Evelina Lusha: Demokracia postkomuniste në Shqipëri

Shqipëria demokratike e gjen veten në udhëkryq. Shqipëria vuan më shumë se vendet e tjera që kanë kryer tranzicionin nga komunizmi në një sistem shumëpartiak, nga cilësia e ulët e demokracisë. Shqipëria renditet mes vendeve më të varfra në rajon, me papunësi të lartë dhe mundësi të kufizuara ekonomike. Segmente të tëra të shoqërisë besojnë se nuk kanë asgjë në dorë për të përcaktuar të ardhmen e vendit të tyre ose për të ndikuar te vendimet politike që kanë të bëjnë me interesat e tyre jetikë. Shqipëria është një nga vendet që prodhon numrin më të lartë të emigrantëve. Rreth 20 për qind e popullsisë është larguar nga vendi që nga fillimi i viteve ’90. Dhe siç kemi parë me valën e fundit të emigrantëve, Shqipëria po humbet shumë nga qytetarët e saj që janë pjesa më vitale e popullsisë. Humbja e shpresës dhe përkeqësimi i gjendjes ekonomike, janë tregues që Shqipëria mund të jetë në prag të humbjes së garës mes mundësive ekonomike dhe pakënaqësisë. Ka shumë faktorë që shpjegojnë përparimin e dobët demokratik të Shqipërisë: mungesa e një kulture demokratike, trashëgimia komuniste, dhe dobësia ekonomike.

Por, pa dashur të minimizoj rëndësinë e tyre, nuk ka asnjë dyshim se shumë prej vështirësive me të cilat përballet Shqipëria janë pasojë e drejtpërdrejtë e qëndrimeve dhe vendimeve të elitave të saj qeverisëse. Gabime, dështime, politika jo të drejta, dhe raste të humbura kanë qenë tipare të përbashkëta të qeverive demokrate dhe atyre socialiste. Korrupsioni, paligjshmëria e përhershme dhe dështimi për të forcuar shtetin ligjor, përbëjnë një kërcënim serioz për vetë ekzistencën e demokracisë në Shqipëri. Korrupsioni ka hedhur rrënjë në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe të shoqërisë. Mbajtja e një posti publik ose në administratë është kthyer në rrugën më të mirë për t’u pasuruar. Pasuria dhe pushteti janë përqendruar në duart e një grupi të vogël.

Drejtësia shihet si një nga institucionet më të korruptuara në Shqipëri. Korrupsioni dhe mungesa e shtetit ligjor mishërohen më së miri te kriminalizimi i parlamentit dhe te paturpësia se si zyrtarët përpiqen për të ndikuar te vendimet e gjykatave. Rrallë ndodh që zyrtarë të zgjedhur apo të emëruar të ndëshkohen për abuzim pushteti, korrupsion apo shkelje të tjera. Prandaj nuk është për t’u habitur që publiku nuk ka shumë besim te fushata e qeverisë kundër korrupsionit dhe te kryerja e reformave të thella në drejtësi. Siç thekson edhe raporti i fundit i Komisionit Europian, Shqipëria duhet të bëjë shumë më tepër për të forcuar shtetin ligjor, për të intensifikuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për funksionimin e duhur të institucioneve të shtetit, për të pastruar Parlamentin nga elementët kriminalë dhe të korruptuar dhe për të realizuar reforma të thella në drejtësi. Shqipëria ndeshet me një numër sfidash të ndërlikuara të cilat do të vënë në provë aftësitë udhëheqëse të politikanëve të tanishëm dhe do të përcaktojnë nëse Shqipëria do të arrijë të konsolidojë plotësisht demokracinë e saj.

