Fati i monarkive

Lufta e Parë Botërore fshiu nga faqja e Evropës katër nga dinastitë më të fuqishme që ka parë bota: Carët e Rusisë, Hohenzollernit e Gjermanisë, Sulltanët e Turqisë dhe Hapsburgët e Austro-Hungarisë. Tani që Gjermania naziste u shtri përdhe dhe Lufta e Dytë Botërore në kontinentin e Europës mbaroi, i vjen njeriut të dijë se cili fron e ka këtë herë radhën.

Nga Ismet Toto

Lufta e Parë Botërore fshiu nga faqja e Evropës katër nga dinastitë më të fuqishme që ka parë bota: Carët e Rusisë, Hohenzollernit e Gjermanisë, Sulltanët e Turqisë dhe Hapsburgët e Austro-Hungarisë. Tani që Gjermania naziste u shtri përdhe dhe Lufta e Dytë Botërore në kontinentin e Europës mbaroi, i vjen njeriut të dijë se cili fron e ka këtë herë radhën.

Duhet të mos harrojmë se kjo luftë nuk është si e para. Sikundër e kish thënë dhe i ndieri Presidenti Roozvelt në një nga fjalimet e tij, kjo luftë “është lufta e njeriut të vogël”, i cili sakrifikoi dhe jetën për të siguruar ato të katër ose pesë pikat e Kartës së Atlantikut. Kjo luftë ka karakterin e një kryengritjeje të madhe dhe popujt e shtypur nuk luftuan vetëm me invadorin fashist. Ata janë hedhur njëkohësisht dhe kundër padrejtësive shoqërore që janë bërë në kurriz të tyre, kundër gjithë institucioneve të së shkuarës që e kanë penguar popullin në udhën e vetëqeverisjes e të përparimit.

Këtu qëndron ndryshimi rrënjësor i kësaj lufte me atë të 1914-ës. Ndërsa në të parën u përmbysën vetëm dinasti që kishin humbur luftën, në të sotmen shohim një fenomen të kundërt. Disa nga fronet e sotëm, si p.sh. ay i Mbretit Pjetër të Jugosllavisë dhe ay i Mbretit Gjergj të Greqisë, u ka filluar t’u shkasë toka ndënë këmbë. Në procesin e rrëmbyer historik të këtyre vjetëve të fundit duket sikur popujt e shtypur patën rastin të çelën sytë një herë e mirë e të shohin se institucioni i ndryshkur monarkik është një formë regjimi që i mohohen të drejtat demokratike për të cilat ata derdhën kaq gjak në këtë luftë. Është e vërtetë se monarkia konstitucionale si e tillë në krahasim me despotizmën absolute që kish anë e mbanë Evropës përpara Kryengritjes Frënge, ka qenë një çap i mirë drejt demokracisë. Shembullin më të mirë se sa demokraci mund të arrijë një popull që e mban në këmbë monarkinë konstitucionale, është Britania e Madhe. Duke filluar që nga të drejtat e Magna Charta-s në shekullin e trembëdhjetë dhe nga Oliver Cromwell-i, që i preu kokën Karlit të Parë (1649), e gjer më sot, borgjezia engleze është munduar që t’ia shkurtojë sa më tepër Mbretit pushtetin dhe prerogativat e tij, të cilat e kanë rrënjën thellë në feudalizmën e Mesjetës. Është e vërtetë se sot parlamenti englez dhe qeveria që del nga gjiri i tij kanë arritur të jenë drejtonjësit kryesorë të politikës së vendit, po kjo nuk do të thotë se Mbreti është i zhveshur krejt nga fuqia e tij politike, që pushteti legjislativ dhe ekzekutiv është i tëri në duar të popullit, që sovraniteti i popullit është një dhe i pandarë, sikundër duhet të jetë në një demokraci të vërtetë. Populli englez nuk e ka njohur violencën e Kryengritjes Frënge dhe shtëpia Mbretërore e Windsor-it do të mbetet në këmbë edhe pas kësaj lufte, jo pse të gjitha të mirat e një demokracie të vërtetë mund të gëzohen ndënë hijen e një institucioni politik që ka lindur në feudalizmën e Mesjetës, po më tepër nga fakti se interesat e klasës së mesme dhe të lartë britanike janë të lidhura ngushtë me ekzistencën e Kurorës, ndënë hijen e së cilës qëndrojnë sot në këmbë perandoria dhe dominionet e “Commonwealth”-it britanik. Po të këtillë argumente mund të biem dhe për Fronin e Belgjikës ose për Mbretëreshën Wilhelmina të Holandës, e cila ka ndënë kurorën e saj ishujt e pasur holandezë të Oqeanit Pacifik.

