Ervin Salianji: Ju rrëfej “inkriminimin” tim me botën universitare

“Jam ‘inkriminuar’ për lidhje me universitete dhe është një akuzë që më vjen nga njerëz që kanë rekorde të rënda kriminale”. Është kjo një përgjigje e Ervin Salianjit për ata që e akuzojnë se vjen në PD e në grupin e saj parlamentar, si ‘sponsorizim’ i UET-së”.

Ervin Salianji është ndër deputetët e rinj të PD-së në kuvendin e dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit. Ai shpjegon se në PD ka nisur aktivizimin qysh kur ishte në moshën 15-vjeçare. Për të sqaruar të gjithë ata që e kanë kritikuar, Salianji na rrëfen lidhjet me UET-në, universiteti ku ka studiuar, si dhe rrugën që ka ndjekur për t’u ngjitur në strukturat e larta të PD-së. Ka kritika për partinë e tij.

“Duhet të ishte e duhet të jetë më radikale në dekomunistizimin e shoqërisë, të kishte një raport më të drejtë me shtresën e të përndjekurve dhe pronarëve, duhej të kishte zbardhur barbarinë e një sistemi pervers”.

Në një intervistë për Revistën “Mapo”, ai flet për listën e shumëpërfolur të Bashës në zgjedhjet e 25 qershorit, efektin që pati kjo listë në humbjen e thellë të PD-së, për humbjen, për kundërshtarët e Bashës dhe na shpjegon çfarë është “Republika e re”. Salianji flet për reformën e pritshme në PD, çfarë do të ndodhë në këtë parti për katër vitet e ardhshme në opozitë, cili do të jetë vendi i kundërshtarëve të Bashës në PD dhe çfarë pritet prej të rinjve në procesin e përmirësimit të strukturave të partisë. Flet për LSI-në dhe duket sikur e përjashton mundësinë e bashkëpunimit me të në opozitë. E sheh si bashkëpërgjegjëse në keq-qeverisjen e “Rilindjes” dhe aspak si rivale e PD-së në opozitë.  Sepse sipas tij: “LSI ka rrugë të gjatë përpara për t’iu treguar shqiptareve që është opozitë”.

Pas pak vitesh aktivizimi në strukturat e PD-së, ishit në krye të listës së Korçës, deputet në kuvendin e Shqipërisë, një ngjitje disi e shpejtë në karrierën tuaj?

Kam qënë i dyti në listën e Partisë Demokratike për Qarkun Korçë. Karriera politike ashtu sikurse çdo karrierë tjetër profesionale, nuk ka të bëjë shumë me moshën sesa me cilësitë individuale apo investimin në një dimension të caktuar, edhe në kuptimin formal juridik Kushtetuta i ka dhënë të drejten për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, qyetarëve që kanë mbushur moshën 18 vjeç. Angazhimi im apo aktivizimi im me Partinë Demokratike është që në fëmijërinë e hershme, duke qenë që në moshën 15-vjeçare dhe deri sot aktiv në çdo fushate të Partisë Demokratike, aktivizim që ka sjellë dhe zgjedhjen time në strukturat drejtuese të Partisë Demokratike në vitin 2013. Aktivizimi im publik ka qënë evident, i dukshëm dhe jam përpjekur të kontribuoj për ndërtimin e një modeli tjetër të të bërit politikë, jo vetëm me fjalë por duke ndihmuar qytetarët dhe duke i ngritur problemet e tyre aty ku ato janë, duke nxjerrë fakte për abuzimet e qeverisë, duke denoncuar me emra por edhe duke dhënë rrugët e zgjidhjes. Secili mund të ketë objeksionet e veta për mënyrën apo për pëlqyeshmërinë, por është evidente angazhimi publik dhe kontributi në këto vite. Ky angazhim besoj se ka sjellë edhe propozimin tim për deputet në të gjitha degët e PD-së së Qarkut Korçë.

Jeni komentuar si një investim në politikë i UET-së… si do t’i përgjigjeni ju kësaj, po i themi akuzë?

Është mjerim, degradimi i debatit publik në këtë nivel që kundërshtarët politikë duke qenë se nuk kanë gjetur le të themi asnjë “cen” apo pikë të dobët, se ku të godasin me argumente dhe fakte, kanë shpikur një konspiracion me gogola dhe gogoli kryesor na qenkësh UET-i. Së pari më duhet të them që është absurde dhe e papërfytyrueshme që qënka rekord negativ të kesh kontakte dhe lidhje miqësore me akademikë, gazetarë, intelektualë etj, e kundërta do të ishte problem. Unë jam “inkriminuar” për lidhje me universitete dhe kjo mund të duket paradoksale kur vjen si akuzë nga njerëz që kanë rekorde të rënda kriminale dhe kur politika është mbushur nga “Rilindja” me banditë, përdhunues, vrasës e trafikantë. Ky soj politikanësh normal që do shohin si problem, njerëzit që vijnë nga bota e ideve, e akademisë dhe këto lidhje janë “kriminale” sipas tyre, ndërkohë që lidhjet me bandat janë normale, kanë bërë një përmbysje vlerash. Më duhet të them që është promovim dhe vlerë nëse e quajmë akuzë lidhjen me universitetet dhe botën akademike, në të cilën kam shumë miqësi dhe kontakte të shpeshta.

