Është më se e natyrshme, vettingu do të shkojë drejt politikës

Nga Ervis Iljazaj

E gjithë sforcoja e madhe politike, shoqërore, por edhe ekonomike, që i ka kushtuar Shqipërisë Reforma në Drejtësi, nuk do të kishte asnjë kuptim nëse fryma e saj nuk do të na çonte drejt vettingut në politikë.

Në këtë kuptim, propozimi i ardhur nga Partia Demokratike për vettingun në politikë, është një propozim i duhur, i drejtë dhe i natyrshëm për t’i dhënë fund njëherë e mirë një prej problemeve më të mëdha të tranzicionit shqiptar, atë të korrupsionit politik.

Se ne çfarë mënyre, apo se në çfarë kohe mund të zhvillohet ai, ky është një diskutim tjetër, ku metodologjitë janë të formave të ndryshme.

Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se, herët apo vonë politika shqiptare do të duhet t’i nënshtrohet një parimi të tillë, atë të pastërtisë të figurave politike që përfaqësojnë dhe marrin vendime për qytetarët shqiptarë.

Ka pothuajse më shumë se 20 vite, që një pjesë e madhe e energjisë së politikës shqiptare harxhohet me akuza dhe kundërakuza midis palëve për korrupsion, apo për betejën se cila nga ato është më e ndershme.

Si në asnjë vend tjetër, Shqipëria është një vend ku gjatë këtyre viteve kemi dëgjuar më shumë akuza dhe pretenca nga politika se sa nga organet e drejtësisë. Aq shumë akuza për korrupsion, krimi, abuzim me pushtetin, e çfarëdolloj vepre penale tjetër kanë hedhur midis tyre kundërshtarët politikë këtu, saqë shumica e tyre, tashmë duhet të kishte përfunduar në burg.

Mirëpo, edhe pse në një klimë të tillë politike, ku beteja kryesore zhvillohet mbi moralin e politikës, askush nga politikanët e niveleve të larta nuk është dënuar deri më tani.

Për një arsye të thjeshtë, retorika e moralit dhe e akuzave, ka qenë vetëm një retorikë politike, që në shumë raste e ka futur politikën shqiptare në një mediokritet. Kështu që, për ta shpëtuar politikën shqiptare nga një nivel i tillë mediokër, i cili e ka mbajtur të mbërthyer për shumë gjatë, është e domosdoshme zgjidhje që në gjenezë e këtij problemi.

Dhe zgjidhja e vetme, është padyshim pastërtia e figurave të atyre që na përfaqësojnë dhe që marrin vendime për qytetarët shqiptarë nëpërmjet procesit të vettingut.

Ne fakt, vettingu në politikë, duhet të kishte ndodhur më parë se sa vettingu në drejtësi. Vetëm në këtë mënyrë, aprovimi i Reformës në Drejtësi do të ishte një proces i besueshëm dhe i ndershëm. Sepse askush nuk mendon se një klasë politike që nga shumica e opinionit publik shqiptar perceptohet si e korruptuar, do të aprovonte një reformë, e cila do të gjykonte ata dhe do t’i vendoste përpara drejtësisë.

Për këtë arsye, ajo Reformë u aprovua me imponim nga ndërkombëtarët, dhe po për të njëjtën arsye, është zvarritur deri më tani, duke krijuar kosto të mëdha shoqërore, politike dhe ekonomike.

Prandaj, vettingu i politikës, është një instrument që do të zgjidhte problemin që në rrënjë. E megjithatë, edhe procesi i vettingut duket si një ide e domosdoshme, ekziston frika që do të mbetet vetëm një iluzion. Duket e pabesueshme, që politika shqiptare do të tregojë vullnet, nga të dyja palët, për të aprovuar një reformë ku parashikon kontrollin e pasurisë së tyre.

A është e mundur që deputetët shqiptarë të ngrenë kartonat për një ligj që do të nxjerrë shumicën e tyre jashtë tij!?

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Të dhënat: 1 në 4 persona të rrezikuar nga probleme të shëndetit mendor

Mbështetja psikosociale mund të ofrohet në shkollë ose në komunitet. Investimi për...
Read More