Fronet që sot lëkunden në një det të pasigurt janë ato të vendeve që s’kanë patur rast të gëzojnë as të drejtat demokratike që mund të gëzohen brenda një monarkie konstitucionale pa tradita parlamentare ku mbreti ka bërë politikën e tij në kurriz të popullit dhe parlamenti ka qenë një kukull në duart e tij. Në një kategori të tillë regjimesh despotike hyjnë fare mira monarkitë e Ballkanit dhe ajo e Italisë.

Do të duket ndofta paradoksale që futa në këtë kategori dhe Mbretin Viktor Emanuelin e Tretë, që thonë se jo vetëm nuk e ka patur në dorë politikën e vendit, po ka qenë në të vërtetë një kukull në duar të Musolinit. Fakti është së Mbreti i Italisë ka patur shumë gjëra në dorë që nga viti 1922 e këtej. I trembur nga socializmi italian, ay lejoi Musolinin të bëjë të famshmen “La marcia su Roma”, dhe ka vështruar për njëzet e ca vjet me radhë se si sistemi brutal fashist shtypte çdo shenjë të parlamentarizmit italian. Sikur të mos i kishin pëlqyer aventurat e kryeministrit të tij ay e ka aq në dorë sa të mos e vinte në kokë kurorën e Abisinisë ose atë të Shqipërisë. E ka patur gjithashtu në dorë sa të mos e nënshkruante Paktin Tripalësh dhe të pranonte shpalljen e luftës kundër Aleatëve që e shpuri Italinë në katastrofën e sotme. Në fakt kur e pa se ylli i Aksit Romë-Berlin po perëndonte, ay e pati në dorë që ta bënte ushtrinë italiane të kapitullojë kundër vullnetit të Musolinit.

Këto faje të shtëpisë Savoia i njeh mirë tani populli italian dhe fakti është se të gjitha partitë antifashiste që u mblodhën vjet në kongresin e Barit, e shprehën botërisht urrejtjen që kishin kundër Mbretit. S’ka dyshin se rryma republikane ka filluar të marrë vrull në Itali dhe se çka për të ngjarë me shtëpinë Savoia tani që i tërë vendi u çlirua dhe njerëzit e uritur e të përgjakur nga raprezaljet gjermane zbritën nga Alpet dhe është një gjë që mbetet për të parë.

Sot në fitoren finale të Aleatëve, monarkitë e Ballkanit po kalojnë një krizë edhe më të mprehtë nga ajo e Italisë. Fakti që mbretërve të mërguar në Londër u është e ndaluar të kthehen në fronet e tyre përpara zgjedhjeve të përgjithshme tregon se sa kujtime të këqija ka lënë regjimi monarkik në popujt e uritur e të rraskapitur të Ballkanit dhe se sa me këmbëngulje duan këta popuj ta mbrojnë të drejtën e vetëvendosjes, të cilën e kanë fituar me gjakun që derdhën në këtë luftë.

Në ç’përfundim do të vinë regjencat e Akordit Tito-Subasiç dhe ajo e Damaskinos? A ka shenja në fazën e sotme politike që ka marrë Ballkani për një federacion të sinqertë të popujve të Ballkanit – kjo aspiratë e drejtë dhe logjike që ka qenë e penguar gjer dje nga klikat militariste të ish monarkive të Ballkanit? Ja dy pyetje që mundojnë, sot që “Rendi i Ri” i Gjermanisë naziste u thërrmua në copëra, studiozin e politikës së Ballkanit.

