Fasonët si një tregues i informalitetit në Shqipëri

Bizneset zgjedhin të jenë informale për shumë arsye, sepse ka disa barriera që i pengojnë ato të formalizohen. Vlen të përmendet se lufta ndaj informalitetit është një nga sfidat e qeverisë.

Nga Grisilda Miftari

Ekonomia informale në Shqipëri vazhdon të nënvlerësohet. Ekonomia informale është një nga problematikat kryesore të vendeve në zhvillim, dhe që ndikon drejtpërsëdrejti në klimën e të bërit biznes. Megjithatë, të dhënat për mbledhjen e taksave, sugjerojnë se ky vlerësim mund të jetë në anën e ulët, përkatësisht shifra korresponduese për Shqipërinë qëndron në më pak se 20 për qind. Arsyeja për ndryshimin e konsiderueshëm në performancë nuk është niveli i normave të taksave të vëna në Shqipëri (të cilat janë të krahasueshme me ato në vendet fqinje), por ndryshimi në efikasitetin e mbledhjes së taksave. Problematika më e madhe në Shqipëri lidhur me taksat ishin kontributet e sigurimeve shoqërore në vitin 2002 me 3.2.% të PBB-së. Bizneset zgjedhin të jenë informale për shumë arsye, sepse ka disa barriera që i pengojnë ato të formalizohen. Vlen të përmendet se lufta ndaj informalitetit është një nga sfidat e qeverisë. Ky studim nis me rishikimin e literaturës, i cili evidenton disa nga përkufizimet e informalitetit dhe metodat e matjes së tij. Më pas, ndalet tek informaliteti në Shqipëri, duke dhënë informacione lidhur me studimet më të fundit për informalitetin në Shqipëri, trajton aspektet ligjore dhe institucionale dhe sjell në vëmendje përpjekjet e qeverisë në luftën kundër informalitetit. Fokusi  i këtij studimi është sektori i fasoneve, një nga sektorët që ka ndikime të konsiderueshme në punësim, ekonomi dhe është cilësuar si një nga industritë më të prekura nga aspektet e informalitetit. Ndaj, nevojitet një analizë e paketës fason 2014, për të kuptuar balancën midis propozimit të bizneseve se çfarë kërkojnë dhe nismave të qeverisë lidhur me paketën lehtësuese të industrisë së regjimit të përpunimit aktiv (fason). 

Informaliteti si fenomen

Informaliteti cilësohet si një mënyrë e të jetuarit. Në shumë shtete, shumica e forcës punëtore nuk është e mbuluar nga mbrojtja e aspektit të punës, shpesh nuk janë konform me rregullat dhe ligjet. Informaliteti dhe aktivitetet që lidhen me të janë të rëndësishme, kryesisht për vendet në zhvillim. Gjithashtu, vlen të përmendet, se ndikimi i tyre është i madh. Vështirësia qëndron në caktimin e një përkufizimi të vetëm lidhur me informalitetin. Për shkak të një numri të madh aspektesh të aktiviteteve formale, themi se ekziston një mospërputhje në lidhje me konceptin e informalitetit. Përkufizimet e reja të informalitetit konkurrojnë me ato ekzistuese për të mbushur boshllëkun e koncepteve alternative të informalitetit. Kanbur, (2009) theksoi se informaliteti dhe formaliteti duhet të shihet në lidhje të drejtpërdrejtë me aktivitetin ekonomik, në prani të rregulloreve të caktuara. Një përkufizim i gjerë i ekonomisë informale është “të ardhura të paraportuara nga prodhimi i të mirave dhe shërbimeve ligjore, apo nga transaksione barter ose monetare, të cilat të gjithë këto aktivitete ekonomike duhet të jenë të taksueshme në momentin që ato raportohen te autoritetet përkatëse” (Schneider & Enste, 2000). Sipas (Haka, 2013) ekziston një dallim ndërmjet “ekonomisë gri” dhe “ekonomisë së zezë”, ku pjesë e ekonomisë gri përfshihen të gjitha aktivitetet që janë të ligjshme në parim, por për të cilat nuk paguhen taksa dhe sigurime shoqërore kurse në ekonominë e zezë përfshihen ato aktivitete që janë të jashtëligjshme, si: trafiku i armëve, drogës, prostitucionit etj. (OECD – Investment Compact for the Ministry of Economy of Albania, 2004) paraqet disa nga shkaqet që nxitin informalitetin, janë ndërhyrja e shtetit në treg në formën e taksimit, rregullave apo ligjeve të shumta në numër dhe shpesh kontradiktor, autorizime të shumta për leje, autoritete policore dhe mbështetje gjyqësore të pamjaftueshme, mungesë kontrolli të shpërndarjes së subvencioneve dhe incentivave për familjarët dhe firmat, një rregullore strikte e tregut të punës, moszbatimi nga ana e sipërmarrësve, ligjet që rregullojnë detyrimin tatimor, mirëqenien, dhe mbrojtja e mjedisit, mungesa e vullnetit nga ana e punonjësve individual për t’u formalizuar, në mënyrë që të vazhdojë të marrë një subvencion ose pension, globalizimi dhe efektet e tij në konkurrencë, imigrim dhe tregun e punës. Ajo më së shumti prek punëtorët sezonalë dhe punëtorët e pakualifikuar në ndërtim, transport, industrinë tekstile, bujqësi, tregti dhe shërbime.

