Fahri Balliu: Kritikët e Bashës kanë qenë një parti brenda PD-së

Këndvështrimi i botuesit Fahri Balliu për rezultatin e zgjedhjeve të 25 qershorit dhe kritikat e ashpra ndaj personazheve të rëndësishëm të PD-së, që sot kanë dalë kundër Bashës. Ku gaboi lideri demokrat sipas Balliut dhe fushata që duhet të kishte qenë më agresive dhe denoncuese ndaj fenomenit të kanabizimit dhe kriminalizimit, që ndikuan në rezultatin e votimeve

“Një pjesë, me emra konkretë, si kritikë të Bashës, jo vetëm që në fushatë në pjesën më të madhe janë angazhuar kundër, por ata kanë qenë për mospranim të Bashës edhe pa këto zgjedhje. Komunikimi i tyre me Edi Ramën, prokuroren e asaj kohe dhe segmente të tjera ka qenë një dashuri perverse” 

Në zgjedhjet e 25 qershorit u konfirmua qartë fitorja e PS-së me 74 mandate deputetësh. Pse erdhi ky rezultat, i beftë edhe për shumë analistë? Kujtojmë që edhe vetë Rama si objektiv, ndoshta maksimal, kishte synimin për të siguruar 71 mandate …

Ky rezultat erdhi jo si logjikë, po si një përfundim i strukturuar nga arsye apo fakte. Ky rezultat erdhi nga disa deformime serioze. Deformimi i parë është pjesëmarrja e ulët në votime, ku spikat ajo shtresë shoqërore që i përket fluksit të djathtë. Dhe si i tillë, ky rezultat nuk i përgjigjet të vërtetës. Një deformim tjetër ishte ndërhyrja e ashpër në shitblerjen e votës. Ka prova të pakontestueshme, legale, ku vota kalon në anën po themi të dhunës financiare. Për shkak të një varfërimi ekstrem të trupës votuese dhe për shkak presionesh të mirëfillta, si vendi i punës apo frikëra me origjinë nga burime ku segmentet delinkuente kanë pushtet. Ka edhe arsye të tjera, më të holla, me rol të dytë apo të tretë, por një gjë është e saktë; që ky nuk është rezultat i vërtetë. Dhe këtë do ta tregojë fati i qeverisjes së ardhshme, e cila është e kërcënuar nga obeziteti i mandateve. Mandatet e tepërta janë një “dhjamë” i rrezikshëm për shëndetin e qeverisjes.

Gjatë fushatës, Rama nuk parashtroi program të detajuar për qeverisjen e ardhshme, por u përqendrua në kërkesën ndaj qytetarëve, deri në lutje, që t’i jepnin PS-së dhe atij të vetëm “timonin” e qeverisjes. Përse kjo kërkesë ngjiti tek elektorati?

Të pranosh që kjo ngjiti, do të thotë të kundërshtosh të parën dhe të pranosh sëmundjen majtiste të trupës elektorale ose jointeligjencën e votuesit. Unë mendoj se nuk kemi të bëjmë me ngjitje, por kemi të bëjmë me një pasojë të shumë e shumë dukurive të tjera, mes të cilave s’duhet të harrojmë 300-400 mijë emigrantë forcë aktive që u larguan nga Shqipëria gjatë mandatit të parë të PS-së. Mungesa e tyre ishte shumë e rëndësishme. Ata janë një pjesë e shkolluar përgjithësisht, aktive, inteligjente, por e lodhur nga jeta në Shqipëri. Shpresëhumbur, ata ikën dhe këtu kanë lënë një pasojë tragjike.

Të kthehemi te Partia Demokratike, e cila njohu rënie të ndjeshme të votave dhe kapi nivelin e saj minimal në 26 vite si forcë kryesore politike. Nuk frymëzoi lideri demokrat Lulzim Basha apo janë faktorë të tjerë që çuan në humbjen e bllokut opozitar, në veçanti PD-së?

