Europa ime, kur do të qeshë edhe gjermani?

Nga Beqë Cufaj

Takohen danezi, italiani, holandezi, francezi, belgu dhe britaniku. Flasin për Gjermaninë. Italiani thotë: mua më ka shkuar tërë jeta me qeveri që s’kanë qeverisur më shumë se gjashtë muaj. Holandezi shton, se vendi i tij ishte gati një vit pa qeveri dhe askush nuk e ka ndjerë mungesën, sepse shtetin e ruan Monarku. Francezi në një monolog të pafund përsërit propozimin e presidentit të tij për buxhet të përbashkët të BE-së, dhe shton se kjo do ta përmirësonte jetën e secilit europian, por në fshehtësi sa herë thotë europian mendon në sindikatat franceze. Vizionin e kemi ne francezët, kurse realizimin e bëjnë gjermanët. Por gjermanët duhet ta bëjnë qeverinë, thotë ai mes gëzimit dhe dëshpërimit. Belgu, pëshpërit që nuk e vëren dallimin mes qeverisë së tij dhe qeverisë së Europës. Të dyja në Bruksel dhe të dyja të padukshme, të paafta. Kurse britaniku, pak a shumë i gëzuar, i fërkon duart dhe në fshehtësi shpreson që më mirë të mos formohet qeveria në Berlin, se sa Londra të paguajë aq shumë për Brexit-in!

Ky dialog imagjinar mes këtyre dhe shumë e shumë përfaqësuesve të shteteve e kombeve të Europës do të duhej të ishte vetëm një nga variantet e asaj se çfarë mendojnë fqinjët jo aq për memecërinë, sa për ngërçin e politikës gjermane.

Shikuar realisht, ndërkohë janë disa tabore që mendojnë për Gjermaninë.

Optimistët s’kanë të ndalur me tonet: nuk ka ngjarë asgjë tragjike. Dhe shtojnë: nuk ka vend për panik as për frikë. Prej datës së zgjedhjeve të 24 shtatorit dhe deri në formimin e qeverisë së ardhshme të Gjermanisë do të kalojnë edhe muaj të tërë dhe kjo, nuk po e çudit e as po frikëson askënd jashtë Gjermanisë. Sepse, sidomos në Europë, e përsëris, ngërçi politik paszgjedhor është çmenduria më normale që ndodh sa herë që mbahen zgjedhje parlamentare. Shikoni drejt Skandinavisë: me qeveri pakice, koalicione në shikim të parë të pabesueshme, negociata që zgjasin me muaj e muaj të tërë, siç ngjanë në Holandë këtë vit, siç qenë në Belgjikë para katër vitesh apo siç janë në rajone e tjera të Kontinentit.

Pesimistët në anën tjetër, që shumë më shumë janë brenda motorit të Europës, pra Gjermanisë, nuk reshtin së ankuari: me “sulmin” që Macron po e shfrytëzon me një kancelare dhe qeveri në detyrë të kufizuar, për problemet e pazareve me britanikët, për rreziqet globale, luftërat, refugjatët, terroristët islamikë dhe djathtistët nacionalistë në shtetet europiane.

Nga vjeshta e vitit që vjen Europa futet në fushatën zgjedhore për institucionet e BE-së. Brukselit i duhen reforma urgjente dhe vonesa e tyre do të ishte e keqe për tërë kontinentin dhe për vet Gjermaninë.

Pozita politike gjermane pra nuk mund të krahasohet me krizat apo koalicionet e vendeve të tjera të BE-së. Pesha politike e fuqisë më të madhe ekonomike e politike të kontinentit është tepër e madhe që të futet në terrenin e panjohur të eksperimentimit.

Kush mund t’i garantojë një tatimpaguesi apo një gjermani a europiani të thjeshtë që mirëqenia e tij edhe më tej është e siguruar? Me fjalë të tjera, situata është e njëjtë sikurse drejtuesit e Daimler-it do të ndalnin prodhimin për të shikuar se çfarë ka ngjarë me serinë e fundit të prodhimit. A mundet politika të ketë luksin të bëjë diçka të tillë? Ajo gjermane jo!

Duhet të veprohet shpejt. Gjermania është një shtet i fortë dhe me begati. Po Europa? Europa në fakt nuk e di se çfarë po ngjet në politikën e brendshme gjermane.

Danezi, italiani, holandezi, francezi, belgu dhe britaniku me të tjerët ndoshta qeshin për teatrin politik në Berlin, por për disa muaj tërë kjo mund të duket ndryshe. Si do të duket me siguri nuk e di as vetë Berlini. Shpresojmë që deri atëherë edhe gjermani do të jetë i ulur dhe do të buzëqeshë në tavolinën e Europës.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Demokraci, mbrapa kthehu!

Nga Armend Bekaj Diktaturat dhe sistemet politike moniste janë relikt i së...
Read More