Rezultatet e demokracisë në Shqipëri

Mangësitë në politikën e brendshme dhe të jashtme kanë bërë që Shqipëria të jetë e fundit në vendet e Ballkanit për të hyrë në Bashkimin Europian (BE). Diplomacia në Shqipëri ka funksionuar në interes të klaneve politike dhe interesave personale. Duhet një bashkëveprim i gjithanshëm institucional për vënien e Interesave Kombëtare me strategji për funksionimin e demokracisë në Shqipëri. Mediat janë në funksion të grupimeve politike dhe jo në favor të interesave kombëtare. Situata e shqiptarëve në rajon edhe më gjerë është kaotike sepse politika shqiptare nuk ka një bosht orientues ose më saktë një strategji në mbrojtje të interesave të tyre. Gjendja ekonomike jo e mirë dhe mosfunksionimi i mirë i organeve të policisë dhe drejtësisë kanë bërë një rend publik të pasigurt. Shqipëria në raport me vendet fqinje ka marrëdhënie relativisht të mira por këto kanë qenë të kondicionuara nga klanet politike për interesat e tyre ekonomike, pra përqendrimi i pasurisë për një kategori të vogël. Politika shqiptare duhet të mësojë nga gabimet dhe eksperienca e vendeve më të zhvilluara. Kjo pasqyrohet në mosfutjen tonë në BE, korrupsionin e lartë në gjithë nivelet, varfërinë ekonomike etj… Përse është kaq e vështirë të ketë një vizion elitar të qartë për zhvillimin e Shqipërisë? Edhe sa kohë duhet të vazhdojmë kështu?! A e meritojmë këtë?

Sfidat për demokracinë në Shqipëri

Në terma të thjeshtë, ky hulumtim ka për qëllim të shqyrtojë demokracinë e një shteti të vogël, përcaktimin konsensual dhe legjitim të orientimeve politike mes marrëdhënieve politike ndërkombëtare. Duke u fokusuar në periudhën pas Luftës së Ftohtë, ky studim pranon se demokracia erdhi si rezultat i ndryshimeve politike në skenën ndërkombëtare. Ky ndryshim hapi një periudhë më shumë fluide të bashkëpunimit ndërkombëtar gjatë së cilës konsensusi është shfaqur si një kërkesë kyçe e aksionit politik. Fokusi kryesor për këtë studim është paaftësia e klasës politike dhe lidershipit të cilat kanë formuar vazhdimin dhe intensifikimin e polarizimit të ashpër politik. Studimi është eksplorues në natyrë dhe ka për qëllim të ofrojë njohuri të rëndësishme në dinamikat dhe ndërveprimet e faktorëve të ndryshëm për mosfunksionimin e demokracisë në Shqipëri.

Për fat të keq, Shqipëria e ditëve moderne është larg një vendi model demokratik dhe kjo ngre pyetjen: Çfarë shkoi gabim? Kush është përgjegjës për këtë situatë? Sa rol kanë intelektualët? Ku kanë gabuar lidershipet e politikës shqiptare? A ka mësuar politika shqiptare nga gabimet? Sa funksionale është sot demokracia në Shqipëri? Ka disa nivele analize ku mund të shfaqen sfida për shkak të faktorëve të ndryshëm. Një sfidë për shtetet e vogla dhe veçanërisht ato të Europës që synojnë hyrjen në Bashkimin Europian mund të jenë interesat jo të përbashkët ekonomikë dhe politikë, gjë e cila e bën më të vështirë vendimmarrjen edhe në fazat e mëvonshme. Një sfidë tjetër është implementimi i politikave të BE-së në rastin tonë, gjë kjo e cila është shqetësim për kapacitetet e një shteti si Shqipëria në realizimin e tyre. Analiza bëhet duke përfshirë aktorët kryesorë, që në këto raste janë qeveritë e vendeve të vegjël por edhe aktorë të tjerë si ata mbinacionalë ose nënnacionalë.

