Është plani ekonomik, or mik!

Nga Ardian Lekaj

Po të lexosh ç’ndodh në botë, e merr vesh kollaj se kjo e fundit nuk ka qenë kurrë më e çoroditur se sot: tensione dhe luftëra në Lindjen e Mesme, Koreja e Veriut me problematikat e veta në Azinë e largët, kriza nga më të ndryshmet financiare, politike dhe ekonomike, besime fetare në ngërç, provinca brenda shteteve që duan të shkëputen, mungesë respekti, ndryshime klimaterike, depresione, fukarallëk… Po ç’na duhet ne, do thoni ju. Drejt! Në çoroditjen e vet të përditshme, Shqipërisë vështirë se i bëjnë përshtypje lajme të tilla. Në një popullsi rreth 3 milionë banorësh, ku të rinjtë përpiqen të shkollohen, ku të moshuarit dalin në pension duke e mbyllur muajin me shumë vështirësi (me ushqimet minimale, pa llogaritur ilaçet që u duhen), ku të rriturit punë-shtëpi/shtëpi-punë rrisin fëmijët e paguajnë detyrimet, pa patur mundësi e kohë për të ëndërruar për pushime apo udhëtime, vetëm titujt e tipit “Mbi 50% e shqiptarëve kërkojnë të largohen nga Shqipëria” tërheqin vëmendjen. Ndërkaq kafenetë e restorantet duken plot. Dhe thua mos ndoshta ekonomia e tregut i ka krijuar si të vetmet vende argëtimi e diskutimesh, ku debatet e zjarrta mbi temat mbizotëruese, për hir të tymnajës që ndjellin, nuk e lënë këtë popull të shohë e të mendojë më përtej.

Ç’është e vërteta, sa herë ndodhem në Tiranë përfshihem edhe unë në këto debate, edhe pse rroj prej mbi një çerek shekulli në një vend si Holanda, ku ke të bësh me një popullsi shumë progresive, ku të drejtat homoseksuale, çështjet e drogës, abortet, eutanazia, e drejta e fjalës etj., nuk janë tema të papranueshme që debatohen përditë. Holandezët nuk kanë interes dhe kohë gjatë javës të merren me diskutime. Jeta e tyre është robotizuar shtëpi, punë, pagim taksash, zbatim ligjesh dhe rregullash, weekend, pushime, sport. Shteti funksionon.

Mbi këtë temë patëm në fakt një diskutim pasionant me një mikun tim të vjetër, ku unë përpiqesha t’i argumentoja se Shqipëria ka ndryshuar dhe ka të ardhme, por pa punë, iniciativë, kurajë dhe durim, nuk mund të realizosh asgjë, kudo që të shkosh në botë. Po ç’të ardhme?!, ma priti ai. Ja ekonomia për shembull, meqë je ekonomist, si të duket? Pse nuk përmirësohet? Kush e vendos fatin e saj? Qe pyetje e vështirë dhe delikate, pasi nuk mund të përmblidhej duke thënë që këtë e ka në dorë vetëm Kryeministri, apo Ministri, apo Këshilli drejtues i Ekonomisë. Kontribuojmë të gjithë. Që nga momenti që merret një vendim për të ardhmen e ekonomisë e deri në realizimin e tij, kalojnë të paktën 5 vite. Në rast se në fund të këtij cikli del se vendimi ishte i gabuar, imagjinoni se çfarë humbjesh ekonomike apo shpirtërore kemi. Kë do fajësojmë? Vitet ikin dhe nuk kthehen më. Kë do dënojmë për gabimet vendimtare? Ata ndoshta s’do jenë më në qeveri. Kush do t’i vuajë vendimet e gabuara?! Për këtë motiv, në jetë disa gjëra duhen mësuar dhe nuk duhen harruar kurrë, si puna e tabelës së shumëzimit. Të gjithë e dimë që 2 x 2 bëjnë 4. Kurse variacionet e tjera specifike kërkojnë specializimin. Jo të gjithë e dinë që 2 + 2 x 2 bëjnë 6. Maturiteti është një vlerë shumë e madhe, ndërsa eksperienca, një nga faktorët kryesorë për të pasur sukses në çdo fushë të jetës. Përmes eksperiencës së specialistëve, pak po e sigurt, qeveritarët mund të eliminojnë apo minimalizojnë gabimet e shtrenjta që bëhen çdo ditë, edhe pse me dëshirën e mirë për të realizuar diçka.