Lideri Basha, veçanërisht me Çadrën dhe gjatë fushatës, praktikisht shënoi rritje si aksion politik. Dhe këtë e thoshin të gjithë. Befasisht, kur humbja rezultoi serioze, për të mos thënë ato që unë thashë më lart, iu sulën Bashës. Kjo nuk do të thotë se Basha nuk ka përgjegjësi, por kjo do të thotë se një pjesë, me emra konkretë, si kritikë të Bashës, jo vetëm që në fushatë në pjesën më të madhe janë angazhuar kundër, si në Qarkun e Korçës, veçanërisht në Bilisht dhe ndonjë bisht në Pogradec, por ata kanë qenë për mospranim të Bashës edhe pa këto zgjedhje. Ndërkohë, që nga 2013-a dhe deri në zgjedhjet e tanishme, nuk u bë kurrë një analizë e dramës që shkaktoi humbja e rëndë në Qarkun e Korçës, të Shkodrës, të Vlorës, deri në humbje të simboleve të demokracisë, si Kavaja… Përgjegjësit e këtyre humbjeve, gjatë katër vjetëve ose ishin bashkëpunëtorë të hapur të Ramës, veçanërisht në përkrahjen e tij në strukturat e BE-së, përfitues të jashtëzakonshëm nga sistemi financiar i Ramës dhe mbi të gjitha blenë fajin e vetë me një heshtje opozitare dhe një jetë dyfishe; ditën në grupin parlamentar të PD dhe pastaj në trenin e pushtetit të Ramës. Këto gjëra kanë ndodhur në një sipërfaqe modeste, nga kryeministria te Blloku, nga TEG-u te “begu”. Mirë do të ishte që analiza e 2017-s të lexohej edhe si një goditje vertebrale që i dha PD-së humbja e 2013-s.

Gjatë tre muajve qëndrim në Çadrën e Protestës, Lulzim Basha mbajti një linjë të vetme, duke kërkuar dorëheqjen e Ramës si kryeministër, më pas pranoi ofertën e Ramës dhe dërgoi 6 ministra teknikë në dikastere të rëndësishme. A ishin garanci të mjaftueshme që zgjedhjet do të ishin të lira dhe ndershme? Nëse jo, mund të konsiderohet një lëvizje e gabuar e kryetarit të PD-së?

Pranimi i paketës “Mc Callister” ishte një bashkëpunim i fuqishëm i Partisë Demokratike me faktorin ndërkombëtar. Rrethanat që detyruan Ramën të dilte nga kursi arrogant ndaj opozitës ishin një kontribut i të gjitha forcave politike, ku një rol të shquar në mbrojtje të fateve të vendit dhe të demokracisë luajti LSI-ja, që në momente kruciale sakrifikoi nga vetvetja në drejtim të stabilitetit dhe kundër marrëzisë së Ramës për të hyrë në zgjedhje pa opozitë. Janë shumë të panjohura për publikun përpjekjet e kësaj periudhe, ku segmente të rëndësishme politike, të brendshme dhe ndërkombëtare po shkonin verbazi në kahjen e marrëzisë së Ramës. Duke shfrytëzuar sidomos Reformën në Drejtësi. Prandaj, nëse do t’i njihja një gabim Lulzim Bashës në këtë çështje, ajo do të lidhej me nevojën e toneve më të forta dhe një racionalitet më i lartë në lëshimet që iu kërkuan Ramës. Ajo që quhet “teknikalitet”, në këto raste ka më shumë rëndësi se i gjithë projekti. Megjithatë, pasi ndodhin gjërat, është një situatë krejt ndryshe nga premiera e tyre.

Pas marrëveshjes së 18 majit, Basha zbuti tonet kritike ndaj qeverisë dhe gjithnjë e më pak preku çështjen e kanabizimit të vendit, përfshirjes së elementëve kriminalë në zgjedhje apo probleme të tjera që lidheshin me qeverisjen 4-vjeçare të dyshes Rama-Meta. A e penalizoi PD dhe Bashën ky ndryshim “kursi”? Kujtojmë që u krijua perceptimi se cilido të ishte rezultati do kishte një bashkëqeverisje PD-PS.

