Është pragu ku mund të rihapet e ardhmja

Nga Ndriçim Kulla 

“Progresi, – thotë Levi-Shtraus, nuk është diçka e vazhdueshme. Përparon me hope, mutacione, shmangie, siç lëviz guri i kalit në lojën e shahut .Të gjithë popujt janë madhorë, edhe ata që nuk e kanë mbajtur ditarin e fëmijërisë apo të adoleshencës së tyre”. E pas nënvizimit të kësaj premise të domosdoshme, nuk mund të mohojmë veset e kulturës sonë politike me patologjinë e saj kronike. Ekzistenca e një klime të ashtuquajtur antagoniste në dukje, që bashkëjeton me një prirje ponderuese ndaj konformizmit, shkëmbime të banalizuara favoresh përbri një korrupsioni “të pandërgjegjshëm” të së majtës dhe së djathtës, përflakje termash “luftarake” ndaj një “bashkëpunimi” të errët e gati të nëndheshëm, gjithnjë të mohuar, por gjithnjë të pranishëm. Një stanjacion i gjallë mbizotëron te ne në hapësirë, në kohë dhe në ide. Është kjo gjendja karakterizuese e kulturës së dy forcave kryesore politike në Shqipëri.
Hapësira e parlamentit tonë të zgjedhur nga partitë me parlament me profil të ulët (kur parlamenti konsiderohet një fitore e botës perëndimore që në vitet 1800) tashmë duket si e “boshatisur”, pasi eksperienca aty është kthyer në një instrument të paracaktuar veç për një qëllim: primum vivere, ku çdo deputeti i duhet vetëm të ngrejë kartonin në mënyrë mekanike. Po kështu është duke u dekompozuar edhe hapësira brenda partive: ku rezulton që ato të jenë tërhequr nga shoqëria, e kjo ka sjellë edhe tërheqjen dhe distancimin e shoqërisë ndaj tyre, çka shprehet në fenomenet tragjike të antipolitikës dhe abstensionizmit, të vërtetuara më së miri sidomos te ne në zgjedhjet e fundit parlamentare por edhe lokale. Po kështu, koha lineare dhe progresive e koncepteve të tyre udhëheqëse ka rezultuar të jetë shumë e shpejtë, e ndrydhur, e investuar në cakun e një periudhe, një viti a një legjislature, duke u bërë kështu e padisponueshme për një politikë afatgjatë. Pra, për diçka të tillë, nuk ka kohë! Kësisoj, mungojnë subjektet, zgjidhjet: mbizotëron aspekti i veçantë përpara projektit, skenari përpara përmbajtjes, imazhi përpara vlerës ose veprës.

