shumë kohë për të studiuar;  një Master në Siguri  Kombëtare!

Çfarë sugjerimi do i jepnit si Alumni që keni provuar edhe studimet edhe karrierën, një studenti në UET?

Shumë e thjeshtë, sa më pak kohë në kafenenë e katit të parë, dhe sa më shumë kohë në bibliotekë, në klubet e panumërta që ofron shkolla, në aktivin sportiv që ka nisur (me sa u informova), në promovimin e universitetit jo thjesht si shkollë por si qendër komunitare për ata që e ndjekin UET.

Janë të gjitha këto bashkë që kanë ndihmuar në farkëtimin e profesionistit që unë jam e që më mban të lidhur ende pas shkollës.

Çfarë do i sugjeronit UET të përshtasë në lidhje me tregun e punës, diferenca,  programi mësimor-kërkesat e botës së punës?

UET bën kaq shumë promovim, ka bashkëpunim të ngushtë me mediat dhe partnerët e tjerë universitarë. Megjithatë UET ka gjithashtu edhe një rrjet Alumnësh shumë të gjerë të shpërndarë në një gjeografi profesionesh dhe institucionesh që kalojn

kufijtë shtetërorë e madje kapërcejnë edhe oqeanet.

Sugjerimi im është që UET të ndërtojë një platformë të mirëfilltë me synim angazhimin e Alumnëve në forcimin e bashkëpunimit institucional midis universitetit dhe subjekteve ku Alumnët punojnë. E gjithë kjo në të mirë të përfitimit të studentëve nga eksperienca dhe praktika profesionale.

Çfarë do i thoshit sot një maturanti apo dikujt që do te ndjekë studimet  në UET?

Ke bërë zgjedhjen e duhur. Suksese, por kujdes se nuk është e lehtë!

Midis tri alternativave të studimeve, studimeve në universitet shtetëror, privat apo jashtë vendit, cila është zgjedhja më e mirë për ju?

Në Shqipëri, siç e thashë unë kam studiuar edhe në shtetëror edhe në privat. Personalisht mendoj se ka ardhur koha që të marr një vit sabatik për studime të thelluara diku në Evropë.

Cilën do të veçonit gjatë kësaj periudhe që nga diplomimi deri më sot, arritjen më të rëndësishme  profesionale apo të karrierës?

Pas diplomimit në UET, unë kam patur një karrierë profesionale komplekse. Kam punuar në tregun privat si konsulent ligjor, në administratën e Gjykatës së Lartë të Republikës dhe aktualisht punoj si koordinator në Projektin e Përmirësim/Përditësimit dhe Regjistrimit Fillestar pranë Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive.

Por padyshim që kulmi i karrierës, doemos edhe arritja më e rëndësishme profesionale, ka qenë kontributi prej reth 3 vitesh si Këshilltar për Çështjet ligjore dhe Administrative në Kabinetin e Ministrit të Punëve të Brendshme.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Flet administratori i UET, Arbi Agalliu: Ja pse duhet të rritet paga minimale në Shqipëri

  Në ekonominë tonë flitet shpesh për politikën fiskale dhe monetare, por...
Read More