Për mendimin tim, këtu kritika ndaj Bashës arrin masën më të drejtë të saj. Në dijeninë time, qeveria Rama ka prerë 38 mijë fletarreste gjatë 4 vjetëve. Kjo është një shifër tronditëse për kalvarin e njerëzve të thjeshtë. Padyshim, Basha kanabisin duhet ta kishte fokusuar, sepse pasojat e tij nuk janë vetëm në çastin që mbillet apo mblidhet, por ato vazhdojnë dhe janë një dramë e madhe për shoqërinë shqiptare edhe për të ardhmen. Por, kur e mendoj reagimin e trupës votuese, e cila është ajo që i vuajti edhe fletarrestet, edhe kanabisin, më shkon mendja se s’do kishte luajtur ndonjë rol. Ka ardhur koha që disa të vërteta marksiste, disa teza marksiste lidhur me trupën e votimit që quhet herë popull, herë komunitet, herë sovran, duhet të jemi më realistë për sensibilitetet dhe defektet e tij. Se, ti thua sovrani dhe sovrani s’të del në votim. Apo nga sasia e miellit apo e eurove, devijon vektorin e votës. Gjithsesi, në këtë pikë vlen të nxirret mësim serioz. Personalisht, kam mendimin që kurdo që thua të vërtetën, nuk ke gabuar. Këto tezat “jo s’duhet thënë”, “jo marrëveshja…”, “jo fryma…”, “jo ndërkombëtarët…” s’vlejnë. Asnjë ligj në botë nuk e cenon fuqinë e të vërtetës.

Partia Demokratike është futur në një kaos dhe krijuar grupime pro dhe kundër Bashës. Disa prej kritikëve përqendrohet në normat që kjo parti kishte formësuar që në vitin 2013, ku kryetari dha dorëheqjen e parevokueshme pas humbjes së zgjedhjeve. Ndërkohë Basha bëri të kundërtën, ku jo vetëm nuk dha dorëheqjen, por tashmë është kandidat kryesor për t’u rizgjedhur si kryetar i PD-së.

Këtë tollovi e shkaktojnë totalisht shkelësit e të gjitha normave statusore të PD-së, të ligjit kur kanë qenë pushtetarë, të moralit që kanë treguar kudo ku kanë lëvizur; nga jeta private deri te jeta publike. Njerëz që s’kanë mbajtur asnjë përgjegjësi për urrejtjen që kanë ngjallur te demokratët, veçanërisht në 4 vitet e fundit të qeverisjes së Berishës, dhe sidomos 2 vitet e fundit, aleanca që ata bënë me pushtetin e Ramës, për të mbyllur aferat korruptive, i bën sot të kenë detyrimin që ta sulmojnë Bashën. Basha ka bërë një gabim fatal, që edhe kur e dinte se ish-ministri i tij, deputet në grupin parlamentar, është ortak punësh të zeza me kryehajdutin 12-vjeçar të bashkisë së Pogradecit apo me një nga monstrat e pushtetit të Ramës, Arben Ahmetajn, nuk i ka kërkuar llogari atij. E të mos vazhdojmë me histori më të vjetra se kaq, për të thënë këtë ide: do të mjaftonte roli i tyre në këtë fushatë, që të kuptosh lidhjen thjesht të ftohtë të vetëm prapanicës së tyre me Partinë Demokratike, të cilën e kanë kuptuar vetëm si një lopë që do ta mjelin ata për vete, për dhëndrin, për djalin e tezes, për shoferin… për këdo. Harron ndonjëri prej tyre që kur futesh te Sali Berisha kryeministër për të sulmuar ndonjë person, përdorte termin “e vrava”. Dhe ky që “vritej”, nuk bënte pjesë në klanin e 3 ministrave dhe nuk vuante nga sindroma e “dashurisë për shpirtziftët” që villnin zjarr ndaj Sali Berishës. Ja, kaq është historia e tyre, historia e njerëzve që i kishin thënë lamtumirë PD-së, librit, ndjenjave njerëzore, mirënjohjeve, vlerësimit real të kontributeve të të tjerëve. Një pushtet kriminal, brenda një ëndrre të madhe politike që quhej PD dhe një lideri historik, Sali Berishës.