Të kërkosh rrugë, mundësi, mënyra të reja që të tjerët nuk i njohin ende, është natyrisht mirë. Edhe mua më jep kënaqësi një gjë e tillë, madje kur zbuloj apo arrij diçka të re, më duket përkohësisht edhe si ekskluzive, sikur është vetëm imja. Por jo gjithmonë udhët e reja na bëjnë punë. Kinezët për shembull nuk patën nevojë të kërkonin “gjëra të reja”. Ata zgjodhën atë që ishte në treg. Ishte fillimi i viteve 2000, kur vizitova sërish Kinën, pas 25 vitesh, vendin ku jetova me prindërit për 5 vjet e ku mbarova edhe shkollën fillore në Ambasadën Shqiptare. Ishte periudha e miqësisë dhe vëllazërimit. Kuptohet që një djalosh 11-vjeçar është në gjendje të mbajë mend shumë gjëra, por mua m’u duk sikur nuk kisha qenë kurrë në atë vend. Ç’metamorfozë kishte pësuar Kina! Respektin më të madh për Qeverinë Kineze, që ka qenë dhe është në gjendje të menaxhojë për dekada të tëra një popullsi prej 1.4 miliardë banorësh, me një rritje ekonomike vjetore prej të paktën 8%. Në vitet ‘70 ata nuk ishin më mirë se ne. Po sot?! Nga kopjues dhe imitues, janë shndërruar në inovatorë dhe investitorë. A është ky rezultati i një shteti?! Patjetër. Po si ia doli Kina? Këtë pyetje i drejtova dhjetorin e 2016-s në katin e 88 të kullës Shanghai Tower (ndërtesë me 126 kate dhe rreth 632 metra e lartë) me pamje nga lumi Bund dhe bulevardi përgjatë tij, ku shëtisin mbi dhjetëra-mijëra njerëz, mikut tim kinez, sot numri dy në botë në industrinë e rëndë: si është e mundur të transformosh një shtet kaq gjigant brenda dy dekadave, nga botë e tretë, në një prej “motorëve” kryesorë të ekonomisë botërore? U mendua pak dhe më tregoi historinë e zhvillimit të drurit të bambusë. Fara e bambusë, tha, pasi mbillet, do rreth 5 vjet të zhvillohet nën tokë. Fillimisht lëshon vetëm rrënjë në mënyrë vertikale dhe horizontale. Vetëm pas 5 vitesh e nxjerr kokën mbi tokë dhe rritet menjëherë, duke shkuar mbi 20 metra; por gjate 5 viteve askush nuk e kupton se ç’ndodh atje poshtë. Sekreti i Kinës është vizioni i qartë, ligji dhe zbatimi i tij, puna dhe disiplina, më tha.

Ne si popull jemi ata që jemi. Nuk mund të ndryshojmë dhe të bëhemi dikush tjetër. T’i vësh fajin dikujt tjetër për këtë gjendje aktuale të Shqipërisë, duke u ankuar jo po historia, jo po sistemi, jo po qeveria e dikurshme apo kjo e sotmja, jo po fqinjët, jo po fuqitë e mëdha, është fare e kollajtë. Gjithë jetën nuk mund t’ia vëmë fajin dikujt për gabimet apo mossukseset tona. Humbjet duhet t’ia kërkojmë vetes, pasi ajo që kemi në dorë është vetëm vetja jonë. Vetëm duke menduar kështu mund të mësojmë, të ndryshojmë, të korrigjojmë dhe të ndërtojmë diçka. Harruam që vetëm pak vite më parë prindërit tanë zgjoheshin që në pikë të sabahut për të zënë radhën me orë të tëra për të marrë tollonin e mishit, vezëve apo qumështit, por kur vinte miku thoshin “mirë se të vish, bukë e kripë e zemër të bardhë. Sot dëgjon vetëm “s’kemi, nuk na del”. Ndoshta jemi bërë më të sinqertë dhe flasim më hapur për realitetin. Kjo është gjë e mirë, se të gjithë e duam mirëqenien, por ajo është e pamundur pa një plan afatgjatë ekonomik, pa përfshirjen natyrisht të ekspertëve të fushës. Jeta është si puna e të mësuarit të biçikletës. Duhet të lëkundemi, të rrëzohemi, të ngrihemi, të vritemi, të ndiejmë dhimbje. Vetëm pas kësaj periudhe mund të themi se e kemi mësuar biçikletën.

E që të rikthehemi te Shqipëria, me shumë keqardhje mund të them që ne sot nuk kemi asnjë plan ekonomik të qartë. Dhe është e pamundur të zhvillosh një ekonomi pa plan. Çfarëdo që të bësh në jetë, të duhet një plan. Për asnjë moment nuk duhet të harrosh se planet janë vetëm drejtimi që gjatë rrugëtimit mund të përsosen. Një plan strategjik ekonomik e ndihmon një lider për 3 gjëra: me se do harxhojë kohën gjatë periudhës së lidershipit dhe si do menaxhojë kapitalin njerëzor dhe atë financiar. Të parashikosh zhvillimet ekonomike është diçka më shume se një art shkencor apo llogari matematike, ndaj edhe nuk duhet nënvlerësuar. Por çdo ekonomi duhet të ketë një plan ku të lexohen qartë dy elemente: objektivat dhe instrumentet financiare për ta realizuar.

Po si mund të kërkojmë sot një plan ekonomik, kur ne akoma nuk kemi shtet?! Me sa shikoj zoti Rama me skuadrën e tij po punojnë për realizimin e këtij qëllimi. Që mund të bëhen gabime gjatë një rrugëudhëtimi është normale. Mos harro shembullin se si mësohet biçikleta. Çdo gjë kërkon kohën e saj për t’u realizuar.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Shqipëria: Vendi ku askush nuk pyet dhe të gjithë përgjigjen

Nga Klementin Mile Problemi më i madh i një shoqërie është paaftësia...
Read More