S’ka dyshim se klika e vjetër militariste serbe ka pësuar një disfatë të madhe në këtë luftë. Kjo klikë, e cila në 1903 pruri në fron Karagjeorgjeviçët dhe që ka vazhduar të ketë frerin e vendit në dorë dhe pas 1920-ës, kur u formua shteti Jugosllav, i ka marrë nëpër këmbë të drejtat më elementare demokratike të popujve të Jugosllavisë. E mëshehur prapa Frontit, prapa të ndierit Mbret Aleksandër dhe prapa Regjentit Pal, kjo klikë me serbomëdhenj, me Pashiçin, me Zivkoviçin dhe me Stojadinoviçin me shokë në krye, e ngriti në sistem shtypjen dhe persekutimet e popujve të Jugosllavisë duke filluar nga kroatët e gjer të kosovarët tanë. Është për të vënë re se pas Italisë vendi i dytë që u kthye në një absolutizëm është Jugosllavia, kur i ndieri Mbret Aleksandër vendosi në vitin 1929 ta prishë parlamentin, dhe e futi vendin ndënë tmerrin e diktaturës së Zivkoçit. Prova më e gjallë e natyrës antipopullore të kësaj monarkie u pa me rastin e invadimit gjerman, kur ushtritë e Mbretit dhe të gjeneralëve serbomëdhenj u shpartalluan në tre ditë si një organizmë e kalbur. Dhe kur popujt e Jugosllavisë e muarnë vetë flamurin e lirisë në dorë dhe krijuan një ushtri të tyre, Ushtrinë Nacionalçlirimtare të Mareshalit Tito, po kjo klikë monarkiste, e udhëhequr këtë herë nga Mihailloviçi dhe Nediçi me shokë, pranuan të bashkëpunonin dhe me okupatorin me qëllim që ta shuanin lëvizjen heroike të popujve jugosllavë për një Jugosllavi demokratike dhe federative.

Se ç’përfundime tragjike ka patur kjo tentativë e shëmtuar e këtij reaksioni për të mbrojtur privilegjet e klikës monarkiste këtë e ka mësuar tani e tërë bota. Sot Lëvizja Nacionalçlirimtare Jugosllave sikundër ka bërë dhe Lëvizja jonë Nacionalçlirimtare nëpër zjarrin e luftës mundi që ta zëvendësojë pushtetin e vjetër me një pushtet të ri të dalë nga gjiri i popullit, që është forma më e përparuar e një regjimi demokratik. Me tradhtinë e hapët që bëri klika monarkiste në këto vite kaq tragjike për popujt e Jugosllavisë, ylli i Mbretit Pjetër të derës së Karagjeorgjeviçëve është në të perënduar e sipër. Mareshali Tito e ka thënë në shumë raste se ay nuk luftoi për të prurë Mbretin përsëri në Fron dhe nuk ka të ngjarë që në zgjedhjet e përgjithshme që do të bëhen së afërmi, popujt e Jugosllavisë të sakrifikojnë të drejtat e tyre demokratike që i kanë fituar me gjak në këtë luftë për të vendosur regjimin monarkik.

Mbreti Gjergj hipi në fron pas plebishitit që u bë në Greqi në Nëntor të 1935-ës. Të gjithë e dinë se ç’pjesë luajti ushtria e Gjeneral Kondilisit në përgatitjen e këtij plebishiti dhe sot nuk ka njeri që të besojë se ky ka qenë një plebishit i vërtetë. Mbreti Gjergj ka mbretëruar për një kohë të shkurtër dhe në vitin 1922, si pasardhës i të atit, Kostandinit, i cili donte të rimëkëmbte Perandorinë Bizantine duke e hedhur popullin grek në një luftë që i kushtoi Greqisë atë maratonën e zezë që nga Ankaraja gjer në Izmir dhe më tepër se 150.000 të vrarë.

Në 1936, pa kaluar edhe një vit nga hipja e tij në fron, Mbreti Gjergj sjell në fuqi Gjeneralin Metaksa, i cili si Zivkoviçi, e prish parlamentin dhe e fut popullin liridashës grek ndënë diktaturën e tij. Po nuk kanë qenë vetëm grekërit ata që kanë qenë të tmerruar nga Gjenerali Metaksa. Na shqiptarët e njohëm këtë Gjeneral dhe klikën e tij të “megali idesë” në kohën e luftës Italo-Greke, kur radio e Athinës trumpetonte se Korça dhe Gjirokastra qenkëshin provinca greke. Këto klika monarkiste, të cilat u luftuan me heroizëm të madhe nga ushtarët e EAM-it, nga ushtarët e vërtetë të popullit grek dhe nëpër rrugët e Athinës, në kohët e fundit gjetën strehë te Gjenerali Plastiras dhe te Admirali Vulgaris me shokë dhe këndojnë këngën e tyre të çjerrë nga shpresa e kthimit të Mbretit në Fron. S’ka dyshim se gjendja sot në Greqi mbetet e errët. Fakti që EAM-i, lëvizja e vërtetë e popullit grek, nuk pati sukses të plotë që patën lëvizjet nacionalçlirimtare në Shqipëri dhe në Jugosllavi, nuk është një fatkeqësi vetëm për popullin grek, por për të gjithë popujt liridashës të Ballkanit që kërkojnë një vëllazërim të sinqertë në mes tyre. Me gjithë këtë grekërit nuk e kanë thënë edhe fjalën e tyre të fundit për çështjen e Mbretit dhe të klikave të Athinës që po përpiqen t’i mohojnë popullit liritë demokratike që i ka fituar me kaq sakrifica të mëdha në këtë luftë.

