Është rritur krimi? Sigurisht, madje do të shtohet edhe më

Nga Arjan Ҫuri

“Sot ka më shumë ligje se kurrë më parë dhe kryhen më shumë krime se kurrë më parë. Prandaj, për të eliminuar krimin, duhet të eliminojmë ligjet”.

Ky është një argument i presupozuar, që në tekstet klasike të logjikës konsiderohet si gabimi logjik i llojit shkaku fals, që ndodh kur, lidhja e premisave me konkluzionin varet nga ndonjë lidhje shkakësore e imagjinuar, e cila mbase nuk ekziston fare. Në të njëjtën mënyrë, diskursi politik mbi një ngjarje, apo çdo ngjarje kriminale, e rëndë apo e lehtë qoftë, tentohet të zhvillohet, sikur këto raste janë të padëgjuara e të pandeshura ndonjëherë më parë. Kjo, edhe për shkak të natyrës demagogjike që ka politika, që tenton të shfrytëzojë çdo ngjarje të aktualitetit, në favor të rritjes së mbështetjes në popull, apo krijimit të pakënaqësive të ndryshme, mbi probleme, të cilat mund t’i zgjidhë vetëm pala që synon pushtetin, po kurrsesi ajo që është tashmë në pushtet.

Por, është fakt, që krimi do të vijë gjithmonë në rritje. Kriminologët, që janë sociologë që merren me studimin e kriminalitetit në një shoqëri të caktuar, bien dakord me këtë pohim. Sa më shumë urbanizohet një shoqëri, aq më shumë kriminalizohet ajo, dhe ky faktor kauzal, pra shkak-pasojë është ekuacional dhe i pamohueshëm, pasi është matur me metoda të sakta empirike, në shumicën e vendeve perëndimore. Prandaj nuk duhet të habitemi, që sa më shumë të urbanizohet, Tirana, Durrësi apo Elbasani e Vlora, aq më shumë, nga viti në vit, do të shtohet numri i krimeve që do të regjistrohen në këto qytete, siç me të drejtë mbështesin edhe statistikat përkatëse. Prandaj, diskurset emotive politike apo gazetareske që tentojnë të paraqesin realitetin me nota pezhorative, edhe pse të kuptueshme, për shkak të shitjes së ndikimeve të të gjitha llojeve në publik, duhen marrë me rezerva.

Për ta kuptuar më mirë fenomenin e krimit do të duhet të ngremë pyetjen: “A është krimi një veprim, apo duhet kuptuar si sjellje? Diferenca mes këtyre dy koncepteve është më shumë sesa semantike, por në bazë të një principi të përgjithshëm, por duhet të pranojmë se krimi mund të shkaktohet nga forca të jashtme, të quajtura rrethanore apo ambientale dhe mund të ndalohet nga forca të brendshme, të quajtura si vullneti moral që qëndron mbrapa çdo sjelljeje njerëzore.

Durkheimi do të argumentonte, bazuar në vëzhgimet e tij sociologjike, se forca mekanike që veprojnë pas çdo individi, shkaktojnë krimin. Sipas tij, individi nuk e zgjedh ta kryejë aktin deviant, por ajo ndodh sepse faktorë determinues të verbër, marrin kontrollin në mënyrë të pashmangshme. Kjo është ajo që quhet, perspektiva mekanike dhe nga kjo perspektivë kriminologët, mund të zhvillojnë lidhje nomotetike, jo vetëm mes fenomeneve natyrore, por edhe atyre sociale. Kështu, sipas kësaj teorie pozitiviste, vërtetohet fakti që urbanizimi i shpejtë do të sjellë pashmangshmërisht rritjen e krimit. Pra, sipas kësaj qasjeje, njerëzit janë si kafshët, ata nuk veprojnë, por sillen (behaviourism).

Megjithatë, nga Weberi te Giddensi, gjejmë shumë kriticizëm të kësaj pikëpamjeje bihejvioriste të studimit të kriminalitetit. Sipas këtij mendimi të kundërt, njerëzit nuk janë të detyruar të ecin sipas linjave të paracaktuara, as nuk janë objekte që reflektojnë struktura të dhëna. Qeniet njerëzore janë intencionale, kanë qëllimet e tyre, bazuar në vlerat dhe kuptimet që i japin jetës, të cilat pasqyrohen në zgjedhjet e tyre të lira, kur veprojnë. Clifford Geertz, një antropolog amerikan, që interpretoi shoqërinë njerëzore sipas praktikës së antropologjisë simbolike do të theksonte në një formulim klasik të tij, se njeriu është një kafshë e kapur në rrjetat e kuptueshmërisë që ai vetë ka thurur. Kështu, këto dy teori, për sa i përket krimit, pra nëse ai është një veprim apo sjellje, janë në një debat të përjetshëm mes tyre, për sa kohë që kriminologët apo psikologët nuk bien akoma dakord.