Analiza teorike e demokracisë dhe elementeve të saj përbën një prej qëllimeve kryesore të studimit. Ky hulumtim bëhet duke shqyrtuar me kujdes elemente të tilla me rëndësi të çdo shteti, përfshi edhe burimet natyrore, të kombinuara këto me efektet e ndikimit të sistemit ndërkombëtar, faktorët dhe aktorët politikë të Shqipërisë. Një metodologji cilësore është mjeti më i përshtatshëm dhe efektiv për t’iu adresuar objektivave të këtij studimi me synim përgjigjen e pyetjeve kryesore që janë ngritur. Ky studim synon të shpjegojë sjelljen e demokracisë e parë nën efektin e zhvillimit të shteteve të tjera dhe të variablave të brendshëm dhe të jashtëm, të cilët mund të krijojnë situata të ndryshme dhe të veçanta në sjelljen e këtyre shteteve në sistemin ndërkombëtar. Një numër aspektesh janë të adresuara në punim për t’ju përgjigjur pyetjeve kryesore dhe për të realizuar një studim sa më sistematik dhe gjithëpërfshirës. Diapazoni i fokusimit diskutohet nga titulli i çështjeve dhe niveli i analizës. Pas kësaj bëhet adresimi i çështjes së shteteve të vegjël dhe diskutohen materialet në mbështetje të këtij argumenti që do të bëhet brenda kornizës teorike të kërkimit.

Zgjedhjet e bëra dhe gabimet e tyre

Dinamikat që karakterizuan vendin në marrëdhëniet me botën pas luftës ishin thjesht kacavjerrje nga një shtet në tjetrin për të siguruar mbështetje dhe ndihma teknike dhe ushtarake. Kjo ishte e ndikuar nga nevojat dhe kuadri gjeopolitik kombëtar dhe ndërkombëtar i sistemit bipolar të Luftës së Ftohtë. Pas prishjes me BS ekonomia pati një rënie të konsiderueshme dhe Shqipëria gradualisht ndoqi rrugën drejt vetizolimit ndërkombëtar duke u mbyllur nga të dyja anët, si nga lindja edhe nga perëndimi. Shqipëria e vogël ofronte rrugën drejt hapjes së Kinës. Kina e madhe ofronte rrugën drejt mbijetesës së Shqipërisë. Nevojat gjeopolitike dhe jo parimet e as interesat strategjikë afatgjatë qëndronin në themelin e koniunkturës shqiptaro-kineze.

Kina e përdori Shqipërinë si një instrument sado modest në rrugën e saj për të zhbllokuar izolimin ndërkombëtar politik dhe ekonomik ndërkohë që Shqipëria po hynte në kolaps ekonomik. Në këtë dobësim rolin kryesor kishte degradimi i ekonomisë si pasojë e militarizimit të skajshëm të saj, por edhe goditjet politike të lidershipit ushtarak shqiptar. Prishja e marrëdhënieve me Kinën ishte rruga drejt vetizolimit total dhe i shteroi resurset ekonomike të vendit. I kombinuar me thellimin e luftës së klasave dhe rënien totale të ekonomisë vetizolimi ishte përgatitja e shembjes së komunizmit në Shqipëri thjesht si një kolaps i brendshëm. Kjo situatë e komplikuar, bëri që vendi të hynte në një rreth të mbyllur duke ndikuar mjaft rëndë në strukturat e sigurisë dhe duke patur një kosto të lartë, ekonomike dhe ushtarake. Në vend që gradualisht të hapej dhe bashkëpunonte me vendet e Perëndimit Shqipëria ngeli e vetme as andej e as këtej.

