Europa të reagojë më ashpër mes përplasjeve gjeopolitike në Ballkan

Nga Blendi Lami

Imagjinojmë një histori:

            Në vitin 2032, Europa tenton të përfshijë Shqipërinë në Bashkimin Europian. Ndërkohë NATO është shpërbërë dhe vetë BE ka një formatim tjetër. Një fuqi e huaj është kundër hyrjes së Shqipërisë në BE, sepse ka investuar dhe ka interesa në Shqipëri. Madje, kjo fuqi e huaj ka krijuar një klasë politike që e mbështet. Në momentin kur qeveria shqiptare shpall se do të firmosë marrëveshjen, në zona të caktuara të vendit ka protesta. Më pas, njerëzit, ndër të cilët mercenarë e agjentë, turren kundër institucioneve, dhe vritet një numër i konsideruar njerëzish. Pastaj kryengritja organizohet dhe plas lufta civile. Kjo fuqi e huaj ka aq shumë influencë e pengon Shqipërinë në rrugën drejt Europës. Pyesni ukrainasit në mund të ndodhë kështu!

Kthehemi në realitet.

Europa duhet të reagojë ashpër mes përplasjeve gjeopolitike në Ballkan, nëse do të shmangë një konflikt të tillë që do t’i minonte sigurinë e vet, në një kohë që shqiptarët nuk janë në gjendje të bëhen “europianë” në kuptimin e atyre që thonë se vendi ynë nuk duhet të hyjë në Europë për shkak se nuk përmbush disa kushte elementare të mirëqenies. Siguria e Europës është një dimension që ka më shumë përparësi.

Për këtë arsye, kohët e fundit, Europa është më e shqetësuar për fatet e Ballkanit. Apo më saktë për fatet e veta në Ballkan! Duket se në Bruksel ka rënë kambana e alarmit se, në rast mosndërhyrjeje të shpejtë në Ballkan, fuqi të tjera janë të gatshme të aktivizojnë mekanizmat e tyre për influencë. Prania e SHBA-së, lidere e Perëndimit, ia ka lehtësuar këtë punë burokracisë zvarritëse të Bashkimit Europian (BE), por interesat amerikanë janë specifikë, pavarësisht se shpesh përkojnë me ato të BE.

Para disa javësh, shefja e politikës së jashtme të BE, Mogherini, në një vizitë në Ballkan, theksoi se në rajon kishte “shqetësime serioze” dhe se “shumë lehtë Ballkani mund të bëhet një tabelë shahu ku të luajnë lojtarët më të fuqishëm”. Fjalët e Mogherinit përforcohet nga deklarata e kryetarit të komitetit për punët e jashtme në parlamentin europian, David McAllister, se “Gjeopolitika është rikthyer në Ballkan . . . Po dëshmojmë influencë ruse dhe shtim të influencës turke”.

Me lëvizjet e fundit, Bashkimi Europian u duk se do të ngurrojë të përfshihet në “luftë gjeopolitike”, një përplasje, të cilës më parë i druhej ta zhvillonte në fushën e Ballkanit Perëndimor (BP). Hartimi i strategjisë për BP dhe hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e bëjnë BE lojtar gjeopolitik. Kjo mund të thuhet pasi vendet kryesore të BE e kishin shndërruar në refren “lodhjen nga zgjerimi”, kryesisht nga frika e lëvizjeve populiste.

Pikësëpari, BE i frikësohet Rusisë në Ballkan, pasi ka dëshmuar se ç’bëri në Ukrainë dhe tanimë me praninë e padiskutueshme ruse në fatet e Lindjes së Mesme. Europa e ka kuptuar se nuk është më Rusia e viteve ‘90, por është një Rusi agresive që tenton grusht shteti në Mal të Zi apo mbështet nacionalistë të linjës sllave në rajon. Më këtë kuptohet se Rusia duhet frenuar në destabilizimin e vendeve të brishta ballkanike.

Në këtë aspekt, Këshilli Europian për Politikën e jashtme del në përfundimin se “Rusia e konsideron Ballkanin si fushë beteje në ‘luftën e saj politike’ . . . dhe po kërkon të ushtrojë autoritet në rajon, duke shtuar tensionet ekzistuese”. Më tej, në këtë dokument të Këshillit, thuhet se Rusia është e limituar në influencën në Shqipëri dhe se ministri Bushati ka theksuar se “Shqipëria është bastion kundër influencës ruse në Serbi, Mal të Zi, Maqedoni, Bosnjë dhe Kroaci”.