Është për të vënë re se më e shumta e mbretërve të Ballkanit nuk janë nga gjaku i popullit që kanë sunduar. Mbreti Gjergj e ka origjinën nga provincat gjermano-daneze të Schleswig-Holstein-it dhe e ka kaluar pothuaj tërë jetën e tij në Angli. Mbreti i parë modern i Bullgarisë ishte një Battenberges, ndërsa Mbreti i mitur Simeoni që ka sot Bullgaria, ka gjak Saxe-Coburg-Gotha. Mbreti Mihail i Rumanisë – i biri i Mbretit Karol, i dëgjuar për korrupsionin e madh që ushqente në oborrin mbretëror dhe në administratën rumune, është nga fisi i famshëm i Hohenzollernve.

E shumta e monarkive në Ballkan janë krijuar në shekullin e kaluar nga interesat imperialiste të Fuqive të Mëdha, të cilat krijonin monarkira duke dërguar princër dhe dukër të tyre që as i njihnin popujt që do të qeverisnin. Po një gjë e tillë na ndodhi edhe ne shqiptarëve kur na erdhi Princ Wiedi në Durrës. Natyrisht kjo politikë imperialiste e Fuqive të Mëdha ka patur konsekuenca tragjike për popujt e Ballkanit dhe si shembull mund të marrim Bullgarinë, e cila u hodh si në luftën e parë ashtu dhe në të tanishmen në prehrin e Gjermanisë imperialiste më tepër sepse shtëpia mbretërore është nga pak gjak gjerman.

Mbretërit e Ballkanit kanë qenë ndërlidhës në mes të imperializmës së Fuqive të Mëdha dhe shovenizmit të brendshëm. Pasiçin, Zivkoviçin dhe Mihalioviçin mund t’i marrim si shëmbëlla të shovenizmit të Frontit Jugosllav. Mbreti i Rumanisë duke ecur në udhën e Mbretit të Italisë, të Jugosllavisë dhe të Greqisë bie në fuqi diktaturën e Gjeneral Antoneskut, i cili e bën Rumaninë një vegël të Gjermanisë, anekson Besarabinë dhe do ta kthejë Odesën në një skelë rumune. Klika militariste dhe pro naziste në Bullgari me Filovin me shokë në krye, që ish shtylla e Mbretit Boris, anekson Maqedoninë dhe Trakën dhe kërkon të ndërtojë me ndihmën e bajonetave gjermane perandorinë e njëhershme të Car Simeonit. Gjenerali Metaksas mbajti të ndezur “megali idea” dhe monarkistët e sotëm të Athinës trumpetojnë “Vorio Epirin”, djegin e shkretojnë popullsinë e pafajshme çame. Ndjenja shoviniste mori kështu formën e saj më të mprehtë në monarkitë e Ballkanit dhe nuk është për t’u çuditur në se të tëra tentativat që kanë bërë këto monarki në të shkuarën për të themeluar një ententë ballkanike, kanë qenë në të vërtetë akte teatrale që mëshihnin qëllime të errëta shoveniste.

Ndofta është për t’u çuditur, por i vetmi Mbret që nuk ka qenë shoven është Ahmet Zogu. Në fakt ky bëri “Triumfin e Legalitetit” në Tiranë me mercenarë të Wrangel-it dhe duke i falur Pasiçit Shën Naumin dhe Vermoshin në Veri të Shqipërisë. Ky njeri, që nuk ka mundur të fitojë as kredinë e njohjes nga ana e Aleatëve, do të ishte gati t’i falte Greqisë Korçën e Gjirokastrën që të bënte një “Triumf të dytë të Legalitetit” në Tiranë. Mbi Ahmet Zogun qe mirë që të përktheja disa gjëra që ka shkruar shkrimtari amerikan John Gunther në librin e famshëm Inside Europe (fl. 370, 371, 372). Ky Mbret anakronik, thotë Gunther-i, që filloi si njeriu i Jugosllavisë dhe që pastaj ju shit Musolinit, shpenzon tre për qind të të ardhurave të vendit për familjen mbretërore dhe ka të depozituara në bankat e Zvicrës etj., më tepër se 20.000.000 fr.ari. Shuma e Guntherit duhet të jetë më se e vërtetë se pse sipas një gazete engleze, Zogu, ish-monarku i vendit më të vogël dhe më të varfër të Europës, njihet sot në Londër si më i pasuri i mbretërve që ndodhen në mërgim. Guri i fundit i Ahmet Zogut për t’u kthyer në Shqipëri qe Bazi i Canës. Po ky feudal i Krujës, duke vazhduar në udhën e mjeshtrit të tij, shtypi për pesëmbëdhjetë vjet me radhë çdo shenjë gjallërie në popullin tonë, u lidh ngushtë me kuislingët e Tiranës dhe bashkëpunoi me okupatorin, si bashkëpunuan dhe Mihailoviçi, Zerva dhe reaksionarë të tjerë monarkistë të Ballkanit, me qëllim që ta shtypte Lëvizjen Nacionalçlirimtare të popullit tonë.