Si erdhi demokracia në Shqipëri

Periudha e tranzicionit të vendit ishte në mënyrë të qartë me ulje-ngritje, me ristrukturime, reformime dhe amatorizma që kulmuan me kriza të thella të sistemit të sigurisë kombëtare të cilat ndodhnin në një mjedis të pasigurt rajonal, plot me tensione dhe luftëra. Politikat e ndjekura ishin konfuze dhe me shumë pasoja negative. Këtu ndikoi edhe fakti që në krye ishin njerëz të cilët nuk e njihnin sistemin e ri në të cilin po hynin. Duke ardhur nga një sistem krejt ndryshe, përgatitja e tyre ishte e papërshtatshme për sistemin e ri të demokracisë. Në fundin e viteve ‘80 ekonomia ishte totalisht e paralizuar, pas vdekjes së Enver Hoxhës, Ramiz Alia u shfaq më i butë, zvogëloi luftën e klasave e gjithnjë e më shumë evidentonte të metat e sistemit. Filloi të kuptojë e mendojë se ekonomia duhej drejtuar me të tjera ligje e njerëz të aftë në të gjitha fushat. Komunistët konservatorë dhe të paaftë të cilët përfitonin më shumë nga shoqëria nuk ishin dakord. Në fund të tunelit intelektualët dhe populli i thjeshtë po shihnin një dritë të vogël jeshile. Në tubime të vogla e të mëdha Ramiz Alia nxirrte në pah mos zbatimin e vijës së partisë, paaftësinë e drejtuesve në parti e pushtetet dhe pengesat ligjore e partiake të sanksionuara edhe në kushtetutë. Me sa duket R. Alia e shihte me vëmendje drejtimin e shtetit Kinez ku ekonomitë e vogla dhe të mëdha lejoheshin të bënin dhe aktivitete private. Ndërkohë Bashkimi Sovjetik (BS) po rrokullisej me shpejtësi Mihail Gorbaçov e kuptoi që ekonomia më e madhe dhe më e fuqishme në planet po shkonte në rënies.

Liritë dhe të drejtat e njeriut mungonin, të gjitha fushat e jetës si pasojë e sistemit ishin bërë inekzistente. Me zgjuarsinë filozofike dhe politike që kishte Mihail Gorbaçovi pranoi dhe bëri shkatërrimin e sistemit komunist, pranoi dhe lejoi ndryshimin e sistemit në të gjitha shtetet e bllokut komunist. Mbi të gjitha ai lejoi shpërbërjen e shtetit më të madh në botë në disa shtete në mënyrë demokratike. Këto ngjarje Ramiz Alia i ndiqte me vëmendje dhe bënte analiza e nxirrte konkluzione. Ai shihte hap pas hapi se si shtetet komuniste rrëzoheshin njëri pas tjetrit pa dhunë e me dhunë. Ai nuk mund të mos e kishte në vëmendje rastin e Rumanisë ku pushteti u rrëzua me dhunë dhe udhëheqësit u ekzekutuan. Ai e dinte shumë mirë se Shqipëria ishte vendi më i varfër në Europë; ndërsa në kampin socialist ishte Rumania më e varfra. Mund të themi me siguri se Ramiz Alia ishte i parapërgatitur për ndryshimet që do të vinin në Shqipëri. Jo vetëm kaq por ai ka patur disa variante për të bërë kalimin nga diktatura në demokraci. Ai ka udhëhequr dhe drejtuar të gjitha etapat e kalimit të pushtetit nga diktatura në demokraci.

Vitet e diktaturës kanë qenë vite të tmerrshme për popullin. Nën parimin e luftës së klasave Enver Hoxha ushtroi vazhdimisht mbi popullin dhunë fizike, ekonomike, politike dhe psikologjike. Këto veprime vazhdimisht e karikonin popullin me ndjenjën e urrejtjes ndaj sistemit. Herë pas here në mënyrë sporadike ato shfaqeshin dhe shtypeshin me egërsi. Në fundin e viteve ‘80 në Kavajë flitej hapur për varfërinë ekonomike dhe po në Kavajë i gjithë stadiumi në ndeshjen Partizani-Besa protestoi ndaj sistemit. Të ndikuara nga fjalimet e Ramiz Alisë intelektualët filluan të shkruajnë artikuj nëpër gazeta për problemet e ndryshme ekonomike-sociale dhe politike në Shqipëri. Në Kavajë protestat antiqeveritare po arrinin kulmin dhe populli vërshoi i tëri në rrugë e sheshe duke thyer xhamat e të gjitha dyqaneve. Ishte protestë kundër regjimit, kundër varfërisë dhe mohimit të të drejtave të njeriut. Diktaturës komuniste po i vinte fundi, revolta popullore po përhapej edhe në qytetet e tjera Shkodër, Tiranë, Durrës. Filloi me protestat e studentëve me kushtet e jetesës nëpër konvikte dhe ambientet e tjera. Nga dita në ditë protestat shkallëzoheshin më shumë.

