Është krijuar ideja se, hapja e negociatave me BE është e sigurt

Nga Ervis Iljazaj

Ashtu sikurse ndodhi me anëtarësimin në NATO të Shqipërisë, kur askush nuk mendonte se e meritonim një gjë të tillë, por ndodhi për një sërë faktorësh të tjerë dhe jo si pasojë e standardeve ushtarake të arritura është krijuar ideja se, edhe hapja e negociatave me Bashkimin Europian është çështje kohe për faktin se është në interes të Europës zgjerimi në Rajonin e Ballkanit Perëndimor për arsye gjeopolitike.

Ka dhe disa njerëz të mediave që e mendojnë një gjë të tillë, duke u shprehur se Shqipëria nuk e meriton, por Europa do të na pranojë në gjirin e saj me hir ose me pahir sepse nuk mund të lërë këtë rajon si ishull të izoluar në mes të saj.

Ky është gabimi dhe dëmi më i madh që mund t’i bëjmë procesit të integrimit të Shqipërisë, duke menduar në këtë mënyrë.

Ajo që ndodhi me anëtarësimin e NATO-s në Shqipëri, nuk është e njëjta gjë si procesi i Integrimit Europian. NATO është një organizatë ndërkombëtare që bazohet më shumë tek aleancat politike, se sa plotësimi i kritereve e ushtrive përkatëse. Ndërsa Bashkimi Europian është një sistem qeverisës. Si i tillë, kriteret që duhet për t’u bërë pjesë e saj, duke filluar që nga ato ekonomike dhe deri tek ato ligjore, janë kritere strikte për të qenë pjesë e një regjimi politik, dhe një qeverisjeje të përbashkët.

Prandaj, ideja se ne do të na pranojnë në Bashkimin Europian edhe nëse nuk plotësojmë këto kritere është një iluzion që duhet t’ia kursejmë vetes në të mirë të vetë procesit.

Për herë të parë në vitet e fundit, mazhoranca dhe opozita kanë dalë me një qëndrim të përbashkët për sa i përket hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Dje në një takim midis përfaqësuesve të Parlamentit Europian dhe atij shqiptar, si opozita dhe mazhoranca dolën me propozimin e hapjes së negociatave. Nga ajo që u raportua në media, më shumë sesa një vullnet i përbashkët, ishte imponimi i përfaqësuesve të institucioneve europiane që bën bashkë klasën politike shqiptare.

Komisioneri Kukan u shpreh se komisioni do t’i rekomandojë Këshillit hapjen e negociatave, pastaj ngelet në dorë të këtij të fundit vendimmarrja. Pikërisht këtu qëndron problemi. Këshilli Europian funksionon me një logjikë tjetër. Në këtë fazë hyjnë në lojë vullneti individual i çdo shteti anëtar, që shpeshherë është i kundërt me Komisionin.

Fakti që Europa tregon gjithmonë vullnet për zgjerimin, nuk do të thotë që çdo shtet anëtar është dashamirës dhe pro zgjerimit me shtetet e Ballkanit për dy arsye:

E para, sepse ka një kontekst të jashtëm që nuk varet nga Shqipëria, por nga klima që ekziston sot në shoqëritë europiane dhe skepticizmit ndaj zgjerimit të mëtejshëm.

E dyta, për kontekstin e brendshëm të politikës shqiptare. Një nga kushtet thelbësore, ndoshta i vetmi që Këshilli i Europës të pranojë hapjen e negociatave është lufta ndaj korrupsionit e theksuar fort në raportin e zgjerimit. Ajo që nënkuptojnë europianët me luftën ndaj korrupsionit është hetimi ndaj pushtetarëve të lartë politikë që kanë abuzuar dhe abuzojnë me pushtetin që, e përkthyer do të thotë zbatimi i Reformës në Drejtësi, e cila do të bëjë të mundur hetimin pa dallim ngjyre politike për këdo që ka abuzuar me pushtetin. Reformë të cilën, qartazi klasa politike shqiptare nuk e do dhe e ka penguar atë me çdo mjet të mundshëm.

Në këtë kuptim, hapja e negociatave ka një test të madh përpara. Është testi i qasjes që do të ketë drejtësia e reformuar, nëse do të reformohet ashtu sikurse është premtuar, ndaj njerëzve me pushtet. Prandaj, le të jemi me këmbë në tokë, hapja e negociatave nuk është aq pranë sa duket.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Zëri i Amerikës: Shumica në Shqipëri bën për vete një pjesë të opozitës

Në Shqipëri parlamenti miratoi pak para mesnatës, ngritjen e një komisioni hetimor...
Read More