Për ta thënë pak a shumë historinë time në UET-ë, unë e kam zgjedhur si universitet për shkak se aty jepnin mësim pedagogët më të mirë dhe kishte një qasje të re si me kurrikulat mësimore, por dhe me penetrimin në shoqëri të ideve të caktuara, duke qenë se unë kam qenë i apasionuar pas gazetave dhe që në tetëvjeçare lexoja çdo gazetë përditë, njihja, kisha respekt dhe pëlqeja idetë e një grupi pedagogësh që jepnin mësim në UET-ë. Kjo më bëri të zgjedh UET-në dhe përkundër çdo akuze që bëhet për favorizime nga UET-ë, familja ime ka marrë kredi dhe unë i kam paguar studimet e mia në këtë universitet. Kur jam regjistruar nuk kam njohur personalisht asnjë njeri që jepte mësim në këtë universitet, duke studiuar dhe duke qenë aktiv jam propozuar nga studentët për të qenë President i Qeverisë studentore, e duke qenë se ka pasur një fushatë dhe zgjedhja do bëhej me çdo votë të studentëve të regjistruar, kam marrë pjesë dhe kam fituar një garë me më shumë se 1200 vota të studentëve, ky ka qenë edhe momenti kur kam vendosur kontakte më të shpeshta me drejtuesit e universitetit dhe po ashtu, kam rritur aktivizimin tim duke ftuar politikanë, njerëz publikë, juristë, gazetarë etj., për bashkëbisedim me studentët.

Më pas kam themeluar dhe drejtuar grupin e ekselencës, një grup me studentët më të mirë të universitetit, të cilët grupoheshin me njëri-tjetrin dhe krijuam klube debati, leximi etj. Në përfundim të studimeve, po me votë jam zgjedhur nga studentët që kanë përfunduar studimet si President i ALUMNI-t, shoqatës së studentëve të diplomuar. Nga këto aktivizime dhe njohje në universitet dhe pa asnjë idiotësi konspiracioni, më pas kam marrë në administrim Bar-in e universitetit për ta kthyer në një qendër leximi, aktivitetesh mbasdite etj., një ide për ta bërë shkollën dhe ambjentin e saj një imitim të plotë të jetës, nga këto njohje kam bërë dhe biznes, ndërmjetësim apo negocime të ndryshme dhe gjithçka në universitetin ku unë kam kryer studimet. Negocimi, ndërmjetësimi dhe shitja e një prej pronave që ka pasur universiteti në pronësi ka qenë një tjetër histori suksesi për mua.

Në parlament mungojnë shumë personalitete të PD-së, ata nuk ishin as në listë, janë mbi 30 të tillë…si e përjetuat ju këtë moment… me optimizëm për një PD të re të së ardhmes, me frikë se do të vinte një humbje e thellë… si?

Partia Demokratike ka patur thuajse 300 deputetë në historinë e vet 27-vjeçare. Frika dhe përjetimi si dramë i ndryshimeve, është karakteristike e qeverisjeve autoritare dhe është mendësi që na vjen nga komunizmi, mosndryshimi do të ishte problem për demokracitë. Njerëzit nuk gjykohen në bazë të viteve por në bazë të vlerave, kapacitetit profesional, angazhimit politik dhe publik, reputacionit dhe kontakteve me qytetarët, kapacitetit për ta nxjerrë forcën politike fituese, por edhe në bazë të dëshirës që kanë për t’u angazhuar, deputet me zor mund të të bëjnë sistemet totalitare por jo demokratike.

PD i humbi zgjedhjet e 25 qershorit. Po duket një humbje dërrmuese. Sa besoni ju se ka pjesën e vet në këtë humbje lista e kandidatëve për deputetë, e shumëpërfolur e kryetarit Basha?

Mendoj se nuk ka pasur garë, këto kanë qënë zgjedhjet më të këqija që ka parë ndonjëherë Shqipëria. Është krijuar një rrjet merimange kriminale që deformon vullnetin e votuesit me presione, kërcënime, blerjet e votës dhe përdorim të administratës publike si seksion të “Rilindjes”. Detyrë kryesore e opozitës duhet të jetë dhe do të jetë, çmontimi i “tregut të votës” dhe i “menaxherëve të politikanëve”.

Lista e kandidateve nuk mund të gjykohet apriori, lista ka pasur njerëz me kontribute të mëdha në botën akademike, njerëz të spikatur në opozicionin ndaj qeverisë, njerëz me experiencë të gjatë politike etj., nëse do të kishte një gjykim për zgjedhjet mund të kishte për aktivitetin 4-vjeçar të PD-së. Por analiza do të nxjerrë përgjegjësitë për secilin prej nesh. Askush nga ne nuk është pronar në PD, të gjithë jemi kontributorë.

Ka startuar pikërisht aty beteja midis “Republikës së re” dhe PD-së së vjetër. Sa besoni ju se do ta fitoni, sepse besoj e rendisni veten tek e para?