Rusia, pra, është një shqetësim serioz, por zyrtarët europianë i tremben edhe Turqisë.

Aktualisht, Turqia po kalon marrëdhënie tepër të acaruara me BE. Është ende e paqartë nëse presidenti Erdogan do ta shpalosë tërësisht agjendën e tij në Ballkanin Perëndimor, ndërkohë që, ndryshe nga Rusia, i ka ndërtuar mekanizmat në terren. Rreziku parësor është bashkërendimi i politikave turke me Rusinë në Ballkan, ashtu siç po ndodh në Lindjen e Mesme. Ndaj, Europa “nxiton” të frenojë manovra të tilla në Ballkan.

Sigurisht që Turqia duhet të merret në konsideratë, sidomos me kursin e saj aktual. Pozicioni i saj strategjik dhe trashëgimia historike – e transmetuar me diplomaci të butë në Ballkan – i mundëson Turqisë përfshirje në punët e brendshme të Ballkanit. Kështu, Turqia nuk mund t’ia tolerojë vetes të humbë Ballkanin, jo vetëm se i shërben si urë për në Perëndim, por në këtë urë synon të ushtrojë influencë.

Qëllimet e Turqisë në rastin e Ballkanit janë të qarta: ndikim në rajon dhe mundësi të tjera drejt Europës, sepse, sipas Davutoglu, “një vend anadollian që nuk ka ndikim në zhvillimet e Ballkanit … as nuk mund të ruajë integritetin mbi këtë zonë sensitive gjeopolitike, as nuk mund të hapet ndaj botës”.

Vetëm vitet e fundit është folur për Kinën në Ballkan. Mund të thuhet se BE nuk e konsideron kërcënim, por risku i parë gjeopolitik, i parashtruar në raportin e “Eurasia Group” për vitin 2018, është “mbushja e vakumit nga ana e Kinës”. Duhet theksuar se në Ballkan Kina është një lojtar aktiv dhe ka shpalosur objektiva të qartë afatgjatë. Në rast të një strategjie të paqartë për integrimin e BP, rezulton se Kina është e gatshme për ndërhyrje.

Vlen të theksojmë iniciativën “Një brez, një rrugë” (One Belt, One Road) – një strategji e propozuar nga presidenti Xi, e cila përqendrohet në ndërlidhjen dhe bashkëpunimin mes vendeve europiane dhe Kinës. Me fillimin e zbatimit të kësaj strategjie, Kina është bërë një aktore me peshë në Ballkan. Ndërsa po krijon një rrjet të lidhjeve infrastrukturore përmes Eurazisë, vendet e Ballkanit zotërojnë një pasuri të vyer: pozicionin gjeografik. Kina – ashtu si fuqi të tjera të Lindjes – e konsideron Ballkanin urë gjeopolitike ndërmjet Mesdheut dhe Europës Qendrore, dhe më gjerë, mes Perëndimit dhe Eurazisë. Për Kinën, dokumenti i Këshillit të Europës për Politikën e Jashtme thekson se “. . . është një aktor global ambicioz dh kërkon të përftojë influencë përmes investimeve . . . as Rusia nuk e ka arritur në Ballkanin Perëndimor atë që ka bërë Kina”.

Duhet të përmendin rolin e padiskutueshëm të SHBA, në sfondin e përpjekjeve europiane për dominimin e Ballkanit. Në lidhje me hapësirën shqiptare, një hapësirë proamerikane, SHBA ka demonstruar haptazi interesat strategjikë, sidomos në arkitekturën e sigurisë. Në këtë teatër, regjisori amerikan shtron rrugën për pranueshmëri të BE, e konsideron Rusinë kundërshtar strategjik, Turqinë e kategorizon si një aleate të lëkundur, ndërsa Kinën si një aktor global me peshë, me shumë gjasa rivale e së ardhmes.

Siç u theksua në fillim, BE duhet të bëhet një lojtar i ashpër gjeopolitik. Nëse BE nuk zgjohet nga këto alarme, këto realitete të reja gjeopolitike, strategjia e burokratëve europianë për integrimin e BP do të dështojë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

A ka motor ekonomik programi reformator i Edi Ramës?

Nga Ervis Iljazaj Edi Rama shpalli programin e qeverisë së tij në...
Read More