Dukej sikur ishin spontane, pa udhëheqës por ato menaxhoheshin dhe monitoroheshin nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm. Populli filloi të bashkohet me studentët, po ashtu edhe intelektualët. Shumë emra intelektualësh me prejardhje komuniste filluan të lakohen në krye të protestave. Ramiz Alia u shpërndan gjithë organizatave të partisë një material në të cilin jepeshin udhëzime për menaxhimin e protestave dhe marrjen e drejtimit ekonomik të vendit po nga komunistët në vazhdimësi. U lejua pluralizmi, u formuan shumë parti, por në krye të tyre ishin po komunistët. Realiteti i mëvonshëm e tregoi më së miri një gjë të tillë. Nuk janë të rastit dhe spontane takimet e Ramiz Alisë me udhëheqësit e partive para e pas formimit të tyre. Gjithçka menaxhohej nga anëtarët e byrosë së vjetër politike nëpërmjet emisarëve të tyre. Pas vendosjes së demokracisë asnjë funksionar i lartë partie apo pushteti nuk u dënua e as diktatori Enver Hoxha. U bënë disa gjyqe qesharake për televizorë, kilogramë kafeje dhe sheqeri. Si gjithmonë edhe në vitet e tranzicionit në vendet kyçe të ekonomisë ishin komunistët të cilët rrjedhimisht përfitonin të parët dhe më shumë nga privatizimet.

Edhe në krye të ekonomive bujqësore ishin komunistët, ata udhëhoqën dhe menaxhuan procesin e ndarjes së tokave. U krijua një klasë e re politike por me koncepte antikombëtare. Përse duhej të shkatërroheshin hekurudhat, kombinatet, uzinat kimike e mekanike të naftës ku punonin me qindra e mijëra punëtorë? Disa ishin me teknologji të vjetra por disa i rezistonin kohës. Në punë e sipër teknologjitë e tyre mund të përmirësoheshin duke rritur rendimentin dhe cilësinë e produkteve. Ky shkatërrim i gjithë industrisë është një krim ekonomik i pashlyeshëm i të gjithë klasës politike. Me teorinë e çuarjes në zero të çdo pasurie që dispononte populli, të gjithë ngelën pa punë; të gjithë humbën shpresat për jetën. Mundësia e vetme u bë emigrimi. Shqiptarët morën arratinë nëpër male, dete; me qindra u mbytën dhe vdiqën. Mbi një milion shqiptarë emigruan në Greqi, Itali, Gjermani, Amerikë etj… për një jetë më të mirë. Këto veprime kanë qenë fillimi i demokracisë në mënyrën më të keqe te ne.

Vitet e para të demokracisë në Shqipëri

Vitet e para të demokracisë papunësia ishte kryefjala e ditës, çdo gjë ishte shkatërruar. Në vitet 1993-1994 u ndjenë efektet pozitive të emigracionit. Filloi një bum i madh ndërtimesh në të gjithë vendin, por mbi të gjitha në Tiranë, Durrës, Vlorë, Fier dhe në gjithë bregdetin. Kryetarët e bashkive të etur për para shfrytëzonin çdo gjë që kishin në dorë, ndërtimet u bënë pa një plan urbanistik me leje dhe pa leje duke krijuar probleme të mëdha mjedisore. Ndërtimi u bë industria më fitimprurëse dhe ligjore. Duke parë leverdinë e madhe të ndërtimit u krijuan firma e shoqëri të mëdha ndërtimi sidomos nga njerëz me pushtet. Të gjithë ndërtonin me leje e pa leje në troje me pronarë të ligjshëm ose pa pronarë. Askush nuk i ndalonte dot. U betonuan të gjithë qytetet e mëdha.

