Favoret e fundit të drejtësisë për kolegët e tyre

00_govt_shutterstock_81467938_justice_800pxDënimet për gjyqtarët dhe prokurorët e akuzuar për korrupsion dhe favore seksuale, në kufijtë e të papërfillshmes. Pjesa më e madhe e dënimeve të ulëta, apo të dhënies së pafajësisë është marrë në tetor-dhjetor të vitit të kaluar, kur tema e ditës ishte Reforma në Drejtësi. Flasin avokatët Gëzim Allaraj dhe Kondi Ilia për “ngutjen” e këtyre vendimeve dhe drejtësinë me dy standarde.

Nga Sebi Alla

Pak kohë para se të përfshihen nga Reforma në Drejtësi dhe veçanërisht në ligjin e vettingut, gjyqtarët e prokurorët po bëjnë nderet, në dukje të fundit, për kolegët e akuzuar për ryshfet, apo edhe kërkim të favoreve seksuale në këmbim të drejtësisë.

Më i fundit që i ka shpëtuar burgut është ish-gjyqtari i Gjykatës së Beratit, Shyqyri Çobo, i akuzuar për ngacmim seksual dhe korrupsion pasiv të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Nuk e kam puthur asnjëherë, as e kam prekur me dorë, gjithnjë e kam takuar në zyrë kallëzuesen”.

Këto ishin fjalët e gjyqtarit, që më së paku mund të quhet “qejfli” dhe i vetëshpallur si njohës i filozofisë, pasi nga 175 mesazhet dhe 300 thirrjet telefonike nisur drejt 32-vjeçares, ai kërkonte favore seksuale edhe sipas mënyrës së tij që e quante “sociologji franceze”, në mënyrë që të jepte një vendim në favor të saj, për çështje divorci.

Pa u shuar mirë jehona e gjyqtarit Çobo dhe e publikimit të mesazheve të tij telefonike, edhe Kryetari i Gjykatës së Gjirokastrës Guximtar Boçi u denoncua publikisht nga një grua e re që pretendon se i kishte kërkuar favore seksuale në këmbim të dhënies së një vendimi për çështje pronësie në favor të saj.

Edhe ai tashmë është i shkarkuar nga KLD-ja dhe pret që çështja gjyqësore të shqyrtohet.

Më herët, prokurorë dhe gjyqtarë të tjerë mundën që të shmangnin telashet e tyre me drejtësinë.

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda dy muaj më parë shpalli të pafajshëm prokurorin e Fierit, Petrit Vukaj, i marrë i pandehur për afera korruptive.

Për prokurorin Vukaj, Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda e kishte shpallur fajtor dhe dha dënimin me 18 muaj dënimin me shërbim prove, si dhe heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vjet, ndërsa Apeli i dhuroi lirinë.

Edhe në rastet flagrante, ku gjyqtarë dhe prokurorë janë kapur me “euro në duar”, dënimi ka qenë gjithnjë në shkallën më minimale që parashikon ligji.

Në nenin 319/ç, të Kodit Penal, thuhet shprehimisht: “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të Drejtësisë. Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt ose i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi, që vjen nga përfitimi i parregullt, nga gjyqtari, prokurori ose funksionarë të tjerë të organeve të drejtësisë, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën e funksionin e tij, dënohen me burgim nga tre deri në dhjetë vjet”.

Kurrkush nga të dënuarit nuk ka marrë më shumë se pesë vite burgim, jo më të shkojë deri në masën maksimale që parashikon ligji, deri në dhjetë vite.

Ish-prokurori i Krujës Haxhi Giu, pak muaj më parë u dënua me dy vite e katër muaj burg. Ai dyshohej se i premtoi një të pandehuri që do t’i ulte në minimum dënimin kundrejt 29 mijë eurove.

Të njëjtin fat të mirë, në një dënim të ulët pati edhe Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës Ibrahim Hoxha, i cili akuzohet për korrupsion pasiv në shumën e 600 mijë lekëve të reja, për dhënien e një vendimi për çështje pronësie.

Vendimi gjyqësor për të ishte 3 vite burg, por Hoxha përfiton uljen e 1 viti për shkak se pranoi gjykimin e shkurtuar.

Po a është i barabartë ligji njësoj për të gjithë, si për gjyqtarë e prokurorë, ashtu edhe për funksionarë të vegjël që kanë shkelur ligjin, apo qytetarë të thjeshtë?

Vështirë të thuhet, kur faktet janë të dukshme.

Jo më larg se muaji nëntor i vitit të kaluar në Gjykatën e Tiranës u dha një vendim me dy vjet burg për të dy të rinj, pasi u akuzuan se kishin ngacmuar seksualisht me fjalë një vajzë në rrugë.

Ndërsa ngacmimet, haptas me sms, apo me zë e figurë, të gjyqtarëve për favore seksuale, kalojnë me vendime të papërfillshme, ku më e rënda për ta është vetëm largimi nga puna.

Avokati Gëzim Allaraj, gjykon se është e dukshme se ka një favorizim në dënimet e ulëta, ose edhe dhënie pafajësie ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të akuzuar për korrupsion apo kërkim të favoreve seksuale.

“Po përshpejtohen procedurat e dhënies së vendimeve për një arsye më se esenciale, për shkak të faktit se një çështje penale e gjykuar një herë, nuk mund të gjykohet më” -komenton Allaraj, duke shtuar se po tentohet të mbyllet gjithçka në këtë periudhë, pa nisur ende zbatimi i Reformës në Drejtësi.

“Një favorizim tjetër është se në dënimet që iu jepen personave të akuzuar brenda sistemit të drejtësisë, kolegët e tyre shfrytëzojnë gjithë hapësirat ligjore për t’i favorizuar në krahasim me njerëzit e thjeshtë dhe jemi para një diskriminimi midis subjekteve të veprës penale të së njëjtës akuzë” -shprehet Allaraj.

Avokati shkon më tej kur nuk bie aspak dakord me dënimet e ulëta, pasi sipas tij prokurorë, gjyqtarë dhe persona të tjerë që vijnë nga radhët e drejtësisë, nuk mund t’iu krijohen lehtësime, pasi ata në momentin e kryerjes së veprës penale, janë të vetëdijshëm edhe për pasojat, pasi i njohin mirë dispozitat ligjore, ndaj nuk duhet t’u krijohen rrethana lehtësuese në dhënien e dënimit.

Ndërsa avokati Kondi Ilia, e sheh këtë çështje në një këndvështrim tjetër, edhe në lidhje me afatet e gjykimit, ku qytetarë të ndryshëm mbahen me vite peng të drejtësisë.

“Procedura e shqyrtimit të një çështjeje civile apo penale bazuar në legjislacionin procedural duhet të shqyrtohet brenda afateve që parashikon ligji. Por shpeshherë në praktikë nuk ndodh kështu, ka pasur raste që proceset gjyqësore kanë zgjatur vite të tëra në të gjitha shkallët e gjyqësorit, aq sa qytetari që ka vënë në lëvizje gjykatën edhe nëse e ka fituar çështjen juridike në fund ka dalë i rraskapitur, i lodhur psikologjikisht, i dëmtuar ekonomikisht me një perceptim jo pozitiv për funksionimin e drejtësisë. Ka dështuar efikasiteti në dhënien në kohë të drejtësisë. Kurse në dënimet e funksionarëve të drejtësisë ka ndodhur e kundërta, pasi me hyrjen në fuqi të vettingut, dhënia e drejtësisë nga gjyqtarë të kualifikuar do të penalizonte më shumë këta të pandehur” -shprehet Ilia, që gjithsesi e konsideron pozitive që në vitin 2017 ka akuza të tilla të ngritura nga prokuroria kundrejt kolegëve të tyre, ndërkohë nëse kjo pyetje do të bëhej 10 apo 20 vite më parë as nuk do të perceptohej.

Duke iu referuar kohës së dhënies së dënimeve për gjyqtarë dhe prokurorë të akuzuar për korrupsion, ata janë përqendruar kryesisht në muajt tetor-dhjetor të vitit të kaluar. Kohë kur diskutohej thuajse çdo ditë çështja e Reformës në Drejtësi dhe veçanërisht ligji i vettingut.

Ngjan një “ngutje” për të shpëtuar dhe bërë nderet e fundit para nisjes së Reformës në Drejtësi. Edhe brenda sistemit, bëhet diferenca e gjyqtarëve të “provincës” dhe atyre të çështjeve të mëdha në Tiranë.

Me nga katër vjet burg u dënuan gjyqtarja e Lezhës, Parashqevi Ademi, dhe avokati Gjovalin Ndokaj, të akuzuar se iu morën 200 mijë lekë dy personave për zbutjen e dënimit.

Ndërsa Gjykata e Krimeve të Rënda pak muaj më parë ka dënuar me 4 vjet e 6 muaj burg ish-gjykatësin e Sarandës, Rasim Doda, për akuzën e korrupsionit pasiv.

Edhe në rastet kur drejtësia ka tentuar të verë “drejtësi” në radhët e saj, të ndaluarit dhe gjykuarit janë vetëm nga shkallët e Prokurorisë dhe Gjykatave të Rrethit, pa guxuar të shkojnë më lart, në Gjykatën e Apelit, apo atë të Lartë.

Kjo kategori deri më tani ka mbetur e paprekshmja e përjetshme.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Prekëse: Gruaja i jep gji bebes së braktisur në kuti kartoni

Një grua në Kinë është cilësuar si ‘mamaja më e mirë në...
Read More