“Republika e re” është një emërtim për të përcaktuar një mënyrë qeverisje ku qytetari do të jetë vendimmarrësi dhe jo pushtetari, kufizimi i pushtetit, referendumet për të vendosur qytetari për çështje me rëndësi që prekin jetën e tyre, konstrukt i ri i institucioneve shtetërore etj. Nuk ka të bëjë me ndarjen brendapartiake, ky është abuzim pa vlerë sepse Partia Demokratike është një, me të vjetër e të rinj dhe ndarja nuk bëhet mbi bazën e moshës, por të kontributit dhe kapacitetit.

Në të vërtetë si e kuptoni ju zoti Salianji “Republikën e re”?

E thashë pak më lart dhe është shpjeguar gjithë programi dhe filozofia e një qeverie që i shërben qytetarit, institucione që janë në shërbim të qytetarëve, demokratizim dhe pjesëmarrje më e madhe e qytetarëve në qeverisje.

“PD e vjetër” do të vazhdojë të jetë sërish pengesë në rrugën tuaj?

Nuk ka një PD të vjetër apo të re, ka një PD dhe në të janë të përfshirë edhe themeluesit, edhe kontributorët në vite, edhe prurjet e reja, edhe kapacitete nga bota akademike, edhe profesionistë të spikatur etj., ka njerëz me mendësi të vjetër që duke qenë në prehrin e “Rilindjes” duan të gjejnë ndarje në PD, të jesh kundër Bashës nuk të bën të jesh as i vjetër, as mendim ndryshe.

Si e keni parë ju raportin e PD-së me komunizmin këto vite, ndoshta qysh prej themelimit të saj, çfarë duhet të ndryshojë PD në këtë raport?

Duhet të ishte dhe duhet te jetë me radikale në dekomunistizimin e shoqërisë dhe duhet të kishte një raport më të drejte me shtresën e të përndjekurve dhe pronarëve, po ashtu PD duhej të ndërtonte dhe duhet të ndërtojë më shumë se ka bërë vepra që tregojnë barbarinë e një sistemi pervers. Besoj se PD sot ka gjithë eksperiençen e duhur dhe përvojen edhe të gabimeve të së kaluarës për të ndërtuar një qasje të re, sidomos kur nostagjikët e komunizmit sot janë shtuar edhe ndër brezat e rinj dhe ku Rilindja ka ndërtuar muze për t’i shërbyer kësaj, apo duke propozuar njerëz të përlyer me krimet e komunizmit apo me rrënje të thella në komunizëm.

Çfarë duhet të ndryshojë PD sipas jush në raport me të shkuarën e saj dhe të shkuarën komuniste të Shqipërisë?

Mendësinë komuniste në disa segmente të shoqërisë.

Në fakt, sa e djathtë ju duket ju PD?

Më duket plotësisht e djathtë dhe duhet që të përafrohet edhe më shumë me idetë e të djathtës konservatore.

Si pjesë e grupit të të rinjve në PD-së, besoj do të keni rastin dhe kurajon për t’i thënë disa të vërteta udhëheqjes së PD-së, për atë çfarë nuk ka shkuar mirë në këtë parti. Çilat do të ishin disa prej tyre?

Unë jam në struktura drejtuese të partisë dhe kam treguar që edhe i vetëm kam mbrojtur mendimet dhe idetë e mia, nuk dua të bëj një platformë tani që jemi edhe para analizës.

Çfarë pritet të ndodhë në PD këtë fillim sezoni politik?

Mbledhja e Grupit Parlamentar, zgjedhja e drejtuesve të grupit dhe lufta opozitare që në këtë sesion do të përqëndrohet tek reforma zgjedhore, për të shkuar tek votimi dhe numërimi elektronik, apo tek përmirësimi i ligjit për komisionet hetimore për të pasur një kontroll parlamentar më të fortë ndaj ekzekutivit.

Sa mundësi ka që kjo parti të afrohet në standartet që i duhet një partie si alternativë qeverisëse?

Që në këto zgjedhje Partia Demokratike pati çdo standart për të qenë në qeveri. Pati ekip të plotë, alternative programore të mirëpërgatitur gjatë katër viteve dhe të dalë pas konsultimeve të gjera me qytetarët, grupet e interesit dhe ekspertizës së CDU-së së kancelares Merkel.

Si e parashikoni ju opozitën e LSI-së dhe a keni ju frikë se do ta sfumojë rolin e opozitar të PD-së?

Fare. LSI duhet të lajë mëkatet e një qeverisjeje dhe është po aq përgjegjëse për dështimet në këto vite, duke i shërbyer Ramës.

Apo besoni se duhet të ketë një marrëveshje me LSI-në në opozitë për tu bërë bllok kundër mazhorancës së Ramës?

LSI ka rrugë të gjatë përpara për t’iu treguar shqiptarëve që është opozitë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Letra e “Senekës” për “Neronin”: Mbi letrën e debatuar të Kadaresë

Nga Ndriçim Kulla Flitet për një letër të Senekës për Neronin para...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.