Nëse krimin do ta konsiderojmë sjellje, do të shkonim pro përcaktuesve të tij, si strukturor, ndërsa po ta shikonim si veprim, do të ishim ndër studiuesit që e përcaktojnë shkakun e tij, si kulturor. Në rastin e parë, do të identifikoja dy dimensione që shkaktojnë rritjen e kriminalitetit, atë ekonomik dhe social, duke përfshirë pabarazinë, varfërinë, papunësinë, si dhe sensin e përkatësisë së individit, parashikueshmërinë, mirëqenien etj. Në rastin e dytë, do të nënkuptoja struktura normative, ose vlera totale brenda një kulture të caktuar. Më analitikisht, këto elemente mund të grupoheshin në dy sfera. Njëra ka lidhje me nivelin makro të kulturës së dhënë në një shoqëri, që e ndjek individin nga lindja deri në vdekje, pra ai sistem kuptueshmërie që rrethon çdo individ me principet bazë të moralit. Aspekti tjetër lidhet me ato vlera, në nivelin mikro, që brendësohen nga çdo individ, nëpërmjet procesit socializues që ai ndjek. Nëse kultura është një fenomen relativisht statik në nivelin makro, ajo tenton të kthehet më dinamike në nivelin mikro dhe bëhet më rezultative në edukimin e brezave, përgjatë procesit të transmetimit të saj, nga individët më të moshuar, tek ata më të rinj. Kështu, nga një perspektivë kriminologjike, mund të pranohet qasja, se një shoqëri që transmeton vlera dhe thekson ndjenjën e pranueshmërisë së tjetrit, do të jetë me shumë mundësi një shoqëri me një nivel kriminaliteti të ulët. Këtë mund ta gjejmë në Shqipëri në qytete që kanë një traditë të vjetër kulturore si Korça apo Përmeti, ku numri i krimeve është pothuajse zero. Por në këto qytete edhe niveli i urbanizimit është i ulët, kështu që mungojnë edhe rrethanat ambientale për t’u nxitur një sjellje bihejvioriste kriminale, teori që nuk e përjashtojmë dot në shpjegimin tonë.

Si përfundim, në këtë artikull, desha jo vetëm të sillja disa teori kryesore që shpjegojnë shkencërisht shkaqet se pse dhe si rritet apo ulet kriminaliteti në një shoqëri, sepse qëllimi im nuk është thjesht të informoja lexuesit mbi perspektivat bashkëkohore në studimet kriminologjike. Nga pozicioni i një qytetari të shqetësuar për fatet e vendit ku jeton, do të doja të tërhiqja vëmendjen e opinionit që të mos shohë si shpjegime burimore vetëm ato që dëgjohen në forumet politike, që tentojnë të japin një pikëpamje populiste të fenomenit të kriminalitetit. Përveçse të mendojmë se detyra e luftimit të krimit i përket organeve të specializuara ligjzbatuese, do të ishte mirë që gjithsecili prej nesh, nga pozicioni ku gjendet, të mundohet me aq sa ka në dorë, pasi informohet mbi shkaqet që shkaktojnë rritjen e krimit, të mundohet t’i luftojë sadopak ato. Nëse rritja ekonomike apo mirëqenia sociale, është detyrë që i përket shtetit në nivel kombëtar, në atë personal, gjithsecili prej nesh mund të japë kontributin e tij, qoftë duke këshilluar të rinjtë të gjejnë veten, kuptim apo përkatësinë në shoqëri, qoftë edhe duke i drejtuar ata drejt një kulture pune apo kujdesi për tjetrin.

Por kryesisht, nëse gjithsecili prej nesh nuk shqetësohet t’u transmetojë individëve me të cilët është në kontakt interaktiv, vlera morale dhe universale, të cilat na japin arsye të mjaftueshme për t’i qëndruar larg të keqes dhe krimit, atëherë të mos habitemi, nëse ajo që do të ndodhë, do të jetë pikërisht ajo që po ndodh deri më sot, një rritje e pashmangshme e kriminalitetit, në përpjesëtim të drejtë me rritjen e shpejtë të urbanizimit të qyteteve tona kryesore. Fakti që është e vërtetuar lidhja kauzale mes urbanizimit të një shoqërie dhe rritjes eksponenciale të kriminalitetit në të, nuk duhet të na bëjë pesimistë, as pasivë në luftën që duhet t’i shpallim krimit. Shteti patjetër që duhet të bëjë detyrën e tij, por edhe ne tonën; të transmetojmë sa më shumë dhe në mënyrë të vazhdueshme kulturë dhe dije, në mënyrë që të endim edhe ne, rrjetat e padukshme të kuptueshmërisë dhe rendit logjik, që e ndan njeriun që vepron lirshëm, nga kafsha që sillet në përputhje me ashpërsinë e habitatit të saj.

Politika është e lirë të trazojë në një kaos të përjetshëm emotiv, të vërtetat dhe të pavërtetat e saj. Në çdo rast, ne do të shohim përtej saj.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Vapa: Kujdesi për të moshuarit, të sëmurët kronikë dhe fëmijët

Qindra raste në ditë kërkojnë ndihmë mjekësore, teksa doktor Skënder Brataj apelon...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.