Europa ende e paqartë për strategjinë e integrimit të Shqipërisë

Nga Blendi Lami

Dy koncepte kryesore shfrytëzon sot doktrina mbrojtëse e Bashkimit Europian në lidhje me Ballkanin Perëndimor: sigurinë dhe ruajtjen e status quo-së. Në mungesë të një sigurie relativisht të qëndrueshme, Europa kërkon që në Ballkan, këtë periferi të saj, të ketë një status quo të veçantë. E thënë me fjalë më të thjeshta: të ketë mbikëqyrje aq sa i intereson, duke mos e lejuar që kjo hapësirë të bjerë në ndikimin e fuqive të tjera, pasi një gjë e tillë do të dëmtonte vetë Europën. Status quo është një tampon, përpara se të aktivizohen instrumentet e sigurisë. Në këtë këndvështrim, duket sikur BE vepron deri aty ku shkojnë interesat e saj, dhe nuk lëshon përtej tyre.

Lëshimi do të nënkuptonte në këtë rast një lloj sforcimi – për disa nuk do të ishte sforcim por normalitet – për të inkuadruar vendet e Ballkanit Perëndimor në strukturat e saj. Është një lëshim që BE ngurron ta bëjë – jo nga padija, por nga mungesa e një strategjie të qartë dhe nga përplasjet mes strukturave të BE nga njëra anë dhe disa shteteve anëtare nga ana tjetër. Europa e di fare mirë se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë në gjendje të arrijnë standardet e kërkuara për të qenë anëtare. Dhe Europa nuk arrin të kuptojë se, për të, prevalon siguria mbi atë çka përfaqësojnë këto vende.

Së pari, Europa nuk mund të vazhdojë të ruajë status quo-në, e cila nuk prodhon stabilitet të qëndrueshëm dhe afatgjatë; status quo-ja është e përkohshme dhe vulnerabël ndaj ndërhyrjes së fuqive të huaja lindore. Sa herë që ka prishje të këtij ekuilibri delikat, Europa humb ndikimin në Ballkan dhe për pasojë rrezikohet gjithë arkitektura europiane e sigurisë.

Së dyti, ajo çka këto vende përfaqësojnë realisht nuk përputhet në shumë aspekte me europianizmin – sipas konceptit të BE – ose gjenden shpesh në situata të brishta, dhe anojnë në kahe të tjera, pavarësisht mbikëqyrjes. Por mbikëqyrja është zakonisht e pamjaftueshme.

Hezitimet e Europës për Ballkanin janë historike. Madje, Europa ka patur dilema të mëdha edhe për përcaktimin e Ballkanit. Ballkani ende nuk pranohej si europian – nga shumë qarqe – në fund të shekullit XIX, kur fuqitë e mëdha të atëhershme akoma nuk kishin marrë vendimet për ndarjet përfundimtare të shteteve, në pritje të shpërbërjes së Perandorisë Otomane. Kështu, europianët “e vërtetë” për Ballkanin shpreheshin me termat “European Turkey”, “Turkey D’Europe”, “Turkey in Europe” (“Turqia Europiane”, “Turqia e Europës”, “Turqia në Europë”). Ballkani u përfshi në planet e europianëve atëherë kur fuqitë europiane filluan të shfaqnin interes për rajonin.

Pas një shekulli e gjysmë, kjo pjesë e Europës ende vazhdon të diskutohet në samite për përshtatshmërinë e saj me Europën. Ka kaluar kohë që kur Ballkani nuk ishte në hartën politike të Europës. Por sot struktura europiane – me strategjinë që po ndjek – duhet ta kuptojë se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk mund të bëhen europiane “me buton”, as për dhjetë vjet, e as për më shumë.

Në deklaratën e samitit të Sofjes, zhvilluar para pak ditësh, lexohen terma përgjithësues dhe të vagullt si: angazhim i Ballkanit Perëndimor ndaj vlerave dhe parimeve europiane, mbështetje ndaj perspektivës europiane, forcim i bashkëpunimit në fusha të ndryshme, zbatim i demokracisë dhe ligjshmërisë, vazhdim i stabilitetit rajonal, përmirësim i infrastrukturës, zhvendosje drejt ekonomisë digjitale, forcim i shoqërive miqësore ndaj mjedisit, shtim i perspektivave për të rinjtë, veprime të përbashkëta ndaj sfidave të sigurisë etj. etj.

Me fjalë të tjera, Europa i drejtohet tërthorazi Ballkanit Perëndimor se nuk është i gatshëm për në BE. Ky është mesazhi i dhënë nga samiti i Sofjes.

Pas rekomandimit pa kushte të Komisionit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë, dolën në pah dilemat e vjetra. A duhet përfshirë Shqipëria në BE?

Me të drejtë, në një kohë kur vihen re influenca në rritje të Rusisë, Turqisë dhe Kinës në rajon, pati alarmim nga kryeministri Rama, i cili e konsideron afrimin me Europën domosdoshmëri, dhe deklaron se “për ne, është çështje për jetë a vdekje, në kuptimin që hapja e negociatave nënkupton se jemi drejt një të ardhmeje dhe shkëputemi më në fund nga e kaluara”.

Nga ana tjetër, presidenti Macron, njëri ndër zërat kundërshtarë apo skeptikë, ka rezerva për BE-në e ardhme, pasi paradoksalisht thotë se “vitet e fundit ka patur dobësim të Europës, si pasojë e zgjerimit”. Është një kontradiktë e plotë me atë çka ka arritur BE në fushën e sigurisë, teksa Rumania e Bullgaria, në lindje, shko këtu Greqinë në jug, për të mos harruar Kroacinë e Slloveninë në qendër, ofrojnë garanci mbrojtëse për Europën.

Komisioneri Hahn është më i butë se Macron, teksa mbështet status quo-në, duke deklaruar se BE duhet të “eksportojë stabilitet” në rajon dhe të shmangë “importin e destabilitetit”. Pra, sërish ka ngurrime. Shumë analistë kanë vënë re se në deklaratën e samitit të Sofjes janë hequr – qëllimisht – fjalët “pranim” dhe “zgjerim”.

Pra, vihet re një largim nga Ballkani, dhe do të vazhdohet me ruajtjen e stutus quo-së, për të cilën europianët druhen dhe janë të paqartë. Ballkanin e ka “bekuar” gjeografia dhe historia për të qenë në Europë – dhe jo pranë Europës. Sipas kritereve aktuale të vendosura nga BE, Ballkani, për shkak të trashëgimisë otomane dhe komuniste, si dhe situatave shpesh kaotike politike, nuk mund të jetë pjesë e Europës në të ardhmen e afërt. Ky lloj Ballkani do të bëhet europian vetëm duke ndjekur një strategji tjetër, jo vonesa tensionuese. Nevojitet zbatimi i një qasjeje imponuese, përmes reformave të rrepta dhe vërshimit të investimeve europiane. Përndryshe, do të jemi pafundësisht në ciklet e përplasjeve të Perëndimit me fuqitë lindore, që ekspansionin në Ballkan e kanë domosdoshmëri ekzistenciale.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Për një diskutim Kosovë-Serbi pa paragjykime

Nga Ervis Iljazaj Teza e hedhur nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi,...
Read More