Fantazma e iliberalizmit kërcënon Europën. Po Shqipëria?

arjan-curi-fotoNga Arjan Çuri*

Siç pritej, referendumi për ndryshimet kushtetuese në Itali, të cilat synonin një kufizim të fuqisë së Senatit dhe gjetjes së rrugëve të reja për një stabilitet më të madh politik në Itali, tregoi qartë se Kryeministri Renzi e ka humbur shumicën e mbështetjes në popull. Edhe pse ai e lidhi ngushtë fatin e tij me atë të referendumit, sërish qëndroi në lartësinë e premtimit, dhe shpalli dorëheqjen në orët në vijim. Por, Renzi nuk donte aspak ta fshihte trishtimin dhe frikën për vijueshmërinë e zhvillimeve politike në vendin e tij, duke i uruar fat, të gjithë popullit italian.

Këto ngjarje sollën tronditjen e tregjeve italiane dhe euroaziatike, por edhe reagimet e para politike të liderëve të partive euroskeptike. Marine le Pen e Frontit Nacional në Francë, nuk vonoi të shfaqte hapur gëzimin e saj, duke shpresuar se vota e italianëve do t’i bindte francezët që ta votonin për Presidente në zgjedhjet e ardhshme, për të bërë të mundur politikat e saj antieuropiane dhe ksenofobike. Edhe në Itali, mbështetësit populistë të fushatës JO, po e tregojnë hapur ndjenjën e triumfit, duke bërë thirrje për zgjedhje të përgjithshme të menjëhershme, nën ligjin e vjetër elektoral, pasi do të favorizoheshin shumë më tepër.

Por ç‘po ndodh në Europë dhe pse njerëzit nuk u tremben më as paralajmërimeve të ekspertëve për pasojat negative të votës së tyre? Pse ata zgjedhin gjithsesi të votojnë në kundërshtim të arsyetimeve teknike, por të bindur pas fushatave populiste që theksojnë gjithmonë e më shumë zhgënjimin si pasojë e dështimit organik të familjes europiane? A do të shtohen akoma dhe si do të sillen partitë antiestablishment, të cilat kanë një tendencë të theksuar iliberale dhe izolacioniste në territorin europian? Dhe së fundi, a do të kenë këto zhvillime ndikim për lindjen dhe fuqizimin elektoral të të tilla partive edhe në Shqipëri?

Sigurisht, askush nuk e vë më në dyshim faktin që gjithmonë e më shumë, betejat elektorale po i fitojnë strategjitë e diskurset populiste, pasi popujt janë të lodhur e të zhgënjyer nga partitë klasike dhe politikanët që qëndrojnë gjatë në pushtet. Vota gjithmonë e më shumë po bëhet kundërshtuese, pa patur aspak qartësinë e asaj çka votohet. Argumentet po kthehen gjithmonë e më shumë në gabime logjike, duke votuar në bllok “ad hominem”, për të rrëzuar liderët e papëlqyer. Rasti i Italisë, ishte klasik, populli më shumë votoi kundër Renzit, se sa kundër reformave që ai propozoi. Por edhe politikat shtrënguese që imponojnë qendrat vendimmarrëse të Europës po i lodhin popujt, duke i shtyrë të mendojnë për një organizim të ri, të një familjeje europiane kombesh, më shumë se sa të një bashkimi shtetesh, siç ishte konceptuar deri tani.

Dhe më duhet të pyes, a është kjo zgjidhja që të çon vota antiliberale kur të ka mbytur zhgënjimi nga arritjet e mangëta të politikës tradicionale? A është revolucioni i kutive të votimit “ante portas”? Unë mendoj se po. Revolucionet në Spanjë, Greqi, SHBA, e tashmë në Itali, e shumë shpejt edhe në Francë, po tregojnë se një erë e re iliberalizmi dhe populizmi antiestablishment sapo ka filluar. Hemisfera perëndimore e globit po hyn në një mënyrë të re të arsyetimit politik, ku po vihen në dyshim dhe po rrëzohen njëra pas tjetrës partitë e vjetra, për t’ia lënë vendin të rejave, të cilat përdorin pikërisht hapësirat që u lë sistemi demokratik, për të ardhur në pushtet, e për të luftuar më pas, vetë demokracitë, pikërisht në themelet e tyre të lirisë, duke bërë të mundur instalimin e regjimeve të dyshimta, për sa i përket respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Lindjen dhe fuqizimin e këtyre partive antiestablishment, e shikoj si një rrezik të drejtpërdrejtë kundër demokracive që popujt europianë, gjatë shekullit të fundit i kanë konsoliduar me shumë mund dhe sakrifica.

Sigurisht që kjo erë e re iliberalizmi dhe populizmi ka filluar të ndihet edhe në vendin tonë. Parti apo lëvizje politike antisistemike, të cilat nuk hezitojnë të përdorin edhe metoda ekstreme propagandistike, kanë filluar dhe po i shfaqin hapur ideologjitë e tyre të ekstremit të majtë apo të djathtë. Dhe këtë e bëjnë lirshëm, duke shfrytëzuar lirinë e shprehjes dhe të tubimit që u garanton kushtetuta jonë demokratike. Është herët të flitet për mundësinë e një rritjeje të tyre elektorale, e cila do të jetë e papërfillshme në zgjedhjet që presim, por me kalimin e viteve, duke përfituar e duke thirrur për marrjen e shembullit nga tendencat populiste euroskeptike që po shfaqen rrezikshëm në kontinent, do të kemi rastin t’i dëgjojmë përfaqësuesit e këtyre partive edhe në parlamentin shqiptar.

Dhe nëse ndodh, që mbas disa vjetësh të marrin shumicën dhe rrjedhimisht qeverisjen e vendit, atëherë do të kemi mundësinë të shohim nëse vota jonë kundërthënëse si pasojë e zhgënjimit, pra revolucioni ynë i ardhshëm i kutive, do të na japë zgjidhen e pritur, apo do të na shpjerë në një zhgënjim akoma dhe më të madh, dhe në instalimin e “demokracive iliberale”, ku instituti i dorëheqjes, si ai i Renzit, do të harrohet, dhe do të duhet shumë më tepër sesa kutitë e votimit, për të shpëtuar prej këtyre regjimeve.

Kryeministri italian dha një leksion demokracie, edhe pse parandjeu rrezikun e destabilizimit politik dhe ekonomik që i kanoset me shumë gjasa Italisë. Pikërisht sepse ai beson te demokracia, që edhe nëse e bën të mundur instalimin në pushtet të partive të reja populiste antiestablishment, sërish tek ajo dhe nëpërmjet saj, do të mund të gjejmë edhe kurimin nga kjo pandemi populiste që po prek njerëzimin, mu në zemër të territorit ku lindi dhe u përhap dikur, që nga lashtësia, demokracia.

*Pedagog në Universitetin Europian të Tiranës.

Shkruar Nga
More from revista mapo

A po e tepron policia? Brenda bojkotit kuqezi…

Kryeministri Rama e cilësoi “një lloj barbarie” më 2011 arrestimin e katër...
Read More