Vërejtësi i ngjarjeve të këtyre vjetëve të fundit nuk ka pse të çuditet që Bazi i Canës zgjodhi udhën e tradhtisë, ose që sot Komisioni Qendror për Hetimin e Kriminelëve të Luftës e ka vënë në radhët e para të listës së kriminelëve të luftës dhe të armiqve të popullit. Bazi i Canës ish një feudal që ka tmerruar rrethin e Krujës dhe që përveç kësaj qëndronte për kthimin e Zogut në Shqipëri. Prandaj dhe sikur të kish mbajtur një qëndrim më të pastër politik në kohën e okupatorit, ay nuk do të kish arritur kurrë sa të bëhej sot një udhëheqës i popullit për liri dhe demokraci. Një gjë e tillë do të qe një absurditet.

Në kohën e Zogut populli ynë nuk gëzonte as liritë demokratike që mund të gëzohen brenda një monarkie konstitucionale dhe kryengritjet e një pas njëshme që u bënë brenda pesëmbëdhjetë vjetëve të sundimit të tij tregojnë se në ç’gjendje të mjeruar kish arritur populli. Reforma agrare, që u trumbetua nga Zogu me aq bujë që në vitin 1929, ish në të vërtetë një hi syve bujqërve e fshatarëve tanë, që vuanin ndënë thundrën e beut. Në fakt në vitin 1935 Drejtoria e Përgjithshme e Reformës Agrare i raportonte Kryeministrisë se përfundimi i gjithë aktivitetit të saj pesë-vjeçar, qe instalimi i ca “bujqëve proletarë dhe i ca emigrantëve kosovarë” në disa çifliqe malarikë të shtetit, në rrethet e Fierit dhe të Durrësit. Dhe në vitin 1927, një vit para se të bëhej Mbret, Zogu emëron si oficerë rezervë me të drejtë të veshjes së uniformës ushtarake dhe me gjysmë rroge 240 nga bajraktarët dhe krerët e fiseve të Veriut. Kështu politika e brendshme e Zogut bazohej në forcën e bajraktarëve dhe të bejlerëve dhe në të gjitha forcat e tjera antipopullore të vendit tonë.

Politika e tij e jashtme u duk sheshit që me traktatin e famshëm të 1926-ës, me të cilin e lidhi Shqipërinë këmbë e kokë pas Italisë imperialiste. Këtu vlen të përmendet një intervistë e famshme që bëri Zogu pas nënshkrimit të këtij traktati me të dërguarin e Giornale d’Italia (21 Janar 1927). “Na shqiptarët jemi latinë”, -tha Zogu në mes të tjerave, “Italia i ka dyert të hapura në Shqipëri për zhvillimin e saj ekonomik…”.

Me një servilizmë të tillë Zogu e përgatiti që nga 1926-a ditën e 7 Prillit. Ikja e tij e turpshme dhe e pabesë ditën e 7 Prillit dhe lënia e popullit në baltë në çaste aq tragjike bëjnë aktin final të tradhtisë që luajti Zogu në kurriz të popullit shqiptar. Këto gjëra i di mirë populli. “Legaliteti” dhe sikur Bazi i Canës të kish mbajtur qëndrim më të nderçëm dhe të mos qe futur thellë në udhën e tradhtisë, nuk do të bënte kurrë për vete shtresat përparimdashëse të popullit tonë. Sanksioni që u muar në Kongresin e Përmetit, që ndalon kthimin e Zogut në Shqipëri gjersa të bëhen zgjedhjet e përgjithshme, shpreh vullnetin e tërë shtresave demokratike e përparimdashëse të popullit tonë. Fakti që Zogu nuk mundi të fitojë në mërgim as kredin e njohjes së tij, tregon haptas se atë dhe kulishët e tij i njeh tani jo vetëm populli ynë, po edhe Aleatët tanë të Mëdhenj.

Sot me pushtetin e ri demokratik që dolli nga zjarri i Luftës Nacionalçlirimtare, na shqiptarët kemi zgjedhur udhën e një regjimi republikan dhe popullor. Populli ynë vendosi kështu në një përpjekje jete ose vdekje të hedhë themelet e një shteti demokratik nga më të përparuarit. Një prapakthim në një despotizmë si ajo e Zogut dhe e kulishëve të tij do të thosh humbja e lirive demokratike për të cilat u bënë kaq sakrifica në luftën tonë çlirimtare.

Dhe nuk është vetëm populli ynë ay që ka marrë udhën e një regjimi republikan dhe popullor. Lëvizja e rezistencës dhe e revolucionit degaullist në Francë për një regjim republikan më të përparuar nga ay që kish Franca përpara kësaj lufte, partitë e mëdha antifashiste dhe republikane në Itali, Lëvizja Nacionalçlirimtare Jugosllave për një Jugosllavi demokratike dhe popullore në Bullgari, në Rumani, në Çekosllovaki, në Hungari – ku qeveria provizore në Budapestin e çliruar është duke qëruar çdo shenjë të feudalizmës mesjetare të Regjencës së Horthy-t – gjer te qeveria e re provizore polake, janë që të gjitha lëvizje demokratike me të njëjtën frymë dhe tregojnë “luftën e njeriut të vogël”, që përpiqet të sigurojë liritë themelore të Kartës së Atlantikut. Dhe në është se flamuri i kësaj fryme të re përparimtare valoi për herë të parë mbi malet e Ballkanit, kjo provon se sa të shtypur kemi qenë ne Ballkanasit nga regjimet monarkike të së kaluarës.

Në zjarrin e madh të luftës së sotme, trazira e madhe dhe e përjetshme e kazanit ballkanik filloi më në fund të kthjellohet, u bë ndarja e logjikshme dhe e pa ndalur në mes të popullit dhe klikave sundonjëse. Popujt e Ballkanit s’e kanë kuptuar kurrë më mirë se sa në çastin e sotëm historik se nuk mund të ketë përparim dhe vetëqeverisje duke patur në krye mbretër dhe klika sundonjëse, që në kohë paqeje e marrin popullin nëpër këmbë dhe e futin ndënë grushtin e diktaturës e të despotizmës dhe në kohë agresioni, kur atdheu shkelet nga fuqira imperialiste, marrin funksione kuislinge dhe bëhen vegla të okupatorit. Kurrë më mirë se në çastin e sotëm historik nuk është dukur kaq qartë fakti se nuk mund të flitet sinqerisht për ententa dhe për një vëllazërim në Ballkan gjer sa të mos hidhen jashtë si rrecka të vjetra klikat dhe shovinizmi i tyre, gjer sa nuk ngrihen vetë popujt e t’i japin dorën njëri-tjetrit. Kështu shpjegohet dhe fanatizmi që kanë treguar popujt e shtypur të Ballkanit në luftërat e tyre nacionalçlirimtare. Ballkanasit duan paqe, liri dhe vëllazërim. Duke lëftuar një armik të përbashkët, okupatorin dhe klikat reaksionare, ata përpiqen që të çimentosën një vëllazërim të sinqertë me njëri tjetrin dhe njëkohësisht sigurojnë në shtëpitë e tyre konditat e domosdoshme të demokracisë për të cilën lëftuan. Të djegur nga eksperienca e hidhur e së shkuarës dhe nga provat e mëdha që kanë kaluar në këtë luftë, ata e shohin si drita e diellit se monarkitë kanë qenë negacioni i aspiratave të tyre demokratike dhe një rimëkëmbje e sistemit monarkik në Ballkan, e kësaj mbeturine të feudalizmit mesjetar, do të thosh një triumf i ri i fuqive të reaksionit ndërkombëtar dhe do ta kthente këtë pjesë të Europës në tragjedinë e së shkuarës.

“Bota e re”, korrik 1945, marrë nga libri “Larg dhe afër”, me parathënie të Nevila Nikës, botimet “UET Press”

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Shqipëri-Greqi, fqinj i mirë, fqinj i keq

Marrëdhëniet zyrtare Shqipëri-Greqi, të kushtëzuara nga humori politik. Nga kërcënimet për veton...
Read More