Europiani i shqiptarëve, bukur për sa zgjati

lila festonKombëtarja kthehet sot në orën 17.00 në Rinas e renditur e 18 na kampionatin Europian të Francës 2016, aty ku shkoi me 0 shanse dhe zero mundësi dhe kthehet pas më shumë prej kapriçove të fatit, pas një loje fantastike

Kombëtarja shqiptare tashmë zyrtarisht ka mbyllur Europianin e parë të saj. Barazimi i hungarezëve 3-3 ndaj Portugalisë së Cristiano Ronaldos ka shuar të gjitha shpresat që të luajmë të paktën edhe një ndeshje tjetër. “Gjithë ky rrugëtim ishte për ne, për familjet tona, për gjithë fansat dhe mbi të gjitha për atdheun tonë!!! Kurrë më parë s’kam qenë kaq krenar të jem pjesë e kësaj kombëtareje dhe të luaj me këta djem”, shkroi dje kapiteni Lorik Cana pas rezultatit që e linte jashtë Shqipërinë.

Kryeministri Rama, gjatë inspektimit të punimeve të stadiumit të ri kombëtar, tha se lojtarët do të kthehen në Tiranë të enjten rreth orës 17:00. “Nëse nuk do të ketë një kthesë rrënjësore dhe të mirëseardhur të fatit, kombëtarja nesër rreth orës 17:00 do të zbarkojë në atdhe dhe ne jemi të gjithë mëse të lumtur që ta mirëpresim duke ftuar të gjithë dashamirësit e kombëtares që e kanë të mundur të na bashkohen”, u shpreh Rama paraditen e së mërkurës. Do ishte bukur ta shihnim Italianin Gianni De Biasi të këndonte sërish himnin e Shqipërisë, të cilin e këndoi në ndeshjen me Francën e në vazhdim edhe në atë me Rumaninë. Djemtë që zbresin nesër në Rinas janë po ashtu djemtë e De Biasit, i cili merr mbi shpinë kritikat dhe komplimentat e këtij rrugëtimi të parë në rangun e më të mirave.

Sidoqoftë i hidhur ka qenë për kombëtaren ky eleminim për shkak të golave. Mjaft momente me gjasë do të mbahen mend si pengje të këtij europiani të parë. Rastet e humbura për gol në ndeshjen me Zvicrën, goli i dytë i Francës apo një gol më shumë ndaj Rumanisë. Amir Abrashi, një prej më të rëndësishmëve dhe më të mirëve në fushë reagoi pas eliminimit të Shqipërisë nga Europiani, duke thënë se të gjithë dhanë maksimumin, por kjo nuk ishte e mjaftueshme për të kaluar grupin.

“Dhamë gjithçka nga vetja, por nuk mjaftoi të kalojmë tutje. Ishte nder dhe krenari për mua ta përfaqësoj popullin tim në kampionatin evropian. Faleminderit shqiptarë”, shkroi ai.

Edhe tifozët të cilët i kanë qëndruar pranë kombëtares, janë shprehur shumë krenarë me skuadrën, madje në faqen zyrtare të Tifozëve Kuq e Zi në “Facebook” ka edhe një dedikim. “Faleminderit luftëtarë! Jemi pafundësisht krenarë! Rroftë kombëtarja! Rroftë Shqipëria etnike!”, shkruajnë tifozët, të cilët kanë postuar edhe një foto nga momenti i festimit të golit të Sadikut në ndeshjen ndaj Rumanisë.  Aq sa zgjati europiani ishte për Shqipërinë një ëndërr e bukur, mijëra tifozë ndoqën kombëtaren që u kthye në një vitrinë e vendit pak të njohur në Europë.

Të pafat ndaj Zvicrës, në një ndeshje të luftuar por po ashtu të zgjidhur prej rastësive me Francën dhe në fitoren e madhe me Rumaninë, Shqipëria u prezantua dinjitoze dhe kjo jep shpresë të paraqitet në një kampionat të ngjashëm edhe pse nuk ka për të qenë e lehtë.

Shqiptarët i jetuan të gjitha. Festën pas ndeshjes me Rumaninë, pak kush do ta harrojë. Ashtu si golin e Armando Sadikut. Pak kush do e gjejë sërish Tiranën të bëjë tifozllëk me një zë për golat e Anglisë, Gjermanisë apo Hungarisë në mënyrë që kombëtarja të kishte edhe shansin e një ndeshjeje tjetër.

Por mrekullitë këtë herë patën mbaruar. Edhe bastexhiu më i thekur në të gjithë botën do ta kishte të vështirë të besonte se rezultatet e ndeshjeve të grupeve të tjera të kampionatit Europian do të alternoheshin në atë mënyrë që kuqezinjtë të vazhdonin rrugën e tyre në turin e 1/8. Megjithatë Kombëtarja Shqiptare e ka arritur fitoren e saj me kualifikimin për herë të parë në finalet e një kampionati Europian, por ashtu si shkuan ngjarjet dhe loja që të besuarit e De Biazit bënë në fushë, mund të kishim arritur edhe më shumë. Gjithsesi mungesa e eksperiencës është një faktor deçiziv dhe tani nuk na mbetet gjë tjetër veçse të mendojmë për eliminatoret e kampionatit Botëror.

Eleminimi ka diçka prej fitoreje. Tre ndeshjet u ndoqën  nga më shumë se 100 mijë tifozë dhe shqiptarët dominuan stadiumet me spektakël, kore që nuk u ndalën në asnjë moment dhe atmosferë. Mediat ndërkombëtare kanë folur shumë për tifozët shqiptarë, por edhe vetë UEFA i ka komplimentuar për mbështetjen pa kushte ndaj ekipit. Ky ishte një hap jo i vogël për futbollin shqiptar. Një shenjë e mirë se po rritemi.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Fotot befasuese: Agonia e Bush pas 11 Shtatorit

Ndërkohë që George W. Bush është kritikuar gjerësisht për reagimin e tij...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *