Ermir Nika: ‘Kuarteti bohem’ ose fatet e njerëzve të një qyteti

 

“Kuarteti Bohem”, vepër e autorit Ermir Nika, botuar nga Shtëpia Botuese Ombra GVG, është një vëllim poetik që tashmë i ka ardhur poezisë shqipe, si një rrëfim i pakohë me anë të së cilit autori rreket të zhvendosë vetëdijen e shoqërisë së sotme në epokat e ndryshme nëpër të cilat ka depërtuar ekzistenca e bashkësisë njerëzore.

Që në zanafillë, mendoj se përbën një fakt të pomohueshëm se poezia dhe e kaluara njerëzore u përhap në vise e kombe të panjohura nëpërmjet shtegtimeve bohemike të rapsodëve që endeshin nëpër botë, pas shkretimit të njëpasnjëshëm të qyteteve dhe rrëzimit nga fronet të sundimtarëve që zotëronin hapësirat e pakufizuara mbi tokë.

Ky ritual ndikoi në krijimin e ndërgjegjes njerëzore, jo vetëm duke evokuar të kaluarën por njëherësh edhe duke parafytyruar një të ardhme me një fillim dhe fund të pritshëm. Dhe në fund, gjithkush ka ndjerë se fatet njerëzore nuk janë veçse një destin i paracaktuar nga një paranojë e përjetshme hyjnish dhe njerëzimi një mërgatë e ngërthyer në fate të dorëzuara vullnetit të perëndishëm.

Disi rastësisht përfshihesh nga kjo ndjesi kur hasim në kryqëzime përjetimesh të mbrujtura brenda vargut dhe frymës që interferon në botëkuptimin e një kalimtari më se të zakonshëm, lexuesi a një ndjekësi të simbolikës që përvijohet në poetikën e kohës, pjesë e së cilës është cilido prej nesh.

“Kuarteti Bohem”, vepër e autorit Ermir Nika, botuar nga Shtëpia Botuese Ombra Gvg është një vëllim poetik që tashmë i ka ardhur poezisë shqipe, si një rrëfimi i pakohë me anë të së cilit autori rreket të zhvendosë vetëdijen e shoqërisë së sotme në epokat e ndryshme nëpër të cilat ka depërtuar ekzistenca e bashkësisë njerëzore, duke pranuar se dikush apo gjithkush ka mundur të jetojë brenda dhe përtej kohës së tij, në atmosferën ku u mbrujt qenësia e krijesës prehistorike e deri në parafytyrimin për marrëdhënien virtuale, duke synuar të dëshmojë se formula e vijimësisë ndër njerëz do të jetë po e njëjta e ndërvarur ndërmjet aspiratës, mëkatit dhe pendesës.

Vepra në fjalë, nëpërmjet poetikës pikëtakon fate dhe tragjedi njerëzore të ngërthyera brenda historisë së një qyteti që zë fill në Trojë, Tebë, Neë York, Tiranë, për të shkuar deri në amshim. Në fund e fillim të gjithçkaje mbi çdo kryeqytet të botës antike, në mesjetë e në periudhat moderne nëpër të ashtu si për ironi, gjithkund shfaqet një kalë i gdhendur, i cili zë gjithmonë vend në sheshet kryesore të qyteteve.

Pikërisht kjo simbolikë parathotë tashmë fundin, nëpërmjet mëkatit, konfliktit dhe eksodit për të gjithë vendasit, që pason rëniet e njëpasnjëshme të dinastive dhe në përfundim gjithkush i përket përjetësisht trinisë Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë. Më tej, në kumtin e çdo akti, pas çdo kataklizmoje kemi një përpjekje mbinjerëzore për rinisje, dhe vazhdimësi, një bir që ndjek gjurmët e të atit dhe një grua e trysnuar nga natyra njerëzore që nguron t’i jepet çastit.

Tashmë është një dukuri e njohur se format e shprehisë poetike kanë pësuar transformime në periudha të ndryshme dhe se arti poetik sot nuk yshtet e s’mundet t’i përgjigjet më qasjes panoramike. Poezia moderne lind e përhumb brenda subkoshiencës e si e tillë, ajo bart në vetvete gjithë traumën e kohës së cilës i përket.

Vetiu, poeti i çdo gjuhe apo kulture është misionari i shtrirjes në kohë dhe fushëpamje të botëkuptimit të njerëzimit duke ndikuar në evolucionin e mendësisë dhe ndjesisë së qenies humane.

Në këtë prizëm do të pohonim se shoqërisë amerikane iu desh afro dyqind vite për të mbërritur e për t’u njësuar me vizionin që përçoi Waltz Whitman me kryeveprën e tij Fije Bari. Po ashtu kultura evropiane tashmë ka prekur dhe bashkëjeton me përfytyrimin e Tomas Eliot për bashkekzistencën dhe marrëdhënien mes vetes dhe tjetrit.

Po ashtu shoqëria shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XX, për vetë rrethanat e kohës u ndie disi e papërgatitur për ridimensionimin në koncept, formë dhe estetikë që shpaloste krijimtaria e Ismail Kadaresë, porse sot letërsia shqipe është modeluar në shtratin e këtij shndërrimi epokal duke vijuar të përafrohet gjithnjë e më shumë me modelin autentik të Martin Camajt, Frederik Rreshpjes, Luan Starovës, për të vijuar deri tek poetët e shkrimtarët modernë Luljeta Lleshanaku, Ervin Hatibi, Ermir Nikës etj.

Ndër te tjera mendoj së lëvrimi dhe botimi i poezisë bashkëkohore është një provë e guximshme që dëshmon se arti i fjalës dhe poetika mbijeton përballë sfidave të çdo epoke, dhe letërsia shqipe do të vijojë ta pasurojë identitetin e saj me vepra që arrijnë ta përfaqësojnë denjësisht në kohë të ndryshme. Në këtë aspekt i përmbahem mendimit se “Kuarteti Bohem” është një ndër veprat që zë vend me dinjitet në këtë proces evolutiv që ndjek Letërsia Bashkëkohore Shqipe.

ERMIR NIKA,

I FUNDMI I TROJANËVE

Ai u shfaq sërish me kapën gdhendur në muzg

si prijësit në epilogun e betejës së humbur,

me plagën varur mbi gjoks si hajmali

verbuar nga dritat e neonëve dhe kujtimet.

U ndal një grimcë mbi pezulin e dritares,

mbi qelq deliroi dashnorin e tij Narcizin,

vajtoi si dikur Akili mbi trupin e Patroklit,

dhe heshtur mori udhën si drejt turrës së drurëve.

Një çast iu lut perëndive t’i falnin zjarrin

me harpën e lodhur përlidhi gjymtyrët,

nën një zgavër të purpurt resh Ati thirri:

O njerëz çlirojeni heroin e dëbuar prej qytetit të djegur

që mbi kurm heshtur nënshkruan lutjen e fundit!

Përtej vehtes asnjë pipëtimë,

vetëm erërat arktike rrinë e vështrojnë

asketin që verbërisht flijon të shkuarën

tek rri dhe vdes çmendurisht nën shiun vetmitar!

Shkruar Nga
More from Redaksia

ProCredit Bank, shërbime bankare 24/7

Intervistë me zonjën Adela Leka, Drejtoreshë e Përgjithshme e Bankës ProCredit  Shërbime...
Read More