Informaliteti në Shqipëri

Sektori informal është një çështje me rëndësi të madhe në Shqipëri, që prej fillimeve të tranzicionit të saj drejt një ekonomie tregu. Sipas raportit BEEPS V, informaliteti listohet si një nga tre pengesat e mjedisit të biznesit, së bashku me korrupsionin dhe elektricitetin. Në këtë raport, 40.2% e firmave të anketuara raportojnë konkurrencën e tyre kundër firmave që kryejnë aktivitete jo formale. Kjo konkurrencë është më e lartë të SME-të, ku konkretisht në këtë raport tregohet se, 41% e SME-ve konkurrojnë kundër firmave jo të regjistruara, krahasuar me firmat e mëdha të cilat janë në një përqindje më të ulët, konkretisht 27.8%. Sektori informal është një kontribuues shumë i rëndësishëm në punësim dhe prodhim në Shqipëri. Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës, 30 % e fuqisë punëtore të sektorit të ndërtimit është i punësuar informalisht. Shifrat janë të konsiderueshme dhe për sektorë të tjerë, e kjo vjen si rezultat i taksave të larta, mungesës së mbrojtjes së punës dhe konkurrencës të padrejtë midis kompanive të ndryshme. FIAA, ka realizuar një studim lidhur me klimën e biznesit në Shqipëri. Ky studim i është drejtuar, anëtarëve të kësaj shoqate, investitorë të huaj që operojnë në Shqipëri, por dhe me Ambasadat e Huaja dhe Dhomat e Tregtisë. Fokusi i këtij studimi lidhet me marrjen e feedback-ut dhe opinioneve e lidhur me mjedisin e biznesit në Shqipëri. Ndër problematikat më të mëdha të listuar, renditet dhe informaliteti dhe konkurrenca joligjore/jo e drejtë. Kjo është dhe një nga pengesat më të mëdha të të bërit biznes në Shqipëri, element ky që shpesh shërben si barrierë për investitorët. Studimi analizon problematikat specifike të cilësuara si faktorët që nxitin këto aktivitete informale. Sipas këtij studimi, legjislacioni i taksave dhe procedurat e taksave janë shpesh të komplikuara dhe të paqarta. Ata deklarojnë se shpesh taksat nuk paguhen, për shkak të një mungese informacioni lidhur me përfitimet që duhet çdo kush të marr nëse paguan taksat siç duhet. Raporti i fundit “Doing Business in Albania 2016” e rendit Shqipërinë 25 vende më poshtë se një vit më parë, duke e vlerësuar atë në pozicionin e 97 nga 189 shtete, pothuajse në pozicionet e fundit në Ballkan. Faktorët kryesor që ndikojnë në këtë listim janë mungesa e lejeve të ndërtimit, pagesa e taksave, kishte vështirësi në marrjen e një kredie, çështjet e pronësisë, pengesa për të bërë biznes në Shqipëri. (Doing Business, 2016). Sipas rezultateve të studimit 61% e bizneseve e pranojnë që të punosh me administrimin e taksave sjell kosto financiare për biznesin.

