Fakte dhe të dhëna interesante për Heroin Kombëtar në 550-vjetorin e vdekjes

 
 Kryeministri Edi Rama e nisi ditën e sotme duke postuar një foto të vulës së akteve shtetërore të Skënderbeut.

“Mirëmëngjes dhe me këtë imazh spektakolar të vulës së akteve shtetërore të Gjergj Kastrioti Skënderbeut (që mund ta kundroni sot në sallën e krijuar enkas në Pallatin e Kongreseve, në këtë 17 janar të 550-të të vdekjes së Heroit Kombëtar), ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Ndërkohë gazetarja Rudina Xhunga ka publikuar në portalin e saj Dritare.net disa pjesë interesante nga intervista me historianin e ndjerë, Kristo Frashëri për Skënderbeun:

Nga ishte Skënderbeu?

“Sipas dëshmive dhe jo legjendave, Skënderbeu si familje ishte dibrane, nga fshati Çidhën. Janë 5 breza që dokumentohen me akte që kanë jetuar në këtë fshat. Fshati Kastriot ka marrë emrin e familjes, që do të thotë ‘mbrojtës i kështjellës’. Kjo është një çështje lokale, fakti kryesor është që ai është shqiptar. Dhe ata të huaj që e kanë përvetësuar, si grekët, serbët e me radhë, kjo nuk e ul Skënderbeun, por e ngre aq shumë saqë edhe ata duan ta kenë të vetin. Por, fakti që luftoi si shqiptar e për Shqipërinë, atë askush nuk e ka mohuar. Skënderbeu themelet e shtetit nuk mund t’i vendoste në Dibër, që ishte një zonë e izoluar. Atij i duhej një vend që ta kishte fytyrën nga Evropa. Kruja ishte qyteti më i përshtatshëm për këtë periudhë historike të shtetit shqiptar. Me fytyrë të kthyer nga Adriatiku, nga Italia, me komunikime shumë të lehta me viset italiane. Kruja kishte traditën e një qendre politike. Këto janë arsyet përse Skënderbeu e zgjodhi Krujën dhe vendosi selinë e shtetit të vet”.

Sa i gjatë ishte Skënderbeu?

“Si edhe forma e shpatës që është e harkuar, e atë mund ta përdorin veç ata që janë trupmadh. Pastaj kemi një të dhënë shumë interesante, një stof që i vjen nga Venediku. Dhe Skënderbeu që i thotë ‘ki parasysh trupin tim, se mua më duhen kaq metra, më shumë se një trup i zakonshëm. Sipas llogarive, Skënderbeu ka qenë jo më pak se 1.92 i gjatë. Ndërkohë i ati ishte trupshkurtër, e kjo tregohet edhe nga shprehja që përdorte Skënderbeu, ‘nga i vogli, lind edhe i madhi’”.

Sa fëmijë pati Skënderbeu?

“Ato vepra që shkruajnë se pati dhe një vajzë nuk janë të vërteta. Ishte vetëm Gjoni i cili lindi në vitin 1454, pra dy vjet pasi u martua. Pastaj kur vdiq Skënderbeu dhe ishte rreziku i pushtimit turk, ajo iku së bashku me 20 gra që kishin mbetur te veja. Shkoi nga Puglia dhe më pas në Spanjë, ku ka vdekur në Barcelonë, si zonjë nderi e mbretëreshës së Spanjës”.

Çfarë përfaqësonte shqiponja për Skënderbeun?

“Në Bizant, Perandori me dy koka përfaqësonte dy pushtete, ose dy perandori në një trup. Shqiponja me dy koka nuk është një përbindësh. Ato janë sy shqiponje njëra e kthyer nga lindja, e tjetra nga perëndimi. Të vendosura njëra mbi tjetrën, ato përputhen me trup e dallohen me kokë. Skënderbeu në disa raste e quan veten zot i Arbërisë dhe i Epirit. Ndaj ka mundësi që të dyja këto të përfaqësohen me shqiponjën”.

Çfarë gjuhe përdorte Skënderbeu?

“Gjuha e përdorur nuk ka asnjë dyshim, që ishte shqip. Në të shkruar ende nuk kishte arritur të bëhej shqipja, ashtu si shumë gjuhë të tjera të Evropës. Por, në kohën e Skënderbeut kemi fillimet e shkrimit shqip. Jo si gjuhë e përdorur masivisht, por kemi disa akte të cilat janë shkruar në shqip.

Sepse që të përdorej nga të gjithë ajo donte një shtet të konsoliduar, donte një arsimim të vazhdueshëm. Nuk kishte kohë në periudhën e Skënderbeut të bëheshin këto, as për gjuhën latine. Edhe ata që e mësonin e bënin jashtë vendit, nuk e mësonin dot këtu në Shqipëri.

Sepse vinin turqit dhe i fshinin të gjitha ato institucione që ishin krijuar. Në komunikimin e jashtëm Skënderbeu ka përdorur kryesisht latinishten. Në disa raste me italianët ka përdorur italishten, si edhe ka përdorur edhe sllavishten në një bankë, në Raguzë, (Dubrovniku i sotëm) atje ku i depozitonte paratë”.

Ku është varri i Skënderbeut?

“Ku është tamam varri i Skënderbeut, nuk mund ta themi, deri sa nuk janë gjetur ende prova. Kur erdhën turqit e prishën varrin dhe u morën eshtrat e Skënderbeut. Rëndësi ka që Skënderbeu ka një vendvarrim dhe një memorial dhe atje i kryhen të gjitha nderimet që i takojnë një heroi”.

Përse u martua Skënderbeu me Donikën?

“Martesa e Donikës me Skënderbeun, ishte martesë politike dhe jo dashurie. Martesë e cila solli si rezultat, që i ati i Donikës doli nga skena politike. Dhe gjithë pushtetin ia la nuses e më pas Skënderbeut. Kunetërit e saj u zemëruan dhe ikën”.

Çfarë ndodhi kur Skënderbeu shkoi për herë të fundit në Romë?

“Kur Skënderbeu shkoi për herë të fundit në Romë, ai ishte momenti kur Roma dhe shumë shtete të Evropës ishin të bindur se rezistenca shqiptare kishte marrë fund dhe çdo ndihmë që do t’i jepej Skënderbeut, ishin para të hedhura në det.

Ai u prit ftohtë, gjë që e zhgënjeu shume dhe e bindi qe që ata nuk besonin më se rezistenca shqiptare mund të përballonte sulmet e radhës.

Për këtë arsye i dhuroi edhe ato pak gjëra simbolike, që i dha Papa, duke i thene: ‘jepja më mirë të varfërve të Romës, sepse pashë shumë të tillë këtu. Ata kanë më shumë nevojë për ndihma, jo ne atje’.

Skënderbeu pranoi vetëm shpatën, të cilën nuk kishte si ta refuzonte, pasi ajo ishte për luftë”.

Cila është prejardhja e nënës së Skënderbeut?

“Nëna e Skënderbeut, Vojsava, është e bija e Princit të Pollogut. Tani se çfarë ishte ai Pollogu nuk e dimë, ishte shqiptarë, maqedonas, serb. Por, ata shqiptarë të Pollogut ata më kanë thënë mua, se Skënderbeu është nipi i tyre. Pasi është djali i vajzës sonë, Vojsavës. Por, nuk ka asnjë rëndësi nëse është maqedonase, apo çfarëdo kombësie tjetër. Skënderbeu lindi në Shqipëri, u rrit këtu dhe luftoi për Shqipërinë”.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Konflikti në Siri, Putin urdhëron armëpushim të pjesshëm ditor

  Presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar një ndërprerje ditore për qëllime...
Read More