Europa nuk është gati për Shqipërinë dhe Ballkanin

Nga Ervis Iljazaj

Lajmi se Holanda ka kërkuar vendosjen e regjimit të vizave për Shqipërinë, ka shkaktuar frikë tek opinioni publik dhe ka rikthyer edhe njëherë idenë e kufijve të mbyllur, me gjithë domethënien që ka ajo për shqiptarët.

Megjithatë duhet sqaruar opinion publik se vendimi për rivendosjen e regjimit të vizave sipas traktateve europiane nuk është në dorë të një shteti te caktuar, por është një vendim kolegjial i Komisionit Europian. Kështu që për të qetësuar shqiptarët, rivendosja e vizave është një proces që kërkon një vendimmarrje që bazohet nga një opinion më i gjerë se sa qëndrimi holandez.

Sigurisht që në krijimin e kësaj klime me skenarë të zinj ka luajtur rolin e saj dhe politika. Nuk nguruan deklaratat dhe kritikat publike në drejtim të qeverisë nga opozita, deri te deklarata jo fort e matur e ish-Presidentit të Republikës.

Ndoshta, qeveria aktuale ka përgjegjësitë e saj për eksportin e njerëzve me probleme në raport me ligjin nga paaftësia e kontrollit të kufijve ashtu si duhet, pasi është e vërtet se në Vendet e Ulëta në vitet e fundit ka një rritje të kriminalitetit nga bashkëkombësit tanë.

Megjithatë, qëndrimi i Holandës tregon edhe njëherë se Europa nga kriza ekonomike, e emigracionit dhe shoqërore që po kalon nuk është gati ende të presë anëtarë të rinj brenda gjirit të saj. Deklarata e Holandës tregon edhe njëherë frikën që ekziston në shoqëritë europiane për sa u përket anëtarësimeve të reja, sidomos në raport me Ballkanin Perëndimor.

Është absurde të mendosh, si në rastin e Holandës, që raportet diplomatike me një shtet të caktuar vendosen në bazë të kriminelëve të atij shteti. Kriminaliteti nuk ka as komb dhe as fe dhe, për shkak të tyre nuk duhet të penalizohet një kombi i tërë në të drejtën e tyre njerëzore të lëvizjes së lirë. Lëvizja e lirë është një e drejtë humane në shoqërinë e sotme, as më shumë dhe as më pak.

Sa herë që ka probleme me kriminalitetin apo me emigracionin, Holanda dhe shumë vende të tjera europiane drejtojnë gishtin nga marrëveshja e Shengenit, duke krijuar kështu dhe një klimë aspak dashamirëse për procesin e zgjerimit të mëtejshëm të saj.

Duke parë klimën politike që ekziston në Bashkimin Europian në raport me këtë proces, edhe nëse Shqipëria do të kishte plotësuar të gjitha kriteret e Kopenhagenit, nuk është e sigurt nëse të gjitha vendet anëtare të saj do të votonin pro, sepse në këtë aspekt fokusohet gara politike në këto vende më së tepërmi vitet e fundit.

Emigracioni dhe Bashkimi Europian janë kthyer në temat kryesore dhe më të ndjeshmet për sa i përket betejave politike në shumicën e vendeve europiane. Sensibiliteti ndaj zgjerimit dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, është shumë i lartë në shoqëritë europiane. Në këtë kuptim, politikanët luajnë këtë kartë për të fituar mbështetje popullore.

Andaj, qëndrimet e Holandës ndaj Shqipërisë duhen parë si një problematikë e momentit në atë shtet, të cilën autoritet holandeze mendojnë se do ta zgjidhin me rikthimin e vizave. Por, dhe me mbylljen e kufijve kriminaliteti gjen gjithmonë rrugën për të shtrirë aktivitetin e tij. Kështu që kjo nuk është zgjidhje as për Holandën dhe as për Shqipërinë.

Megjithatë, e gjithë kjo klimë skeptike që ekziston në shoqëritë europiane, nuk shfajëson politikën shqiptare, e cila duhet të kryejë detyrat e saj në bazë të marrëveshjeve që ka firmosur. Detyra e tyre është të mos i lejojë asnjë alibi skepticizmit holandez dhe atij europian në përgjithësi./Mapo.al/

Shkruar Nga
More from Redaksia

Fjalimi i fundit si president, Nishani: Ishte nder që punova për ju!

Presidenti në ikje i Shqipërisë Bujar Nishani ka mbajtur fjalimin e fundit...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *