Fation Shehu: Studimet e mia në UET i plotësuan të gjitha pritshmëritë e mia

Fituesi i Çmimit UET Alumni 2018 Fation Shehu, tregon se zgjedhja që ka bërë për të studiuar në Universitetin Europian të Tiranës u bazua te besueshmëria dhe reputacioni që ky universitet ka, duke i plotësuar të gjitha pritshmëritë e tij deri në ditën e fundit të studimeve.

Si u ndjetë në momentin që dëgjuat emrin tuaj si më i votuari për Çmimin e Karrierës UET Alumni 2018?
Ishte një kënaqësi e veçantë. Ishte një vlerësim motivues për të ardhmen. Mbi të gjitha, një prestigj, duke ditur personalitetet që ishin kandidatë.

E prisnit që UET Alumni të të votonin duke të shpallur fitues?
Për mua ishte vlerësim edhe fakti që isha mes 10 kandidaturave. Më pas, shpallja fitues, më dhuroi më shumë emocione.

Sa ka ndikuar edukimi por dhe formimi yt akademik në UET në rritjen tuaj profesionale?
Median time e kam quajtur “VIP”, por është ironi për mënyrën se si njerëzit i konceptojnë vipat. VIP e kam vënë si bashkim i tre shtyllave të rëndësishme. Vërtetësi, Integritet, Profesionalizëm. Dhe pikërisht këto shtylla i lidh me formimin akademik. Nëse ke marrë formimin e duhur, ke kapacitetin për të qenë profesionist dhe nëse je profesionist, e ke të lehtë të kesh integritet. Gjithçka lidhet me edukimin…

Kur nisët studimet, si e morët vendimin të zgjidhnit një universitet privat dhe veçanërisht UET-in?
Zgjedhja ka qenë e bazuar te besueshmëria që kisha te personalitetet e stafit akademik dhe tek ambicia e investitorëve për të krijuar një Universitet lider për cilësinë. Ishte një raport i bazuar te besimi dhe që koha tregoi se ishte zgjedhja e duhur, pasi kualiteti profesional në mësimdhënie ka qenë i nivelit maksimal. Po ashtu si edhe zgjerimi infrastrukturor, që tashmë pasqyrohet me vepra.

Çfarë gjetët diçka – të keqe ose të mirë – që nuk prisnit në UET?
Gjeta seriozitetin për të pasur tolerancë zero në vlerësime. Ishte Universiteti që në atë periudhë theu tabunë, sa i përket mentalitetet që vlerësimi me nota në Universitet privat do ishte i lehtë. Kjo rriti edhe besimin tim për të ardhmen e zgjedhjes që kisha bërë dhe mbi të gjitha, për të pasur një nivel të lartë kërkese llogarie.

Kur ndoqët programin mësimor të ciklit tuaj të studimeve, si ishte në raport me pritshmëritë tuaja në atë moment?
Siç e thashë, bëra një zgjedhje me besim, i cili u kthye maksimalisht. Niveli ishte mjaft i lartë.

Pasi kryet studimet dhe nisët tentativat e para në botën e punës, çfarë instrumentesh ju dhanë studimet për të avancuar më tej?
Unë kam qenë në raport pune edhe gjatë kohës që isha në Universitet. Kam qenë në atë periudhë zv.kryeredaktor i gazetës Panorama Sport, që ishte dhe është më e shitura në treg. Por, studimet më dhanë garancinë të mund të ngrija një zyrë timen, e cila mund të kishte një imazh të mirë në treg. Sot, gëzoj një studio të tillë, me imazh pozitiv dhe profesionalizëm të lartë.

Çfarë do të donit sot të ndryshonit në raport me studimet që keni bërë në UET?
Personalisht, jam ende duke planifikuar kohën, mes zyrës juridike dhe bizneseve të tjera që administroj, për të gjetur kohën dhe mundësinë, që të përkushtohem maksimalisht te doktoratura.

Çfarë sugjerimi do i jepnit si Alumni që keni provuar edhe studimet edhe karrierën, një studenti në UET?
Shembujt e suksesit në këtë dekadë dhe në të ardhmen po bazohen gjithnjë e më shumë tek aftësia dhe meritokracia. Studimi serioz të jep mundësinë që të bësh diferencën falë aftësive. Nga eksperienca personale, besoj se çdo student, duhet ta presë me shumë optimizëm të ardhmen, nëse është i përqendruar dhe jep maksimumin në shkollimin e tij.

Çfarë do i sugjeronit UET të përshtatë në lidhje me tregun e punës, diferenca: programi mësimor-kërkesat e botës së punës?
Mendoj se çdo student, ka nevojë për praktikë disamujore, para se të bëjë kapërcimin e plotë të statusit nga student në i punësuar. Jam në dijeni që UET e përdor këtë format dhe mendoj se i ndihmon realisht shumë.

Çfarë do i thoshit sot një maturanti apo dikujt që do të ndjekë studimet në UET?
Që kualiteti i mësimdhënies është i lartë dhe për këdo që ka vullnetin të jetë i mirëshkolluar, kjo është baza kryesore.

Mes tri alternativave të studimeve, studimeve në universitet shtetëror, privat apo jashtë vendit, cila është zgjedhja më e mirë për ju?
Për mua nuk duhet të ketë paragjykime në të tria variantet. Sepse ka universitete të dobëta si shtetërore, si private, si të huaja. Tabuja e shkollimit jashtë vendit është thyer vitet e fundit, kur vërehen edhe raste të individëve të shkolluar jashtë Shqipërie, por pa treguar kapacitetin e duhur në praktikë si punëmarrës. Njëkohësisht, ka universitete prestigjioze jashtë vendit, që janë shembuj si për universitetet shtetërore dhe private shqiptare. Në të tria variantet, nuk mund të flitet në përgjithësi.

Cilën do të veçonit gjatë kësaj periudhe që nga diplomimi deri më sot, arritjen më të rëndësishme profesionale apo të karrierës?
Me zyrën e avokatisë, kam përfaqësuar me sukses çështje shumë të rëndësishme në Shqipëri, çka më kanë dhënë mundësinë për të krijuar imazhin e mirë në këtë fushë. Njëkohësisht, studimet më kanë vlejtur për të nisur dhe pasur sukses edhe në sipërmarrje të tjera biznesi, si në median time private sportive, “VIP SPORT MEDIA”, që është ndër më të klikuarat, por edhe në disa sektorë të tjerë biznesi.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Selami pritet me fishkellima: Basha tërhiq statutin, është më i keqi, ke humbur tre palë zgjedhje

Eduard Selami foli. Atë nuk e bindi dot as fjala 70-minutashe e...
Read More