Plazhi i Durrësit u shkatërrua plotësisht. Po ashtu edhe plazhet e tjera në gjithë Shqipërinë. Ndërtimet tashmë i janë afruar deri në disa metra afër bregut të detit. Mungojnë hapësirat për lulishte, për parqe lodrash e për të moshuarit. Lulishtet e mëdha që ishin janë eliminuar komplet. Emigrimi vazhdonte nëpërmjet tokës e detit; njerëzit kërkonin vetëm të largoheshin për një jetë më të mirë. Dolën në skenë pronarët e gomoneve dhe trafikantët e qenieve njerëzore. Emigrimi monitorohej nga pushtetarët. Me miratimin e heshtur të pushtetit filluan të lindnin firmat piramidale. Si ishte e mundur që shteti të lejonte një absurditet të tillë në heshtje? Shumë njerëz shitën pasuritë e tyre për të futur lekët në firmat piramidale. Bankat po humbnin funksionin e tyre.

Asnjë institucion nuk doli në mbrojtje të pasurisë së popullit që po shkatërrohej. Pronat nuk u kthyen pothuajse asnjëherë. Disa herë u paralajmërua për rrezikun e madh të firmave piramidale. Shteti pak nga pak filloi të jepte sinjale reagimi duke dhënë këshilla për t’iu qëndruar larg këtyre firmave. Por fluksi shtohej më shumë dhe radhët bëheshin më të gjata. Sistemi politik nën ndikimin e regjimit të vjetër ishte i paaftë të reagonte. Disa donin të përfitonin nga firmat në fillim dhe disa donin të përfitonin nga rrëmujat e krijuara më pas. Shpesh ata udhëhoqën edhe kryengritjen dhe hapjen e depove të armëve të cilat u bënë shkak i trazirave të mëdha. Populli kërkonte lekët e humbur ndërsa politikanët marrjen e pushtetit. Shkatërrimi total pasoi falimentimin e firmave piramidale. Armët ranë në dorë të bandave dhe njerëzve me një nivel të ulët arsimor. Gjendja ishte shumë e rëndë dhe në prag të një lufte të vërtetë civile. Njerëzit merrnin armë në shtëpitë e tyre për tu mbrojtur nga njëri-tjetri. E gjithë kjo ndodhi prej paaftësisë së njerëzve në pushtet. U formuan parti të shumta nga grupe njerëzish që kërkonin të përfitonin nga gjendja e krijuar.

Mungesa e demokracisë në parti e bënte të pamundur lindjen e një demokracie të vërtetë popullore. Pasojat e sistemit të vjetër të kombinuara me sfidat e reja që u krijuan në mënyrë të pavetëdijshme dhe instinktive çuan në një situatë të tmerrshme në vitin 1997. Çdo gjë kolapsoi dhe i gjithë sistemi ynë i sigurisë kombëtare u shkri. Ngjarjet e ’97 qenë tragjedi shumë e madhe. Me mijëra ishin ata që zgjidhjen e kërkonin në emigrim. Jeta ishte e pasigurt si nga ana ekonomike ashtu edhe nga gjendja tepër e rënduar e rendit publik. Me qindra ishin ata që humbën jetën në det. Në atë vit ne ishim shtet pa shtet ku brenda disa ditëve gjithçka u shkatërrua: u dogjën dhe u shkatërruan institucionet; u shkatërrua ushtria; u hapën dhe u vodhën rezervat e shtetit në të gjithë vendin; u vodhën armët dhe popullsia u pajis me armë të të gjitha llojeve. Si pasojë e këtyre veprimeve u krijuan premisa për një luftë civile të paimagjinueshme. Natyrisht kjo menaxhohej nga grupe të caktuara për interesat e tyre në dëm të interesave të gjithë kombit shqiptar.