Kritikët, që janë emra të njohur të PD-së të afirmuar në tetë vite qeverisje, tashmë janë bashkuar në një bllok kundër Bashës, a rrezikon që pas disa kohësh këta individë të krijojnë një parti tjetër? Nëse po do, e dëmton kjo PD-në?

Këta kanë qenë një parti brenda PD-së. Mjaft të kujtojmë ato tekstet e tyre në të gjitha kafenetë dhe restorantet e Bllokut, deri në Arabinë Saudite. Tabela e qitjes së tyre ka qenë Sali Berisha. Në kohën e koalicionit me LSI-në, komunikimi i tyre me Edi Ramën, prokuroren e asaj kohe dhe segmente të tjera ka qenë një dashuri perverse dhe një nëpërkëmbje e madhe për militantët dhe qëndrestarët e PD-së. Kjo nuk do të thotë se një pjesë e tyre, në segmente kohe të caktuara janë pa kontribut. Padyshim, po qumështi i mbledhur në një kohë, kur i bihet me shqelm, nuk është më qumësht. Lufta kundër Lulzim Bashës është luftë kundër PD-së, që ata e duan për vete, është kundër Sali Berishës, që ata janë mësuar ta shajnë nëpër restorante apo nëpër vila pushimesh, nëpër kazino… Këtu përjashtoj ndonjërin që kur e lusnin në 97-n në PD-në e martirizuar, ai blinte speca tek Ura e Lanës dhe thoshte: “s’kam punë me të”. Tani, nga specat, është njëri nga njerëzit më të pasur të Ballkanit. Asnjë parti e krijuar jashtë PD-së nuk e dëmton PD-në, e pastron, e filtron, edhe këta vetë i bën më të sinqertë, më të vërtetë…

Cili duhet të jetë roli i PD-së si opozitë në Parlament nga shtatori dhe në vazhdim? Një opozitë agresive me denoncime dhe kritika, apo një opozitë e cila të ofrojë alternativa dhe të zbresë në bazë për të “rigjetur” elektoratin?

Për mendimin tim, Partia Demokratike, në kushtet e opozitës, ka pasur dhe ka një traditë shumë të mirë, edhe defektoze. Për mua në radhë të parë, duhet të merret me ristrukturimin nga anëtari i thjeshtë, në grupseksion e deri te kryetari, ku lënda njerëzore, e zgjedhur apo e propozuar për në piramidën e saj, të ketë vetëm një bazë, autoritetin moral dhe qëndrestar, si dhe aftësinë në inteligjencë dhe arsim. Propozime që përfundojnë atë të PD-së në koordinator të PS-së duhet të ndëshkohen ashpër. Në parlament, duhet një opozitë me fakte, me dokumente dhe duke mos e lejuar kalimin e skandaleve, nga i pari, tek i dyti, tek i treti… Grupi parlamentar, i dalë nga këto zgjedhje, spërfaqëson pjesën më qendrestare, më të ndershme, më të vetëdijshme, më të pakorruptuar të elektoratit shqiptar. Këta deputetë, përveçse duhet të jenë krenarë për zgjedhësit e tyre, duhet të jenë të palëkundshëm, të pathyeshëm përballë atyre që kanë në ballë eurot e kanabisit etj. Unë besoj se në një kohë shumë të shpejtë, obeziteti politik i Ramës do të japë simptoma të cilat do të sjellin një ndëshkim historik, ku zakonisht ata që janë në karrige e përjashtojnë. Por logjika e fakteve dhe e të vërtetës, të rikthehet me të njëjtën fuqi, me të njëjtën masë që ke abuzuar.

Intervistoi: Sebi Alla

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Arresti kardiak, çdo vit vdesin tre mijë persona

Doktor Skënder Brataj, drejtor i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore,...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *