Fallon: Ushtrimet ushtarake ruse – “provokim” për Perëndimin

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Michael Fallon, ka thënë se ushtrimet e ardhshme ushtarake të Rusisë së bashku me Bjellorusinë, synojnë “provokimin” e NATO-s dhe “testimin” e mbrojtjes së saj.

“Rusia po na teston dhe këtë po e bënë në çdo rast”, tha Fallon, gjatë një interviste për rrjetin BBC, dhe ka shtuar se “ne po shohim një Rusi më agresive dhe ne duhet të merremi me këtë”.

Sipas rregullave të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), të njohura me emrin, Dokumenti i Vjenës, vendet që ndërmarrrin manovra ushtarake me më tepër se 13 mijë ushtarë, duhet tu tregojnë paraprakisht shteteve të tjera dhe të jenë të hapura për observatorët.

Rusia dhe Bjellorusia thonë se në ushtrimet me emrin Zapad (Perëndimi) 2017, që do të mbahen në periudhën 14-20 shtator në Bjellorusi dhe në pjesën perëndimore të Rusisë, do të marrin pjesë 12,700 trupa.

Por, zyrtarët ushtarakë perëndimorë dhe ekspertët thonë se ky numër mund të jetë shumë më i lartë, dhe mund të arrijë deri në 100 mijë pjesëtarë të ushtrisë, që do të jenë të involvuar.

Rusia pretendon se shqetësimet perëndimore për këto ushtrime janë të pabaza dhe thotë se ato do të jenë mbrojtëse dhe nuk paraqesin rrezik për fqinjët e Rusisë, për NATO-n apo për Perëndimin.

“Ky është ushtrimi më i madh ushtarak i Rusisë për afro katër vite, janë më se 100 mijë ushtarë rusë dhe bjellorusë, në kufjtë e NATO-s”, tha Fallon, dhe ka shtuar se “kjo është e paraparë për të na provokuar, është paraparë për t’i testuaar mbrojtjet tona dhe për këtë arsye ne duhet të jemi të fortë”.

NATO-ja thotë se do t’i dërgojë tre vëzhgues në Bjellorusi dhe Rusi për monitorimin e ushtrimeve Zapad 2017, por ka kërkuar disa herë nga të dy vendet që të lejojnë monitorim më të gjerë të manovrave.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i ka bërë thirrje Rusisë që të jetë “plotësisht transparente”, duke i thënë rrjetit BBC, se Rusia ka histori të “mosraportimit” adekuat për numrin e ushtarëve në ushtrimet e saj dhe për “përdorim të lëshimeve në marrëveshjet ndërkombëtare për evitim të vëzhgimit ndërkombëtar”.

“Ne kemi parë se Rusia ka përdorë ushtrime të mëdha ushtarake për maskim ose parahyrje për aksione agresive ushtaake kundër fqinjëve të vet”, tha Stoltenberg, dhe ka shpjeguar se “kjo ka ndodhur në Gjeorgji në vitin 2008, kur ata e invaduan Gjeorgjinë dhe ka ndodhur në Krime në vitin 2014, kur ilegalisht e aneksuan rajonin ukrainas të Krimesë”.

Ministret e Mbrojtjes së Gjermanisë dhe Francës, javën e kaluar në kryeqytetin, Talin të Estonisë, e kanë dënuar ushtrimin Zapad 2017, duke thënë se Moska po synon të tregojë fuqi ushtarake në kufijtë NATO-s dhe të Bashkimit Evropian.

“Është veçanërisht e rëndësishme që në këtë kontekst të riafirmohet prania jonë në ballafaqim me këtë demonstrim që po e bëjnë rusët, e që është një strategji e frikësimit”, tha ministrja franceze e Mbrojtjes, Florence Partly.

“Është e pakontestueshme që ne të shohim demonstrimin e kapaciteteve dhe fuqisë së rusëve”, tha ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, dhe ka shtuar se “secili që dyshon vetëm le ta shikojë numrin e lartë të forcave pjesëmarrëse në ushtrimin ushtarak Zapad: më tepër se 100 mijë”.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se është e “befasuar nga deklarata e ministres der Leyen, që ka bërë akuza arbitrare për 100 mijë trupa ruse dhe për kërcënim të fshehtë për Evropën”.

Para disa ditësh, kjo Ministri tha se shefi i shtamadhorisë së ushtrisë së Rusisë, Valery Gerasimov, e ka shfrytëzuar një takim në Baku të Azerbajxhanit, me kryesuesin e Komitetit ushtarak të NATO, Petr Pavel, për ta siguruar atë për ushtrimet ushtarake ruse.

Gerasimov i ka thënë zotit Pavel se ushtrimet e përbashkëta me Bjellorusinë janë “shumë përpara të planifikuara dhe defensive” dhe nuk “janë kundër ndonjë vendi të tretë”, kanë raportuar agjencitë ruse të lajmeve.

NATO-ja tha se takimi në Baku “demonstroi interesin e qartë të dyanshëm për mbajtje të linjave ushtarake të komunikimit”, por nuk ka dhënë detaje se për çka ishte diskutuar.

Shkruar Nga
More from Revista User

Një film kundër Donald Trump..

Kandidati republikan Donald Trump mesa duket ka frymëzuar edhe regjisorin Michael Moore...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.