Natyrshëm lind pyetja: Cilët janë përgjegjës? Kush u ndëshkua për këtë dështim? A ka nxjerrë politika shqiptare mësime nga gabimet? Në radhë të parë përgjegjëse kryesore është qeveria. E dyta të gjithë politikanët shqiptarë. Ata nuk qenë të aftë të bënin një politikë të brendshme dhe të jashtme për sigurinë dhe mbrojtjen kombëtare. Ndërhyrja ndërkombëtare bëri të mundur krijimin e një stabiliteti të brishtë politik i cili vetëm një vit më vonë tregoi paaftësinë për të menaxhuar situatën me sulmet ndaj godinave qeveritare. Sërish ishte faktori i jashtëm ai që i futi në rrjedhë politikanët shqiptarë dhe kjo vazhdoi gradualisht në vitet e mëvonshme me balancimin e asimetrive që ishin krijuar. Kjo siguroi qëndrueshmëri dhe i hapi rrugën integrimit në NATO. Fakti i integrimit të Shqipërisë në NATO automatikisht e rriti sigurinë kombëtare por nuk mbylli aspak idetë konfliktuale në politikën shqiptare edhe pse me hyrjen në këtë aleancë rritet përgjegjësia e çdo shteti për të kontribuar në sigurinë e brendshme, rajonale dhe ndërkombëtare.

Në veprim është procesi i ndërtimit të identitetit të shumëfishtë dhe kalimi nga identiteti shtetëror nacional drejt identitetit global, proces i cili para qeverisë dhe politikës do shtronte kërkesa tërësisht të reja. Kryesorja është gjetja e mënyrave efektive të reagimit të organizuar të shteteve që ndodhen në një pozicion tepër delikat për sa i përket zhvillimit të tyre ekonomik, sikurse janë sidomos shtetet e vogla, me qëllim që proceset demokratike e sociale të institucioneve të tyre nga njëra anë dhe të shoqërisë së tyre nga ana tjetër, të gjejnë balancat e duhura në mënyrë që t’u përgjigjen sfidave që shtron fillimshekulli XXI. Nevoja për dialog midis popujve dhe besimeve, është bërë më e theksuar prej ngjarjeve që kanë ndodhur në vitet e fundit. Kjo veçanërisht është tepër e ndjeshme për shtetet e vogla që kanë ndryshuar regjimin dhe ku klasa politike nuk ka qenë mjaft e përgatitur për të përcaktuar balanca sa më të goditura, duke e orientuar sigurisht ekonominë dhe jetën e vendit për nga integrimi, por edhe duke ruajtur detyrimet prestigjioze por edhe atribute të domosdoshme të mirëqeverisjes së vendit.

Pra, përgjegjësia fillon nga brenda jashtë dhe jo nga jashtë brenda. Askush nuk mori përgjegjësi dhe askush nuk u dënua, por pati vetëm ndërrim rolesh. Seleksionimi i kandidatëve ka qenë jotransparent dhe jo në bazë meritash. Pothuajse gjithmonë zgjedhjet kanë qenë të manipuluara. Te ne flitet për demokraci por ajo nuk ka ekzistuar asnjëherë. Shumica e të zgjedhurve nuk kanë pasur arsimin e duhur për të bërë të mundur ecjen e vendit përpara. Edhe pas 25 vjetësh ne akoma jemi vend i varfër, nisur nga të dhënat (duke u renditur në vendin e 145 në botë për këtë tregues nga rreth 200 shtete që njihen zyrtarisht nga OKB; rreth 8.000 dollarë për frymë), Shqipëria është një shtet i vogël dhe madje, për shkak të disa treguesve, mund të cilësohet shtet relativisht i dobët, me pasuri natyrore të përçudnuara, me popull që trajtohet si dele për t’i marrë votën dhe një klasë politike të pafytyrë, e cila e ka katandisur në këtë gjendje. Ky është produkti i shoqërisë sonë.

*Universiteti i Tiranës, fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, kumtesë e mbajtur në Ditët e Studimeve Shqiptare, pranë UET, 2016

Shkruar Nga
More from Redaksia

“Rrugët”, ish-ministri Sokol Dervishaj dëshmon te Krimet e Rënda

  Një tjetër ish-minister i Transporteve i LSI Sokol Dervishaj eshte paraqitur në Prokurorinë...
Read More