Europa e ka kriminalizuar humanizmin

Nga Paul Hockenos

Gjatë muajve qershor dhe korrik, nëpërmjet një vargu masash, udhëheqësit europianë i fortifikuan kufijtë e Europës përgjatë perimetrit jugor, në një përpjekje tjetër për të kufizuar emigrimin ilegal drejt kontinentit. Ky aksion përfshin tashmë edhe përpjekjet për të mos lejuar ankorimin nëpër porte të anijeve të shpëtimit të OQJ-ve të ndryshme humanitare, të mbushura me refugjatë nga Deti Mesdhe – ku më shumë se 10 mijë prej tyre janë zhdukur që nga viti 2014. Përzierja e kufizimeve, që refuzojnë të drejtën për azil politik, me kufizimin e qasjes së refugjatëve në Europë, ka përkrahës të vendosur përtej populistëve të djathtë.

Shumë liberalë të qendrës, pohojnë se kufizimi i mëtejshëm i flukseve të refugjatëve, është e vetmja mënyrë për të ndalur ngjitjen mbresëlënëse të së djathtës nacionaliste në Europë, dhe për të shpëtuar atë që ka mbetur nga sistemi i azilit, para se populistët si ministri i Brendshëm italian Mateo Salvini dhe kolegët e tij, të arrijnë ta anulojnë atë plotësisht. Nuk është ende e qartë nëse ulja e numrit të emigrantëve të rinj, do të ndalojë me sukses rritjen e të djathtës ekstreme. Sidoqoftë, plani ngre pikëpyetje më të thella, rreth asaj se sa kompromis mund të përballojnë ende vlerat humanitare të Europës, përpara se të rrezikohen tërësisht.

Këto pyetje morale dhe etike rreth qëllimeve dhe mjeteve, po debatohen askund më me shumë zemërim se në Gjermani, vendin europian që krenohet më së shumti në traditën e tij të filozofisë morale, nga Imanuel Kanti te Jurgen Habermasi. Por debati ilustron ndërkohë faktin, se në një periudhe krize politike, parimet humanitare të Europës nuk janë pothuajse aq të papranueshme, sa besonin dikur qytetarët e saj. Debati zhvillohet në kohën kur numri i refugjatëve që vijnë nga deti në krahasim me vitin 2015, ka rënë në mënyrë dramatike. Këtë vit, ka patur vetëm 48.629 të ardhur, ose rreth 5 për qind të totalit të vitit 2015.

Në të njëjtën kohë, numri i lartë i viktimave të refugjatëve në Detin Mesdhe mbetet po i tillë:1.422 persona, janë mbytur që nga fillimi i këtij viti. Dhe në të njëjtën kohë, nacionalistët e ekstremit të djathtë të Europës, si Salvini, partia Alternativa për Gjermaninë (AfD) dhe kryeministri hungarez Viktor Orban, vazhdojnë të rriten në sondazhe, dhe të përkrahin masa gjithnjë e radikale për të mbajtur refugjatët jashtë Europës. Në përgjigje, Bashkimi Europian pranoi njëzëri të shpenzonte trefish më shumë para për Frontex, agjencinë e tij të kufirit dhe rojës bregdetare, me misionin e sigurimit të kufijve të jashtëm të BE. Blloku është gjithashtu i përgatitur, të shpenzojë shuma të mëdha parash për të ndihmuar në krijimin e kampeve të pritjes, të referuara edhe si “platforma të zbarkimit”, për azilkërkuesit në vendet jashtë BE-së, në Afrikën Veriore. Ndërkohë, udhëheqja e re populiste e Italisë këmbëngul se nuk do të shërbejë më si depo e refugjatëve në Europë, një qëndrim që përfshin shkeljen e së drejtës ndërkombëtare, duke i dëbuar refugjatët nga brigjet e saj, madje edhe ata që janë shpëtuar nga flota e vet.

Qeveria gjermane dëshiron të shtojë Algjerinë, Tunizinë, Gjeorgjinë dhe Marokun, në një listë të të ashtuquajturve vende të sigurta, nga të cilat do të pranojë pak ose zero refugjatë. Hungaria po harton një ligj që ndëshkon penalisht ata që ndihmojnë refugjatët ilegalë në vend. Italia është vendi më i fundit, ku janë ngjitur në pushtet partitë nacionaliste, dhe ku çështjet e emigracionit kanë luajtur një rol vendimtar në fitoren e tyre. Në Gjermani, AfD-ja qëndron tani në nivelin 16 për qind në sondazhet e opinionit, deri në 4 pikë më shumë nga votimet e shtatorit 2017 – një zhvillim që shumë pak njerëz e imagjinuan se ishte e mundur. Populistët anti BE, zënë tashmë gati një të katërtën e vendeve në Parlamentin Europian, dhe zgjedhjet evropiane të vitit të ardhshëm mund të rrisin pjesën e tyre.

Në gazetën “Süddeutsche Zeitung”, gazetari Volfgang Luef shkruan se është tronditur nga fakti se në Gjermani ka një mendim të ndarë mbi çështjen nëse do të ndihmonin njerëzit që po vdisnin, apo thjesht do t’i braktisnin në fatin e tyre. Kjo sipas tij është “hapi i parë drejt barbarizmit, fillimit të fundit të idesë evropiane”. “Ne nuk mund të apelojmë për të drejtat e njeriut, iluminizmin dhe humanizmin, ndërkohë që kriminalizojmë shpëtimin e njerëzve që mbyten në det”. Çështja me të cilën ballafaqohet Gjermania dhe Europa më gjerë, është nëse partitë e saj kryesore dhe votuesit e tyre, janë të gatshëm të pranojnë se vdekja në det, është një mjet për të adresuar krizën e emigracionit. Çështja e politikës së Evropës mund të zgjidhet, por llogaria e saj morale do të mbetet e hapur.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Për një foto më shumë

Tre partitë kryesore, pagesë me miliona për të shkrepur një foto pranë...
Read More