Në një moment kur është pikërisht ideja se, që të kesh të “korra të bollshme” nevojiten “mbjellje” në perspektivë e projekte ambicioze me investime jo të menjëhershme në kohë, një ide kjo aspak e një ëndërrimtari, por për vite të tëra shtytësja vendimtare e progresit. Prandaj neve na duhet ta hapim një të ardhmen të re dhe ta sfidojmë atë me shpirtin e pionierëve. Është pikërisht ky shpirt ai që i përgjigjet një kulture në lëvizje, për t’u ngritur kundra konformizmit në thelb, kundra tërheqjes zvarrë, të jetës sonë politike, që e mban kulturën e saj inerte. Studimi, formimi, dëgjimi dhe shkëmbimi i informacioneve në të gjitha nivelet është njëri nga mekanizmat shëndoshës të kësaj gjendjeje, pasi është i kundërti i konformizmit që ngërthen mendimin e kulturës në lëvizje. “Ky konformizëm, nën emrin e një klime të paqtë dhe jo antagoniste politike, nuk do të ishte sigurisht, ai progresi që kërkojmë, pasi një transformim i tillë është humanitet i ngurtësuar, është antropi, energji që humbet”, siç e përcakton filozofi Levi-Shtraus. Përkundrazi, sipas tij, “çdo progres është një koalicion midis forcave të ndryshme që kërkojnë një sintezë, pa braktisur diversitetin e tyre”.
Nëse domosdoshmëria është vërtet një mur, edhe ai ka të çarat e veta, kësisoj gjërat nuk janë asnjëherë të pandryshueshme; ka gjithmonë një kohë dhe një fjalë për ta karakterizuar këtë kohë, ashtu si dhe një veprim për ta ndikuar atë. E kjo është lindja e një komunikimi të ri politik, që të mos kanalizohet në lojën e njërit kundra tjetrit thjesht për interesa personalë ose pushtet, por të mendojë për interesat e përbashkët, superiore, perspektive. Le të nisë pra një dialog i tillë, në fillim qoftë dhe për arsye utilitare. Mjaft që të mos ngelemi në stanjacionin e kulturës inerte. Pastaj iluminizmi, filozofia, përgjegjshmëria sido që të ndodhë do ta gjejnë rrugët dhe hapësirat të arrijnë të mbrujnë dalëngadalë edhe maturinë e këtij dialogu. Tani për tani, është e rëndësishme që palët të mos i fryjnë antagonizmit me çdo kusht siç vazhdon të ndodhë, sepse kështu e kërkon koniunktura ose një fushatë e mirë elektorale që po troket në derë. Përkundrazi, lipset një dialog i vërtetë për të bashkëpunuar në gjetjen e zgjidhjeve që diktojnë emergjencat, në mënyrë që në çdo aksion të jetës politike apo në çdo fushatë elektorale çdo forcë politike të sforcohet të jetë më e mira, të matet me një nivel më të lartë të përballjes politike. Nuk ka rëndësi fare të jesh i majtë apo i djathtë, ka rëndësi ajo që i shërben vendit, e kjo duhet të jetë një shtysë për të ngritur sidomos në raste fushatash nivelin e ndërgjegjes kolektive. Më tej, kuptohet se do ndihet vërtet nevoja e një dialogu, por kjo nuk nënkupton që dialogu të jetë i mangët nga momentet e kriticizmit. Raporti i dy palëve që kanë pikëpamje të ndryshme mund të jetë i kreshpëruar prej vështirësive, por gjithsesi, dihet se në një mjedis dialogues nuk ekziston një arsye e vërtetë, e dhënë dhe e parafabrikuar. Përkundrazi, brenda tij e vërteta ndërtohet së bashku, duke kaluar edhe nëpërmjet përplasjeve. Mirëpo, pikërisht këtu shfaqen problemet e rënda të qasjeve dhe sjelljeve të palëve në të gjitha nivelet, brenda dhe midis partive, qoftë të një krahu, qoftë të krahëve të ndryshëm: zënka personale, individualizmi e ambicionet, narcizmi, hedonizmi e së fundi, edhe kultura e unitetit. Këtij të fundit mund t’i shtohen strategjitë e diktuara që bien në kontradiktë, kur ndjekin qëllime të drejta me mjete të padrejta, ose koherenca që arrihen me diktime dhe shtrëngesa strukturore brendapartiake. Duket pra që kemi të bëjmë me një krizë të rëndë të politikës, jo vetëm të dallimit e majtë-e djathtë. E në realitetin shoqëror, është boshllëku rreth saj ai që e kërcënon. Dhe ky boshllëk, në momente të tilla vendimtare të një krize gjithëpërfshirëse, mund të çelë papritmas mjaft porta, mjaft rifillime të “papërballueshme” për t’u frenuar. Të jetosh në boshllëk është shumë më mirë se sa të ndihesh në kurthin e ideologjive të parafabrikuara. Të jetosh në boshllëk – ose e thënë ndryshe nën trysninë e zhgënjimit dhe dëshpërimit të shoqërisë – çelet mundësia e “lindjes së një gjuhe të re”, gjuha e një shoqërie të hapur që parakushtëzon në çdo individ bashkekzistencën e identiteteve të shumëfishta: civilë, estetikë, etikë, e kështu me radhë. Të ndjesh këtë boshllëk, për të nxjerrë prej tij një gjuhë të re, ku sinteza e identiteteve nuk nënkupton braktisjen e secilit prej tyre, është pikërisht ai hopi që dallon një politikë largpamëse nga një politikë jo e mirë.

Është pragu ku mund të rihapet e ardhmja e një politike të re.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

KPK e rikonfirmon, Dvorani drejt Kushtetueses?

Ardian Dvorani u rikonfirmua në detyrë nga KPK-ja. Partia Demokratike akuzoi se...
Read More