Është garë e pastër, me logjikë normale politike dhe 360 gradë

Nga Ervis Iljazaj

Një nga elementet kryesore të kësaj fushate zgjedhore ka qenë gara politike e të gjithëve kundër të gjithëve, për shkak se forcat politike për herë të parë janë duke garuar më vetë. Kjo ka bërë që gjuha e përdorur dhe sulmet politike, edhe pse me tona të qeta, të jenë me shumë drejtime.

Marrëveshja politike midis PD dhe PS nga shumë zëra publikë, por edhe nga vetë partitë e tjera është konsideruar si një tentativë për të eliminuar këto të fundit. Ndërkohë që në të vërtetë ajo nuk është as një tentativë e tillë, as pabesi dhe as tradhti ndaj partive të vogla. Është thjesht një strategji politike normale për të rritur peshën e tyre në qeverisje edhe më shumë.

Çdo parti politike është në të drejtën e saj të ketë si qëllim rritjen e saj , në të kundërt nuk do të quhej e tillë. Këtë gjë po bëjnë PD dhe PS, as më pak dhe as më shumë. Ashtu si forcat e tjera politike në periudhën e krizës politike, me të drejtë zhvilluan strategjitë e tyre për t’u faktorizuar në sistemin politik, me të njëjtën monedhë u përgjigjën dy forcat e mëdha.

Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme apo jonormale në tentativën e PD dhe PS për të kthyer në qëndër të qeverisjes sistemin dypartiak. Kjo nuk nënkupton eliminimin apo mosekzistencën e partive të tjera, por krijimin e një bipolarizmi të qartë, ku forca e parë politike ndërton qeverisjen pa u kushtëzuar nga partitë e vogla, por kërkon mbështetjen e tyre për reformat dhe politikëbërjen.

Në këtë kuptim duhen parë edhe sulmet politike ndaj Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila nga ana e saj ka shpallur hapur ambicien e saj për të qenë forcë e parë, nga dy partitë politike kryesore. Nuk duhet konsideruar si një hakmarrje, por si një garë politike normale midis tre forcave që pretendojnë të qeverisin vendin.

Nuk duhet të harrojmë faktin se në zgjedhjet e vitit 2013, Partia Demokratike humbi diku te 80 mijë vota të cilat shkuan drejt LSI. Kështu që tentativa e Bashës për t’i rikthyer ato është e detyrueshme. Është i vetmi rezervat ku ai mund të “peshkojë” vota. Nga ana tjetër, Edi Rama iu kërkon votuesve ta mandatojnë të vetëm dhe, këtë mund ta arrijë duke kërkuar vota majtas, ku bën pjesë dhe LSI.

Çdo gjë është brenda një logjike politike normale. Lufta politike është frontale. Mjafton që ajo të zhvillohet me mjete të ligjshme.

Me sa duket kjo fushatë më shumë se sa përmbajtjen e qeverisjes do të zgjidhë mënyrën e saj. Nga këto zgjedhje, do të vendoset nëse qeveritë do të vazhdojnë të jenë qeveri koalicionesh, ku forcat e vogla politike gjithmonë ka qenë kushtëzuese apo do të kemi një forcë të vetme politike që do të vendosë për të.

Mënyra e qeverisjes e cila në të vërtetë ka një rol shumë thelbësor edhe në përmbajtjen e saj. Ky është problemi kryesor që kërkojnë dhe duhet të zgjidhin këto zgjedhje.

Si mund të pretendojmë që të kemi alternativa të qarta politike, ku shpeshherë partitë e vogla që përcaktojnë mazhorancën kalojnë sa në një koalicion në tjetrin?

Mungesa e një bipolarizmi të bazuar në vlera, filozofi dhe ideologji të qarta, ka bërë që dhe mungesa e programeve politike gjatë fushatave të jetë e theksuar. Ose nëse ekzistojnë janë të pabesueshme për faktin se ato nuk mund të realizohen kur qeverisja e vendit është e paqartë dhe e paqëndrueshme.

Ideja se pakti midis Ramës dhe Bashës është një pakt i cili parashikon bashkëqeverisjen mbas 25 Qershorit, është një ide e cila nuk ka asnjë bazë logjike politike. Ajo është një strategji politike e pastër për të zgjidhur mënyrën e qeverisjes dhe sistemit politik. Nëse kjo do të arrihet apo jo, këtë e kanë në dorë votuesit shqiptarë dhe asnjëri prej tyre.

Shkruar Nga
More from revista mapo

“I nderuari ambasadori Lu, të nderuar edhe ju të tjerët”

Nga Mustafa Nano Ka një servilizëm të tepruar tonin ndaj ambasadorëve dhe...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.