Forumi Kombëtar i Biznesit, (2015) thekson në raportin e tij se 66% e bizneseve të anketuara “Pagesën e punonjësve në kesh” e konsiderojnë si një praktikë shumë të mundshme. Gjithashtu, 61% e bizneseve “Raportojnë më ulët sesa fitimi real”. Lidhur me arsyet kryesore që pengon bizneset të operojnë në transparencë të plotë, NBF, deklaron se, nivelet e taksave, korrupsioni i zyrtarëve qeveritarë, dhe inspektimi i taksave bën të mundur që shpesh bizneset të kryejnë aktivitete informale. Kjo lidhet dhe me faktorët e listuara dhe nga studime apo raporte të tjera, p.sh. Rezultatet e BEEPS. Sipas Preçi & Kosta (2016, f.9) në lidhje me praktikat informale dhe shpeshtësinë e ndodhjes në sektorët në të cilat veprojnë ndërmarrjet, rezulton se punonjësit e bizneseve private paguhen me para në dorë (cash) në 2/3 e rasteve (66%), bizneset private punësojnë një punëtor pa një kontratë në pothuajse 2/3 e rasteve (63%) dhe bizneset private raportojnë vlera më të ulëta se sa xhiroja reale vjetore në rreth 2/3 e rasteve (61%).

Aspektet institucionale të Informalitetit

Në lidhje me informalitetin korniza institucionale përbëhet në njërën anë. Ministria e Financave, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, të cilat janë përgjegjëse për zhvillimin e politikave por kryesisht nëpër organet tatimore e doganore, si dhe inspektoratin e punës, të cilat janë përgjegjës për të vëzhguar zbatimin e legjislacionit të taksave, doganave dhe të punës. Një çështje tjetër në fjalë është zbatimi i duhur i ligjeve. Ekonomia informale është më e madhe ku institucionet janë më të dobët. Prandaj roli institucioneve është vendimtar në luftën kundër informalitetit. Autoritetet tatimore. Organet tatimore janë në frontin e betejës ndaj informalitetit, për të gjitha aspektet, jo vetëm evazion fiskal, por edhe mos deklarimin e punonjësve. Inspektorët e taksave janë zyrtarët kryesorë përgjegjës për ndjekjen e aspekteve të informalitetit dhe ndëshkimin e tyre. Në këtë drejtim, sjelljet e korrupsionit dhe administrata tatimore jo efektive dhe fleksibile, ka një ndikim të thellë në shkallën e informalitetit, duke krijuar në këtë mënyrë një ambient më konkurrues të biznesit. Autoritetet doganore. Autoritetet doganore ushtrojnë autoritetin e tyre kryesisht në kufijtë dhe vëzhgojnë jo vetëm zbatimin e legjislacionit doganor, por edhe legjislacionin tatimor për shkak se janë agjentë të taksave për TVSH-në dhe përgjegjës për akcizën. Inspektorati Shtetëror i Punës. Inspektorati i Punës mund të luajnë një rol shumë aktiv në drejtim të regjistrimit të fuqisë punëtore. Roli kryesor i ISHP-së, është të sigurojë zbatimin e duhur nga ana e punëdhënësve dhe punëmarrësve të legjislacionit të punës, si dhe për të kryer inspektimin e punës siç përshkruhet në legjislacionin përkatës. Pjesë përbërëse të kësaj inspektoratit janë edhe punëdhënësit e paregjistruar të përcaktuar si i punësuar, i cili kryen një punë të paguar, por jo të deklaruar.

