Ermal Telha: Masteri në Komunikim që më ndryshoi karrierën

Profil ALUMNI-UET: Ish-studenti i komunikimit në UET drejton sot një kompani shitjesh, është aktivist politik dhe debatues në media

Mund të ndodhë ta kemi parë në studio televizive, duke analizuar aktualitetin politik apo ekonomik, apo edhe prezent në shtypin e shkruar me anë të artikujve të tij në gazeta. Ermal Telha, krahas të qenit një profesionist me një karrierë mjaft të suksesshme në vite në fushën e politikës dhe të biznesit, është edhe një ekspert komunikimi dhe student ALUMNI i Universitetit Europian të Tiranës, që e bën atë pjesë të rubrikës kushtuar studentëve në karrierë në më shumë se një dekadë jetë të këtij universiteti.

Pas përfundimit të 4 viteve studim në degën Administrim Biznesi, Ermali vendosi të ndjekë studimet në një degë të re, falë së cilës do të mund të siguronte aftësitë e nevojshme për të qenë edhe më i suksesshëm në profesionin e tij. Ai nuk e kishte të qartë se çfarë do të zgjidhte, por pasi erdhi në UET e gjeti veten duke ndjekur studimet master në degën Marrëdhënie Publike dhe Komunikim, një degë që do të shënonte dhe rritjen e tij profesionale të mëtejshme.

“Pasi kisha përfunduar një cikël të plotë studimesh në universitetin publik në degën Administrim Biznesi, duke respektuar edhe prirjen time për të qenë pjesë e jetës publike nëpërmjet angazhimeve, mendova t’i shtoja vetes disa aftësi të nevojshme për ta bërë këtë rrugë më të lehtë. Ishte viti 2011 dhe për UET-in mund të dëgjoje shpesh, nga miqtë, televizioni, rrjetet sociale apo komunikimi direkt. U takova me Henri Çilin në zyrën e tij dhe në më pak se dy minuta bisedë, unanimisht vendosëm që ajo që më nevojitej ishte një master shkencor në Marrëdhënie me Publikim-Komunikim. Të nesërmen bëra regjistrimin”.

Studimi në këtë degë i hapi Ermalit horizonte të reja në karrierën e tij. Në UET ai shprehet se ka gjetur jo vetëm cilësinë në mësimdhënie, por edhe vendin e duhur për t’u rritur profesionalisht.

“MPK ishte fushë e njohur përciptas nga ana ime, por thellimi në këtë fushë ishte vërtet mbresëlënës pasi mënyra atraktive e zhvillimit të mësimit në UET, ku bashkëveprimi në auditor është më se i zakonshëm, më ndihmoi mua, besoj edhe të tjerët, në asimilimin e shpejtë të tematikave respektive. Ndërkohë kur unë nisa studimet, isha i pozicionuar si Drejtor i Marketingut dhe Shitjeve në një kompani private, të cilën kam rreth 10 vite që e drejtoj dhe pas studimeve në MPK, rritja ka qenë e dukshme. Studimet e avancuara më bënë një komunikues më të mirë pa diskutim, gjë që ndikoi në performancën time profesionale ndërkohë që iniciativat e mia private janë zgjeruar më tej”, shprehet Ermali në lidhje me studimet e tij.

“UET më ka shërbyer si network i shkëlqyer për të shtuar bashkësinë e bashkëbiseduesve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të mëvonshëm, pasi jo më larg se 4 muaj nga fillimi i masterit, u bëra pjesë e stafit administrativ të UET si Koordinator i Marketingut dhe Rekrutimeve”, shton ai.

Duke qenë një person këmbëngulës dhe i përkushtuar ndaj punës së tij, Ermalin mund ta konsiderojmë sot, pa frikë një rast të mirëfilltë suksesi. Në biznes, pas diplomimit, përveç vazhdimit të suksesshëm zhvillimor të Kompanisë Theaplast sh.p.k, ku drejton sektorin kyç, atë të shitjeve, ai ka investuar kapitale të konsiderueshme në rrjetin e Restoranteve Proper Pizza, ku ka përfituar një pjesë të konsiderueshme aksionesh.

Krahas kësaj, në angazhimin social, në bashkëpunim me disa miq të tij, ai ka themeluar organizatën JCI Albania (Junior Chamber International), pjesë e një rrjeti botëror me mbi 200.000 anëtarë, krijuar mbi 100 vjet më parë në SHBA. Ermali mban pozicionin e drejtorit të Bordit.

“Qëllimi ynë është aktivizimi i sa më shumë të rinjve në kauza sociale për të sjellë ndryshime pozitive në habitatin ku jetojmë e më gjerë”, shprehet ai në lidhje me iniciativën e ndërmarrë.

Në sektorin politik është pjesë e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, ku mban pozicionin e Sekretarit për çështjet ekonomike, si dhe anëtarit të kryesisë.

“Më së shumti në këtë sektor, studimet master në UET ma kanë bërë më të lehtë rrugën pasi ndër lëndët e mia të preferuara është Komunikimi Politik. Mundohem të jem sistematik në shtypin e shkruar dhe atë viziv nëpërmjet shkrimeve në gazeta, portale, apo prezencës në studio të ndryshme televizive për të analizuar aktualitetin politik”.

Pikërisht realizimi i masterit në UET, e ka ndihmuar Ermalin që të plotësohet dhe e ka shndërruar karrierën e tij në një tablo shumëngjyrëshe, me arritje në mjaft fusha. Për sa i përket kësaj eksperience akademike në UET ai shprehet kështu:

“Jam më se i bindur që në larmitetin e hapësirave dhe mundësive që ka UET, çdokush do e gjejë veten dhe atë çfarë kërkon. Unë e kam nisur me studimet në universitetin publik, për të cilin ruaj vlerësime dhe jo pak rezerva. E kam vazhduar me UET për të cilin ruaj vlerësime dhe pak rezerva. Sigurisht përmirësimi është koncept që e gjen veten kudo. UET ka nisur një rrugë të mbarë për ta bërë institucionin dhe studentët, pjesë të jetës së përditshme, opinionit publik, tregut të punës apo kooperimit me bizneset. Intensifikimi i këtyre iniciativave, patjetër që do sjellë efekte pozitive për të gjithë aktorët e procesit. Për mua UET është një interval të cilin e kam përshkruar me gjithë përkushtimin e mundshëm dhe kthehem gjithnjë me kënaqësi në atë ambient”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Historia e fillimit të prodhimit të energjisë elektrike në Shqipëri

Nisja e fillimit të elektrifikimit të qyteteve shqiptare dhe ngritja e hidrocentralit...
Read More