Euro “godet” buxhetin, ka humbur rreth 5 miliardë lekë….

Financat e shtetit po përballen me një situatë gati kontradiktore, ku edhe pse aktiviteti ekonomik është zgjeruar, buxheti i shtetit ka përfituar shumë pak.

Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se në tre muajt e parë të vitit, ekonomia shqiptare u rrit me 4.45 për qind, çka përbën ritmin më të lartë në një dekadë. Statistikat sektoriale sinjalizojnë se ekonomia ka vijuar të rritet me një ritëm të ngjashëm edhe në tremujorin e dytë, e udhëhequr veçanërisht nga rritja e prodhimit industrial dhe sektori i turizmit.

Por teksa aktiviteti ekonomik është zgjeruar me ritme relativisht të shpejta, të ardhurat në buxhet janë rritur më ngadalë. Sipas treguesve zyrtarë, në 7 muajt e parë të vitit, të ardhurat totale në arkën publike u rritën me 7.3 miliardë lekë ose vetëm 2.9 për qind krahasuar me vjet.

Ministria e financave thotë se një nga arsyet kryesore pse të ardhurat nuk janë rritur në linjë me ekonominë është kursi i këmbimit. Sipas Financave, vetëm nga rënia e euros, për 7 muajt e parë të vitit, buxheti i shtetit ka humbur rreth 5 miliardë lekë, pasi mallrat që blihen në tregjet e BE-së zhdoganohen me vlerë më të ulët.

Por rënia e euros nuk ka vetëm efekte negative për financat e shtetit. Edhe pse ka ulur të ardhurat, ajo ka lehtësuar barrën e borxhit publik. Sipas përllogaritjeve paraprake vetëm si pasojë e zhvlerësimit të euros ndaj lekut, borxhi publik i vendit është ulur deri në 2 pikë përqindje ndaj prodhimit kombëtar duke i dhënë më shumë frymëmarrje buxhetit.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Pasi e dhunuan ajo u lut që ta linin të shkonte, por…

  Një studente, të cilën e përdhunuan në grup në Afrikën e...
Read More