Përpjekjet e qeverisë në luftën kundër informalitetit

Në kuadër të daljes publike të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, në lidhje me hartimin e një Strategjie me qëllim reduktimin e nivelit të informalitetit, e pashë të vlefshme për studimin tim, marrja e një informacioni zyrtar nga kjo Ministri. Në fillim të vitit 2015, Ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes e caktoi si prioritet të programit të vitit 2015, “luftën ndaj informalitetit”. Për këtë arsye, Ministria do të hartojë një strategji për këtë qëllim. Për të pasur një informacion më të detajuar në lidhje me pikat kryesore të strategjisë dhe për të marrë një informacion të saktë në lidhje me gjendjen e hartimit të kësaj strategjie, unë realizova një takim me Z. Bashkim Sykja, Drejtor i Departamentit për Sipërmarrjen në këtë ministri. Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte marrja e një informacioni në lidhje me mënyrën sesi ministria po operonte për hartimin e strategjisë dhe cilat do të ishin shtyllat kryesore të kësaj strategjie. Pas intervistës me Z. Sykja, rezultoi se Ministria është akoma në hapat e parë të hartimit të strategjisë. Ai pranoi se informaliteti është një çështje shumë serioze e qeverisë dhe prioritet i Ministrisë. Përveç kësaj, ai tha që niveli më i lartë i informalitetit vjen nga bizneset e regjistruara dhe jo nga ato të paregjistruarat.

Paketa fason

Paketa fason përfshin një grupim të madh nismash të ndërmarra nga Ministria e Zhvillimit ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, në 2014, lidhur me ofrimin e lehtësirave për Industrinë e regjimit të përpunimit aktiv. Tabela 1 tregon në mënyrë të përmbledhur disa nga propozimet kryesore të sektorit fason, dhe ligjet/udhëzimet e miratuara për to, apo dhe udhëzime, në proces miratimi. Pas procesit të intervistave të thelluara me 10 drejtues të bizneseve të industrisë fason, problemet që ata ngritën lidhen me nivelin e lartë të taksave; sipas tyre niveli i taksave është stimuli kryesor që ata dhe konkurrentët e tyre e shikojnë si të pajustifikueshme dhe zgjedhin të kryejnë aktivitete informale. Ata janë të bindur se zgjedhja e tyre ndikohet nga penalitetet dhe gjobat e shumta nga administrata tatimore. Ata e shikojnë si shumë të mundur faktin që informaliteti shfaqet në disa aspekte, qoftë si mosdeklarimi i plotë i punonjësve, në formën e mbajtjes së një punonjësi pa kontratë, deklarimi i pjesshëm i tij, duke e paguar atë pjesërisht cash, apo fshehja e fitimit real, etj., të gjithë këto janë forma të të fshehurit të detyrimeve tatimore. Shumë studime kanë treguar se besimi në qeveri dhe në cilësinë e shërbimeve publike ndikon në reduktimin e informalitetit, gjithashtu studiues të tjerë deklarojnë se në vendet me një nivel zhvillimi të lartë, kemi një tendencë drejt një niveli të ulët informaliteti. Të intervistuarit shprehen, se mosbesimi i tyre në transparencën e zbatimit të ligjeve i bën ata të jenë më të prirur drejt mos formalizimit. Jo vetëm kaq, por ata nënvizojnë dhe burokracitë e shumta si një nga pengesat e formalizimit. Ndaj, një rishikim i mirë i të gjithë propozimeve nga bizneset lidhur me paketat lehtësuese, kryesisht për çështjet që akoma nuk kanë marr plotësisht zgjidhje, si: Thjeshtimi i procedurave në Zyrat e Punës; Krijimi i një show room-i për rritjen e aksesit në tregjet ndërkombëtare; Rishikimi i tatim-fitimit i cili konsiderohet shumë i lartë; Lidhje automatike e të dhënave në një sistem online ndërmjet tatimeve dhe sigurimeve shoqërore. Rishikimi i taksave dhe tarifave vendore për terrenet dhe godinat, ku zhvillohet aktiviteti fason me qëllim që të kategorizohen me tarifë më të ulët ose në çmimin dysheme.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Finalja e dialogut Kosovë–Serbi

Nga Shkëlzen Maliqi Formati i dialogut Kosovë–Serbi, që për qëllim kishte normalizimin...
Read More